10 09 2020

“Normalizimi Ekonomik”, shumë dëme politike ndaj Republikës pa përfitime ekonomike

Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencën e tretë këtë javë në lidhje me zotimet e z. Hoti në Uashington. Kësaj radhe nënkryetari, Besnik Bislimi dhe deputeti dhe njëherit kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Hekuran Murati folën për aspektin ekonomik të atyre zotimeve.

Nënkryetari Bislimi tha se mënyra se si është shtruar çështja e normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si normalizim ekonomik me vende të reja pune që i paraprinë normalizimit politik, mohon të gjitha njohuritë që vijnë nga përvojat e deritanishme të kësaj përpjekje për normalizim.

“Nuk ekziston as edhe një studim i vetëm, që origjinën e problemeve mes Kosovës e Serbisë, apo edhe terapinë për zgjidhjen e tyre e sheh tek ekonomia. Janë vetëm tre rrafshe në të cilat është përmendur ekonomia deri më tani në kontekstin e konfliktit Kosovë Serbi. Së pari Serbia njëanshëm ka gëzuar qasje të lirë në tregun e Kosovës duke shkatërruar bizneset kosovare, dhe njëkohësisht ka pamundësuar si importet nga Kosova ashtu edhe kalimin transit të eksporteve kosovare drejt Bashkimit Evropian. Këtë e ka bërë sistematikisht dhe me tolerim të bashkësisë ndërkombëtare duke aplikuar një laramani të barrierave jo-tarifore. Së dyti, Serbia ka tentuar në vazhdimësi që resurset e pasura minerale të Kosovës t’i bëjë pjesë të dialogut. Dhe së treti, duke minuar përpjekjet për integrim të Kosovës, Serbia në fakt po pengon bizneset e Kosovës që të avancohen dhe përfitojnë nga ekonomia e shkallës dhe qasja në tregjet dhe financat e Bashkimit Evropian. Pra problemi Kosovë-Serbi asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk ka qenë i ndikuar nga mungesa e bashkëpunimit ekonomik dypalësh, rrjedhimisht edhe opsionet për zgjidhje të këtij konflikti nuk kanë se si orientohen drejt kësaj recete”, tha Bislmi.

Tutje, Bislimi theksoi se zotimet që i nënshkroi z. Hoti me vetveten në Uashington vetëm në margjinë e prekin fushën e ekonomisë. Ai listoi tri efekte ekonomike të tyre:

1. Premtimet për kredi miliardëshe për ndërtim të autostradës dhe hekurudhës me Serbinë. Kjo autostradë dhe kjo hekurudhë (përfshirë këtu edhe një linjë ajrore të dakorduar më herët Prishtinë-Beograd) gëzojnë zero avantazh ekonomik në terma të analizës së kostos dhe përfitimit. Në fakt me kredi që do paguante Kosova, pala kosovare do të arrinte tri gjëra: do të rriste barrën e borxhit publik për gjeneratën e ardhshme, pa ndonjë kundërvlerë me peshë; do të ulte koston e bizneseve serbe për qasje në tregun e Kosovës dhe Shqipërisë, dhe përmes kësaj do të ulte fuqishëm konkurrueshmërinë e bizneseve vendore duke u dhënë atyre goditjen përfundimtare.

2. Hyrja e Kosovës në minishengen, që në fakt është përmbushje e kërkesave të palës serbe, vetëm i mundëson ekonomisë së saj qasje të papenguar në ekonominë e Kosovës.

3. Lejimi i të drejtave të shfrytëzimit të resurseve ujore të Ujmanit (ku Kosova ka të shpronësuara të gjitha pronat përreth tij, edhe atë me çmim shumëfish më të lartë se vlera e tregut dhe përmes kredisë ndërkombëtare) edhe për palën serbe. Kosova që njihet si vendi me mungesën më të madhe të ujit në nivel evropian, e rëndon edhe më tej situatën e saj, si të furnizimit me ujë të pijes për disa qytete, aftësinë për të ujitur dhjetëra mijëra hektarë toke; furnizim të termo-elektranave, duke rritur për pak përqindje furnizimin me energji të palës serbe. Shumë dëm për ekonominë e Kosovës, për vetëm pak përfitime për palën serbe. Dhe për palën serbe është evidente se shumë më i rëndësishëm se e drejta e shfrytëzimit të resurseve ujore të Ujmanit mbetet precedenti i hapjes së temës së resurseve natyrore të vendit si objekt negocimi me Serbinë.

“Është e qartë se asnjëra nga këto pika ndaras, e sidomos jo të gjitha bashkë nuk i sjellin ato që janë premtuar. As nuk sjellin njohje, as vende pune, e as progres ekonomik. Në fakt këto zotime e largojnë Kosovën edhe më tej nga zgjidhja finale e mosmarrëveshjeve me Serbinë,” tha Bislimi.

Kurse deputeti Hekuran Murati foli për zotimin rreth minishengenit. Ai kujtoi deklaratat e z. Hoti kundër minishengenit, dhe ato ku ai thoshte se nuk do të nënshkruante asgjë që bie ndesh me interesin e vendit. Të gjitha këto ranë poshtë nën arsyetimin “na e kërkuan miqtë tanë” dhe kjo tregon se sa mashtrues e të papërgjegjshëm janë këta, tha Murati.
Ai po ashtu shtroi çështjen e emërtimit “zonë e minishengenit”, duke kujtuar se emërtime të tilla vijnë nga vendi ku ato marrëveshje nënshkruhen.

“Zona e Shengenit” quhet e tillë për shkak se është nënshkruar në Shengen. Ky zotim për zonën e minishengenin është nënshkruar në Novi Sad, andaj do të duhej të quhej zona e Novi Sadit, dhe do të duhej thënë që kjo qeveri e paligjshme ka nënshkruar që ta bëjë Kosovën pjesë të Novi Sadit”, tha Murati.
Sipas Muratit Kosova lëre se nuk përfiton asgjë nga ky zotim për minishengen, por edhe rrezikon të humbë tutje.

“Jemi shteti më i dobët në rajon dhe nuk kemi as çfarë të eksportojmë, e as ndonjë avantazh tjetër në raport me shtetet që na rrethojnë. Nuk kemi kufizim as me ndonjë shtet Evropian që do të mund të përfitonim nga kjo. Pra, e tëra kjo po bëhet për ta favorizuar Serbinë, që ekonomikisht si shtet është më i fortë dhe tash përveç tregut të Kosovës do ta ketë edhe atë të Shqipërisë me korridoret e hapura dhe portin në Adriatik.”

Në fund, Murati kujtoi po ashtu zhurmën e madhe që është bërë më parë kur është përmendur hapja e korridorit të Durrësit për Serbinë në këmbim të njohjes prej saj.

“Ky delegacion që çirrej atëherë dhe tundte grushtin duke thënë se nuk bënë t’i ofrohet Serbisë asnjë korridor, e as në këmbim të njohjes, tash shkuan atje edhe ja dhanë korridorin pa marrë asgjë. Do të thotë nuk i morën asgjë Serbisë, por ja ofruan korridorin e madje-madje edhe u zotuan që investimin për ndërtimin e korridorit do ta bëjmë ne, duke marrë kredi. Kosova nuk përfiton asgjë nga këto zotime, por vetëm Serbia e cila siguron dominim të tregut rajonal dhe dalje në detin Adriatik”, përfundoi Murati

Kontribo