01 06 2010

Politika e mashtrimit

Shqiptarët në Kosovë ka vite që janë rivënë para një politike të pandershme nga ana e udhëheqësve të tyre politik! Mund të thuhet kështu – janë rivënë, sepse ata për 7-8 vjet rresht para luftës kishin përjetuar mashtrimin që ia bënte udhëheqja partiake e atëhershme, dhe mund të quhet kështu – politikë e pandershme, sepse ajo është, përveç tjerash, politikë e mashtrimit të popullit.

Ndonëse tani në rrethana tjera dhe në kushte të reja, mashtruesit e opinionit publik priren nga motive të njëjta – krijimi i një mjedisi qytetar që do të mendojë ashtu siç dëshirojnë ata. Janë të shumëllojshme metodat që kanë përdorur dhe po përdorin mashtruesit dhe janë të shumënduarshëm politikanët që janë marrë dhe po merren me mashtrim. Viktimë e këtij mashtrimi është populli, ndërsa peng i këtij mashtrimi është çështja kombëtare.

I gjetur nën thundrën e Serbisë, populli shqiptar i Kosovës pas heqjes së autonomisë më 1989, do të shtrëngohet të organizohet kundër shtypjes së paparë që i bëhej nga regjimi jugosllav. Por pas dështimit të organizimit të tij rreth një Këshilli Kombëtar Demokratik që planifikonin ta themelonin ideologët dhe veprimtarët më të dëshmuar të çështjes kombëtare, shqiptarët u mblodhën rreth të ashtuquajturit Këshill Koordinues të Partive Politike i cili në të vërtetë ishte një këshill i monopolizuar nga LDK-ja. Pikërisht këtu fillon shmangia nga rruga e duhur për çlirimin kombëtar, sepse siç dihet, Këshilli Koordinues i Partive Politike nuk e kishte fuqinë e vendimmarrjes dhe si i tillë nuk mund ta organizonte rezistencën popullore. Prej kësaj kohe zë fill politika e mashtrimit të opinionit e cila do të vazhdon gjatë dhe do të jep rezultate fatale me fillimin e luftës së UÇK-së për shkak se shumë njerëz që tashmë kishin fituar iluzionin se Kosova do ta fitojë pavarësinë pa luftë, nuk do ta pranojnë kurrë këtë luftë, madje do ta sabotojnë e pengojnë atë. Lufta mbaroi ashtu qysh dihet, dhe çështja e Kosovës, si përbërësi kryesor i çështjes së pazgjidhur shqiptare, kishte një pozicion mjaft të favorshëm në planin ndërkombëtar, ndonëse mbeti i pasendërtuar qëllimi për të cilin populli e bëri luftën. Mirëpo frytet e farës së mashtrimit të mbjellë në fillim të viteve 90ta do t’i mbijetojnë edhe luftës. Megjithëse gjendja e pasluftës dallohej shumë nga ajo e viteve 90ta, politika e mashtrimit të popullit vazhdoi po ajo e mëparshmja, vetëm se me një dallim: tani taborrit të mashtruesve filluan t’iu bashkëngjiten dalëngadalë edhe “kundërshtarët” e tyre – disa udhëheqës të subjekteve politike që dolën nga shkatërrimi i UÇK-së. Të bashkuar kështu siç janë edhe sot, këto dy grupe, e kanë sjellë pozitën e çështjes sonë në planin ndërkombëtar në një gjendje shumë më të pafavorshme se ç’ishte pas mbarimit të luftës. Tani këta politikanë, kur i dëgjojmë aq shpesh duke dhënë deklarata të ndryshme për statusin e Kosovës, të cilat s’mund të kuptohen ndryshe veçse si deklarata mashtruese, domosdo na i sjellin në mend deklaratat e atëhershme të viteve të paraluftës të udhëheqjes partiake të LDK-së. Atëherë thuhej se çështja e Kosovës është prioritet i, ta zëmë, Gjermanisë, sepse ministri i jashtëm i saj në takimin me homologun e tij francez e përmendi edhe çështjen e Kosovës (thuajse çështja kombëtare zgjidhet me të përmendur, qoftë edhe nga ministra të këtyre shteteve)!

Tani thonë së çështja e Kosovës është preokupim kryesor i kryetarëve Bush dhe Putin sepse në takimin që do ta kenë në SHBA, përveç tjerash, do të flasin edhe për statusin e Kosovës (paçka se Bush dhe Putin nuk po takohen për shkak se preokupimi i tyre kryesor është çështja jonë)!

Atëherë thuhej se shqiptarët në Kosovë për shkak të durimit që kanë treguar ndaj dhunës së regjimit serbo-malazez e meritojnë pavarësinë dhe me të do të shpërblehen nga Bashkësia Ndërkombëtare (thuajse është shpërblyer ndonjëherë ndokush në botë në këtë mënyrë, duke pritur i nënshtruar)! Tani thuhet se pavarësia e Kosovës është arritur në qershor të 1999 ndërsa pritet vetëm njohja e saj nga KS i OKB-së (ndërsa në anën tjetër faktori ndërkombëtar diskuton për mundësinë e vazhdimit të negociatave tjera me Beogradin)!

Atëherë thuhej se kryetari i republikës së Kosovës pati një takim me ministrin e punëve të jashtme të Britanisë së Madhe në kuadër të takimeve të rregullta të nivelit të lartë në mes këtyre dy vendeve (ani pse Kosova nuk ishte republikë e as shtet dhe rrjedhimisht s’mund të kishte as kryetar, dhe si e tillë s’mund të kishte “takime te rregullta”)!

Tani thuhet se me planin e Ahtisaarit Kosova do ta ketë ushtrinë e saj kurse s’paska lidhje që në propozimin e Ahtisaarit parashihet shpërbërja e TMK-së. Mashtruesit e opinionit publik do të kujdesen që fjala shpërbërje në veshët e popullit të mbërrijë si transformim! Njëjtë u mashtrua populli kur u shpërbë UÇK-ja. Thuhej u transformua UÇK-ja, duke i dhënë kësaj fjale veti pozitive. Kurse e vërteta ishte se UÇK-ja u shkatërrua dhe u çarmatos.

E çka tjetër s’mund të thuhej atëherë, dhe çka tjetër s’mund të thuhet sot, kur qëllimet e tyre si atëherë edhe tani nuk përputhen me qëllimet historike të popullit shqiptar. Dallimi, ndërkaq, në mes këtyre dy kohëve është se mashtruesit e sotëm i kanë kushtet më të favorshme për mashtrim, sepse tani janë më të shumta dhe më efikase mjetet për realizimin e tij. Atëherë kishte vetëm një gazetë të përditshme (më vonë filluan të shtohen), ndërsa tani përveç gazetave të shumta ka edhe media elektronike. Atëherë përfaqësuesit ndërkombëtar ishin më rrallë të pranishëm, kurse tani ata janë pandërprerë këtu dhe mund t’iu ndihmojnë më shumë.

Pra, siç po shihet, kushtet më të volitshme për mashtrimin e opinionit i kanë pushtetarët e tanishëm. Dhe po i përdorin për mrekulli. Por a do të zgjas kjo edhe me tej? Pushtetarët do të mundohen me të gjitha mjetet që kanë në përdorim (e ata kanë shumë) që gjendjen tonë politike, ekonomike, kulturore, arsimore, shëndetësore dhe shoqërore në përgjithësi ta paraqesin si të mirë, madje shumë pozitive, që të mund të mbeten edhe më gjatë në pushtet. Mirëpo populli më nuk do t’iu besojë. Ai është i vetëdijshëm për gjendjen nëpër të cilën po kalon shoqëria shqiptare, prandaj do ta luajë rolin që gjithmonë në situata të caktuara historike ka ditur ta luaj.

Kontribo