01 06 2010

Përjetësimi i rrugëtimit pa cak

Përcaktimi i statusit të Kosovës përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së në këtë fazë dështoi. Tani këtë detyrë e ka marrë Grupi i Kontaktit. Politikanët tanë këtë bartje të çështjes së statusit nga KS në GK po e interpretojnë sipas interesave të tyre, e jo siç do të duhej ta interpretonin – si rrëgjim të mundësisë për pavarësinë e Kosovës. Ata nuk e pranojnë këtë fakt, pra, fanitjen e mundësisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës por, përkundrazi, gjendjen e paraqesin më të favorshme për ne. Disa përfaqësues të partive politike që janë të përfshira kryekëput në këtë proces u nxituan të thonë se çështja kaloi në GK sepse aty Rusia nuk paska mundësi ta vërë veton. Po të jetë kështu, atëherë, pse bashkësia ndërkombëtare qenka munduar kot që ta zgjidh statusin e Kosovës përmes KS kur këtë paska mundur shumë më lehtë, më parë dhe më mirë ta bëjë përmes GK!? Në bazë të kësaj, dhe duke u mbështetur në disa vlerësime që bëri një analist yni politik për këtë çështje, është vështirë të besohet se Grupi i Kontaktit do të mund ta zgjidh statusin e Kosovës më lehtë dhe më mirë se KS për shkak se Kosova aktualisht ka një status i cili është i sanksionuar me rezolutën e padrejtë 1244 të aprovuar në KS, e për shfuqizimin e së cilës nevojitet një rezolutë tjetër po nga KS. Shtrohet pyetja: si do të mund ta lirojë Kosovën nga kjo rezolutë Grupi i Kontaktit, kur ky grup nuk do të merret me të por do të diskutojë, siç edhe është thënë, për bisedimet e reja?

Nga deklaratat e politikanëve tanë po kuptojmë se ata edhe tani, siç kanë bërë prej fillimit, nuk po punojnë me kokë të vet, por me direktiva nga lart – nga bashkësia ndërkombëtare. Po të punonin me kokë të vet dhe po të punonin në interes të popullit, ata nuk do ta pranonin propozimin e Ahtisaarit si zgjidhje të statusit. Askush nga anëtarët e Ekipit të Unitetit dhe madje as nga radhët e politikanëve tjerë nuk e kanë bërë vërejtjen e domosdoshme për pikë së pari përdorimin e konceptit ‘zgjidhje përfundimtare’ ose ‘status përfundimtar’ i cili është i shpikur meqë dihet se ky propozim ka qenë për një status kalimtar e jo përfundimtar. Pra, propozimi i Ahtisaarit i cili po të realizohet e shkatërron Kosovën fizikisht dhe e tjetërson historikisht, ndërsa juridikisht e len nën mbikëqyrje ndërkombëtare të mëtutjeshme, quhet zgjidhje përfundimtare, duke i harruar deklaratat e tyre justifikuese para mediave (e kjo do me thënë, para popullit) për pranimin e tij, se ky propozim e hapka rrugën për pavarësinë e Kosovës! Ju lutem më ndihmoni që ta kuptoj këtë: si është e mundur që një propozim për një status i cili ‘e hap rrugën për pavarësinë e Kosovës’, të quhet status përfundimtar?! A mos do të thotë kjo që po përjetësohet një rrugëtimi që si i tillë, pra duke qenë gjithnjë rrugëtim, kurrnjëherë s’mbërrin te caku?

Pakoja e Ahtisaarit është dashur të hidhet poshtë menjëherë, sepse edhe sot, megjithëse mund të besojmë se do të dështojë, asaj po ia shohim sherrin. Dhe po ia shohim sherrin sepse sa herë që po përmendet pavarësia për Kosovën, si nga ndërkombëtarët ashtu edhe nga vendorët, po mendohet gjithnjë vetëm në propozimin e Ahtisaariit. Sa herë një ndërkombëtar thotë pavarësi për Kosovën, këtu nënkuptohet ‘pavarësia’ e Ahtisaarit. Madje edhe bisedimet e parapara që të rifillojnë do t’i referohen këtij plani.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka kundërshtuar me kohë këtë paketëpropozim, jo në radhë të parë pse e kanë quajtur zgjidhje përfundimtare variantin e propozuar për status kalimtar, por pse përmbajtja e këtij propozimi ka qenë dhe është në kundërshtim me interesat jetike e historike të popullit shqiptar. Atëherë, për në fund, cila do të mund të quhej zgjidhje përfundimtare? Besoj që e dini të gjithë, madje këtë e dinë edhe politikanët që kurrë nuk e zënë në gojë. Ajo është njohja e së drejtës për vetëvendosje dhe ushtrimi i saj konkret nga populli ynë. Le të vendosë populli vetë se me kë dëshiron të qëndrojë: me Serbinë, vetë, me ndokënd tjetër, apo me Shqipërinë prej së cilës e kanë ndarë padrejtësisht. Këtu fillon demokracia. Sepse këtu nis liria.

Kontribo