01 06 2010

Për kë janë demonstratat të jashtëkohshme?

“Nuk kemi nevojë për protesta dhe demonstrata për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, sepse nuk është koha e tyre!”. Ky ishte reagimi i dy personaliteteve të politikës shqiptare në Kosovë, deklaratat e të cilëve pata rastin t’i lexoja para pak ditësh në gazetën Epoka e Re. I pari është funksionar i lartë i PDK, me merita të pakontestueshme në luftën çlirimtare të UÇK-së, ndërsa i dyti, analist politik, me një veprimtari shumë të bujshme në publicistikë e gazetari. Po merrem në fillim me të parin. Ai, pasi qep ndonjë pëllëmbë duke marrë në mbrojte, me të drejtë, Kurtin pas shtyrjes së gjykimit që iu bë, shqep me dhjetëra të tjera me pohimet e tij jashtëzakonisht të padrejta. Dhe këto pohime ai i deklaron në trajtë të mospajtimit me bindjet (siç thotë ai) të Albin Kurtit, e sidomos me metodat që përdor ai në manifestimin e këtyre bindjeve. Ja se si shprehet: “Albin Kurti duhet të bindet se rruga që ka zgjedhur ai, është rrugë e tejkaluar, rrugë e shekullit XIX dhe e gjysmës së parë të shek. XX”. Nuk mendoj se duhet pasur ndonjë përgatitje të veçantë shkollore për ta kuptuar domethënien e kësaj fjalie, por duhet pasur përgatitje të veçantë sociologjike, madje edhe psikologjike, për ta shpjeguar se si arritën këta njerëz kaq shpejt t’i ndërrojnë bindjet e tyre shoqërore-politike! Shekulli ynë, thotë ai, ka oferta tjera, ka ofertën e globalizmit?! Tani unë patjetër shtroj pyetje: prej kur, protestat, demonstratat dhe format tjera të manifestimit të pakënaqësisë ndaj çështjeve të ndryshme, na qenkan shpallur të tejkaluara dhe të shekujve të kaluar?! Qysh paskan kaluar mbi 50 vjet, madje mbi 100 vjet, e ne nuk e paskemi ditur se të demonstrosh në mënyrë paqësore nëpër rrugë për liri e për të drejtën e vetëvendosjes, na qenka e jashtëkohshme?! Unë nuk jam 100 vjeç, e as 50, por i mbaj mend shumë mirë përplot protesta, demonstrata, greva, e deri edhe luftëra të shumta që kanë bërë popuj të ndryshëm për liri e pavarësi, por që kemi bërë edhe ne për lirinë dhe pavarësinë tonë, dhe këto protesta e demonstrata bota demokratike asnjëherë nuk i ka quajtur të tejkaluara dhe jashtë historisë. Është e çuditshme qysh Jakup Krasniqi ka marrë pjesë në demonstrata për lirinë e popullit tonë në gjysmën e dytë të shekullit XX, kurse ka luftuar në fund të shekullt XX, kurse thotë që këto aktivitete janë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shek. XX! Kjo është vetëm një sekuencë nga fakti se sa i thellë është inxhinieringu që bashkësia ndërkombëtare dhe UNMIK-u ushtron mbi këta njerëz… i ka bërë që të mos ndjehen më as të demonstratave, as të UÇK-së.

Ndërsa, sa për të ashtuquajturën, “ofertë të globalizmit”, kjo nuk lindi tani, ajo ishte edhe në kohën e luftës së UÇK-së dhe madje para saj. Unë tani nuk po e kuptoj, se si kjo “oferta e globalizmit” dje nuk e pengoi luftën, ndërsa sot po e përjashtoka demonstratën! Sipas tij, Albin Kurti dhe Lëvizja VETËVENDOSJE kanë të drejtë të mendojnë ndryshe, dhe këtë mendim ndryshe ta shprehin vetëm me fjalë, por kurrsesi me ndonjë aktivitet tjetër publik, sepse format tjera na qenkan të “tejkaluara”! Ai, duke shprehur mospajtim me ne, që më parë thekson: “…nuk ka formë më të fuqishme të vetëvendosjes se lufta çlirimtare e një populli për liri, pavarësi e demokraci. Populli shqiptar i Kosovës ka vendosur për fatin e tij me luftën çlirimtare të UÇK-së për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.” Nuk ka dyshim se lufta çlirimtare është shprehje më e fuqishme e kërkesës për të drejtën e vetëvendosjes ndërsa UÇK-ja e udhëhoqi popullin shqiptar në luftën kundër pushtimit serb të Kosovës dhe bashkimit të saj me Shqipërinë. Për fatin tonë të keq, edhe pas kësaj lufte të lavdishme, ne nuk arritëm që Kosovën së paku ta bëjmë të pavarur dhe me këtë të hapnim rrugën për një bashkim të natyrshëm shqiptar! Domethënë, lufta u bë, por qëllimi nuk u arrit! Dhe, kjo nuk është lufta e parë që kemi bërë. Sado që dëshirojmë të jetë e fundit, nuk guxojmë të ndalemi. Luftëra çlirimtare neve na është imponuar të bëjmë kaherë, por çështjen kombëtare ende nuk e kemi zgjidhur. Sipas logjikës që rrjedh nga pohimi, se ne e kemi bërë luftën dhe tani më nuk duhet as të protestojmë, mund të vijmë në përfundimin kundërhistorik se, as lufta e UÇK-së nuk ka qenë e nevojshme, pasi që, gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët kanë bërë edhe luftë për bashkim kombëtar! Natyrisht, siç edhe e dëshmoi përvoja historike, kështu nuk mund të ishte. Pra, përderisa na mohohet e drejta për të jetuar në një shtet sikundër jetojnë pothuaj të gjithë popujt evropian, ne nuk guxojmë të heqim dorë, qoftë edhe nga lufta si mjet i fundit, e lëre më nga protestat dhe demonstratat. Pse, pothuaj të gjithë popujt evropian, pavarësisht “ofertave të globalizmit”, krahas përpjekjeve për përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve të vet, e forcojnë dhe e modernizojnë ushtrinë e tyre, ndërsa neve në Kosovë na thuhet se nuk keni nevojë të keni ushtri se ju mbron KFOR-i, kurse Shqipërinë e shtrëngojnë ta shkatërrojë armatimin? KFOR-i, domethënë, NATO-ja, ekziston edhe për shtetet tjera, dhe mund t’i mbrojë edhe ata, por atyre nuk u thuhet që ta shpërbëjnë a ta dobësojnë ushtrinë, por përkundrazi, u ndihmojnë që ta forcojnë ushtrinë. Se, të huajt, pra ndërkombëtarët, na thonë se neve nuk na duhet ushtria, kjo nuk më çudit aq shumë, por kur udhëheqësit tanë e përsërisin këtë, kjo me të vërtetë është për t’u brengosur.

Për dallim prej të parit, analisti politik me pohimet e të cilit do të merrem në vijim, nevojën e protestave dhe demonstratave nuk e lidh me të ashtuquajturën “ofertë të globalizmit”, por me faktin se Kosova tani i “ka institucionet e veta përfaqësuese të cilat e përfaqësojnë Kosovën në procesin negociator dhe ato kanë mandatin e tyre për këtë çështje”. Ai më pas shton: “Fatkeqësisht në të kaluarën kur bllokohej politika dhe kur mbylleshin shtigjet e veprimit institucional, populli detyrohej që të dilte në rrugë dhe me anën e protestave të manifestonte qëndrimin e vet lidhur me disa çështje që nuk artikuloheshin nëpërmjet rrugës politike-institucionale.” Por ai nuk e shtron pyetjen: a nuk është politika jonë sot e bllokuar? Dhe më tej: a po artikulohen kërkesat që shtron çështja kombëtare, denjësisht, përmes rrugës politike-institucionale? Se procesi politik është bllokuar, këtë e dinë të gjithë (përveç politikanëve të varur dhe negociatorëve tanë, për të cilët pavarësia e Kosovës do të jetë në proces të përjetshëm), e sa për artikulimin e kërkesave që shtron çështja kombëtare, kemi mbërritur deri aty, sa që, duke e ripërsëritur pambarimisht fjalën pavarësi, ndoshta do të mund ta fitojmë bile një autonomi! Me tej, ai thotë se, meqë tash çështja e Kosovës zgjidhet në partneritet me komunitetin ndërkombëtar, protestat më nuk janë një mjet i cili do të ndihmonte avancimin e statusit të Kosovës. Nga kjo mund të përfundojmë se, për sa kohë që çështja jonë do të provojë të zgjidhet në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, protestat dhe demonstratat duhet t’i lëmë anash, sepse ato nuk na ndihmojnë gjë. Nëse është kështu, vaj halli për ne! Pse? Për arsye se faktori ndërkombëtar do të jetë i pranishëm në trajtimin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës deri atëherë kur ata ta konsiderojnë të mbyllur këtë çështje ndërsa ne, gjatë tërë kësaj kohe, pavarësisht se me çfarë pasoja për ne, nuk u dashka të protestojmë e as të demonstrojmë, sepse këto nuk na qenkan mjete që do ta përparonin statusin e Kosovës! Meqenëse protestat, e kjo do të thotë, edhe demonstratat, analisti ynë politik i heq nga përdorimi si mjete për ndryshimin e gjendjes, ai sikur të ishte ndonjë kryetar partie opozitare kur bën fushatë zgjedhore, na e propozon votimin në vend të protestës për ndryshimin e gjendjes, duke përmendur 17 nëntorin – ditën e zgjedhjeve. Nuk mendoj se është e nevojshme të shpjegohet se me këto zgjedhje nuk mund të ndryshohet kurrgjë, kur dihet se fajtor kryesor për gjendjen e mjerueshme politike në të cilën kemi rënë janë partitë më të mëdha, ndërsa prej ndikimit të partive të vogla s’mund të pritet shumë. E nga ana tjetër, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, Kosovën dhe fatin e saj do ta kenë në dorë të njëjtit njerëz, sepse e tillë është gjendja me partitë politike. E për ta shpëtuar Kosovën prej rrezikut që i vjen nga këta njerëz, e kjo do të thotë, nga kjo gjendje, zgjedhjet përkundrazi nuk mund të jenë kurrfarë zgjidhje. Jo. Sepse ato nuk do ta ndryshojnë gjendjen. E populli e ka mundësinë dhe të drejtën e patjetësueshme që përmes demonstratave dhe protestave demokratike të përpiqet ta ndryshojë gjendjen. Koha për këto veprime nuk do të kaloj asnjëherë. Ato janë shprehje e demokracisë. Ato, protestat, demonstratat, grevat, etj, janë shprehje e lirisë. Janë kështu, sepse ato përmbajnë në vetë lirinë dhe demokracinë. Ato bëhen në kohë robërie – më shpesh, por bëhen edhe në kohë lirie – më rrallë – atëherë kur kjo liri cenohet. Regjimet diktatoriale dhe ato koloniale i shtypin ato me dhunë, sepse këto regjime janë kundër lirisë së popullit e për liri të pushtetit, siç vepron UNMIK-u. E udhëheqja jonë, me sjelljet, me veprimet e me qëndrimet e veta, po i krijon terren të përshtatshëm këtij regjimi për t’ia mohuar liritë këtij populli.

Kontribo