01 06 2010

Optimizmi i kthyer në iluzion

Ndërkohë që diskutimet në Grupin e Kontaktit po vazhdojnë për çështje të ndryshme anësore të bisedimeve të parapara, në mediat botërore dhe të vendit po zë mjaft vend edhe paraqitja e profilit të diplomatit gjerman, Wolfgang Ischinger, të cilin Solana e caktoi si përfaqësues të BE-së për bisedime. Në këtë paraqitje të profilit të tij, shihet se diplomati gjerman vërtet ka një karrierë të bujshme diplomatike sidomos në marrëdhëniet me jashtë. Wolfgang Ischinger është emër i njohur edhe për shqiptarët sepse ka qenë i angazhuar në veprimtari diplomatike gjatë luftërave që Serbia i bënte në Ballkan gjatë viteve ‘90-ta, dhe mendimet që ka shprehur ai për çështjen tonë edhe nëse i kemi harruar, po na i përkujtojnë mediat. Këtu nuk ka asgjë të keqe, madje duhet të dihet qëndrimi i kahershëm dhe profili e çdonjërit që i takon të merret me punët tona.

Kështu për shembull, gazeta gjermane Der Spiegel e cilësoi si ‘ekspert të çështjeve ballkanike’ ndërsa anëtarët kryesor të Grupit Negociator e cilësuan si ‘njohës të mirë të rrethanave ballkanike’, duke varur me këtë rast shpresa të mëdha në të, sepse meqë na qenka kështu, atëherë ai do të angazhohet për një zgjidhje të drejtë. E vështruar sipërfaqësisht, edhe këtu nuk ka ndonjë gjë të keqe. Diplomati gjerman edhe mund të jetë ekspert i çështjes ballkanike apo njohës i mirë i kësaj çështjeje, madje sidomos kur kemi parasysh pjesëmarrjen e tij në marrëveshjen e Dejtonit (1995) dhe atë të Rambujesë (1999), që të dyja për çështje ballkanike, por sa mjafton kjo që të deklarohemi aq optimist që në fillim! E unë mendoj se kjo nuk mjafton aspak. .

Them kështu sepse e kemi të njohur qëndrimin e tij për çështjen e Kosovës, e kjo domethënë, qëndrimin e tij për përbërësin kryesor të çështjes më të rëndë ballkanike – çështjen shqiptare. E ai qëndrim, siç na e përkujtuan edhe mediat ishte ky: më 1997, Ischinger kishte deklaruar se ‘Kosova duhet të ketë autonomi të gjerë në kuadër të Serbisë’! Me fillimin e luftimeve dhe shkallëzimin e tyre, ai e ‘përparoi’ qëndrimin e tij deri te pohimi se ‘statusi i Kosovës është përcaktuar tani për tani me rezolutën 1244’ në vitin 2000, i cili s’është gjë tjetër veçse një pohim për një ngjarje që ka ndodhur. Prej këtij viti, thonë mediat, Ischinger nuk është prononcuar më për çështjen e Kosovës. Pra, siç po mund të vërehet, politikani i lartë i diplomacisë së jashtme gjermane ka shprehur qëndrime paradoksale ndaj cilësimit të tij ‘ekspert i çështjes ballkanike’ sepse qëndrimet e tij për çështjen e Kosovës, meqë nuk janë liruar prej kornizave që ia cakton politika e jashtme gjermane, janë qëndrime joparimore dhe të padrejta. .

Mund të thuhet kështu edhe për këto arsye: po të njihet mirë çështja ballkanike, e kjo do me thënë, po të njihet mirë procesi i krijimit të shteteve ballkanike e në këtë mes edhe i Shqipërisë, nuk mund të shqiptohen pohime sikundër ka shqiptuar ky diplomat më 1997 se ‘Kosova duhet të ketë një autonomi të gjerë në kuadër të Serbisë’! Dhe më tej, po të njihet mirë çështja ballkanike, e kjo do me thënë, po të njihet mirë edhe çështja shqiptare si çështja më e rëndë ballkanike, nuk mund të shqiptohen pohime sikundër ka shqiptuar ky diplomat gjerman në vitin 2000 për statusin e Kosovës! .

Ai që e njeh çështjen ballkanike, ai patjetër e din se shqiptarët kanë përjetuar tragjedinë më të madhe kombëtare dhe popullore në Evropë gjatë procesit të krijimit të shteteve ballkanike, prej Kongresit të Berlinit (1878), dhe më pas në Konferencën e Londrës (1912-1913), kur Fuqitë e Mëdha të asaj kohe ia njohën Serbisë tokat e pushtuara gjatë Luftërave Ballkanike. .

Dhe më tej: nëse diplomati gjerman është njohës i mirë i çështjes ballkanike, atëherë për të mund të thuhet se ai dhe politika e jashtme gjermane nuk janë treguar parimore dhe të drejta sa i përket çështjes shqiptare, sepse parimësia do ta shtrëngonte këtë diplomat të deklaronte çdo herë e çdo kund kur i kërkohet të deklarojë se zgjidhje e drejtë për çështjen shqiptare si çështje me e rëndë ballkanike është vetëm ajo zgjidhje e cila do t’ua njihte të drejtën për vetëvendosje të gjithë shqiptarëve që banojnë në trojet e tyre etnike pavarësisht se në cilat shtete apo republika janë të degdisur tani për tani. .

E duke i pasur parasysh të gjitha këto, një qëndrim i tillë as që mund të pritet. Krejt çka mund të pritet nga ky diplomat është mbështetja e planit të Ahtisaarit. Atëherë, a duhet të këtë vend gjithë ky optimizëm i tejtheksuar madje në një njeri, kur s’ka vend për optimizëm as nga tërë ky proces?! Mos po rrezikojmë që gjithë ky optimizëm të shndërrohet në iluzion?! E iluzionisti asnjëherë nuk është i vetëdijshëm për ndjenjën e përtashme të tij.

Kontribo