16 04 2015

Përkrahje protestës kundër humbjes së territorit të Kosovës

Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrah protestën kundër humbjes së territorit të Kosovës në procesin e demarkacionit me Malin e Zi. Ne e konsiderojmë të dretjë protestën e sotme të banorëve që i kanë pronat në kufi me Malin e Zi, kundër demarkacionit të padrejtë me këtë shtet, me ç’rast padrejtësisht po humben pronat e këtyre banorëve e rrjedhimisht edhe territori Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka tërhequr vëmendjen me kohë se Kosovës disa herë i është marrë territori në këtë pjesë. Në vitin 1996 regjimi i Millosheviqit e zhvendosi kufirin me Malin e Zi 8 kilometra në brendësi të Kosovës me ç’rast janë humbur 2900 hektarë. Ndërkaq, në vititn 1999, në vend se të kthehen këto, KFOR-i e ka sjellë vijën kufitare te “piramidat e betonit”, edhe 5 kilometra të tjera në brendësi të Kosovës, gjë që bëri të humben edhe 3.700 hektarë të tjerë. Kësisoj, Kosova rrezikon të humbë mijëra hektarë.

Kërkojmë që të merret si pikë reference harta e ish Jugosllavisë të vitit 1974, e cila qartë e përcakton kufirin e Kosovës me Malin e Zi, ashtu siç e potencojnë edhe banorët lokalë. Por, e përkrahim edhe kërkesën për shkarkimin e Komisioni shtetëror për demarkacion të kufirit me Malin e Zi duke qenë se nuk ka bërë asgjë në lidhje me këtë. Nëse kjo nuk realizohet deri nesër, bëjmë thirrje që protestuesit për këtë çështje të bashkohen në protestën e 18 prillit.

16 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo