09 09 2012

Odat e privatizimit

Mbi dogmën e privatizimit si qëllim

“Tregu i lirë nuk ekziston. Çdo treg ka rregulla dhe kufizime në lirinë e përzgjedhjes. Tregu duket si i lirë vetëm sepse ne në mënyrë të pakushtëzuar i pranojmë kufizimet dhe rrjedhimisht nuk i shohim ato. Sa i “lirë” është një treg nuk mund të definohet në mënyrë objektive. Pra, tregu i lirë është përkufizim politik. Arsyetimi i proponentëve të tregut të lirë se ata po mundohen të mbrojnë tregun nga ndikimet politike të qeverisë është i pavërtetë. Pushteti është gjithmonë i involvuar, dhe këta proponent janë po aq të motivuar politikisht sikurse gjithsecili. Tejkalimi i këtij miti është hapi i parë në kuptimin e kapitalizmit.” Këtë e thotë Ha-Joon Chang, profesor në Universitetin e Kembrixh-it, në Mbretërinë e Bashkuar, në librin e tij “23 gjërat që nuk ju tregojnë për kapitalizmin.”

Miti i dytë që duhet kuptuar është që privatizimi nuk është zhvillim. Privatizimi nuk është e vërteta absolute. Privatizimi është mjet. Dhe mjeti është vegël që përdoret për të arritur qëllimin. Në këtë rast, privatizimi është mjet për transformim të pronësisë. Transformim me idenë që prona e padefinuar të definohet, derisa ajo joproduktive të bëhet produktive për të arritur një qëllim zhvillimor.

Dhe, cili është qëllimi? Shitja apo Zhvillimi? Çka është zhvillimi në kontekstin e kësaj republike? Transformimi i pronësisë, e që në rast të ndërmarrjeve publike hisedari është i qartë, apo krijimi i vlerës së shtuar dhe i vendeve të punës? Në thelb këtu është problemi qenësor me privatizimin në Kosovë. Pra, është bërë qëllim në vete dhe jo mjet për zhvillim i cili në thelb duhet ta ketë krijimin e vlerës së shtuar, zbutjen e disbalancit tregtar, zëvendësimin e importeve, promovimin e eksporteve dhe si rrjedhojë zbutjen e papunësisë.

Privatizimi në Kosovë nuk është më mjet për arritjen e një qëllimi final zhvillimor, por është shndërruar në qëllim në vete në mungesë të një plani zhvillimor.

Por ja që, paradoksalisht, odat ekonomike menjëherë mblidhen rreth mbrojtjes së mjetit, pra privatizimit si emër, e jo zhvillimit si domosdoshmëri e cila na mungon sot e 12 vite. Më shumë i pengon fakti që në një formë ose tjetër, sipas perceptimit të tyre, po lëndohet imazhi i Kosovës përballë investitorëve, ani që këta na qenkan blerës të thjeshtë që po futen në transaksion me qeveri e cila ka manipuluar me vota për të ardhur në pushtet, se sa përmbajtja dhe ngecja në zhvillim.

Imazhi i Kosovës nuk lëndohet nga aksioni qytetar, as nga protesta, e as nga peticionet. Imazhi i Kosovës lëndohet nga ata që manipulojnë me instrumentin e vetëm të qytetarit, votën, zhvatin buxhetin, shesin publikun, varfërojnë shtetin, e derisa sundimin e rendit dhe ligjit e nënkontraktojnë te trupa të huaj. Imazhi lëndohet nga këta, investitorët nuk investojnë për shkak të tyre, zhvillimi nuk ndodh për shkak të tyre. Pra, në vend se të merren me përmbajtjen, merren me formën. Në vend të kritikës për mungesë përmbajtjeje zhvillimore në politikat ekonomike, merren me mbrojtje të mjeteve aq shumë të përvetësuara për qëllime. Punësimi dhe mjetet për të arritur deri te punësimi dhe mirëqenia janë të vërtetat që duhen kërkuar si shtet, si pushtet dhe si shoqëri e qytetar. Derisa, kundërshtimi i dogmave të atyre që janë në gjendje të xhirojnë manipulimin e votës dhe të mburren me të është detyra e secilit.

Reagimi i organizuar kundruall një sfide për një mjet (privatizimi është mjet dhe asgjë më shumë) me kaq zell, e jo reagim i organizuar rreth politikave tatimore për prodhuesit vendor (edhe këto janë biznese private), mungesës së strukturës ekonomike, apo edhe zhvatjes që i bëhet bizneseve private në forma të ndryshme, sjell shumë pikëpyetje rreth çfarë përfaqësojnë si grupe të interesit. Sido që të jetë, dua të besoj që ky reagim do jetë po aq i shpejt, po aq i “fortë”, po aq i zellshëm edhe për pakon e re fiskale, edhe për mos-strukturimin e ekonomisë, edhe për mbrojtjen e prodhuesit vendor, e qe besa edhe për organizimin e mirëfilltë të odave të tyre në mbrojtje të ambientit të biznesit në Kosovë.

Kontribo