19 12 2023

Padi për shpifje ndaj Ramës, Abdixhikut dhe Kica-Xhelilit

Siç është bërë e qartë tanimë, kur nuk kanë lëndë për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese, merren me sulme publike dhe shpifje.

Nuk është hera e parë që një zyrtar a përfaqësues i Lëvizjes VETËVENDOSJE! sulmohet me shpifje dhe të pavërteta.

Para disa javësh në një sulm publik të organizuar tre zyrtarë publikë e përfaqësues politikë paraqitën si të vërtetë ndërhyrjen në një vendim të gjykatës komerciale për tenderin e Komunës së Prishtinës për ndërtimin e “Rrugës A ” në Prishtinë. Procesi në fjalë prej kohësh dihej nga çdo i interesuar apo ekspert i fushës se kishte probleme serioze me integritetin e kompanisë fituese. Çështje kjo për të cilën asnjë nga eksponentët në fjalë asnjëherë as u shprehën publikisht as u organizuan për të kërkuar llogari publike.

Kudo në median e shkruar ishte bërë e qartë se kompania fituese e tenderit për “Rrugën A” në Prishtinë ishte në zotërim të personave me dënime penale. Por kjo çuditërisht nuk i preokuponte krerët e Komunës dhe të LDK-së.

E kundërta ndodhi pasi rasti në fjalë u kontestua nga Gjykatën Komerciale dhe punimet u pezulluan. Fajin për këtë pezullim drejtuesit e Komunës dhe LDK ja lënë deputetes së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Fitore Pacolli. Meqë sipas shortit për gjykimin e kësaj lënde drejtuesit e Gjykatës kishin caktuar gjyqtaren, të afërmen e deputetes tonë.

Për insinuatat e këtyre eksponentëve dhe shpifjeve të tyre publike sot deputetja Fitore Pacolli – Dalipi ushtroi Padi në Gjykatën Themelore.

Midis të tjerash ajo deklaroi për mediat se:

Sot e dorëzova padinë për shpifje dhe fyerje dhe kompensim të dëmit kundër Kryetarit të Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama, Kryetarit të Lidhjes Demokratike z. Lumir Abdixhiku dhe deputetes Doarsa Kica Xhelili.

Të tre të paditurit me deklaratat e tyre publike lidhur me vendimin e Gjykatës Komerciale për “Rrugën A”, me veprimet e tyre, duke e dënuar fillimisht faktin biologjik të të qenit motra e gjykatëses Vlora Pacolli, kanë shpifur duke më dëmtuar imazhin si personalitet publik. Që të tre kanë konsumuar veprën e shpifjes dhe fyerjes ndaj meje.

Me shpresë se Gjykata Themelore do ta trajtojë këtë me kohë dhe sipas afateve ligjore urojmë që të shërbejë si rast për të vendosur drejtësinë në situata të tilla.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

19 dhjetor 2023

Kontribo

18 12 2023

Manifesti i Organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!

Preambulë

  1. Gjendja e grave në Kosovë rëndohet nga përjashtimi ekonomik, mentaliteti shoqëror dhe neglizhenca institucionale.
  2. Në ndërveprim me njëra tjetrën, këto tri struktura e ndërtojnë një hierarki pushteti ku grave i imponohet pozita e pabarazisë. Gratë dhe vajzat e vuajnë sot mungesën e parave, e punojnë gjithë ditën në punë e në shtëpi. Ato e pësojnë neglizhencën në vend të mbështetjes institucionale, paragjykimin në vend të solidaritetit shoqëror, përjashtimin në vend të përfshirjes. Në vend të pabarazisë dhe paanësisë në emër të barazisë, meritojmë punë dhe pagë, liri të lëvizjes, të fjalës e veprimit, dhe jetesë në shtet miqësor. 

Praktikja

  • Gratë nuk janë të papuna. Ato janë të papunësuara. Më keq, janë të papaguara. Të goditura nga keqpagesa, informaliteti i ekonomisë ose papunësia, ato po gjejnë vetë forma të punësimit. Ose të mbijetesës përmes angazhimit të tyre vetjak. Me gjithë punën e madhe që bëjnë në shtëpi, në tregun informal, ose në punë të nënpaguara, mungon qasja e tyre në financa. Ndërkaq, ato që posedojnë mjete e ndajnë luftën e gruas në shtresa ekonomike. Disa kanë dado, disa janë dado. Të gjitha mund ta njohin diskriminimin por të dytat shumë më mirë.
  • Shumica e grave nuk mund të bëjnë baraspeshë të mirë mes jetës dhe punës. Ato janë të shantazhuara me njërën ose tjetrën, ani pse u takojnë të dyja. Kujdesi shtëpiak, e kujdesi ndaj anëtarëve të familjes nuk lidhet me gjininë. Pse duhet t’u mbetet vetëm grave?
  • Ato vazhdojnë të thyejnë tabu megjithëse tabutë janë goditur kohë më parë. Ato vazhdojnë të flasin, shkruajnë, krijojnë, shprehen artistikisht, zbulojnë, fitojnë çmime  e medalje, por objekftikohen pavarësisht këtyre arritjeve. Nuk mund të jesh e arritur pa e përmbushur edhe standardin estetik të çfarëdolloj që është në modë. Të qenit grua kushtëzohet nga performanca e feminitetit të fabrikuar social.
  • Gratë mund t’i kryejnë dhjetëra shkolla profesionale, dhjetëra trajnime të mbrojtjes dhe të mos ndihen akoma të sigurta. Të rrethuara me dhunë verbale, ngacmime seksuale, përdhunime dhe femicidi.
  • Të gjitha këto po i çojnë gratë në ngujim e kufizim. Ne jemi për çlirim. Këto janë kërkesa politike. Ndaj asnjërës nuk jemi indiferente.

Veprimtaria

  • Ne jemi vetëvendosëse. Për këtë luftojmë dhe jetojmë. Për jetë me dinjitet. Për kënaqësi dhe barazi. Për vete dhe për njëra-tjetrën.
  • Ne mund ta kemi të vështirë se struktura shtypëse është e vjetër mijëra vjet. Por, ne sot e kemi lehtë sepse na udhëheq ideali i grave pioniere që çanë rrugën para nesh që të veprojmë për ato që vijnë pas nesh. 
  • Sot e kemi vështirë se s’ka vende pune të mjaftueshme. Por, e kemi më lehtë se paraardhëset tona, sepse sot gratë janë edhe të diplomuara edhe të kualifikuara po aq e më shumë se burrat.
  • Sot e kemi vështirë se duhet të kërkojmë shtretër në spitale. Mirësjellje e higjiene, trajtim të dinjitetshëm edhe në proceset obstetrike. Por, ne sot synojmë e luftojmë që ta kemi më të lehtë dhe për këtë jemi të pa kompromise për të drejtat tona riprodhuese. 
  • E kemi të vështirë se ende nuk pranohet tërësisht të vendosim për trupat tanë. Por ne e kemi të lehtë se insistojmë në zgjedhjet dhe vendimet tona.  
  • Ne e kemi të vështirë se ndërveprojmë me dhunues. Por, e kemi të lehtë se të gjitha jemi bashkë.

Deklaratat

  1. Koha e dhunës, e përjashtimit, e diskriminimit ka mbaruar. Kush beson në to e pret pluhuri.
  2. Ne ende duhet të numërojmë gratë në politikë derisa numërojmë varret e grave të vrara. Andaj, nuk ka vend për vetëkënaqësi, por vetëm për revoltë. Ne jemi në politikë, aktiviste politike. Kundërshtojmë aktivisht çdo akt të kryer padrejtësisht.    
  3. Skeptikët na thonë pse nuk po merreni me këtë lloj padrejtësie. Janë burra kryesisht. Të gjitha idetë që na i japin janë të shkaktuara nga bashkëgjinorët e tyre.
  4. Nuk duhet të dridhet zëri i grave teksa denoncojnë. Duhet të dridhen kriminelët që mendojnë të dhunojnë.
  5. Sot gratë në Kosovë dhe kudo në botë duhet ta zhdukin një problem që ato nuk e kanë shkaktuar. E kanë pësuar historikisht megjithatë. Derisa burrat janë duke vazhduar jetën dhe përparimet e tyre, ne duhet të ndreqim gabimet e tyre. Pabarazia është problem i burrave. Ata janë krijues të kësaj vepre përbindëshi. që burrat kanë bërë e bëjnë përditë.
  6. Ata nuk na akuzojnë dot. Rezistencën e bëjmë. Punët i kryejmë. Dijen e kemi. Guximin e treguam. Në luftë nuk dorëzohemi. Ne do të fitojmë.
  7. Burrat nuk i kanë siguruar botës një jetë me dinjitet e barazi. Për këtë ne do të luftojmë. Prandaj ne do të fitojmë.

Teorikja

  • Socialdemokracia dhe çlirimi i grave janë koncepte që ne jemi të bindura që kanë një lidhje të fortë me njëra–tjetrën. Socialdemokracia nuk mund ta injorojë çështjen gjinore dhe feminizmi nuk mëton se arrihen idealet feministe pa socialdemokraci. Angazhimi ndaras për to është i mangët. Ne i duam të dyja së bashku. Angazhimi që në qendër ka parimet e socialdemokracisë dhe feminizmit, garanton përparim edhe gjinor edhe shoqëror. Ne, si GVV angazhohemi për të dyja në mënyrë rigoroze.  Feminizmin socialdemokrat e shohim si mundësi për arritjen e çlirimit tonë si gra.
  • Idetë që ne si Gra për VETËVENDOSJE! shtyjmë përpara janë kundër diskriminimit dhe për barazi e drejtësi. Angazhimi ynë është për vetëvendosjen si koncept për realizim/plotësim të secilës grua si qytetare me të gjitha mundësitë. Feminizmi i ndërthurur/ndërsektorialiteti është qasja jonë. Sepse synimet tona janë për një shoqëri gjithëpërfshirëse. Jemi vigjilente ndaj secilës pabarazi pavarësisht bazës që ka; Kundër pabarazisë klasore, kombëtare, racore, orientimit seksual apo identitetit gjinor. Nuk  mëtojmë emancipimin shoqëror e gjinor vetëm në një sferë të jetës shoqërore qoftë ajo gjinore, kulturore apo edhe ekonomike. Që emancipimi të jetë i plotë duhet eliminuar secila pabarazi, çfarëdo qoftë ajo. Jemi të vetëdijshme që parakusht që të plotësohen nevojat kolektive të grave është ndryshimi i strukturës shoqërore.
  • Vizioni ynë është këmbëngulja tek vlerat universale si barazia, lira e drejtësia.  Angazhimi ynë është për zgjidhjen e problematikeve të spektrit lokal. Ne angazhohemi se pari për veten tonë dhe vendin tonë. Gratë shqiptare kanë bërë vazhdimisht përpjekje të dyfishtë për dekolonizim për kombin e për veten si gra. E njohim secilën betejë që veçmas gratë shqiptare kanë fituar përgjatë historisë. Synojmë t’i ruajmë arritjet e fituara e angazhohemi për të fituar beteja të reja.
  • Ne kërkojmë VETËVENDOSJE! veçanërisht për gratë. Feminizmi që e përqafon GVV shkon përtej të drejtave ligjore, kushtetuese. Duam përfaqësim në vendimmarrje, por nuk mjaftohemi me të. Edhe demokraci përfaqësuese edhe demokraci të drejtpërdrejtë. Duam paga të barabartë me burrat për punë të njëjtë. Por, jemi të pakënaqura me aq. Duam punë dhe mirëqenie. Luftojmë për të kontrolluar trupin dhe seksualitetin tonë. Kështu i kemi në duart tona, jetët tona. Feminizmi ynë nuk është një pikë që arrihet por është vijë lineare. Ne vijojmë drejt dhe përpara.
  • Solidaritetit ka potencial të madh për të na bashkuar si gra. Solidariteti është mjeti kryesor që mund të na bëjë bashkë si gra. Me qëllim të përbashkët që të dekonstruktojmë rolet gjinore që shërbejnë si burim i shtypjes dhe shfrytëzimit. Solidaritetin do ta përdorim si fuqinë tonë për t’i riorganizuar jetët tona e bashkë me to edhe rendin shoqëror.

Kontribo

16 12 2023

Mbledhja LIII e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot u mbajt mbledhja e fundit për vitin 2023 e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në këtë mbledhje u diskutua për situatën politike dhe për çështje organizative, u miratua planifikimi buxhetor për 2024, Manifesti i GVV-së, dhe raportuan ministrat e kabinetit qeveritar për punën e bërë gjatë këtij viti.

Kryetari i Lëvizjes, njëherazi Kryeministri, Albin Kurti, në fjalën e tij hyrëse foli për aspekte përgatitore organizative që na duhen në nivelin lokal për zgjedhje lokale që po afrojnë dhe për të arriturat e qeverisë që ai drejton për këto 2 vjet e 9 muaj.


Derisa qeveritë as brenda një mandati të plotë nuk arrijnë t’i rrisin të hyrat buxhetore për 15% ne e kemi arritur këtë brenda një viti kalendarik janar-nëntor 2023, tha Kryeministri, Albin Kurti.

“Me politikat tona zhvillimore, të hyrat buxhetore gjatë periudhës janar–nëntor 2023 kanë arritur vlerën prej 2.6 miliardë euro, të hyrat buxhetore, 340 milionë euro ose 15% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. A e kuptoni ne po e tejkalojmë veten për 15%. Në vendet e tjera qeveritë as ëndërr s’e shohin dot ta bëjnë brenda mandatit të tyre 15% më shumë se qeveria paraprake në vendin përkatës. Ne vit pas viti, këtë vit 15% më shumë të hyra se vitin e kaluar. Po i them këto se nuk transmetohen siç e dini ju. Për rrjedhojë, buxheti ynë për vitin 2024, i miratuar këtë javë në Kuvend, ka kapur vlerën prej 3 miliardë e 314 milionë euro, i cili paraqet buxhetin më të lartë që ka pasur Kosova ndonjëherë.  Gjithsej, nga fillimi i mandatit në vitin 2021, buxheti është rritur për 860 milionë euro apo 35%.”

Në 2/3 e mandatit kemi dyfishuar numrin e të rinjve të punësuar.

“Është dyfishuar edhe numri i të rinjve të punësuar, ku në fillim të vitit 2021, në fillim të vitit 2021 ishin 28 mijë e 293 persona të rinj, kurse në fund të korrikut 2023 numri i të rinjve të punësuar ishte 60 mijë e 884. Më shumë se dyfish brenda një mandati. Ma gjeni një qeveri jo në Ballkan po edhe në Evropë që e dyfishon, që më shumë se e dyfishon punësimin e të rinjve brenda një mandati për vetëm 2/3 e mandatit”, tha Kryeministri Kurti. 


Më parë nga qeverisja pasuroheshin individët, tash po pasurohet shteti. Nuk ka shtet në rajon e më gjerë që ka rritur BPV për 40% në 5 vjet, siç ka bërë Republika e Kosovës.

“Nga fillimi i mandatit në vitin 2021 buxheti është rritur për 860 milionë euro apo 35%. 2021 – 2024, për 3 vjet, 35% buxhet shtetëror më shumë. Këta para neve e mbani në mend se nuk keni si të mos e mbani në mend se e kemi përjetuar të gjithë në lëkurën tonë, në mendjet tona, e në kockat tona, pasuroheshin individët dhe tash i ka kapë sikleti pse po pasurohet shteti. Se këta janë mësuar individët me u pasuru nga qeverisja. Me neve nuk ndryshojnë kontot individuale por buxheti shtetëror. Viti i ardhshëm është viti i parë ku do të arrihet shifër dyshifrore miliardëshe e BPV-së, do të kalohen 10 miliardë. Në vitin 2020, që ka qenë vit pandemik, BPV ka qenë 6.78 miliardë që i bie një rritje prej 50% e BPV, ndërkaq krahasuar me vitin para-pandemik ku ishte rreth 7 miliardë i bie 40% rritje e BPV për vetëm 5 vjet. Ma gjeni një vend tjetër, jo veç në rajonin e Ballkanit ku BPV i shtetit rritet 40% për 5 vjet. Pra, me neve pasurohet shteti, pasurohet kombi, jo individët e veçantë, por individët qytetar të shtetit tonë në kuptimin universal të fjalës e jo partikular oligarkik të fjalës, prandaj edhe ekziston ky kundërshtim ndaj këtij progresi sepse ekziston një pakicë që po humbë shumë por ne jemi që shumica të fitoj gjithnjë më shumë. Kjo është qeverisja edhe e mirë edhe e drejtë edhe demokratike e juaja e jona e qytetarëve e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, tha Kurti.

Ata që i denigrojnë subvencionet si harxhime koti të buxhetit nuk i kuptojnë nevojat e fëmijëve dhe të pensionistëve, të nënave e të studentëve, të qytetarëve të vendit tonë dhe as nuk i kanë prioritet ato.

“Qeveria jonë me vendime ka shpërndarë 842 milionë euro drejtpërdrejt te qytetarët dhe te familjet e Kosovës. Në këtë shifër përfshihet pakoja më e madhe mbështetëse në rajon sipas Bankës Botërore për të ndihmuar qytetarët në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, si përqindje të Bruto Produktit Vendor, sipas Bankës Botërore. Pra, këtë vit kemi ndarë gati 3 milionë euro për përmirësimin e kushteve të banimit për komunitetet joshumicë në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Dhe këtë muaj, do të shtojmë edhe një subvencionim prej 100 eurosh për secilin fëmijë deri në moshën 16 vjeçare, si dhe për secilin pensionist marrës në Republikën tonë. Në lidhje me këtë, si Lëvizje duhet të jemi shumë të qartë për një gjë: Ata që i denigrojnë këto subvencione si harxhim i kotë i buxhetit të shtetit, nuk i kuptojnë nevojat e fëmijëve dhe pensionistëve, të nënave e të studentëve, të qytetarëve të vendit tonë dhe as që i kanë prioritet ato. Ata që i quajnë shtesat për fëmijë “lëmosha”, nuk e kuptojnë obligimin tonë shoqëror për të lehtësuar sadopak barrën e rritjes së një familjeje, barrë e cila bie disproporcionalisht mbi nënat. Ata as nuk e kanë prioritet pavarësinë financiare të grave, 90 mijë prej të cilave kanë hapur llogari bankare për herë të parë në emrat e vet, vetëm për shkak të këtyre shtesave. Që secili fëmijë dhe secili pensionist të përfitojë 100 euro më shumë gjatë festave të fundvitit, falë rritjes sonë rekorde ekonomike dhe buxhetore, nuk quhet lëmoshë por quhet drejtësi.”

Qeverisjet e kaluara për 17 vjet kanë ndërtuar 4  çerdhe për fëmijë. Ne nga marrja e mandatit 4  çerdhe i kemi përfunduar, 26 janë në proces të punës, 3 në proces të adaptimit, 8 në proces të tenderimit. 850% më shumë çerdhe në 2021-2023 sesa në periudhën 2003-2020.

“Nga viti 2003 deri në përfundim të vitit 2020, pra për 17 vite janë ndërtuar gjithsej 4 çerdhe për fëmijë. Për 17 vjet në Kosovë janë ndërtuar 4 çerdhe, 2003-2020. Nga marrja e mandatit tonë 2021 e deri më sot struktura e çerdheve është si vijon: 4 çerdhe të përfunduara, 26 në proces të punës, 3 adaptime të shkollave në çerdhe në proces të punës dhe 8 çerdhe në proces të tenderimit. Sipas kësaj i bie që 850% më shumë çerdhe janë në proces të ndërtimit ose të ndërtuara në periudhën 2021-2023 sesa në periudhën 2003-2020. A po e kuptoni se cila është kritika që na bëhet. Ata nuk mund të flasin për vete prandaj edhe shpifin për neve”. tha Kryeministri, Albin Kurti. 

Kontribo

16 12 2023

Fjala e plotë e Kryetarit, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen LIII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Fjala e plotë e Kryetarit, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen LIII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!:

E nderuara kryetare e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuari nënkryetar i parë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca, njëherazi edhe kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
E nderuara nënkryetare e dytë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, znj. Mrika Limani Myrtaj,
I nderuari Sekretar Organizativ, Alim Rama,
E nderuara koordinatore e komiteteve profesionale, Dejona Mihali,
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
Ministra, deputetë, zëvendësministra, kryetarë e nënkryetarë të komunave, asambleistë komunal, përfaqësues të qendrave tona,
Të dashura aktiviste dhe aktivistë, motra dhe vëllezër, zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Ju falemnderit dhe ju uroj mirëseardhje në mbledhjen LIII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes sonë të përbashkët. Siç jeni në dijeni, kjo është mbledhja jonë e fundit për vitin 2023, gjë që na jep një rast për të reflektuar mbi të arriturat gjatë këtij viti, si dhe synimet e pritjet për vitin tjetër.

Në qershor Lëvizja VETËVENDOSJE! është bërë 18 vjeçare, ndërkaq mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm, organit më të lartë të subjektit tonë, i mbajmë që nga qershori i vitit 2011, atëherë kur u patëm bërë gjashtë vjeç. Kjo do të thotë, që për 150 muaj i kemi mbajtur 53 mbledhje të KP, apo, më shpesh se n‘çdo tre muaj. Vështirë të gjendet ndonjë subjekt tjetër politik jo vetëm në Ballkan që e ka kaq aktiv forumin kryesor të organizatës.

Por, sot, le të mos ia fillojmë nga Këshilli këtu, për të mos humbur kohë me vetveten, e për të kaluar te qendrat e Lëvizjes tonë, për degët tona. Viti 2024 për të gjitha qendrat tona duhet të jetë vit i përgatitjes dhe i mobilizimit për proceset zgjedhore që i kemi para vetes në vitin 2025, me theks të veçantë në aspektin lokal. Shtabet tona lokale, përcaktimi i kandidaturave për asamble e veçmas atyre për kryetare e kryetarë komunash, duhet të jenë në fokus për vitin që po vjen, e këto kërkojnë trajtim të veçantë e pa vonesë.

Kandidati apo pretendenti për kandidat komune nuk mund të quhet i tillë apo e tillë nëse nuk njeh thelbësisht e hollësisht problemet e shumicës së lokaliteteve që përbëjnë komunën përkatëse. Të njihen detajisht e të flitet me kompetencë për shqetësimet e secilit lokalitet.

Përveç takimit të rregullt me strukturën e Pikës, qendra duhet të planifikojë e realizojë aktivitete që lidhen drejtpërsëdrejti me shqetësimet kryesore të lokalitetit përkatës, që mund të jetë lagje a fshat në një komunë të caktuar. Duhet të jemi afër me qytetarin përmes komunikimit dinamik me të. Shumë nga lajmet e vendimet që merr Qeveria jonë, nuk paraqiten fare ose në rastin më të mirë paraqiten pjesërisht në pjesën dërrmuese të spektrit mediatik në vendin tonë. Ne nuk kemi zgjedhur e as nuk do të zgjedhim metodat e pararendëseve tanë për sponzorizime që, në thelb, janë fasadë. Ne kemi komunikuar në vazhdimësi me qytetarët. Nuk e kemi ndërprerë asnjëherë komunikimin direkt me ta.

Prandaj, të arriturat e Qeverisë, vendimet që merren, duhet paraqitur e shpjeguar për qytetarët nga strukturat e Lëvizjes. Vetëm kështu informacioni është objektiv, i drejtë, dhe i padevijuar. Shumë nga vendimet tona, skemat mbështetëse, masat e ndërmarra nga Qeveria kanë prekur drejtpërsëdrejti qytetarin. Jo edhe shumë dihet e flitet për to, sepse dëshirojnë të minohet sa më shumë merita e institucioneve dhe qeverisjes së mirë dhe demokratike. Qëllimi i dikujt mbase mund të jetë ky, por jo dhe i yni. E qëllimi ynë është informimi i drejtë te qytetari.

Identifikimi i problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët është hapi i parë, mbase dhe më i rëndësishmi, por kurrsesi përfundimtari. Për secilën kritikë që ne bëjmë, në cilëndo komunë, duhet të ekzistojë, si minimum, një alternativë e zgjidhjes. Pra, grumbullim e kategorizim problematikash në bazë të vizitave në terren së pari, e përpunim, analizë, konkluzione e definim zgjidhjesh pas saj. Kështu duhet të funksionojmë, sepse vetëm kështu është e mundur të vijmë në shprehje në mënyrë serioze dhe bindëse.

Duhet filluar një fushatë anëtarësimesh në qendrat tona, meqë ka shumë njerëz që dëshirojnë të bashkohen në Lëvizje, vetëm duhet që ne të shkojmë tek ata dhe të krijojmë hapësirën e nevojshme. Kur qëllimi është i përbashkët, ndërlidhja është lehtësisht e arritshme.

Këtë ndërlidhje e ofron edhe Sekretariati për Emancipim Politik nëpërmjet organizimit të shkollës politike në tri nivelet e saj, kështu duke iu ofruar aktivistëve tanë mundësi që të organizohen rreth forumeve të diskutimit për tema të filozofisë e shkencës politike, historisë e ekonomisë politike përmes nivelit teorik. Po ashtu, është zhvilluar edhe niveli ekzekutiv për asambleistët tanë në komuna të Republikës sonë, ndërkaq muajt e fundit ka nisur niveli organizativo-politik i shkollës politike, i cili mbahet në qendrat tonat ku diskutohet për historikun e Lëvizjes dhe qasjen tonë për tema me relevancë politike kombëtare dhe ndërkombëtare. Sekretariati për Emancipim Politik i është përkushtuar punës me aktivistët tanë në mënyrë që ata të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e aktivizmit për kauzat politike në të cilat ne besojmë. Përveç organizimit me shkollën politike, ata kanë organizuar edhe klubin e librit e shfaqjen e filmave dhe dokumentarëve. Kjo është bërë gjithnjë për të vënë në pah faktin që puna për barazi e drejtësi, shoqëri më të emancipuar, e shtet funksional nuk kryhet pa qenë së pari të vetëdijshëm për politikat që kanë shkaktuar një shtet jofunksional e një shoqëri që nuk pranon mendimin ndryshe.

Demokracia, liria e fjalës e mendimit, syri analitik e kritik për rrethanat tona janë forcë shtytëse për punën që e bëjmë me aktivistët tanë. Kjo punë me aktivistët duhet të vazhdojë edhe në aspektin lokal në krijimin e ambientit më të mirë në lagjet urbane e fshatrat tona.

Për ta arritur këtë, garimi ynë në nivelin lokal, duhet të jetë me ekip, të përgatitur e adekuat, ndarë në fushat e dikasteret që mbulojnë. Ata, në rastin më të keq, duhet të tregojnë që janë diametralisht më kompetentë e të informuar sesa ekuivalenca e tyre në ekzekutivin lokal. Profesionisti ynë për bujqësinë, ta zëmë, duhet ta njohë këtë fushë, minimumi më mirë sesa drejtori aktual i bujqësisë në komunën ku ne nuk jemi duke qeverisur.

Si model për sukseset lokale, nuk kemi përse të shkojmë diku tjetër. I kemi në shtëpinë tonë, i kemi këtu, me neve. Pra i kemi katër kryetarët shembullorë të komunave, pesë kryetarët tanë me Erden Atiqin në Mitrovicën e veriut, gjashtë kryetarët tanë me Lulzim Hetemin në Leposaviq, të cilët janë shembull në qeverisje, janë edhe shembull organizimi për fitoret e arritura në pranverën e vitit 2021. Pra Gjilani, Besiana, Kamenica dhe Shtimja janë komuna të cilat duhet të analizohen e studiohen me kujdes dhe dashamirësi nga të gjithë aktivistët tanë anembanë qendrave të Kosovës. Njohës të mirë të problematikave të qytetarëve, ofrues të mirë të zgjidhjeve të problemeve, besues mjaftueshëm në kauzën që besuan e të pandalshëm në punë, prandaj dhe fitues dje e drejtues të suksesshëm komunash sot. Këtë model të kryetarëve tanë, të komunave në Kosovë duhet ndjekur dhe për këtë duhet punuar tejmase të gjithë aktivistët e VETËVENDOSJE!-s.

Në këtë kuadër, atë të përgatitjeve për nivelin lokal, ne tashmë kemi filluar takimet e para me drejtuesit tanë të qendrave, drejtuesit në qendra të dy strukturave të reja GVV dhe RVV, drejtuesit e grupeve të këshilltarëve komunalë. E përmes bisedave të hapura e produktive dhe projekteve bashkëpunuese edhe me palë të treta siç janë organizata të ndryshme me të cilat bashkëpunojmë si Lëvizje, do të kemi një pasqyrë reale të situatës organizative në qendra, por edhe situatës politike e gjendjes së përgjithshme në secilën komunë. Bashkërisht, do të vendosim më të mirën, për të patur nesër alternativën më të mirë qeverisëse lokale, që e duan dhe iu duhet qytetarëve tanë. Është e domosdoshme që qeverisja që po e karakterizon nivelin qendror të përcillet e degëzohet në komuna, në nivelin lokal. Vetëm kështu, ndryshimi i gjithmbarshëm e progresi shoqëror, do të marrë drejtimin e duhur dhe qytetarët pa pengesa do të marrin trajtimin adekuat të shqetësimeve që hasin në përditshmërinë e tyre.

Gjatë vitit 2023, dy strukturat e reja të Lëvizjes, që porsa përmenda, Gratë për VETËVENDOSJE! dhe Rinia për VETËVENDOSJE! kanë shënuar progres shumë të mirë.

Fatkeqësisht, jetojmë në një kohë kur dhuna ndaj grave dhe vajzave po shfaqet në forma më tmerruese të mundshme. Ndryshimi thelbësor dhe i domosdoshëm i shoqërisë nuk mund të arrihet nga lart-poshtë, por nga poshtë-lart, përmes organizatave të cilat bashkojnë dhe mobilizojnë gratë dhe vajzat aktiviste, sikurse Gratë për VETËVENDOSJE!.

Qeverisja dhe niveli i lartë, në fakt është vetëm infrastrukturë e ndryshimeve që vijnë nga poshtë sepse nga poshtë vjen edhe demokracia edhe e vërteta.

Të dashur aktivistë e aktiviste, por me këtë rast posaçërisht po iu drejtohem aktivistëve që ta kenë parasysh, se në shoqërinë tonë, por jo vetëm, kur gratë kanë sukses, ato janë përpjekur e munduar dyfish në shumë se burrat e shpesh edhe përkundër tyre. Ndërkaq, kur burrat kanë sukses ata zakonisht janë ndihmuar nga gratë. Prandaj, teksa punojmë për të realizuar dhe festojmë të arriturat, le të kemi këtë gjë, të gjithë së bashku, secili prej nesh, parasysh.
Edhe Rinia për VETËVENDOSJE! ka shënuar progres të rëndësishëm në vitin e saj të parë të funksionimit. Energjia dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i anëtarëve të kësaj strukture të re, na ka bindur plotësisht se të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja e Kosovës, por e tashmja e saj.

Një ndër prioritetet e RVV-së ka qenë krijimi i një ambienti të hapur për diskutime të lira dhe ide inovative. Njëkohësisht, ajo i ka dhënë fokus të veçantë procesit të anëtarësimit në Organizatën e Rinisë Socialiste Ndërkombëtare (IUSY) dhe Rininë Evropiane Socialiste (YES). Sivjet ka vendosur dhe konsoliduar kontaktet me të dy organizatat, me shpresë që viti 2024 do të sjellë rezultate konkrete.

Për bindjen time, suksesi më i madh i RVV-së gjatë këtij viti, ka qenë organizimi i Konferencës së Rinisë “ANAMORAVA 2023”. Kjo konferencë ka bashkuar të rinj nga i gjithë vendi për të diskutuar çështje të rëndësishme politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, kombëtare. Diskutimet dhe panelet kanë ofruar një platformë për shkëmbimin e ideve dhe krijimin e strategjive inovative për të ardhmen e vendit tonë të përbashkët.

Mes të arriturave më të rëndësishme të Lëvizjes sivjet kanë qenë edhe ato të Sekretariatit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Së pari, me datë 19 janar të këtij viti, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka formalizuar zyrtarisht bashkëpunimin me social-demokratët e Zvicrës, duke nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në Cyrih. Në të njëjtën kohë, janë intensifikuar diskutimet për të formalizuar bashkëpunimin edhe me partinë social demokrate në Austri, si dhe me SPD-në e Gjermanisë.
Në anën tjetër, janë dërguar mbi 30 letra zyrtare apo telegrame drejt social demokratëve anembanë botës.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe Lëvizja jonë ka qenë pjesëmarrëse në disa organizime jashtë vendit, më se shumti ndonjëherë, e nga të cilat më të rëndësishmet janë:

  • Kongresi i Internacionales Socialiste në Madrid,
  • 2 vizita në Zvicër,
  • Kongresi i 80-të i PS-së në Marsejë të Francës,
  • Akademia rajonale “Anti Korrupsion” në Slloveni,
  • Pjesëmarrja në Friends of Western Ballkans në Selanik të Greqisë,
  • Pjesëmarrja në kampin veror të LSDM në Ohër,
  • Takim me SPD në North Rhine-Westphalia të Gjermanisë,
  • Konferenca vjetore e Laburistëve në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar,
  • Mbledhja për Ballkan nga Internacionalja Socialiste në Tiranë,
  • Forumi Socio-Ekologjik në Shkup të Maqedonisë së veriut,
  • Kongresi i PES (Party of European Socialists) në Malaga të Spanjës,
  • Seminari apo mbledhja e grupit parlamentar të parlamentit Evropian, S&D, me temën “Zgjerimi i BE” në Bruksel,
  • Kongresi i PS të Shqipërisë në Tiranë,
  • Kongresi i SPD-së së Gjermanisë në Berlin, dhe
  • PES – mbledhja para-përgatitore me liderët e BE-së për Këshillin Evropian, në Bruksel.

Në secilën nga këto vizita jashtë vendit, përveç aktiviteteve kryesore janë zhvilluar edhe takime të tjera me social-demokratët nga rajoni dhe më gjerë.
Në këtë rast duhet të falënderojmë posaçërisht aktivistët tanë në mërgatë dhe bashkatdhetarët tanë në përgjithësi, të cilët po luajnë një rol tejet të rëndësishëm për afirmimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Evropën Perëndimore e më gjerë. 10% e anëtarësisë tonë janë në mërgatë, dhe ata kanë rol të madh edhe për Lëvizjen tonë, ashtu siç kanë për shtetin e për kombin tonë, dhe që të gjithë, natyrisht i mirëpresim me padurim për këto festa të fundvitit.

Gjatë kësaj periudhe është intensifikuar diskutimi me Internacionalen Socialiste ku edhe kemi parashtruar kërkesën tonë për avancim të statutit tonë.
Më 12 tetor të këtij viti, në mbledhjen e Kryesisë së PES-it, është votuar në parim PËR anëtarësinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Vetëm një muaj më vonë, në Kongresin e Përgjithshëm të këtij rrjeti, në Malaga të Spanjës, u votua dhe u miratua anëtarësimi i Lëvizjes.

Sikurse çdo vit, kemi pasur bashkëpunim të ngushtë me organizatat ndërkombëtare të cilat veprojnë në Kosovë, e posaçërisht sikurse FES, NDI dhe IRI. Përmes këtij bashkëpunimi kemi përfituar një numër të konsiderueshëm të punëtorive, akademive dhe organizimeve të tjera.

Në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kemi pritur disa delegacione nga jashtë si: delegacioni nga SPD-ja e Gjermanisë, delegacioni i SP-së Zvicrës, grupe gazetarësh nga Amerika, Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Kanadaja të cilët kanë shërbyer për mediat prestigjioze si BBC e New York Times, drejtoren ambasadore të NDI për Kosovë, drejtorin e FES për Kosovë dhe drejtorin rajonal të FES, si dhe drejtorin rajonal për Evropë dhe nënkryetarin e IRI.

Siç e kam përmendur më herët, një ndër detyrat kryesore të çdo anëtari të Lëvizjes sonë është për të komunikuar, në mënyrën më të qartë dhe të drejtpërdrejtë të mundshme, të arriturat e Qeverisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Kur flasim për të arriturat e Lëvizjes sonë në vitin 2023, pra nuk mund të lihen anash arritjet e Qeverisë sonë. Me 14 shkurt 2021, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shënuar një fitore historike, të paparë në Kosovën e pasluftës, me dy premtime: drejtësia dhe punësimi. Ose, me fjalë të tjera: avancimi i demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut në njërën anë, dhe zhvillimi socio-ekonomik që rritjen e shpërndanë për të gjithë qytetarët, në anën tjetër.

Tash, në fund të vitit 2023, pas dy të tretave të mandatit tonë katërvjeçar, sukseset e Qeverisë sonë në këto dy drejtime janë më të dukshme e të pranishme se kurrë më parë.

Për sa i përket drejtësisë: Këtë vit, dogana ka iniciuar 83 kallëzime penale apo 43.1% më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Pra, ne krahasohemi me veten tonë në vitin që shkoi, ndërkohë që jemi të pakrahasueshëm me qeveritë para nesh. Prej fillimit të mandatit deri tash, 30.6 milionë euro mall janë konfiskuar nga operacionet e Doganës së Kosovës. 34 rrugë ilegale janë mbyllur, prej tyre 26 në veri të vendit. 16 laboratorë të drogës janë shkatërruar, 9 prej tyre po ashtu në veri. Mbi 2.2 tonë substanca narkotike janë konfiskuar dhe mbi 14 milionë euro janë sekuestruar nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave.

Progresi ynë në fushën e drejtësisë është konfirmuar edhe nga vëzhgues të pavarur ndërkombëtarë. Gjatë mandatit tonë, jemi përmirësuar për 20 vende në Indeksin e Luftimit të Korrupsionit të Transparency International dhe 22 vende në Indeksin e Lirisë së Mediave të Reporters Without Borders. Jemi të parët në Ballkanin Perëndimor për Demokraci Elektorale sipas V-Dem Institute, si dhe të parët në Ballkanin Perëndimor, të dytët në Evropë dhe të tretët në botë për përmirësim në të drejtat politike dhe liritë civile sipas Freedom House.

Sivjet kemi shënuar progres të dukshëm edhe në kornizën legjislative për drejtësi. Amendamentet kushtetuese dhe Projektligji për Vetingun në Drejtësi u finalizuan. Janë miratuar Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar dhe Ligji i ri për Prokurorinë Speciale të Kosovës për luftën kundër korrupsionit. Me zbatimin e këtyre ligjeve, lufta jonë kundër korrupsionit, sidomos në sistemin e drejtësisë dhe mes zyrtarëve të lartë politikë, do të kalojë në një nivel edhe më të lartë.

Progresi ynë në fushën e drejtësisë, veçse e ka fuqizuar zhvillimin ekonomik të vendit. Anti korrupsionin e kemi bërë rritje, lirinë e kemi bërë zhvillim. Individët dhe bizneset janë më të gatshëm të paguajnë tatime, kur e dinë se paratë e tyre do të shpenzohen për të mirën e vendit dhe kurrsesi për të mbushur xhepat e politikanëve të korruptuar dhe familjarëve të tyre. Po ashtu, kompani të huaja janë më të gatshme të investojnë në Kosovë, kur e dinë se nuk do të detyrohen të paguajnë ryshfet për të bërë biznes në vendin tonë.

Nuk është për çudi, pra, që ekonomia e Kosovës është më e fortë se kurrë, pavarësisht krizave të shumëfishta, si për bizneset, ashtu edhe për familjet dhe qytetarët e thjeshtë. Qarkullimi i bizneseve gjatë periudhës janar–tetor 2023 ka arritur në vlerën 15.83 miliardë Euro, 6.9% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Pra, ne krahasojmë vitin tonë me vitin tonë të kaluar, dhe identifikojmë po ashtu sukses të dukshëm, progres të vazhdueshëm. Vlera e mallrave në eksport për periudhën janar–nëntor 2023 ka qenë 756.9 milionë €, e le ta krahasojmë këtë me vitin 2019, 441 milionë euro më shumë ose 139%! Përqindjet te qeverisja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë kuptim veç kur e krahason vitin tonë me vitin tonë, përndryshe si të shkosh me krahasu me diku atje 2019, 2018 e teposhtë, shkon 100 e sa përqind, 200 e sa përqind kjo tregon ku kemi qenë dhe kjo tregon se sa shpejt e shumë po ecim përpara.

Në mandatin tonë deri tash, raporti i eksporteve ndaj importeve është rritur nga 1 me 9 në 1 me 6, vetëm brenda mandatit tonë. Në vendet e tjera të zhvilluara, qeveritë për mandatin e tyre përpiqen, së pari të mos bëhet me keq, preokupim kryesor e kanë mos me u bë më keq, e mandej të kenë përmirësime inkrementale minimale, ndërkohë që shihni shifrat e qeverisjes tonë, më pak se tre vjeçare.

Është dyfishuar edhe numri i të rinjve të punësuar, ku në fillim të vitit 2021 ishin 28,293 persona, të rinj, kurse në fund të korrikut 2023 numri i të rinjve të punësuar ishte 60,884, më shumë se dyfish brenda një mandati. Ma gjeni një qeveri, jo në Ballkan po edhe në Evropë që e dyfishon, që ma shumë se e dyfishon punësimin e të rinjve, brenda një mandati, për vetëm dy të tretat e mandatit.

Mbrëmë, e morëm të gjithë lajmin e mirë se, me votat e deputetëve të mazhorancës, grupit tonë parlamentar, kemi përmbushur edhe një premtim të kamotshëm tonin, duke miratuar Projektligjin për Fondin Sovran. Me themelimin e këtij Fondi, do të kalojmë nga një sistem i privatizimit të aseteve shtetërore, sistem i cili më shumë ka shërbyer interesat e ngushta të individëve të pushtetshëm, në një institucion që punon për interesat e përgjithshme të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Fondi Sovran do t’i forcojë ndërmarrjet publike, do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend dhe do të shtojë qarkullimin e kapitalit investiv në ekonominë tonë.

Për dy dekada pas luftës, ekonomia e Kosovës, burimet e saj janë shndërruar në plaçkë për zhvatje, me një proces brutal privatizimi të shkapërderdhjes centrifugale. Nga ky proces i dy dekadave centrifugë po kalojmë në fazën centripetale, ku vendi ynë edhe ekonomikisht, jo vetëm historikisht, politikisht, kulturalisht, do të peshoj rëndë, gjithnjë e më rëndë. Pra, nga një tendencë dy dekadëshe centrifugale, Fondi Sovran është thelbi i kalimit në fazën centripetale, ku rritet graviteti i vendit tonë edhe si ekonomi kombëtare. Ne do të jemi shembull për këtë, për të gjithë shqiptarët në Ballkan, do të jemi shembull edhe për shtetet e qeveritë e tjera, jo vetëm në kontinentin tonë. Pra, kalimi nga centrifugalja dy dekadëshe në një ekonomi ku rritet graviteti i saj në shtetin tonë. Fondi Sovran e bënë reversibil procesin e shkapërderdhjes ekonomike që ka ekzistuar në të kaluarën.

Me politikat tona pro-zhvillimore, të hyrat buxhetore gjatë periudhës janar–nëntor 2023 kanë arritur vlerën prej 2.6 miliardë eurosh, 340 milionë Euro ose 15% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. A e kuptoni, ne po e tejkalojmë veten për 15%. Në vendet e tjera, qeveritë as ëndërr se shohin dot ta bëjnë brenda mandatit të tyre 15% më shumë se qeveria paraprake në vendin përkatës. Ne, year on year, vit pas viti, këtë vit kemi 15% më shumë të hyra sesa vitin e kaluar. Po i them këto sepse, nuk transmetohen, siç e dini ju. Për rrjedhojë, buxheti ynë për vitin 2024, i miratuar këtë javë në Kuvend, ka kapur vlerën prej 3 miliardë e 314 milionë euro, i cili paraqet buxhetin më të lartë që ka pasur Kosova ndonjëherë. Gjithsej, nga fillimi i mandatit në vitin 2021, buxheti është rritur për 860 milionë euro apo 35%. 2021 – 2024, për tri vjet, 35% buxhet shtetëror më shumë!

Këta para neve, e mbani në mend se nuk keni qysh mos me e mbajtë në mend, se e kemi përjetuar të gjithë në lëkurën tonë, në mendjet tona e në kockat tona, pasuroheshin individët dhe tash i ka kapur sikleti pse po pasurohet shteti, se këta janë mësuar individët me u pasuru nga qeverisja. Me neve nuk ndryshojnë kontot individuale por buxheti shtetëror.

Viti i ardhshëm është viti i parë ku do të arrihet shifër dyshifrore, miliardëshe e BPV, do të kalohen 10 miliardë euro. Në vitin 2020 që ka qenë vit pandemik BPV ka qenë 6.78 miliardë, që i bije një rritje prej 50% e BPV, ndërkaq krahasuar me vitin para pandemik, ku ishte rreth 7 miliardë, i bije 40% rritje e BPV për vetëm 5 vjet. Ma gjeni një vend tjetër, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, ku BPV i shtetit, rritet 40% për 5 vjet? Pra, me neve pasurohet shteti, pasurohet kombi, jo individët e veçantë, por individët qytetarë të shtetit tonë, në kuptimin universal të fjalës, e jo partikular oligarkik të fjalës. Prandaj edhe ekziston ky kundërshtim ndaj këtij progresi sepse ekziston një pakicë që po humb shumë, por ne jemi që shumica të fitojë gjithnjë e më shumë. Kjo është qeverisja edhe e mirë, edhe e drejtë, edhe demokratike e juaja, e jona, e qytetarëve, e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Të dashur anëtarë,

Këto janë të arritura, për të cilat ne të gjithë duhet të jemi krenarë, duhet t’i theksojmë e t’i afirmojmë ato. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë kurrë, se edhe rritja e të hyrave edhe buxheti në vetvete nuk janë vlera të vetëmjaftueshme. Përkundrazi, janë vetëm mjete për t’u ri-investuar në ekonominë dhe shoqërinë tonë, për të mirën e të gjithëve dhe sidomos për ata të cilët kanë nevojë më së shumti. Në një shtet demokratik, qytetarët kanë të drejtë ta dinë se si po i harxhojmë paratë e tyre. Dhe ne, si Qeveria e tyre, e kemi për detyrë për t’iu treguar atyre.

Së pari, deri më sot, Qeveria jonë, me vendime ka shpërndarë 842 milionë euro drejtpërdrejt te qytetarët dhe te familjet e Kosovës. Në këtë shifër përfshihet pakoja më e madhe mbështetëse në rajon, sipas Bankës Botërore, për të ndihmuar qytetarët në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, si përqindje të Bruto Produktit Vendor. Këtë vit kemi ndarë gati 3 milionë euro për përmirësimin e kushteve të banimit për komunitetet joshumicë në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Dhe këtë muaj, do të shtojmë edhe një subvencionim prej 100 eurosh për secilin fëmijë deri në moshën 16 vjeçare, si dhe për secilin pensionist në Republikën e Kosovës.

Në lidhje me këtë, si Lëvizje duhet të jemi shumë të qartë për një gjë: ata që i denigrojnë këto subvencionime si harxhim i kotë i buxhetit të shtetit, nuk i kuptojnë nevojat e fëmijëve e pensionistëve, të nënave e studentëve, të qytetarëve të vendit tonë, dhe as që i kanë prioritet ato. Ata që i quajnë shtesat për fëmijë “lëmosha”, nuk e kuptojnë obligimin tonë shoqëror për të lehtësuar sadopak barrën e rritjes së një familjeje, barrë e cila bie disproporcionalisht mbi nënat. Ata as nuk e kanë prioritet pavarësinë financiare të grave, 90 mijë prej të cilave kanë hapur llogari bankare për herë të parë në emrat e vet, vetëm për shkak të këtyre shtesave. Që secili fëmijë dhe secili pensionist të përfitojë 100 euro më shumë gjatë festave të fundvitit, falë rritjes sonë rekorde ekonomike dhe buxhetore, nuk quhet lëmoshë por quhet drejtësi.

Përveç mbështetjes së familjeve dhe qytetarëve të thjeshtë, Qeveria jonë në vitin 2023 ka vazhduar të mbështesë bizneset e Kosovës. Kemi miratuar Strategjinë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030 dhe kemi arritur marrëveshje për qasje në fondin 4.2 miliardë euro të BE-së për sektorin privat për vitet 2021–2027. Po ashtu, kemi përkrahur biznese përmes miratimit të ligjeve të reja dhe mbështetjes financiare për 418 biznese dhe Fondin Kosovar për Garanci Kreditore.

Njëkohësisht, kemi ofruar subvencionime për bizneset e vendit për të rritur nivelin e punësimit në sektorin privat. Nga masa “Qeveria për Familjet” gjatë periudhës janar–tetor 2023 janë ndërmjetësuar 1,365 punëkërkues. Nga masa “Mbështetja për punësim të grave”, e cila është rihapur në dhjetor 2022, kanë përfituar 522 gra. Dhe përmes skemës Superpuna, janë punësuar 8,496 të rinj (4,311 vajza dhe 4,185 djem) në gjithsej 6,401 biznese.

Edhe në fushën e bujqësisë, mbështetja nuk ka munguar. Gjatë mandatit tonë është rritur deri në 216% përkrahja me subvencione. Dhe sivjet është hartuar dhe miratuar Programi për Pagesa Direkte për vitin 2023, me aplikimin e 32,728 fermerëve, të cilëve pritet t’u shpërndahen 60.6 milionë euro në mbështetje.

Viti 2023 ka qenë vit i infrastrukturës së transportit. Kemi nisur projekte infrastrukturore me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, siç janë hekurudha Prishtinë–Durrës, rruga Prizren–Tetovë dhe projektet rrugore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, Pejë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë. Njëkohësisht, kemi vazhduar me ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve brenda Kosovës, siç janë autostrada Gjilan–Prishtinë, rruga Prishtinë–Podujevë, rruga Prishtinë–Mitrovicë dhe rrugë në veri të vendit.

Viti 2023 ka qenë po ashtu vit i madh për kulturën, rininë dhe sportin, një vit në të cilin u rikthye festivali i këngës në RTK; Kosova u shpall nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030, ngjarja më e madhe multi-sportive në historinë e vendit tonë, e ku do të marrin pjesë shtatë komuna të Kosovës me në krye Prishtinën, dhe Durrësi; si dhe vendi ynë u anëtarësua në asociacionin për të rinjtë EYCA, i cili do të sjellë benefite, brenda dhe jashtë Kosovës, për të gjithë të rinjtë tanë deri në moshën 30.

Investime dhe reforma kyçe kemi bërë në tre prej sektorëve që janë dëmtuar më së shumti nga dy dekada të keqqeverisjes e të zhvatjes: energjia, shëndetësia dhe arsimi. Në vitin 2023, kemi ecur përpara në rrugën e gjatë të rehabilitimit të këtyre sektorëve.

Sektori i energjisë nuk mund të rehabilitohet pa investuar në përmirësimin e sistemit ekzistuese të transmetimit, në burime të reja të energjisë, sidomos ato të ripërtëritshme, si dhe në rritjen e efiçiencës energjetike. Gjatë vitit 2023, Qeveria ka shënuar progres në të gjitha këto drejtime. Kemi arritur marrëveshjen prej 61 milionë Euro me Bankën Gjermane KfW për Parkun Solar 100 MW në KEK, si dhe me BERZh për Projektin e Ngrohtores Solare në Prishtinë në vlerë prej 23.2 milionë euro. Pastaj, është aprovuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë me KOSTT dhe KfW për projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë, faza VII”, i cili e ka për qëllim përmirësimin e sistemit të transmisionit në Kosovë. Për të parandaluar dhe lehtësuar kriza energjetike në të ardhmen, kemi investuar 30 milionë euro në efiçiencën energjetike, duke përfshirë 10 milionë euro për subvencionimin e qytetarëve për blerjen e pajisjeve shtëpiake dhe të ngrohjes.

Në fushën e shëndetësisë, këtë vit kemi ndërmarrë një hap të rëndësishëm për të ndalur keqpërdorimet në tregun e barnave, duke miratuar Ligjin për çmimin e produkteve medicinale në Kosovë. Ky ligj synon të mbrojë qytetarët nga çmimet e larta të barnave dhe të ofrojë qasje të përballueshme në ilaçe. Kemi përditësuar Listën e Barnave Esenciale me buxhetin e dyfishuar për 60 milionë euro, duke përfshirë 70 produkte të reja dhe rritjen e buxhetit për Kujdesin Shëndetësor. Dhe kemi investuar mbi 5 milionë euro në pajisje dhe autoambulanca, për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet shëndetësore, si dhe për të reduktuar listat e pritjes nëpër spitale.

Në fushën e arsimit, në vitin 2023, kemi miratuar Ligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme në Kosovë, i cili rregullon edukimin cilësor nga lindja deri në moshën 6-vjeçare, si dhe e bën të obligueshëm atë nga 2024. Kemi vazhduar përmirësimin e infrastrukturës arsimore, me çerdhe të reja, shkolla e salla të edukatës fizike, rinovim dhe furnizim me inventar dhe pajisje të shumta për shkolla dhe salla sportive. Nga viti 2003 deri në përfundim të vitit 2020, pra për 17 vite, janë ndërtuar gjithsej 4 çerdhe për fëmijë. Për 17 vjet në Kosovë janë ndërtuar 4 çerdhe, në periudhën 2003-2020. Nga marrja e mandatit tonë 2021 e deri më sot, struktura e çerdheve është si vijon:

-4 çerdhe të përfunduara,
-26 në proces të punës,
-3 adaptime të shkollave në çerdhe në proces të punës, dhe
-8 çerdhe në proces të tenderimit

Sipas kësaj i bije që 850% më shumë çerdhe janë në proces të ndërtimit ose të ndërtuara në periudhën 2021-2023 sesa në periudhën 2003-2020. A po e kuptoni tash se cila është kritika që na bëhet? Ata nuk mund të flasin për vete, prandaj edhe shpifin për neve.

Mbi të gjitha e kemi rritur numrin e bursave, ne kemi nevojë që sa më shumë qytetarë të studiojnë, të mësojnë, të bëjnë kërkime shkencore, të ngriten profesionalisht e intelektualisht, e sidomos vajzat. Bursat STEM për vajza, për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, ja si janë ngritur në mandatin tonë, se më herët nuk mund të krahasohemi. 1365 bursa në vitin 2021, në vitin 2022 për vajzat në STEM, 1383 bursa, dhe, sivjet për vajzat që studiojnë në STEM, 1882 bursa. Para neve, secilin vit, zero. Pra gjithsej në 2021-2023, 4630 bursa vetëm për vajza në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, pra për vetëm 3 vjet, e më përpara, për më shumë se 20 vjet, zero!

Ne jemi të përqendruar, me ndihmën e mërgatës tonë, të dijes së tyre dhe përvojës së tyre në lidhjen e tregut të punës me arsimin profesional, dhe kemi shtrirë programin e arsimit dual te 12 profile në 21 shkolla, te 14 komuna, me 920 nxënës. Ashtu që për një diplomë shkolle të ketë një vend pune, e jo të kemi punëtor pa asnjë diplomë e certifikatë, e në anën tjetër aq shumë të diplomuar të papunë. Urëzimi midis tregut të punës dhe arsimimit profesional është jetik për ekonominë dhe për shoqërinë e vendit tonë.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,

Pas sulmit terrorist e kriminal të 24 shtatorit të sponsoruar dhe të orkestruar nga Serbia dhe rënies së rreshterit të policisë, heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut, nuk ka sektor më të rëndësishëm sesa ai i sigurisë, prej kërcënimeve të jashtme si dhe të brendshme. Për këtë arsye, Qeveria jonë sivjet ka investuar gjithsej 200 milionë euro për mbrojtjen e vendit, një shumë që tejkalon 2% të Bruto Produktit Vendor, duke plotësuar kriterin për shtetet anëtare të NATO-s. Forca e Sigurisë së Kosovës, gjatë vitit 2023, ka realizuar 198 trajnime dhe 22 ushtrime fushore, si dhe ka bërë blerje strategjike ushtarake prej 30 milionë euro. Dhe, për të forcuar edhe më tej sigurinë e vendit, kemi rekrutuar 850 policë të rinj, me 500 rekrutë të rinj të paraparë për vitin e ardhshëm 2024, si dhe 629 ushtarë të rinj, me 600 rekrutë të rinj për ushtrinë tonë të paraparë për vitin 2024.

Bashkë me këto investime në sektorin e sigurisë, Kosova në vitin 2023 ka shënuar progres të jashtëzakonshëm në forcimin dhe përmirësimin e statusit dhe pozitës ndërkombëtare të shtetit tonë. Sivjet, ka ecur përpara aplikimi ynë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ku Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës ka votuar pro anëtarësimit tonë me 24 prill. Dhe, me 18 prill 2023, pra më pak se një javë para kësaj date, procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën përfundoi me sukses: prej 1 janarit të vitit 2024, qytetarët tanë, më në fund, do të gëzojnë lëvizjen e lirë në Bashkimin Evropian. Pra, përveç se ne plotësojmë zotimet e premtimet tona, qeveria jonë është ajo që i plotëson edhe premtimet e zotimet e rrejshme të atyre para neve. Ata flisnin e bërtisnin duke shpifur e u zotuar për gjëra qe nuk realizoheshin asnjëherë, ndërkohë që ne zotohemi dhe i plotësojmë ato tonat, por për të mirën e qytetarëve edhe kur ka pasë ndonjë zotim të mirë të atyre të këqijve, ne gjithashtu e plotësojmë.

Nuk e kemi lënë anash as mërgatën tonë: ambasadorët dhe përfaqësuesit tanë të përditshëm nëpër vendet ku jetojnë. Sivjet kemi vazhduar programin “Citizen Diplomacy Fellowship”, përmes të cilit dhjetëra profesionistë të rinj nga mërgata angazhohen dhe kontribuojnë në institucione vendore. Këtë vit po ashtu është mbajtur edicioni i parë i Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”, në të cilin u shkëmbyen ide inovative të përfshirjes dhe angazhimit të mërgatës, duke dëgjuar edhe praktikat më të mira nga vende të tjera demokratike nëpër botë.

Mbase e arritura më e madhe e Qeverisë në rrafshin ndërkombëtar sivjet, ka qenë Marrëveshja Bazike e datës 27 shkurt ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bashkë me aneksin e zbatimit të datës 18 mars. Në qeveri të kaluara, flitej për ndarjen e Kosovës dhe nënshkruheshin marrëveshje të dëmshme për Kosovën që ishin edhe antikushtetuese e antiligjore, e të cilat Serbia edhe sot e kësaj dite insiston që të zbatohen. Në dialogun në Bruksel, unë nuk kam pasur e nuk kam vështirësi të cilat nuk janë trashëgimi e tyre. Por, me Qeverinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ne kemi arritur një marrëveshje të re, e cila flet për integritetin territorial të Kosovës si shtet sovran dhe i barabartë, dhe të cilën Serbia po refuzon ta nënshkruajë dhe mundohet vazhdimisht që t’i ikë, madje këtë javë edhe zyrtarisht e me shkrim siç e pamë nga Brukseli.

Të dashur anëtarë,

Pa u zgjatur më tepër, në fund të vitit 2023, është më se e qartë se kemi shumëçka për të gëzuar dhe për të festuar. Në vitin 2024 sigurisht do të kemi shumë e shumë suksese, të arritura e fitore të tjera e të reja. Por, siç kam theksuar më herët, na pret edhe punë, mund, djersë e angazhim. Le të jemi krenarë për sukseset tona. Por njëkohësisht, të mos e harrojmë kurrë rrugën e vështirë, dhe plot sfida, që kemi kaluar bashkë për të arritur aty ku jemi, si Lëvizje dhe si Qeveri, si aktivistë e si qytetarë, si përfaqësues e si zyrtarë.

Ju falemnderit shumë!

Kontribo

15 12 2023

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen përgatitore të Partisë së Socialistëve Evropianë

Mbledhja përgatitore e Partisë së Socialistëve Evropianë tek e cila ishte i ftuar sot më 14 dhjetor Kryeministri i Kosovës, njëherazi Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, ishte e një rëndësie të dyfishtë: së pari u përqendrua në përgatitjen e Këshillit Evropian me praninë e kryeministrave, kryetarëve të partive dhe të komisarëve evropianë, dhe së dyti ndodhi gjashtë muaj para zgjedhjeve evropiane që janë caktuar të mbahen me datë 9 qershor 2024.

Për hirë të këtyre dy ngjarjeve kyçe, për të ardhmen e Bashkimit Evropian, temat mes pjesëmarrësve prekën:

(i) gjendjen e rëndë të sigurisë në nivel global për shkak të luftës në Ukrainë, agresionit të Rusisë atje, dhe për shkak të kthimit të luftës në Lindjen e Mesme me pasoja të tmerrshme njerëzore.

(ii) angazhimin pa dilemë për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe për integrimin sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor;

(iii) rreziqet që paraqesin aleancat e së djathtës dhe të djathtës ekstreme nëpër shtete anëtare siç tregon rasti në Itali;

(iv) pengesat që këto aleanca paraqesin në përparimin e çdo reforme siç është rasti i sulmeve kundër qasjes ekonomike dhe fiskale të Bashkimit Evropian;

(v) prirjen e këtyre rrymave të bashkuara konservatore dhe ekstremiste për t’iu kthyer politikave shtrënguese dhe të dëmshme në kohën kur nevojiten më shumë investime për rritje;

(vi) nevojën për të promovuar bashkërisht një narrativë pozitive rreth çështjes së rregullimit të migracionit në shkallën evropiane;

(vii) shpresat e reja për tranzicionin energjetik pas deklaratës finale nga Konferenca Klimatike COP28 edhe duke pasë parasysh se bota mbetet larg angazhimeve të domosdoshme për të kthyer prirjen e ngrohjes globale, ndërsa nevojitet ende një kombinim më i drejtë për amortizimin social të këtij tranzicioni.

Në margjina të kësaj mbledhje, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati rastin të bisedojë me Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme, z. Josep Borrell, me Kryeministrin e Spanjës, z. Pedro Sánchez, me Kryetaren e Grupit të Socialdemokratëve në Parlamentin Evropian, znj. Iratxe García Pérez, me Komisarin Evropian për Punësim dhe për të Drejtat Sociale, z. Nicolas Schmit, por sigurisht edhe me Kryetarin e PES-it, z. Stefan Löfven dhe me Sekretarin e Përgjithshëm, z. Giacomo Filibeck.

Në fjalimin e tij, Kryeministri, Albin Kurti, foli për arritjet e Republikës së Kosovës në luftimin e korrupsionit dhe për rritjen ekonomike në këto 32 muaj sa jemi në qeverisje. Janë dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja direkte dhe vitin e ardhshëm Bruto Produkti ynë Vendor do të jetë më i lartë për 40% në krahasim me vitin para pandemisë 2019. Kemi rritur veçanërisht buxhetin për bujqësinë, arsimin shëndetësinë dhe mbrojtjen, dhe jemi përqendruar në programe të gjera sociale në vend të projekteve të mëdhaja publike që në kujtesën e gjithsecilit e kanë lidhur korrupsionin me qeverinë.

Tutje, Kryeministri Kurti rikujtoi masat e padrejta që i janë vënë Republikës së Kosovës dhe bëri thirrje për heqjen e këtyre gjersa theksoi se shteti autoritar fqinj është ai që bart fajin për eskalimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës. Barrikadat e paramilitarëve u zëvendësuan me sulme paramilitare, sulme terroriste, lideri i të cilëve është i lirë në Serbi dhe merr pjesë në mitingjet e presidentit të Serbisë. Kryeministri Kurti ripohoi përkushtimin e Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura sivjet por duke kërkuar nënshkrimin e dy palëve si një garanci ligjore për një zbatim pa shkelje. Ai ritheksoi synimin e vendit tonë për integrim në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe në Bashkimin Evropian, duke kërkuar dërgimin e pyetësorit.

Në fund, Kryeministri Kurti, tregoi për mbështetjen e madhe që aktualisht gëzon qeveria e drejtuar nga ai me 56% sipas matjeve të fundit krahas 51% me të cilën kemi fituar në pranverën e 2021. Këtë mbështetje e kemi siguruar duke u mbështetur në tri kategori të mëdha sociale si gratë, të rinjtë dhe diaspora, tha ai. Kryeministri edhe si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! konfirmoi gatishmërinë e organizatës tonë që përmes mobilizimit të diasporës tonë shqiptare t’i mbështes partitë simotra në zgjedhjet evropiane që do të mbahen në qershor të 2024.

Kontribo

10 12 2023

Kryeministri Albin Kurti takon bashkatdhetarët në Berlin!

Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me nënkryetaren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mrika Limani Myrtaj, ministrin, Hajrulla Çeku, dhe kryetarin e Qendrës së Lëvizjes në Gjermani, Fahri Beqa, zhvilluan sot një takim me bashkatdhetarët tanë në Berlin të Gjermanisë.

Në këtë takim të përzemërt u diskutua për situatën politike në Kosovë, zhvillimet e fundit, si dhe u prezantuan të arriturat përgjatë këtyre dy vjet e nëntë muajve në qeverisje. Krahas miratimit të ligjit që ua mundëson bashkatdhetarëve votimin nëpër ambasada të Republikës tonë, kyçjes së të rinjve nga mërgata në Programin për Diplomaci, dhe investimeve që bashkatdhetarët kanë bërë në Kosovë, në këtë takim u fol edhe për rëndësinë e investimeve në sektorin e energjisë së ripërtërishme tash që është hapur ankandi.

Mërgata jonë vazhdon të jetë motor qendror për zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Republikës tonë.

Kontribo

10 12 2023

Tatimi në pronë – pse nuk e falën Komunat e drejtuara nga PDK, LDK, AAK?

Në janar të këtij viti Qeveria u zotua se do t’i mbështeste komunat në lehtësimin e barrës së tatimit në pronë për qytetarët, duke filluar nga ata më në nevojë.

Për këtë Qeveria inicioi ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme. Në të u përcaktua përfitimi për të gjithë tatimpaguesit nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumën 100 euro.

Por ligji i miratuar nga Kuvend nga mazhoranca e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me partnerët e saj u dërgua në Gjykatë Kushtetuese nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Kryetari i Komunës së Prizrenit që vjen nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj. Qëllimi ishte bllokimi dhe vonimi i zbatimit të ligjit, pra faljes deri në 100 euro i tatimit në pronë.

Në fund të nëntorit 2023 Gjykata Kushtetuese konkludoi se Ligji nuk kishte asnjë pikë kundërkushtetuese dhe i njëjti hyri në fuqi.

Kur në fundin e vitit 2022 kishte hyrë në fuqi përllogaritje e re për tatimin në pronë, subjektet opozitare dhe Kryetarët e Komunave nga radhët e tyre ngritën zërin duke pretenduar se po flisnin në emër të qytetarëve dhe pamundësisë për ta paguar tatimin e rritur.

Qeveria dhe mazhoranca jonë në Kuvend veproi. Komunat e udhëhequra nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, asambleistët tanë anekënd Kosovës ndërmorën nismën e propozimit në Kuvende Komunale për faljen deri në 100 euro të tatimit në pronë.

Por deri tani Qeveria dhe Këshilltarët tanë Komunalë kanë hasur në këto kundërshtime – në Kuvend kundërshtime e mosvotim nga opozita e PDK, LDK, AAK-së, në Gjykatë Kushtetuese nga asociacioni i komunave me përfaqësues të PDK-së dhe mbështetur nga LDK e AAK, në Kuvende komunal kudo që PDK, LDK janë shumicë.

Për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, kjo është një mundësi e humbur që të gjitha këto komuna nuk shfrytëzuan mundësinë e lehtësimit të borxhit të qytetarëve në këtë fundvit përmes ligjit që parashihte faljen e tatimit në pronë deri në shumë 100 euro.

Nuk ka asnjë shpjegim e arsyetim të qëndrueshëm, të bindshëm apo në favor të qytetarëve për Kuvendet Komunale që drejtohen nga shumica PDK, LDK, AAK për të mos ta zbatuar këtë mundësi që ua dha ligji i iniciuar nga Qeveria.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

10 dhjetor 2023

Kontribo

09 12 2023

Shkolla politike e Lëvizjes – vendi i konceptualizimit dhe mësimit

Sot u mbajtën ligjëratat e Nivelit teorik dhe politiko-organizativ të Shkollës Politike të Lëvizjes në Prishtinë, Prizren, Pejë, Ferizaj e Gjilan.

Profesoresha Majlinda Bregasi vijoi sot ciklin e ligjëratave mbi gjuhën.
Lidhja e gjuhës me strukturat mendore, natyra metaforike e gjuhës njerëzore, skemat mentale, si krijohen e si veprojnë.

Gjithashtu gjatë ligjëratës u dhanë ilustrime me shembuj nga Lahuta e Malcisë deri tek diskurset e sotme politike.

Ndërsa në nivelin politiko-organizativ u mbajtën ligjëratat mbi “Socialdemokracinë – historiku i konceptit dhe pse për Lëvizjen” nga anëtari i Kryesisë Arbër Zaimi dhe Kordinatorja e Komiteteve Dejona Mihali.

Në to u diskutua për konceptet themelore dhe idealin socialdemokrat mbi lirinë, barazinë dhe solidaritetin.

Lëvizja e ka në thelb të programit të saj vlerat progresiste, luftën kundër shtypjes, konceptin e shtetit të mirëqenies sociale, drejtësinë shoqërore, rishpërndarjen e të ardhurave, rolin e shtetit në zhvillim, barazinë mes kombeve e shteteve dhe liritë themelore politike.

Shkolla politike e Lëvizjes është vendi ku diskutohen konceptet, teoritë shkecore, ato organizative dhe veçanërisht paraqitet tradita evropiane e organizimit politik.

Kontribo

09 12 2023

Mbahet mbledhja III e Këshillit të Përgjithshëm të Grave për VETËVENDOSJE!

Nën drejtimin e kryesueses së Këshillit të Përgjithshëm të GVV-së, deputetes Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, u mbajt mbledhja e radhës ku u diskutua për situatën politike në vend për çështje organizative.

Në këtë mbledhje u miratua manifesti i GVV-së, si dokumenti themeltar i organizatës. U diskutua për punët që janë bërë këtë vit dhe u miratua plani i punës për vitin 2024.

Në pjesën e parë të mbledhjes kryetarja e GVV-së, ministrja, Albulena Haxhiu, iu drejtua delegateve me një fjalë hyrëse ku kujtoi punët që ka bërë GVV si organizatë dhe politikat që ka ndërmarrë qeveria në mbështetje të grave. Ajo theksoi se viti 2024 do të jetë vit i GVV-së.

“Viti 2024 do të jetë i GVV-së. Nëse viti i parë i ka qenë vit ku ne është dashur të konsolidohemi dhe ta përbrendësojmë këtë organizim të ri, viti që vjen jam e bindur që do të jetë vit i zgjerimit dhe fuqizimit të mëtejmë të organizatë tonë ku krahas zgjerimit të strukturës bashkërisht do të punojmë për shtimin e masave qeveritare që mbështesin gratë, tha kryetarja e GVV.

Pjesa e dytë e mbledhjes u pasua me një diskutim të gjerë mbi çështjet organizative, për punën e GVV në 2023, dhe për punën e GVV për vitin 2024.

Kontribo

08 03 2023

Qirinj në kujtim të 66 viktimave të femicidit në Kosovë

Qirinj në kujtim të 66 viktimave të femicidit në Kosovë

Organizata Gratë për VETËVENDOSJE! bashkë me Rinia për VETËVENDOSJE! zhvilluan aktivitetin e ndezjes së qirinjve pranë Teatrit Kombëtar të Prishtinës në kujtim të 66 grave të vrara si pasojë e krimit të femicidit gjatë periudhës 2000-2022 në Kosovë. Kryetarja e GVV në Gjilan, deputetja Arijeta Rexhepi dhe aktivistja e RVV-së, Dea Lala, folën për media në këtë aktivitet.

“Sot, me ndezjen e 66 qirinjve, kujtojmë vrasjen e 66 grave e vajzave që nga paslufta e deri më sot. Për ne nuk janë vetëm numra, janë jetë grash të shuara dhunshëm e padrejtësisht. Të gjitha u vranë për të vetmen arsye sepse ishin gra, tha kryetarja e GVV në Gjilan, deputetja, Arijeta Rexhepi.

Ajo theksoi punën që deputetët dhe qeverisja po e bëjnë për luftimin e dhunës në familje përmes miratimit të ligjeve, ndryshimit të tyre dhe ndarjes së buxhetit për strehimoret që ofrojnë shërbime strehimi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.

Ndërsa Dea Lala, aktiviste në RVV, foli për rëndësinë që duhet t’ia kushtojmë femicidit në vendin tonë duke u angazhuar njëherit në luftimin e normave patriarkale në shoqëri.

“Ne, solidarizohem me gjithsecilën vajzë dhe grua të prekur nga cilado formë e dhunës. Ne angazhohemi në luftimin e dhunës në bazë gjinore. Si në këtë 8 mars, që shënon ditën ndërkombëtare të gruas ashtu edhe cilëndo ditë tjetër, mbarë shoqëria, përfshirë të rinjtë e të rejat le të përpiqemi bashkërisht të angazhohemi në luftimin e femicidit, pushtetit patriarkal në vend, dhe t’i hapim rrugë të ardhmes pa dhunë e me një jetë ku ka siguri dhe dinjitet.”

“Drejtësi për vajzat dhe gratë e vrara. Barazi dhe siguri për të gjitha, kudo!”

Kontribo

08 03 2023

Hetim për çdo lëshim

Hetim për çdo lëshim

Shumë është thënë mbi dhunën seksuale ndaj grave. Mijëra programe janë financuar këto dy dekada në institucionet e sigurisë, hetimit dhe gjyqësisë. Ende sot, 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës numërohen qindra raste të zvarritjes se lëndëve për viktimat e dhunës seksuale.

Ka qenë dhe ende mbetet e paprecedentë natyra e vendimeve dhe lirimi i abuzuesve në disa raste si dhe mostrajtimi i përpiktë i disa rasteve të tjera që kanë dërguar edhe në pasoja fatale.

Në emër të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve po pamundësohet gjetja e përgjegjësve të lëshimeve në parandalimin e rasteve fatale, përdhunimeve apo dhunës në përgjithësi.

Ndaj është detyrë e Kuvendit të Republikës të marrë rolin që i takon me ligj nëpërmjet Komisionit Hetimor Parlamentar për të shqyrtuar të gjitha hallkat shtetërore që u takojnë pushteteve të ndryshme e të ndara se ku dhe çka ka ndodhur me rastet e trajtimit të dhunës seksuale dhe dhunës ndaj grave.

Për këto dhe shumë elementë të tjerë të lidhur me hallkat shtetërore të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë Grupi Parlamentar i VETEVENDOSJE! përgatiti dhe procedoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për rastet e dhunës seksuale në 5 vitet e fundit. Këtë komision hetimor parlamentar sipas Ligji për hetimin do ta drejtojë opozita.

Mbrojtja e jetës së grave dhe vajzave, dinjiteti i tyre, në përgjithësi barazia gjinore nuk mund të qendrojnë pezull deri sa të zgjidhen të gjitha çështjet e tjera. Ka shumë përgjegjë në institucionet tona që këto vitet kanë pasur përgjegjësi sigurinë e grave. Ajo siguri kur i është dashur më së shumti nuk u është dhënë. Shteti ekziston për ta mbrojtur qytetarin nga cenimi i jetës dhe dinjitetit. Pa këtë mbrojtje nuk mund të funksionojë shoqëria.

Lëvizja VETEVENDOSJE! është duke përdorur çdo mekanizëm kudo që ndodhen përfaqësuesit e saj: në Qeveri, në Kuvend, në Komuna e në aktivizëm.

Ne besojmë se ka tepër shumë nevojë që në jetën tonë publike e institucionale të trajtohet me përpikmëri faji e përgjegjësia apo dhe dështimi i çdo hallke institucionale në rastet e përdhunimeve, vrasjeve, rrahjeve, fyerje, përndjekjeve dhe keqtrajtimeve sistematike ndaj grave dhe vajzave.

Hetim për çdo lëshim.

8 mars 2023

Grupi parlamentar i Lëvizjes VETEVENDOSJE!

Kontribo

07 03 2023

Urime 7 Marsi!

Urime 7 Marsi!

Lëvizja VETËVENDOSJE! ua uron të gjithë mësuesve shqiptarë në Republikën e Kosovës, Luginën e Preshevës, në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Republikë të Shqipërisë dhe atyre në mërgatë që e mbajnë gjallë mësimin në gjuhën shqipe nëpër Evropë dhe Botë, ditën e 7 Marsit.

Dita e mësuesit festohet për nder të hapjes së shkollës së parë shqipe në qytetin e Korçës me 7 Mars 1887, për të cilën u deshtë shumë mund, djersë dhe gjak sepse edhe ishim nën pushtimin Osman.

Që atëherë, gjenerata të njëpasnjëshme mësuesish përcollën përvojën dhe dijet e tyre shkollore gjeneratë pas gjenerate duke ruajtur kështu gjuhën por edhe mundësitë tona si shqiptarë të ndërtojmë dhe ushtrojmë dije krahas popujve të tjerë.

Sot i kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata që kontribuuan në arsimimin e shqiptarëve.

Sot i urojmë të gjithë ata që ushtrojnë profesionin e shtrenjtë të mësimdhënësit nëpër secilin institucion publik filluar nga ai parashkollor e deri te ato pas universitare.

7 Marsi na jep detyrën e përkushtimit sa më të lartë institucional dhe shoqëror në krijimin e kushteve për rezultate sa më të larta në fushën e arsimit.

Kontribo

03 03 2023

Takim me drejtoreshën e NDI, znj. Nancy Soderberg

Përfaqësuesit e organizatës NDI, Ambasadoren, drejtoreshën rezidente të kësaj organizate për Kosovë, znj. Nancy Soderberg, bashkë me zëvendës drejtorin, z. Valon Kurhasani, dhe Drejtorin e Programit, z. Pajtim Gashi, në zyret tona i mirëpritën Sekretari Organizativ, Alim Rama dhe Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Hajrulla Çeku, së bashku me Sekretarin për Media dhe Komunikim, Arlind Manxhukën, Koordinatorin e Qendrave, Valon Hotin dhe Anila Vrajollin nga SMN.

Në këtë takim miqësor u njoftuam për punën dhe projektet e deritashme të NDI, për planet e mëtejme të kësaj organizate, si dhe diskutuam për mundësinë e bashkëpunimit në fusha ku kemi interes të ndërsjellë. Ne e njoftuam znj. Soderberg dhe z. Kurhasani për aktivitetet tona që do të zhvillohen përgjatë këtij muaji nga organizata Gratë për VETËVENDOSJE!: “Marsi sjell Pranverën GRATË BARAZINË”, dhe me ta ndamë bindjen e përbashkët për bashkëpunim në çështje që lidhen me fuqizimin e grave rinisë në të ardhmen.

Kontribo

02 03 2023

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në seancën e sotme parlamentare

Faleminderit kryetar Konjufca,

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Të dashur qytetarë të Rrepublikës,

Jam sot para jush për t’ju informuar e raportuar për takimin e fundit të nivelit të lartë në kuadër të Dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, e siç e dimë u mbajt të hënën e kësaj jave, pra me 27 shkurt. Takimi ishte ftuar zyrtarisht nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, z. Josep Borrell me dy pika të axhendës, e para, formalizimin e pranimit të Marrëveshjes Bazë të propozuar nga Bashkimi Evropian, e të mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe, e dyta, fillimin e diskutimeve për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Më lejoni të theksoj që shpeshherë ka një keqkuptim sa i përket këtyre dy dokumenteve: BE-ja e ka propozuar zyrtarisht vetëm një dokument, Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; plani i zbatimit do të duhet të negociohet, dhe negociatat për të nuk kanë filluar ende.

Në takimin e nivelit të lartë të datës 27 shkurt, isha pjesëmarrës në dy lloj takimeve, fillimisht, bilateral, me Përfaqësuesin Borrell dhe Lehtësuesin Lajçak, dhe, pas kësaj, në takimin trilateral ku prezent ishte edhe Presidenti i Serbisë Vuçiq. Në takimin trilateral, unë i ofrova Bashkimit Evropian nënshkrimin zyrtar si kryeministër i Republikës të Marrëveshjes Bazike, të cilën do të duhej ta nënshkruante edhe Përfaqësuesi Borrell edhe Presidenti Vuçiq dhe e njëjta të miratohej në një samit të Këshillit Evropian. Propozimin tim për ta nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen e refuzoi menjëherë Presidenti i Serbisë. Refuzimi i tij ishte i natyrës kategorike, gjë që e bëri publike edhe ai vet pas daljes nga takimi. Më lejoni të sqaroj që qëndrimi i Përfaqësuesit Borrell, siç u tha edhe në deklarimin e tij për media, është që ky dokument nuk do të diskutohet më; pra, ka një format të finalizuar dhe për atë arsye ai është shpallur në ueb-sajtin zyrtar të Bashkimit Evropian. Të dy palët janë pajtuar me një pozicion të tillë, por kjo nuk nënkupton që palët e kanë pranuar zyrtarisht marrëveshjen. Pranimi bëhet vetëm përmes nënshkrimit të të dy palëve, fillimisht, sipas procedurës së kontraktimit ndërkombëtar të shteteve. Refuzimi për ta nënshkruar nga ana e Serbisë është tregues që ata nuk janë dakord me përmbajtjen, rrjedhimisht nuk kanë gatishmëri për t’i dhënë formë obligative juridike e ndërkombëtare marrëveshjes së tillë.

Më lejoni të ripërsëris që ka një dallim të madh ndërmjet, në njërën anë, pranimit të një teksti të një marrëveshjeje si një dimension simbolik, dhe në anën tjetër, pranimit për t’ia ndërmarrë obligimet juridike ndërkombëtare asaj. E para është pa asnjë pasojë juridike e politike dhe ka natyrë simbolike; e dyta ka pasoja juridike dhe politike, të gjitha në nivelin ndërkombëtar të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Presidenti i Serbisë e ka refuzuar të dytën, pra po refuzon ta pranojë marrëveshjen si kuadër i detyrimeve ndërkombëtare të obligueshme për palët në të drejtën ndërkombëtare. Arsyet e refuzimit të tij nuk meritojnë komentim nga ana ime, por, natyrisht, do të duhej të ishin një pikënisje mbi vlerësimin racional e utilitar të pyetjes se për kë është e favorshme një marrëveshje e tillë e për kë jo. Unë ju sugjeroj që mos të prodhoni argumente në diskursin publik që janë sa të pakuptimta edhe të dëmshme e në linjë me ata që e kundërshtojnë marrëveshjen në shtetin fqinj tonë verior. Ata që thonë që kjo marrëveshje nuk ka njohje de facto e kanë barrën e provës të faktojnë se pse atëherë atë e refuzoi me nënshkrim zyrtar të saj Presidenti i Serbisë; ata që thonë që kjo marrëveshje nuk është e përqëndruar në rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura, duhet të mendojnë se pse atëherë Presidenti i Serbisë e konsideron nënshkrimin e saj si shkelje e ‘vijave të tij të kuqe’?!

Më lejoni të ju them që Marrëveshja Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën një hap të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve të jashtme, ndërkombëtare ndërmjet dy shteteve të pavarura. Ajo bazohet në parimin e barazisë së sovranëve, respektin për integritetin territorial, pavarësinë, heqjen dorë nga pengesat për anëtarësim të Republikës sonë në organizata ndërkombëtare, shkëmbimin e misioneve diplomatike përmes ambasadorëve të rangut të plotëfuqishëm, njohjen e simboleve shtetërore, të pasaportave, e kështu me radhë. Marrëveshja mundëson një projekt paqeje e cila e sekuencon në kohë dhe e shëndërron në një obligim ligjor arritjen e një marrëveshjeje finale. Marrëveshja i hap rrugë Republikës sonë për anëtarësim në shumë organizata ndërkombëtare, me e rëndësishmja përmes pranimit të kapacitetit ligjor për t’u anëtarësuar në NATO dhe nënshkrimin e një Partneriteti për Paqë me NATO-n ku për herë të parë Ushtria e Kosovës shndërrohet në aleat, partner shtetëror të NATO-s, anëtarësimin në dhjetëra konventa ndërkombëtare, statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, e kështu me radhë.

Në anën tjetër kam vërejtur që ka edhe shumë keqkuptime e informacione të pavërteta në lidhje me disa nga pikat e marrëveshjes. Më lejoni të ritheksoj që premisa bazë e imja si kryeministër është që nuk do të lejoja të negocioja asgjë që nuk është në përputhje me sistemin kushtetues e ligjor të Republikës, apo diçka që synon territorializimin, mono-etnicitetin apo krijimin e urave për ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës. Asnjë nga kjo, asnjëherë. Gabimet politike, historike të qeverive të kaluara nuk do të përsëriten asnjëherë, përkundrazi do të bëj përpjekje maksimale që ato gabime politike, historike të qeverive të kaluara t’i eliminoj, apo së paku t’i reduktoj substancialisht që të mos jenë pengesë për karakterin e qëndrueshëm demokratik e unitar të Republikës sonë. Shumë detaje nuk mund t’i them, por mendja e shëndoshë e ka të lehtë t’i kuptojë ato nga nje lexim i thjeshtë i veprimeve dhe teksteve që i kam pranuar.

Në këtë pikë, psh. me lejoni të theksoj që i vetmi nen ku ka një problem në këtë Marrëveshje është ajo që lidhet me obligimet e trashëguara, e për të cilat ka një konsesus ndërkombëtar që ato duhen zbatuar. Ajo është pika 10 e Marrëveshjes, neni 10 i Marrëveshjes, në fjalinë e fundit të tij, e cila e përmban normën që ‘të gjitha’ marrëveshjet e Brukselit duhet zbatuar.

Megjithatë, këtë ju duhet ta kuptoni si një detyrim ndaj tërësisë, dhe paqartësisë që e shoqëron tërësinë, e jo si diçka të veçantë ndaj një elementi të një marrëveshjeje, natyrisht që e kam fjalën këtu për marrëveshjen Thaqi-Daçiq të vitit 19 prillit 2013, të ratifikuar në këtë Kuvend me mbi 80 vota, e të zgjeruar me marrëveshjen Mustafa-Vuçiq të 25 gushtit 2015 mbi Asociacionin. Pra, Marrëveshja Bazë nuk i veçon elementet por i vendos ato në një normë të tipit ‘kategori’; dmth unë e kam pranuar që ekziston një ‘thes me marrëveshje’, dhe për t’i zbatuar rreth 40 marrëveshje njëherë duhet të sigurohemi që ato do të zbatohen sipas rrjedhjes së tyre kohore, e gjithashtu, vetëm ato për të cilat ka një autorizim kushtetues e ligjor në Republikën tonë për t’i zbatuar. Prandaj edhe kur thuhet që duhet të zbatohen lexojeni fjalinë deri në fund sepse nuk thotë që vetëm duhet të zbatohen. Nëse më pyesni a duhet zbatuar ato që i gjithë komuniteti ndërkombëtar i aleatëve pret që të zbatohen sepse janë ratifikuar e miratuar nga qeveritë e legjislaturat e mëhershme, përgjigjja ime është PO POR vetëm nëse zbatohen të gjitha dhe në përputhje me përcaktimet kushtetuese e ligjore të Republikës sonë, duke respektuar demokracinë, barazinë, të drejtat e njeriut e simetrinë. Nuk lejoj përjashtime, veqime apo fokusime në një. Kaq mund të them për këtë pikë tash për tash.

Më lejoni t’ju garantoj gjithashtu që asgjë e re, e cila nuk ka qenë e pranuar katërcipërisht në marrëveshjet e kaluara nuk do të pranohej, nuk është negociuar, dhe nuk është përfshirë në Marrëveshjen Bazike. Të gjithë ata që thonë se ne paskemi pranuar një element të ri në Marrëveshjen Bazike janë të keqinformuar, ose ju mungon racionaliteti në vlerësim. Nëse do të flisja më shumë do ta dëmtoja pozicionin negociator të Qeverisë sonë.

Për fund, më lejoni të theksoj që Qeveria ime është e gatshme të shkojë në çdo takim të nivelit të lartë të ftuar nga Përfaqësuesi Borrell, dhe një gjë të tillë do ta bëj edhe për takimin e radhës në qytetin e Ohrit ku, për koincidencë, ka një marrëveshje për pajtim që bazohet në standardet dhe udhëheqjen e Bashkimit Evropian e mbi të cilën premisë në 6 shtetet në Ballkanin Perëndimor edhe do të mund e do të duhej të krijonim reciprocitet.

Po i adresoj edhe dy gjëra të rëndësishme që edhe sot këtu, por edhe këto ditë janë ngritur.

Sa i përket qëndrimit që ‘overcome the past’ është falje e krimeve të Serbisë, ose është braktisje e ballafaqimit më të kaluarën?

Më lejoni të theksoj që ky qëndrim është i pasaktë, i padrejtë, i pavërtetë. Një ndër insistimet kryesore të mia ka qenë që një marrëveshje bazike pa elementin e drejtësisë tranzicionale nuk mund e as nuk guxon të bëhej. Nocioni ‘overcome the past’ përbën, përkundrazi, një detyrim për palët që të adresojnë të kaluarën e jo ta harrojnë atë. Përndryshe, do të titullohej ‘forget the past’ ose ‘disregard the past’. Nocioni ‘overcome the past’ është konceptualisht dhe literalisht, në origjinal, i quajtur gjermanisht ‘vergangenheitsbewältigung’ e i cili përbën metodën gjermane të të adresuarit të drejtësisë tranzicionale pas luftës së dytë botërore. Ky është koncepti. Ai bazohet në një sistem të drejtësisë tranzicionale që ka për qëllim ta thotë të vërtetën për të kaluarën, ta luftojë revizionizmin e së vërtetës, dhe t’i ndjek e t’i dënojë ata që kishin përgjegjësi për të kaluarën. Pra, jo që Marrëveshja Bazike nuk amniston e as nuk fal asgjë, por, përkundrazi, ka për qëllim të adresojë të kaluarën përmes mjeteve të civilizuara që kanë për qëllim luftën ndaj kriminelëve që kanë kryer krime lufte, theksimin e së vërtetës, mbrojtjen e narracionit të viktimave, dhe edukimin e brezave të rinj mbi bazën e drejtësisë për të kaluarën. Kjo jo që nuk është harresë, e as tejkalim i së kaluarës, por theksim i saj dhe ndërtim i së ardhmes duke e adresuar të kaluarën përmes përgjegjësisë shtetërore-juridike, morale e kulturore. Dhe, le ta ritheksoj që tekstet që i kemi tash për tash janë vetëm në anglisht dhe atyre do të ju përmbahemi. Tekstet do të përkthehen në fund, njëherë dakordohemi për tekstet në anglisht siç janë. Pra, kjo është sa i përket ballafaqimit me të kaluarën.

Tjetra, është keqleximi sa i përket çështjes së statusit?

E dëgjova deputetin Abdixhiku, ai tha që është hapur çështja e statusit ose që është neutrale. Së pari më lejoni të ua tregoj kontekstin dhe çfarë saktësisht po shkruan se duhet të lexoni me përpikëri. Para 4 vjetëve ish Presidenti Trump i ka dërguar letër ish Presidentit Thaçi ku e ka përdorur togfjalëshin “njohje reciproke“. Para 2 vjetëve, këtë e ka bërë Presidenti aktual Biden, “njohje reciproke“. Shtrohet pyetja pse ata nuk kanë thënë njohja e Kosovës nga Serbia por “njohja reciproke“? Sepse në thelb nuk mund ta njohësh një shtet që nuk të njeh pa u nënshtruar në riokupim. Rrjedhimisht, të dy Presidentët neve kanë treguar që aktualisht e kemi gjendjen e një mosnjohje reciproke, dhe nga mosnjohja reciproke ne duhet të kalojmë në njohje reciproke. Përndryshe ata do të shkruanin duke thënë Serbia ta njeh Kosovën dhe kaq. Dhe, këtu nëse e vëreni në fjalinë e katërt të preambulës thuhet „icluding on the status questions“, ‘çështjet’ jo ‘çështjen’ siç tha deputeti Abdixhiku. ‘Çështjet’ pse? Sepse qysh në takimin e parë kur kam qenë në Bruksel me Presidentin Vuçiq te zyra e Borrelit, në mes të qershorit të vitit 2021, unë kam thënë ‘Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë’, qysh në fillim. Ai tha Serbia nuk e njeh Kosovën. Unë thashë ‘Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë’, në përputhje me dy letrat e dy presidentave amerikanë, mosnjohja reciproke. Tash këtu keni ‘status questions’, a e dini pse? Faktorët ndërkombëtarë e dinë shumë mirë që nuk është në pyetje pavarësia e Kosovës , por në thelb kushtetuta konfliktuoze është e Serbisë. Nëse ka ndonjë shtet në Ballkanin Perëndimor që e ka statusin e pacaktuar është pikërisht Serbia. Unë atë Kushtetutë se pranoj dot, sepse në fjalinë e dytë të premabulës Kushtetuta e Serbisë thotë që „Kosova është pjesë integrale e Serbisë“. Unë nuk mund ta pranoj atë. Pra, nga mosnjohja reciproke duhet të kalojmë në njohjen reciproke. Ata e kanë dëgjuar Serbinë duke thënë që se njeh Kosovën por e kanë dëgjuar edhe Kosovën duke thënë që nuk e njeh Serbinë. Prandaj e keni ‘status questions’, plural, shumës deputeti Abdixhiku. Mos thuaj ‘çështja’, ‘çështjet’, ‘pyetjet’. Është shumës. Nuk është ‘status question’.

Dhe, çështja e fundit është sa i përket nenit 7.

Nga pikëpamja ime, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe si marrëveshje e trashëguar nga vitet 2013 dhe 2015 është në nenin 10. Në nenin 7 flitet për komunitetin serb, i cili nëse nuk jam gabim përmendet mbi 10 herë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra, komuniteti serb nuk janë komunat me shumicë serbe kategorikisht janë dy gjëra të ndryshme. Komuniteti serb ekziston edhe në Planin e Ahtisarit, edhe një duzinë herësh përmendet në Kushtetutën e Republikës.

Marrëveshja parasheh që të drejtat e komunitetit serb në Kosovë duhet garantuar ‘në përputhje’, po e ritheksoj, „në përputhje“ me konventat e Këshillit të Evropës. E vetmja konventë e Këshillit të Evropës që rregullon aspekte të të drejtave të komuniteteve jo-shumicë është Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave, e cila tashmë është pjesë e Kushtetutës së Kosovës (neni 22). Nuk ka konventë tjetër. Pra, maksimumi që do të mund të nënkuptonte një vetë-menaxhim i tillë është ajo që tashmë Kushtetuta e parasheh në nenin 22 të saj. Propozimi kryesor nuk ka asnjë referencë specifike se çfarë do të nënkuptojë një vetë-menaxhim i tillë, por përderisa tavani i lartë është Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës, e kjo pra nënkupton që rezultati duhet të jetë një format i i respektit për të drejtat individuale (joterritoriale) të pakicave, që bazohet në individin me të drejta edhe sipas përkatësisë e jo në institucionet a monopolin territorializues të tyre. Pra, këtu nuk kam dhënë asgjë: ajo që kam premtuar e pranuar është që komuniteti serb në Kosovë të trajtohet sipas nenit 22 të Kushtetutës, e cila e ka pjesë të saj Konventën Kornizë. Kushdo që thotë që kjo është një përbërës shtesë, apo që nënkupton diçka shtesë, e ka gabim ose kështu rezonojnë në fqinjin tonë verior armik. Një komunitet siç është ai serb – e komuniteti serb është komunitet që njihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës – nënkupton një dimension social (jo-territorial, jo-institucional dhe jo-politik) të një tërësie të individëve. Nuk ka komunitet pa individ, por individët mund të bëhen komunitet social (jo-territorial, jo-institucional, jo-politik). Konventa Kornizë ka subjekt individët, që janë pjesë e grupeve minoritare, dhe ashtu është kuptimi edhe i nenit 7 të Marrëveshjes Bazike.

Pra, nuk ka asgjë më shumë sesa që tashmë ekziston (dmth, neni 22 i Kushtetutës) dhe e gjithë ajo që është pjesë e nenit 22 të Kushtetutës është referencë për të drejtat individuale të pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve, e njëri prej tyre është natyrisht edhe ai serb. Dmth njohje të të drejtave të njeriut që janë të natyrshme në një demokraci liberale, siç është e drejta në gjuhë, në arsim në gjuhën e tij/saj, e drejta për t’u punësuar pa diskriminim, e të tjera, për anëtarët e komunitetit serb, gjë që është tashmë garancion kushtetues e ligjor në shtetin tonë.

Falemnderit.

Kontribo

01 03 2023

Gratë për VETËVENDOSJE! – Marsi sjell pranverën GRATË BARAZINË!


Kryetarja e GVV-së, Albulena Haxhiu, bashkë me anëtaren e kryesisë së GVV-së, Rinë Zhitia, pas një mbledhje pune të mbajtur sot me kryetaret e GVV-së nga Qendrat tona gjithandej vendit, mbajtën një konferencë për media ku shpalosën aktivitetet e organizatës Gratë për VETËVENDOSJE! për muajin mars.

“Përgjatë marsit përmes aktiviteteve të shumta do të adresojmë çështje që lidhen me të drejtat e grave në pronë, trashëgimi, pasuri të përbashkët, mbështetje me bursa, subvencione, pavarësinë ekonomik të grave përmes punësimit e sidomos ne angazhimin serioz dhe si asnjëherë më parë të dhunës në familje e femicidit si fenomen që po e shkatërron shoqërinë tonë”, tha Haxhiu.

“Do të jemi gjithandej Kosovës në fshatra e lagje, në aktivitete të ndryshme, në takime, tubime, tryeza, konferenca e aksione politike nëpërmjet të cilave do ta bëjmë të qartë se ne si gra jemi bashkë, e bashkë do të adresojmë projekte që do t’iu bëjnë jetën më të lehtë grave e vajzave.”

“Siç e kemi thënë, përveç emancipimit feminist, fuqizimit të grave brenda VV dhe adresimi i politikave feministe, synimi ynë si GVV është rritja e numrit të anëtareve vajza e gra. Prandaj sot përmes kësaj konference dhe në ditën e nisjes së shumë aktiviteteve, i bëj thirrje vajzave dhe grave në komunat e Kosovës, që të na bashkohen në rrugëtimin për drejtësi e barazi.”

Ndërkaq, Rinë Zhitia njoftoi konkretisht për aktivitetet që do të mbahen këtë muaj.

“Kjo javë fillon me aktivitete që kujtojnë dhe nderojnë të gjitha gratë luftëtare të luftës së fundit në Kosovë. Vazhdon me njohjen e kontributit të grave të para profesioniste në vend, veteranet e arsimit, shëndetësisë, artit, dhe aktivistet politike të para dhe pas luftës në Kosovë. Për të dalë më pas te gratë e angazhuara në rastet që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe vrasjet e grave.”

“Pra, do të ketë aktivitete të ndryshime që do të shtrojnë diskutimin mbi çështje gjinore. Ne e shohim të nevojshme të flasim për angazhimin dhe kontributin e grave në përparimin e të drejtave të tyre.  Ne u detyrohemi grave sepse ato kanë krijuar një bazë për angazhimin tonë të mëtejmë për drejtësi e barazi.  Jemi të vetëdijshme për gjithçka që është bërë dhe për gjithçka që ka mbet të bëhet ende. Të frymëzuara nga sakrifica e grave në vendin tonë si aktiviste të LV-së e njohim si detyrë angazhimin e përditshëm për shtyrjen para të kauzës feministe.”

“Si gra duhet të bashkohemi e të angazhohemi për secilën prej nesh. Le të bëhemi bashkë në përpjekjet tona për drejtësi, barazi dhe jetë të dinjitetshme”, tha Zhitia.

Kontribo

27 02 2023

Kryetarja e GVV vizitoi familjen e dëshmores së UÇK-së, Fatime Hetemi

Sot, Kryetarja e organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!, njëherazi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një vizitë në Mitrovicë, te familja e dëshmores, luftëtares së UÇK-së, Fatime Hetemi.

Shoqëruar nga kryetarja e GVV-së në Qendrën e Mitrovicës, Arjeta Fejza, ajo u prit nga motrat e dëshmores Fatime Hetemi, Sebahatja, Shehria dhe Hava, dhe vëllezërit e saj, Lulzimi, Behxheti, Bashkimi dhe Dritoni.

Fatimja nga Bistrica e Shalës ra në vijën e parë të frontit duke luftuar për çlirimin e vendit kur ishte vetëm 21 vjeçare. Ajo u bashkua në UÇK duke dhënë kontribut bashkë me Xhevë e Fehmi Lladrofcin.

Lavdi jetës dhe veprës së dëshmoreve tona. Angazhimi i grave në luftën tonë dhe kontributi i tyre i dhënë për çlirimin e vendit do të kujtohet dhe çmohet përherë sepse falë këtij angazhimi e sakrifice të tyre fituam mundësinë ta shkruajmë të lirë fatin tonë.

Kontribo

25 02 2023

Mbahet mbledhja L e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Sot u mbajt mbledhja L e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ku ndër të tjera u votuan edhe anëtarët e komisioneve staturore të Lëvizjes, proces ky që shënon edhe përmbylljen e plotë dhe të sukseshme të zgjedhjeve të brendshme.

Në pjesën e parë delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm ju drejtua Kryetari njëherit edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili duke falendëruar anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm theksoi se për 11 vite e gjysmë kemi mbajtur 50 mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm duke treguar kështu rregullsinë me të cilën jemi mbledhur, ca më shpesh se sa katër herë në secilin vit andaj është mbresëlënëse, sepse është triumf i demokracisë së brendshme. Jo vetëm në vendin tonë, por as në rajon, nuk ka subjekte që mblidhen kaq shpesh me organin e tyre më të lartë vendimmarrës.

Mbledhja e Këshillit u mbajt një ditë para 26 shkurtit me ç’rast Kryetari Kurti përmendi edhe ditëlindjen e dy figurave tejet të rëndësishme për bindjet, frymëzimin dhe orientimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!:

‘’Sot është data 25 shkurt, e nesër, në 26 shkurt është ditëlindja e dy personave të veçantë për të gjithë ne. Janë dy persona me shumë vite dallim nga njëri-tjetri, me histori jetësore e me kontribut shumë të ndryshëm, por që koincidojnë të kenë datëlindjen e njëjtë por edhe inicialet e njëjta, A. D. E kam fjalën për Tribunin e çështjes shqiptare, viganin e rezistencës shqiptare në burgjet jugosllave e serbe, Adem Demaçin, dhe për shokun e aktivistin tonë të dashur, Astrit Deharin, viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur. Të dy janë busulla e Lëvizjes sonë, dhe për sa kohë që të jetojë kujtimi i tyre në zemrat tona, për aq kohë do të jehojë edhe Lëvizja. Nuk e humbim rrugën, për sa kohë që rruga jonë ndriçohet nga pishtarë si ata. Lavdi dhe nderim, për udhërrëfyesin kombëtar, Adem Demaçin. Kujtim dhe drejtësi, me çdo kusht e deri në fund, për shokun tonë, Astrit Deharin’’.

Vetëm një ditë më parë u shënua njëvjetori i luftës në Ukrainë për çka foli edhe Kryeministri Kurti duke theksuar se pakkush mendonte se Ukraina e vogël do të rezistonte me kaq sukses ndaj një gangsteri gjigand. Por dëshira e Ukrainasve për demokraci e liri, atdhedashuria e tyre e pakufishme, solli edhe një herë në histori një shembull të fitores së Davidit mbi Goliatin. Ka shumë shembuj të tillë historia. Dhe një nga shembujt është edhe ai i fitores së Kosovës përballë pushtuesit që i dukej vetja shumë i madh dikur, e që ëndërron edhe sot të rikthejë madhështinë në kurrizin e të tjerëve.

Tutje Kryeministri Kurti përmendi të arriturat e Qeverisë në secilën ministri tash kur edhe pak javë na ndajnë nga gjysma e mandatit të Qeverisë Kurti.

Pas diskutimit të situatës politike Këshilli i Përgjithshëm vazhdoi punimet me votimin e anëtarëve të organeve statutore të këtij organi më të lartë të LV-së duke zgjedhur kështu anëtarët e komisionit statutor, komisionit disiplinor, komisionit për shqyrtimin e ankesave si dhe komisionit të përgjithshëm zgjedhor.

Kontribo

25 02 2023

Fjala e Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 50-të të Këshillit të Përgjithshëm

Fjalimi i Kryeministrit në mbledhjen e parë sivjet, të 50-tën me radhë, të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!:

Të dashur aktivistë të Lëvizjes,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, shoqe dhe shokë bashkëveprimtarë,

E nderuar Kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, znj. Arbërie Nagavci,

Të nderuar të ftuar e pjesëmarrës, gazetarë, miq të Lëvizjes,

Si kryetar i Lëvizjes, ju uroj mirëseardhjen të gjithëve në këtë mbledhje të pesëdhjetë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Për 11 vite e gjysmë kemi mbajtur 50 mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm. Kjo gjë tregon rregullsinë me të cilën jemi mbledhur, ca më shpesh se sa katër herë në secilin vit andaj është mbresëlënëse, sepse është triumf i demokracisë së brendshme. Jo vetëm në vendin tonë, por as në rajon, nuk ka subjekte që mblidhen kaq shpesh me organin e tyre më të lartë vendimmarrës. Jemi mbledhur në kohë të vështira, jemi mbledhur edhe në kohë të mira, dhe do të vazhdojmë të mblidhemi rregullisht, pavarësisht angazhimeve të tjera. Jo në mbledhje formale, por në mbledhje përmbajtësore, ku diskutojmë në frymë konstruktive e bashkëpunuese kur është nevoja edhe kritike për drejtimin që merr Lëvizja dhe për zbatimin e politikave të saj. Janë këto politika që po zbatohen në qeveri e në disa komuna ku drejton VETËVENDOSJE!, por edhe që po shtyhen përpara nga aktivitetet e strukturës sonë anembanë Kosovës.

Sot është data 25 shkurt, e nesër, në 26 shkurt është ditëlindja e dy personave të veçantë për të gjithë ne. Janë dy persona me shumë vite dallim nga njëri-tjetri, me histori jetësore e me kontribut shumë të ndryshëm, por që koincidojnë të kenë datëlindjen e njëjtë por edhe inicialet e njëjta, A. D. E kam fjalën për Tribunin e çështjes shqiptare, viganin e rezistencës shqiptare në burgjet jugosllave e serbe, Adem Demaçin, dhe për shokun e aktivistin tonë të dashur, Astrit Deharin, viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur. Të dy janë busulla e Lëvizjes sonë, dhe për sa kohë që të jetojë kujtimi i tyre në zemrat tona, për aq kohë do të jehojë edhe Lëvizja. Nuk e humbim rrugën, për sa kohë që rruga jonë ndriçohet nga pishtarë si ata. Lavdi dhe nderim, për udhërrëfyesin kombëtar, Adem Demaçin. Kujtim dhe drejtësi, me çdo kusht e deri në fund, për shokun tonë, Astrit Deharin.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,

Ky vit, pra viti 2023, është vit jubilar për Kosovën. Bëhen 15 vite prej shpalljes së Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë. Bëhen 25 vite, çerek shekulli, nga Epopeja e Jasharëve në Prekaz. Janë ngjarje me rëndësi historike për popullin tonë, të cilat si qeveri kemi nisur t´i përkujtojmë me një kalendar që aktualisht është në realizim e sipër, e që ka filluar prej 17 shkurtit, ditës së pavarësisë, e deri në 7 mars kur Ademi e Hamza, dhe 57 të tjerë ranë dëshmorë dhe vulosën me gjakun e tyre pashmangshmërinë e çlirimit të Kosovës. Sot Kosova ndërton forcat e saj të armatosura, policinë e ushtrinë, me vajza e djem që ëndërr e kanë të jenë trima e të guximshëm, të patrembur e idealistë si Jasharët tanë të mëdhenj.

Dje, në datën 24 shkurt, u shënua gjithashtu një vit nga agresioni rus mbi Ukrainën. Një vit tragjedi, që ka çuar në jetën tjetër mijëra civilë e ushtarë, për shkak të mizorisë pushtuese të Putinit. Por njëkohësisht, një vit rezistencë. Pakkush mendonte se Ukraina e vogël do të rezistonte me kaq sukses ndaj një gangsteri gjigand. Por dëshira e Ukrainasve për demokraci e liri, atdhedashuria e tyre e pakufishme, solli edhe një herë në histori një shembull të fitores së Davidit mbi Goliatin. Ka shumë shembuj të tillë historia. Dhe një nga shembujt është edhe ai i fitores së Kosovës përballë pushtuesit që i dukej vetja shumë i madh dikur, e që ëndërron edhe sot të rikthejë madhështinë në kurrizin e të tjerëve. Por siç ka thënë poeti i madh shqiptar, ish kryeministër i Shqipërisë, peshkopi ortodoks Fan Stilian Noli, «I vogli shtrin viganin dhe i shtypuri tiranin». Edhe në Ukrainë në fund do të fitojë i vogli, sepse është i drejtë, dhe e drejta trimëron më shumë se çdo armë. Kosova është krenare që qëndron pranë popullit Ukrainas, jo për ndonjë arsye interesi të drejtpërdrejtë, por për arsye të solidarizimit, kundër vendeve që në politikën ndërkombëtare veprojnë me gangsterizëm, kundër politikanëve shovinistë që nuk e durojnë pavarësinë e tjetrit dhe demokracinë. Urojmë të jetë ky vit, ashtu siç e shpalli dhe presidenti Zelenskyy, viti i çlirimit të Ukrainës.

Kosova ka hedhur hapa solidë përpara në forcimin e rolit tonë rajonal, si promovuese e paqes dhe të bashkëpunimit. Ne kemi kritikuar nismat si «Ballkani i Hapur», ku Kosova nuk pritej si e barabartë dhe ku tendenca për ta hapur ballkanin për autokratët e lindjes e verilindjes siç është hapur Serbia është e qartë. Por ne kemi qenë pro-aktivë për nismat si Procesi i Berlinit. Në Berlin, pas afër dy viteve negociata, në nëntor të vitit 2022 janë nënshkruar tri marrëveshje prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe para dy ditësh Kuvendi i Kosovës i ratifikoi ato marrëveshje me propozim të qeverisë, duke treguar kështu seriozitetin tonë në raport me integrimin rajonal e atë evropian. Kosova është një vend i hapur e demokratik, që do të tregojë gjithnjë konstruktivitet dhe energji, me kushtin e vetëm që të trajtohet me respekt dhe si e barabartë. Ky kusht plotësohet nga Procesi i Berlinit, dhe nuk mund të lë pa falënderuar Gjermaninë që po i prin këtij procesi. Me tri marrëveshjet e nënshkruara qytetarët e Kosovës fitojnë të drejtën për lëvizje të lirë e vetëm me letërnjoftime në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Bosnjën ku deri më tash ka pasur pengesa, e natyrisht edhe boshnjakët e fitojnë këtë të drejtë për udhëtim në Kosovë. Gjithashtu fitohet njohja e kualifikimeve dhe e arsimit të lartë në të gjitha këto vende, si dhe njohja e kualifikimeve profesionale të arkitektëve, mjekëve, dentistëve, sipas shembujve nga Bashkimi Evropian. Këta hapa janë shumë të rëndësishëm për konsolidimin e një tregu rajonal, që do të jetë me përfitim për ekonomitë e vendeve tona dhe për qytetarët tanë. Por do të jetë edhe në funksion të paqes, nëse do ta kuptojë secili shtet që Rusia nuk është opsion. Kosova e ka pasur të qartë gjithnjë se opsioni i vetëm është Evropa. Të mos harrojmë se edhe kancelari gjerman, edhe presidenti francez, e kanë bërë të qartë se pa njohur pavarësinë e Kosovës, nuk do të ketë integrim evropian as për fqinjët tanë. Sa më shpejt që e kuptojnë, aq më mirë është edhe për ta.

Pas tri javësh bëhen dy vite ç´prej se kemi filluar të qeverisim, pra po arrijmë gjysmën e mandatit tonë, të dashur aktivistë. Janë dy vite plot me punë, pavarësisht vështirësive që po kalon gjithë bota, fillimisht si pasojë e pandemisë, pastaj si pasojë e krizave ekonomike, tregtare e energjetike që prodhoi pandemia por edhe lufta ruse në Ukrainë. Mund të thuhet se asnjë qeveri gjatë Kosovës së lirë nuk është përballur me vështirësi të tilla të natyrës globale. Natyrisht vështirësitë nuk e kanë zvogëluar përpjekjen dhe punën tonë, madje statistikisht mbledhjet e qeverisë e vendimet e marra janë 19% më shumë se sa ato të dy viteve të para të qeverisë paraprake.

Gjatë këtyre dy viteve nuk e kemi asnjë skandal korruptiv, dhe jemi ngritur për 20 vende në Indeksin e Transparency International, për luftën kundër korrupsionit, si dhe 17 vende në lirinë e medieve sipas World Press Freedom Index. Për herë të dytë radhazi Kosova është renditur e para në rajon për sundimin e ligjit sipas World Justice Project. E për herë të parë kemi qenë të dytët në botë për përmirësim të sundimit të ligjit.

Kemi ngritur mekanizimin për fonde për Luginën, duke mbështetur në mënyrë të dinjitetshme dhe të pakrahasueshme me qeveritë e shkuara bashkatdhetarët tanë. Kemi dhënë 78 grante për ta, me vlerë totale mbi 1 milion €; kemi dhënë përkrahje për 107 studentë nga Lugina në shumë prej 1.000 € secilit me vlerë totale 107 mijë €; Dhe, për herë të parë kemi siguruar libra në gjuhën shqipe për Luginën në vlerë prej 255 mijë €. Kemi mbështetur aktivitetet e tyre diplomatike e lobuese për ndërkombëtarizimin e çështjes së të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nën shtetin e Serbisë. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme për neve por edhe obligim i yni institucional, shoqëror e kombëtar.

Kemi hedhur hapa të rëndësishëm sa i përket integrimit tonë evropian dhe euroatlantik. Themeluam Grupin Punues për anëtarësim në NATO, më 9 mars 2022. Aplikuam në Këshillin e Evropës, më 12 maj 2022. Aplikuam për anëtarësim në BE, më 15 dhjetor 2022. Ratifikuam marrëveshjet e Procesit të Berlinit, më 23 shkurt 2023. Dhe, nga 1 janari 2024 presim heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, siç na është premtuar publikisht në datën 20 dhjetor 2022.

Sa i përket diplomacisë, diçka e re ka qenë nisma jonë për programin e Diplomacisë Qytetare, ku kemi angazhuar 10 të rinj nga mërgata jonë e në të ardhmen do të angazhojmë edhe shumë të tjerë. Kemi filluar si qeveri “Dialogun me Mërgatën”, deri më tash në 16 lokacione të ndryshme. Kemi investuar në blerje të objekteve dinjitoze dhe funksionale për ambasadat e Kosovës në ShBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kemi vendosur për herë të parë Marrëdhënie Diplomatike me Timorin Lindor dhe Konsullore me Poloninë. Në raport me Serbinë kemi marrë pjesë në takimet e bisedime ne Bruksel sa herë që jemi ftuar. Kemi mirëpritur emisarët special nga perëndimi sa herë që kanë ardhur. Kemi qenë e do të jemi të përkushtuar, parimorë, konstruktiv e kreativ. Dialogu në Bruksel është dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve. Statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal, e status normal është ai i fqinjësisë së mirë evropiane, pra njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip.

Të dashur aktivistë, fusha ku ndërhyrjet tona janë ndier më së shumti, sidomos për shkak të krizave ekonomike globale, ka qenë mbështetja sociale e ekonomike, nxitja dhe forcimi i punësimit, dhe gjithëpërfshirja.

Theksoj këtu se gjatë qeverisjes sonë kemi filluar të shpërndajmë shtesat për lehonat, duke ndihmuar deri në fund të vitit 2022, 30 mijë nëna, e në të njëjtën kohë kemi shpërndarë shtesat për fëmijë deri në moshën 16 vjeçare, e që janë rreth 260 mijë përfitues. Kemi dyfishuar asistencën sociale për muajin prill dhe shtator duke ndihmuar rreth 26 mijë familje. Kemi shpallur vitin 2022 – “Vit për personat me aftësi të kufizuara” dhe kemi punësuar 239 persona nga kjo pjesë e shoqërisë – 119 burra e 120 gra. Kemi dhuruar në prillin e kaluar nga 100 euro për rreth: 300 mijë pensionmarrës; 240 mijë punëtorë të sektorit privat; 74 mijë punëtorë të sektorit publik; 50 mijë studentë, pra për gjithsej 664 mijë vetë. Kemi ndarë 37 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë. Nga pakot tona për mbështetje ekonomike në total kanë përfituar 800 mijë persona, që do të thotë se shumica e familjeve ka përfituar jo vetëm për një person por për disa prej anëtarëve. Përveç këtyre, kemi subvencionuar faturën e energjisë elektrike për ata që kursejnë, e edhe kjo politikë ka prodhuar mbi 200 mijë përfitues. Në shtatorin e kaluar sërish dhuruam nga 100 euro shtesë për rreth: 290 mijë pensionmarrës; 12 mijë punëtorë të ndërmarrjeve publike; 51 mijë studentë. Ndërsa për 76 mijë punëtorë të sektorit publik dhuruam nga 50 euro shtesë në periudhën shtator-dhjetor; si dhe subvencionuam 50% të rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat për 3 muaj. Vetëm gjatë vitit 2022 janë punësuar afër 5000 gra e vajza, në përputhje me masën 1.3 të pakos sonë të mbështetjes. Është rihapur thirrja për biznese për mbështetje të 50% të pagës për 3 muajt e parë nëse ndërmarrjet punësojnë gra. Përveç kësaj kemi aplikuar skemën e punësimit “Qeveria për Familjet” e cila ka ndihmuar punësimin e 770 personave nga familje që nuk e kishin asnjë të punësuar më parë. Për të rinjtë kemi nisur skemën e punësimit superpuna, e cila po pritet shumë mirë dhe po sjell rezultate të shpejta në rritjen e punësimit të personave në moshat 18-25 vjeç. Paga e rritur minimale si bonus page për secilin të ri që do punë. Superpuna – supersukses.

Por mbështetja sociale nuk mund të realizohet pa rritjen ekonomike dhe atë të ndërmarrësisë. E pra, viti i sivjetmë ka buxhetin më të lartë që ka pasur ndonjëherë Kosova: mbi 3.2 miliardë €, që është 17% më i lartë se buxheti paraprak, dhe 11% më i lartë se sa ai i rishikuar në mesvitin e vitit që lamë pas. Nga këto: 811 milionë euro në “Shpenzime Kapitale”, 296 milionë euro për shëndetësinë; 300 milionë euro për sigurinë e ushtrinë; 11 çerdhe të reja; 87 milionë euro për bujqësinë; 60 milionë euro për shtesat për fëmijë e lehona; 40 milionë euro për investime në ndërmarrje publike; 6 milionë euro për terminalet shtetërore; 5 milionë euro për rezervat shtetërore; 20 milionë euro për punësim; 240 inspektorë të rinj; 243 pozita të reja për staf për çerdhet; 300 pozita shtesë për policinë; 400 pozita për staf mjekësor.

Në vitin e kaluar kemi patur rritje të ndjeshme në disa tregues të rëndësishëm për ekonominë dhe shtetin tonë. Vlera e mallrave në eksportet është rritur për 23%, janë eksportuar mbi 801 milionë €; nga doganat kemi patur 1 miliard e 381 milionë € të hyra, në krahasim me vitin e kaluar me rritje për 11.4%, apo 141 milionë €; të hyrat tatimore nga ATK (673.6 milionë € gjithsej) janë rritur 121.1 milionë € apo 21.9% më shumë në krahasim me vitin paraprak. Është tejkaluar plani prej diku 2.6%.

Këto suksese të ekonomisë sonë, që kanë ardhur si pasojë e rritjes së punës dhe e zvogëlimit të korrupsionit, kanë prodhuar menjëherë benefite për qytetarët dhe ndërmarrësit tanë. Pra paratë që nuk po vidhen siç ndodhte dikur, sot ne ia shpërndajmë shoqërisë dhe ekonomisë sonë.

Kemi subvencionuar kredinë – bizneseve prodhuese: mbi 200 biznese ku vlera e kreditimit të mundësuar është 87 milionë €; kemi 21 marrëveshje financiare në ndihmë të bizneseve tona: afro 350 milionë € në total, ku afro 140 milionë € grante, me rreth 20 milionë € që janë bashkëfinancim; dhe funksionalizuam Gjykatën Komerciale duke e mbajtur fjalën që i kemi dhënë bizneseve e duke ua lehtësuar shumë punën.

Njëkohësisht, kemi rritur aktivitetin inspektues që të sigurojmë zbatimin e ligjeve sa i përket çmimeve, cilësisë së produkteve e respektimit të punëtorëve. Rritje për 67% të numrit të inspektimeve, gjatë mandatit të tanishëm qeverisës, në krahasim me periudhat paraprake, me gjithsej 5.432 inspektime tek operatorët ekonomik dhe 2.830 inspektime gjatë vitit 2022.

Kemi shtuar rezervat shtetërore të mallrave, si: gruri, vaji, sheqeri dhe nafta me 1.600% rritje prej viteve të kaluara. Kjo na bën më të sigurt përballë të papriturave.

Investimet e huaja gjatë periudhës janar-shtator 2022 kanë arritur për herë të parë në 566.9 milionë euro ose 43.6% rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ndërkaq gjatë periudhës janar-tetor të vitit 2022, eksporti i mallrave ka arritur për herë të parë në 774.4 milionë euro apo 26% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Nënshkruam marrëveshjen e bashkëfinancimit me Programin Kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit me vlerë rreth 237 mil. dollarë: për ndërtimin e kapaciteteve për rezerva prej 340 MWh; Inauguruam Parkun e Erës në Selac, investim 170 milionë euro me kapacitet prej 105 MW; Solar4Kosovo: financimi KfW dhe BERZh – 64 milion € total prej tyre grant 26 milionë € apo mbi 40%. Termocentrali diellor ndër më të mëdhenjtë në Evropë, do të shtohen edhe 70 MW, për 60 mijë banorë; deri në fund të vitit 2022, kemi shpërndarë 95 milionë € për të ndihmuar qytetarët e bizneset në përballje me krizën energjetike; kemi subvencionuar mbi 8,000 familje për të blerë pajisje efiçente për ngrohje; Kemi trajnuar 1.500 të rinj në fushën e TIK; kemi arritur digjitalizimin e rreth 130 shërbimeve elektronike; siguruam qasje në internet pa pagesë për 105 shkolla dhe 43 institucione shëndetësore.
Prioritetet tona në fushatë siç dihet kanë qenë puna dhe drejtësia. E sa i përket drejtësisë, funksionalizimit të institucioneve shtetërore dhe reformimit të administratës kemi patur disa arritje të rëndësishme.

Kemi miratuar Strategjinë e Sundimit të Ligjit; miratuam Strategjinë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe Plani i veprimit për vitet 2022-2026; kemi futur në fuqi Protokollin Shtetëror për Trajtimin e rasteve të Dhunimeve Seksuale; kemi bërë ndryshime në Kodin Penal për dënime plotësuese ndaj atyre që shpallen fajtor për dhunim seksual dhe dhunë në familje; kemi miratuar Koncept dokumentin për procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë, bartës i të cilit tani është Kuvendi i Republikës; kemi miratuar ligjin për Byronë për konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; është miratuar në Kuvend Projektligji për KPK dhe janë miratuar në lexim të parë Projektligjet për Prokurorin e Shtetit dhe për Prokurorinë Speciale;

Është miratuar në lexim të parë Themelimi i Institutit për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës; kemi miratuar Planin e Veprimit për zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 98-99 në Kosovë”.

Janë miratuar dy nga projektligjet më të rëndësishme të reformës së administratës: ai për Paga në Sektorin Publik dhe ai për Zyrtarët Publikë. Dallimin në mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët e kemi nivelizuar nga 20 herë sa ka qenë, në vetëm 4.78 herë. Dallimi mes nivelit më të lartë, që është Presidentja dhe ushtari i FSK-së është 3.21 herë; e dallimi mes të pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë. Dallimi mes të Ministrit dhe policit të lartë është 2.77 herë, ndërsa dallimi mes Kryeministrit dhe policit të lartë është 2.88 herë. Dallimi në mes të kreut të shtetit, pra Presidentes dhe mjekut specialist është vetëm 1.5 herë. Mjeku specialist në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore, dhe të përafërt me Profesorin e rregullt. Kjo pra është politika jonë e luftimit të pabarazive dhe e vendosjes së meritokracisë.
Përveç këtyre, iu kemi shpallur luftë korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve dhe kontrabandës. Janë mbyllur 16 rrugë ilegale në veri të vendit; kanë filluar patrullimet e rregullta ujore në Liqenin e Ujmanit; kemi zhvilluar 854 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës; 3202 të arrestuar, prej tyre gati 10% apo saktësisht 301 kanë qenë zyrtarë publikë.
Kemi shkatërruar 69 grupe kriminale, e janë konfiskuar në total rreth 1.8 ton substancë narkotike në dy vitet e fundit; janë shkatërruar 8 laboratorë të drogës dhe 3 për prodhimin e kriptovalutave në veri; kemi ndërtuar po atje 4 objekte dhe stacione të reja policore; është bërë shtrirja e rrjetit kabllor në veri; zgjedhjet dhe referendumi i Serbisë, që më përpara mbaheshin në kundërshtim me Kushtetutën e ligjet e vendit tonë dhe praktikat ndërkombëtare, nga qeveria jonë nuk u lejuan të mbaheshin në Kosovë; mbi 14 milionë € i kemi ngrirë, dhe janë në hetim nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave; Është bërë mbyllja e selive të strukturave ilegale në Komunën e Shtërpcës.
Sa i përket politikave të mbrojtjes, kemi miratuar Strategjinë e Sigurisë 2022-2027 dhe kemi dyfishuar buxhetin për ushtrinë e Kosovës krahasuar me vitin 2021, ndërkaq, në vitin 2023 do të ketë rritje për 20%; Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë; në proces janë marrëveshjet SOFA me Gjermaninë, Turqinë dhe Kroacinë.

Kemi rekrutuar 820 ushtarë të rinj dhe 31 oficerë dhe në proces të rekrutimit janë edhe 612 ushtarë të tjerë të rregullt dhe 388 rezervë; e kemi rritur kufirin e moshës së rekrutimit duke e ngritur nga 23 në 25 vjeç; kemi trajnuar jashtë vendit 2547 ushtarakë, 3 herë më shumë se në vitin 2020, 16 herë më shumë se në vitin 2019; lënda ‘’Edukim në Siguri’’ me qeverisjen tonë do të jetë pjesë e kurrikulës shkollore.

Nuk kanë munguar as investimet infrastrukturore, e vetmja gjë që ka munguar ka qenë vjedhja në projekte e punë publike.
Kanë filluar punimet e fazës së dytë për rehabilitimin e linjës së 10-të hekurudhore Fushë Kosovë – Mitrovicë; janë përfituar më shumë se 100 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave; kemi përfunduar asfaltimin e rrugëve në veri të vendit, në Jasenovik, Syriganë, Cerajë, Koshtovë, Bistricë e Vllahisë, Dedi dhe Magjerë; kemi nënshkruar marrëveshje ndërqeveritare për ndërtimin e rrugës Pejë-Rozhajë dhe atë Deçan-Plavë; kemi miratuar marrëveshjen për bashkëfinancim të hartimit të projektit për rrugën Prizren-Tetovë; kemi miratuam Planin Hapësinor të Kosovës, Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, dhe atë për “Bjeshkët e Nemuna”.

Sa i përket Arsimit, si sektor publik i rëndësisë së veçantë, dua të vë në dukje se për dy vjet e kemi shtuar buxhetin për 26%, kemi angazhuar 100 asistentë më shumë për fëmijët me nevoja të veçanta (viti 2023 përmbyllet me 500 asistentë); kemi arritur një marrëveshje me Francën për bashkëfinancim të bursave për arsimin e lartë; Kosova u bë anëtare në programin Horizon Europe, 5 projekte të fituara në vlerë prej 600 mijë euro; dyfishuam bursat në STEM nga 1 milionë € për 1.000 bursa në 2 milionë për 2.000 bursa (krahasimi 2021 me 2022); kemi liruar nga pagesa afër 43 mijë studentë duke e bërë arsimin universitar falas siç ka qenë kërkesa e kamotshme e studentëve; janë ndarë mbi 1,968 bursa për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit; 106 bursa për nxitjen e vajzave dhe djemve për profile deficitare; 300.000 € bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian; 300.000 € për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian; si dhe 350.000 € për punë me fëmijë me talente dhe fëmijë me nevoja të veçanta.

Botuam tekstin e gjuhës shqipe, niveli i parë për fëmijët në mërgatë; është bërë unifikimi i Abetares Kosovë – Shqipëri; nga shtatori ka filluar pilotimi i arsimit dual për 4 profile (kuzhinier, asistent i mikpritjes hoteliere, floktar, murator) në 5 shkolla profesionale dhe 3 komuna; Rikthyem Agjencinë e Kosovës për Akreditim në ENQA si anëtare e asocuar.

Në fushën e kulturës, sportit e trashëgimisë, kanë përfunduar 8 ndërtesa të infrastrukturës sportive, kulturë dhe rini, dhe 17 tjera janë në proces ndërtimi; është dyfishuar mbështetja për skemën e granteve për komunitetin e artit dhe trashëgimisë kulturore; 65 monumente kanë shpëtuar falë ndërhyrjeve emergjente dhe restaurimeve; viti 2022 ishte vit i Manifestës: 37% e artistëve ekspozues ishin vendas, me 800 mijë vizita në 25 lokacione për 100 ditë; është themeluar institucioni Opera e Kosovës; mbi 100 vepra të artit të blera nga MKRS nga artistët vendor; kemi filluar programin “Kosova Shtet i Xhudos”; në 2022 buxheti i QKK u ngrit në 1 milion e 540 mijë euro, ngritje prej 100%, me 15 filma të përfunduar në 2022, ku mbështetja e MKRS për këto projekte ishte mbi 900 mijë euro; jemi në fazën finale për shpalljen e konkursit për masterplanin Kompleksi Memorial ‘’Adem Jashari’’; mbi 300 aktivitete sportive të zhvilluara në Kosovë, e me pjesëmarrje në mbi 200 aktivitete ndërkombëtare janë po ashtu rezultat i MKRS, kontributit dhe angazhimit të saj.

Në politikat tona bujqësore kemi ndarë mbi 70 milionë € për 28 mijë fermerë nga 27 sektorë të bujqësisë; për herë të parë kemi subvencionuar naftën për bujqit tanë, me vlerë 5 milionë €, si dhe kemi ndarë 8 milionë € subvencione për plehërimin pranveror për grurin, misrin, pataten e fasulen; rezultat direkt i politikave tona mbështetëse ka qenë rritja me 44% e eksportit të produkteve bujqësore e ushqimore; përmes investimeve kapitale kemi mundësuar rehabilitimin dhe ndërtimin e sistemit të ujitjes për 7.750 hektarë tokë bujqësore, me vlerë prej 4.1 milionë €, si investim në 8 komuna; kemi pyllëzuar 111 hektarë të rinj dhe kemi mbjellë 1 milion fidanë.

Sa i përket shëndetësisë, kemi përmirësim të ndjeshëm në aspektin e furnizimit me barna. Përqindja e furnizimit nga barnat e Listës Esenciale tashmë është 70%, dhe por ritet, ajo me material shpenzues është 90%, ndërsa me insulina tashmë është 100%. Shumë shpejt do të arrijmë 100% për të gjithë listën; kemi funksionalizuar Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive, si dhe Klinikën e Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim Mjekësor, dhe kemi hapur depon e re qendrore për vaksinat.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm, nuk po zgjatem më shumë, pasi me siguri që të arriturat e qeverisë të drejtuar nga Lëvizja e nga programi ynë qeverisës do të kenë vendin e tyre dhe do të publikohen muajin e ardhshëm.

Por le t´i kthehemi rëndësisë së mbledhjes së sotme. Ju të gjithë e keni marrë Rendin e Ditës dhe e dini se sot do të diskutojmë e do të votojmë për propozimet që do të jepen për anëtarët e disa komisioneve shumë të rëndësishme për organizimin demokratik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Sot do të zgjidhen anëtarët e komisionit statutor, komisionit disiplinor, komisionit për shqyrtimin e ankesave si dhe komisionit të përgjithshëm zgjedhor. Ne tashmë i kemi kryesitë e reja të pikave e të qendrave, kemi delegatë të rinj në këshillet e qendrave e në këtë këshillin e sotëm, si dhe kemi një kryesi të re. Pasi në vjeshtën e vitit 2022 ne kaluam procesin e zgjedhjeve të brendshme demokratike për herë të katërt prej se jemi regjistruar si subjekt elektoral tash duhet të kompletohemi edhe me këto komisione të reja.

Zgjedhjet e brendshme do të konsiderohen të përmbyllura me sukses vetëm pasi t´i zgjedhim së bashku anëtarët e këtyre komisioneve, që mundësojnë dhe lehtësojnë punën tonë si subjekt politik me mbi 60 mijë anëtarë.

Po flas disa fjalë shkurt për këto komisione.
Komisioni statutor është trupi i cili na ndihmon për interpretimet e statutit, sa herë që mund të lindin diskutime. Jeta politike dhe aktivizmi brenda subjektit tonë është i rregulluar me ligj e me statutin e Lëvizjes. Po të mos respektohet ligji dhe statuti nuk kemi demokraci, por rrëmujë. Prandaj është hapi i parë i kulturës qytetare, politike e demokratike të kuptojmë e të respektojmë statutin tonë, gjë për të cilën Komisioni Statutor është trupi i domosdoshme.

Mandej është edhe Komisioni Disiplinor, i cili funksionon njësoj si në shumë subjekte demokratike të vendeve demokratike, një trupë ku secili anëtar mund të ngrejë çështje kundër secilit anëtar të Lëvizjes, nëse mendon që ai ose ajo ka shkelur etikën qytetare e organizative, apo ka abuzuar me pozitën hierarkike që mund të mbajë dikush brenda VETËVENDOSJE!-s. Nuk bëhet fjalë për shkelje të ligjit, sepse për shkelje të ligjit menjëherë duhen njoftuar organet e drejtësisë.

Duke qenë se vendimet e Komisionit Disiplinor mund t´i duken të padrejta dikujt, ne gjithmonë e kemi patur edhe Komisionin për Shqyrtim të Ankesave, që me objektivitet e duke pasur parasysh praktikat demokratike dhe statutin e Lëvizjes, merr vendimin përfundimtar kur çështjet janë të diskutueshme.

E Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm do të jetë përgjegjës për mbarëvajtjen dhe organizimin e proceseve të shumta zgjedhore që ndodhin vazhdimisht brenda subjektit tonë demokratik, si në nivelin e pikave në lagje të qyteteve apo në fshatra të Komunave, ashtu edhe në qendrat tona në të gjitha qytetet e Kosovës, e deri edhe në zgjedhjet për pozita të caktuara brenda Grupit tonë Parlamentar, apo Kryesisë, e trupave të tjera të përhershme a të përkohshme që zgjidhen.

Demokracia, të dashur aktivistë nuk është vetëm parim, nuk është vetëm fjalë, por është përpjekje dhe betejë e përditshme. Angazhohemi kur nuk e kemi, e mbrojmë kur e kemi. Puna organizative, strukturimi, statuti, komisionet, jeta politike e qytetare, këto që të gjitha bashkë janë demokracia. E ne si subjekt, si aktivistë, si anëtarë të organit më të lartë që është Këshilli i Përgjithshëm, e kemi vendosmërinë që të kontribuojmë e ta promovojmë demokracinë, brenda e jashtë subjektit tonë.

Të dashur delegatë, ju uroj punë të mbarë dhe diskutime të frytshme në mbledhjen e pesëdhjetë të Këshillit dhe ju falënderoj për vëmendjen. Së bashku do të punojmë për sukseset e subjektit tonë e të Kosovës sonë, të shoqërisë e të kombit tonë.
Ju falemnderit.

Kontribo

21 02 2023

Kryetarja e organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një vizitë në Studime të Vushtrrisë

Sot, Kryetarja e organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!, njëherazi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një vizitë në Studime të Vushtrrisë.

Shoqëruar nga kryetarja e GVV-së në Qendrën e Vushtrrisë, Selvete Gërxhaliu, ajo u prit nga Nexhmedin Gërxhaliu dhe motrat e tij, dhe nga zonja Fevzije Gerxhaliu.

Masakra e Studimes së Vushtrrisë është një prej krimeve më të rënda të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë prej forcave ushtarake dhe policore serbe. Krimet e regjimit të Millosheviqit janë krime të shumëfishta dhe të rënda sepse ishin brenda idesë së spastrimit etnik të shqiptarëve.

Një bashkëbisedim i afërt me familjarët na ktheu në vitin 1999, ku dhembja dhe kujtimet vazhdojnë të jenë të forta. Nexhmedin Gërxhaliu, i mbijetuari i masakrës së Studimes kujtoj tmerrin që ka përjetuar familja e tij ku 13 anëtarë në mesin e të cilëve nëna, bashkëshortja, djali, vëllai me bashkëshorten e tij dhe 7 fëmijë, si dhe djali i axhës së tij, u masakruan nga forcat serbe. Gjithashtu vizituam zonjën Fevzije Gerxhaliu të cilës i vranë bashkëshortin dhe kunatin.

Çdo takim me familjet që i kanë dhënë Kosovës dëshmorë e martirë na rikujton përgjegjësin që kemi në angazhimin tonë për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës.

Kontribo

13 02 2023

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës: Debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë

I nderuari Kryetar i Kuvendit z. Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar zëvendëskryeministra dhe ministra të kabinetit qeveritar,

Të dashur qytetarë,

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë Dialogut me Serbinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian mbi bazën e dy qëllimeve fillestare:

  1. Ndërprerjen e praktikës së përfshirjes së çdo çështjeje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve në fushëveprimin e Dialogut; qëndrimi ynë ishte që maksimumi që mund të diskutohej në Bruksel ishin problemet e zbatueshmërisë së marrëveshjeve ekzistuese, pra atyre që ishin nënshkruar para ardhjes sonë në Qeveri, dhe,
  • Hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë, parimeve të së drejtës ndërkombëtare si dy shtete të pavarura që e bazonin marrëdhënien e tyre mbi premisën e njohjes së dyanshme të shtetësisë.

Si rezultat i qasjes sonë fillestare, dhe kujdesit tonë ndaj precedentit të vitit 2013 e tutje, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian dhe zv.Presidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell, për herë të parë, në më shumë se 12 vite dialog, pranoi të bëjë hapin e madh, atë të ftesës së datës 18 gusht 2022, ku e kornizoi takimin e nivelit të lartë mbi dy pika qëndrore:  1. ‘Korniza e përgjithshme e marrëveshjes’, dhe, 2. ‘Çështjet aktuale’. Për herë të parë u vendos përfshirja e kornizës së përgjithshme, pra të asaj që i rregullon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga jashtë (ndërkombëtarisht), në formatin e dialogut të Brukselit. Takimi i datës 18 gusht ishte qartazi rezultat direkt i presionit të Qeverisë sonë që dialogu të kalojë në fazën e rregullimit ndërkombëtar të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përqëndruar në njohje reciproke e të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, e jo më në çështje të brendshme siç ishte praktika nga viti 2011 e deri në ardhjen tonë në Qeveri. Dialog për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, pra, jo dialog për dialog, jo dialog për thjeshtë menaxhim krize.

Në takimin e datës 18 gusht ia bëra të qartë Përfaqësuesit të Lartë Borrell dhe Presidentit Vuçiq që Kosova nuk do të pranojë më një Dialog që nuk është për një marrëveshje përfundimtare mbi njohjen e ndërsjelltë. Edhe pse takimi përfundoi pa një rezultat specifik në planin bilateral, ai e dha efektin e tij të menjëhershëm. E kjo është vizita e emisarëve me datë 9 shtator 2022 apo Prezentimi i propozimit franko-gjerman.

Më 9 shtator 2022, në Prishtinë erdhën dy emisarët e lartë të Gjermanisë dhe Francës, Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, bashkë me lehtësuesin evropian të dialogut, Miroslav Lajcak. Ata prezantuan para meje një propozim për normalizimin e ndërmjetëm të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bazuar në parimin e njohjes de facto dhe mbështetjen e saj në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara (dhe parimet e qarta ndër-shtetërore të së drejtës ndërkombëtare). Emisarët dhe lehtësuesi i dialogut më kërkuan që t’i respektojë dy parime procedurale përderisa nuk ka një qartësim nga të dyja palët në ecjen përpara:

1.Respektimin e konfidencialitetit të dokumentit të propozuar nga ta derisa të ketë një avancim të procesit negociator; më lejoni të ritheksoj që kërkesën për konfidencialitet e kanë kërkuar në kuptim të një detyrimi bilateral që unë si kryeministër kam ndaj shteteve të emisarëve, dhe,

2.Që ta konsideroja atë seriozisht, në kuptimin që mos-pranimi i tij do të ndikonte seriozisht në raportet diplomatike e politike të Republikës së Kosovës me shtetet sponsorizuese.

Edhe pse u kërkua respekt rigoroz ndaj konfidencialitetit të dokumentit të tyre, unë pata vendosur për t’i ftuar kryetarët e tri partive opozitare për t’i njoftuar me përmbajtjen e propozimit.    

Propozimin franko-gjerman, që më tutje do e duhet ta quajmë evropian, e konsiderova me kujdes. Pas një analize të thelluar, konstatova që Propozimi ngërthen disa karakteristika, si në vijim:

  1. Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes Gjermano-Gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve tjera të ngjashme të njohjeve de-facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndër-shtetërore (psh. marrëveshja Japoni-Kore Jugore). Vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës Federative të Gjermanisë e kishte konstatuar (në vitin 1973) që atëherë që Marrëveshja Gjermano-Gjermane ngërthente në vete njohjen de-facto të shtetësisë së njëra-tjetrës dhe njohjen e integritetit territorial nga prizmi i të drejtës ndërkombëtare;
  2. Propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazisë në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i Kartës së Kombeve të Bashkuara sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura;
  3. Propozimi gjithashtu përcaktonte njohjen nga palët të parimeve të barazisë së sovranëve, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konfilikteve, në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë;
  4. Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare, që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian por edhe ato me shtrirje universale (OKB, UNESCO) apo të sigurisë (NATO);
  5. Propozimi përfshinte njohjen e palëve ndaj njëra-tjetrës të së drejtës së përfaqësimit shtetëror në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare;
  6. Propozimi përfshinte shkëmbimin e zyreve të përhershme diplomatike, në formën e legatave (që janë ambasada faktike, e që përbënin formë normale të marrëdhënieve ndër-shtetërore para luftës së dytë botërore);
  7. Propozimi gjithashtu përmbante normën e njohjes së dokumenteve shtetërore që kanë efekt ndërkombëtar të shtetësisë për shtetasit, përfshirë të pasaportave, nga njëra-tjetra.
  8. Propozimi megjithatë përmbante edhe dy norma që lidheshin me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, 1. Normën që përcaktonte që komuniteti serb do të ketë një të drejtë të vetë-menaxhimit ‘në përputhje’ me instrumentet/konventat e Këshillit të Evropës, ashtu siç ka cdo komunitet minoritar në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës; dhe, 2. Formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që ne veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së Kishës në ligjin tonë për komunitetet fetare në Republikën e Kosovës.
  9. Pika 10, e fundit, parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët.

Qeveria e komentoi verzionin e parë të Propozimit, dhe kërkoi avancim të tij drejt një marrëveshjeje finale me njohjen de iure në qendër të saj. Ne gjithashtu kërkuam përfshirjen e elementit të drejtësisë tranzicionale për krimet e kryera në Kosovë dhe respektin e të dyja palëve ndaj vlerave të Bashkimit Evropian, përfshirë harmonizimin e palëve me politikën e sanksioneve ndaj Rusisë (konvergjencën me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian), që është e rëndësishme për shkëputjen e Serbisë nga kontrolli i Moskës zyrtare.

Që në komentin e parë të Qeverisë, ne e vlerësuam Propozimin si ‘bazë e mirë’ për një diskutim të mëtejshëm. Arsyet që na shtyen të konstatonim ashtu ishin:

  1. Propozimi për herë të parë vendoste në fokus marrëdhëniet e jashtme, ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; të gjitha marrëveshjet e mëparshme kishin të bënin me çështje të brendshme të Kosovës, dhe marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe punëve të brendshme të Republikës së Kosovës.
  2. Propozimi bazohej në parimin e reciprocitetit të të drejtave dhe detyrimeve të palëve, pra Kosovës dhe Serbisë. Reciprociteti, që ka qenë kryefjala e Marrëveshjes origjinale gjermano-gjermane, nënkuptonte një premisë ndërkombëtare të barazisë dhe trajtimit të dinjitetshëm të palëve ndaj njëra tjetrës. Propozimi adreson pothuajse në çdo normë të saj reciprocitetin në detyrime dhe të drejta, përfshirë, psh. sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare (preambula e Propozimit);
  3. Propozimi ka një gjuhë të qartë, vlerore dhe universale, që reflekton standardin e rregullimit ndër-shtetëror të raporteve politike e juridike ndërmjet shteteve të pavarura;
  4. Propozimi për herë të parë ngërthente në vete njohjen de facto të shtetësisë së palëve ndaj njëra-tjetrës. Njohja de facto juridikisht por edhe politikisht (ashtu siç është interpretuar e ofruar zyrtarisht nga emisarët dhe shtetet sponsorizuese të Propozimit) është e pakontestuar në tekstin e Propozimit.
  5. Propozimi përmbante obligimin që një marrëveshje finale me njohjen de jure do të realizohet në të ardhmën e afërt, dhe ajo do të jetë një detyrim për Serbinë përpara anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.
  6. Propozimi gjithashtu i referohej të drejtave të serbëve në Kosovë në kuptim të konventave të Këshillit të Evropës, më kryesorja prej tyre Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave, e cila tashmë është pjesë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 22). Pra, maksimumi që do të mund të nënkuptonte një vetë-menaxhim i tillë është ajo që tashmë Kushtetuta e parasheh në nenin 22 të saj. Propozimi kryesor nuk ka asnjë referencë specifike se çfarë do të nënkuptojë një vetë-menaxhim i tillë, por përderisa tavani i lartë është Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës, kjo nënkupton që rezultati duhet të jetë një format i garancave për të drejtat individuale (joterritoriale) të pakicave, që bazohet në individin me të drejta edhe sipas përkatësisë e jo në institucionet a monopolin territorializues të tyre.
  7. E vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara të Brukselit, shumica nga të cilat fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje elementin mono-etnik, atë territorial dhe atë të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e Listës Serbe që kontrollohet nga Beogradi.

Unë gjykova të nderuar deputetë që Plani përmbante parime të qarta të së drejtës ndërkombëtare sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura, i referohej Kartës së Kombeve të Bashkuara si një dokument që i adresohet vetëm akterëve shtetëror të pavarur, dhe, për herë të parë, përfshinte koncepte universale e civilizuese të së ardhmes demokratike të palëve në kontinentin Evropian.

Dhe, tash më lejoni të kaloj edhe tek vizita e emisarëve me datë 20 janar 2023 te Plani Evropian, verzioni përfundimtar.

Lehtësuesi i dialogut Lajcak, ofroi një verzion të dytë të Propozimit më 6 dhjetor 2022. Verzioni i dytë i ka adresuar dy nga komentet tona, por nuk ka lëvizur mbrapa në asnjë nga parimet që i ngërthente dokumenti i parë. Megjithatë, dokumenti kryesor kësaj radhe shoqërohej edhe me një Plan Zbatimi që kishte referencë të qartë tek një statut që do ta hartonte Ekipi Menaxhues, obligim që rrjedh nga Marrëveshja e vitit 2013, e që është një tregues i një hapi drejt krijimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe. Me datë 20 janar 2023, emisarët që e shoqëruan lehtësusesin Lajcak, pra emisarët amerikan, gjerman, francez dhe italian i dhanë disa qëndrime në këtë takim të dytë dhe të fundit:

  1. Ata ma bënë të qartë që Propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit ‘merre-ose-leje’. Nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vinin emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta;
  2. Ata gjithashtu ma bënë të qartë që çfarëdo refuzimi i Propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën, dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre.

Unë ua dhashë edhe komentet e mia në verzionin e dytë qysh në fillim të atij takimi që e kemi pasur me 20 janar këtu në Prishtinë, dhe sërish në formë të shkruar, edhe herëne parë edhe herën e dytë komentet e mija i kanë në formë të shkruar. Qëndrimi im në atë takim ishte që Propozimi kryesor është parimisht i pranueshëm por duhet përfshirë më shumë elementë garantues dhe siguresa të efektivitetit sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, shtimin e numrit të njohjeve dhe një sekuencim të ngjarjeve në formë të tillë që të ketë kuptim normalizimi ndërmjet dy shteteve.

Pas vizitës së lehtësuesit të dialogut, Miroslav Lajcak, me datë 6 shkurt 2023, dhe qartësimit të disa prej mekanizmave dhe elementeve të sekuencimit që do të negociohen në kuadër të Planit të Zbatimit, unë ia konfirmova që Propozimi i Bashkimit Evropian është bazë e mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara. Kjo nënkupton që pranimi i dokumentit kryesor është pa paragjykim nga negocimi i Planit të Zbatimit i cili do të duhej të përfshijë elementë që kanë të bëjnë me mekanizmat zbatues, sekuencimin dhe kuptimin e disa prej parimeve që përmenden në Propozimin kryesor.

Mbi këtë bazë theksoj si në vijim:

  1. Pranimi i Propozimit kryesor përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë, si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra-tjetrës de facto;
  2. Plani kryesor nuk ka asnjë referencë te një Asociacion, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre;
  3. Tash, hapi kryesor e ku do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të Planit të Zbatimit. Aty, qëndrimi im është që Asociacioni mund të konsiderohet nëse plotësohet 6-pikëshi apo 6 kushtet/parimet që i kam paraqitur para jush një javë më parë.

Ju faleminderit!

Kontribo

11 02 2023

Vizitë në familjen e aktivistes dhe dëshmores Shukrije Obërtinca, si dhe familjen Krasniqi

Kryetarja e organizatës Gratë për VETËVENDOSJE!, Albulena Haxhiu, njëherësh ministre e Drejtësisë, së bashku me kryetarin e Qendrës së Fushë Kosovës, Shpend Bardiqi, si dhe kryetaren e GVV-së së Qendrës, Avnore Gashi-Berisha, kanë vizituar sot familjen e aktivistes dhe dëshmores Shukrije Obërtinca, si dhe familjen Krasniqi.

Në familjen Obërtinca u pritën nga motra dhe babai i Shukrijes, të cilët ndanë kujtimet për angazhimin e saj për liri dhe pavarësi. Ajo është një nga dëshmoret më reja të rënë për liri. Shukrija, si 16 vjeçare ishte vrarë nga forcat serbe më 1989 teksa protestonte kundër shtypjes së popullit shqiptar.

Po ashtu vizituan edhe familjen Krasniqi e cila shquhet për kontribut të madh gjatë luftës se fundit. Aty u pritën nga vëllai dhe dy motrat e Dr. Fatmirit. Kontributi i tij profesional e patriotik në një kohë aq të vështirë është i jashtëzakonshëm. Sot, Qendra e Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë mban emrin e tij.

Historia jonë ka shumë dëshmorë, aktiviste e aktivistë që nuk kanë kursyer as jetën e tyre për çlirim, liri e pavarësi të vendit. Ato/a mbeten inspirim për ne që sot gëzojmë lirinë, dhe na kujtojnë se sa e shtrenjtë është ajo dhe duhet ruajtur me çdo kusht.

Kontribo