25 01 2025

Jeton Raka

Jeton Raka është lindur në tetor të vitit 1979 në fshatin Bob të Kaçanikut, ku jeton edhe sot. Studimet
universitare i ka përfunduar në Administratë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Prishtinë.
Përvoja e tij profesionale përfshin punën në organizata ndërkombëtare si OSBE dhe Këshilli i Evropës, si
dhe përvojë disa vjeçare në prokurim publik, në kompani vendore dhe ndërkombëtare. Jetoni ka
shërbyer si Drejtor i Drejtorisë së Prokurimit në Komunën e Shtimes dhe më pas si Këshilltar Politik i
Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Aktualisht mban postin e
Zëvendësministrit në të njëjtën ministri.
Jeton Raka iu bashkua Lëvizjes VETËVENDOSJE! në vitin 2017. Ka mbajtur pozita të ndryshme brenda
organizatës, duke përfshirë atë të anëtarit të Kryesisë në qendrën e Lëvizjes në Kaçanik, anëtarit të
Këshillit të Përgjithshëm dhe Koordinatorit të Qendrës. Aktualisht është Kryetar i Qendrës në Kaçanik.
Si kandidat për deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Jeton Raka synon të promovojë politika dhe iniciativa
që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, rehabilitimin dhe pastrimin e pellgjeve lumore, reduktimin e
ndotjes dhe rritjen e vetëdijes për rëndësinë e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm. Ai angazhohet
gjithashtu për strategji dhe politika të ndryshimeve klimatike, projekte infrastrukturore për sigurimin e
ujit të pijshëm dhe të ujitjes për tokat bujqësore, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës rrugore që
lehtëson qarkullimin e qytetarëve dhe biznesit, duke kontribuar në një ekonomi zhvillimore
dhe të qëndrueshme.

Kontribo

25 01 2025

Zef Ndrejaj

Zef Ndrejaj ka lindur më 21 qershor 1967 në fshatin Gurrakoc, Komuna e Istogut. Shkollimin
parauniversitar dhe Fakultetin e Mjekësisë ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ku kreu edhe
specializimin në Obstetrikë dhe Gjinekologji dhe studimet post-diplomike, duke magjistruar në vitin
2009.
Specializimin e ka filluar në maternitetin “Nëna Terezë” dhe për dy vite tjera në Klinikën Obstetrike-
Gjinekologjike në QKUK.
Pas përfundimit të specializimit, ai shërbeu si asistent në Universitetin e Prishtinës për pesë vite dhe më
pas punoi si mjek specialist në Klinikën Obstetrike-Gjinekologjike në QKUK. Në vitin 2022, u emërua
drejtor i Klinikës Obstetrike-Gjinekologjike, pozitë që vazhdon ta mbajë.
Zefi është i njohur për përkushtimin e tij profesional në fushën e shëndetësisë, ku ka dhënë një
kontribut të rëndësishëm për përmirësimin e shërbimeve obstetrike dhe gjinekologjike në Kosovë.

Pa një angazhim të mëparshëm politik, Zefi i është bashkuar listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! me
synimin për të përdorur përvojën e tij profesionale për të kontribuar në avancimin e shëndetësisë, me
fokus në përmirësimin e shërbimeve për nënat dhe gratë.

Kontribo

25 01 2025

Arjeta Fejza

Arjeta Fejza është lindur më 12 prill 1992 në Mitrovicë. Ajo ka përfunduar studimet themelore dhe
master në Filozofi në Universitetin e Prishtinës.
Në vitin 2017, filloi ligjërimin e lëndëve të Filozofisë dhe Logjikës në Gjimnazin “Frang Bardhi” në
Mitrovicë. Përveç angazhimit në mësimdhënie, ka marrë pjesë në projekte të ndryshme si ligjëruese
mbi tema filozofike, duke kontribuar në zhvillimin e mendimit kritik në shoqëri.
Në vitin 2021, Arjeta Fejza u zgjodh deputete në legjislaturën e tetë të Kuvendit të Kosovës. Ajo
shërben si nënkryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe si anëtare në Komisionin për Arsim,
Kulturë, Rini dhe Sport, është angazhuar një kohë edhe në Komisionin për të Drejtat e
Komuniteteve. Gjithashtu, ishte pjesë e dy komisioneve hetimore: për tekstet shkollore dhe për
dhunën në familje.
Angazhimi i saj politik filloi në vitin 2011 me Lëvizjen Studentore për Barazi, Studim, Kritikë dhe
Veprim në Universitetin e Prishtinës. Në të njëjtin vit, ajo iu bashkua Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku ka
bartur përgjegjësi të ndryshme organizative në Qendrën e Mitrovicës.
Aktualisht, ajo është kryetare e Gruas së VV-së në Mitrovicë, anëtare e kryesisë së GVV-së në nivel
qendror dhe anëtare e kryesisë së Qendrës në Mitrovicë.
Si deputete, Arjeta Fejza synon forcimin e politikave arsimore, rinore dhe gjinore, si dhe mbrojtjen e
të drejtave të njeriut, duke promovuar transparencën dhe përgjegjshmërinë në qeverisje. Vizioni i
saj politik fokusohet në krijimin e një sistemi arsimor cilësor dhe të qasshëm për të gjithë, fuqizimin
e rinisë si motor të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Kontribo

25 01 2025

Nezir Kraki

Nezir Kraki është lindur më 09.08.1981 në Junik.
Është ligjerues në shkenca politike në Institut d’études politiques de Fontainebleau pranë
Universitetit publik francez Université Paris Est Créteil, dhe nga viti 2016 ai është përgjegjës i
lëndëve që lidhen me Bashkimin Evropian dhe politikat evropiane në përgjithësi.
Paralelisht me punën në Universitet, Nezir Kraki ka mbajtur edhe pozita te larta drejtuese në
sektorin e shkollimit të lartë privat në Francë si Drejtor programi dhe Drejtor i studimeve.
Nezir Kraki ka studiuar për letërsi franceze dhe shkenca politike, së pari në Prishtinë dhe pastaj në
Paris ku kishte shkuar për studime Master dhe Doktoratë në Universitetin Paris Est Créteil. Kërkimet
e tij doktorale ia ka kushtuar procesit të pavarësimit të Kosovës në aspektin historik dhe politik të tij.
Në vitin 2016 ishte në Universitetin prestigjioz të Stanfordit në Kaliforni ku ndoqi dhe kreu me
sukses programin specializues në vendimmmarje strategjike ‘Strategic Decision and Risk
Management’.
Ndërkohë, Kraki ka qenë i përfshirë edhe në projekte dhe misione tjera. Në vitet 2015-2016 ishte i
angazhuar si Këshilltar i Lartë për politikën e jashtme rajonale (me theks, çështjet shqiptare) pranë
Qendres së Ekselencës në kuadër të Ministrisë së punëve të jashtme të Shqipërisë. Viteve të fundit
është i pranishëm edhe në media të ndryshme me analiza dhe opinione mbi çështjet politike me

interes për Kosovën. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume shkencore në Francë dhe Evropë ku ka
paraqitur e mbrojtur parimet dhe vlerat evropiane në kontekste politike komplekse siç
është ai i Ballkanit.

Kontribo

25 01 2025

Mefail Bajqinovci

Mefail Bajqinovci ka lindur më 13 korrik 1977 në Prishtinë. Ka përfunduar studimet për Komunikim
Masiv, duke ndërtuar një karrierë të shquar në media dhe institucione publike.
Në fillimet e tij profesionale, Bajqinovci ka punuar në KTV, ku u dallua për prodhimin e emisioneve
investigative që trajtonin çështje të ndjeshme si korrupsioni, krimi i organizuar dhe keqpërdorimi i
pushtetit. Gjatë 13 viteve si zyrtar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ai thelloi angazhimin e tij në
luftën për transparencë dhe llogaridhënie, duke u bërë një zë kritik dhe i besueshëm në shoqërinë
kosovare.
Në politikë, si anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Bajqinovci është një mbështetës i vendosur i
reformave qeveritare. Në Kuvendin e Kosovës, ai është shquar për përballjen aktive me opozitën
dhe përkushtimin ndaj çështjeve kyçe, si lufta kundër korrupsionit, reformimi i sistemit të drejtësisë
dhe forcimi i shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike.
Në qershor 2022, Bajqinovci u zgjodh Kryesues i Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Punë të
Brendshme dhe Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë në Asamblenë Parlamentare të Procesit të
Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.
Në mandatin e ri, Mefaili synon të kontribuojë në forcimin e shtetit të Kosovës, duke u përqendruar
në luftën kundër korrupsionit, forcimin e sigurisë, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe
përmirësimin e administratës publike. Një fokus të veçantë ka edhe në ruajtjen e lidhjeve me
diasporën, duke e njohur si një faktor kyç për zhvillimin e Kosovës.

Kontribo

25 01 2025

Driton Hyseni

Driton Hyseni është lindur më 29 shtator 1977 në Podujevë (Besianë). Studimet universitare i ka
përfunduar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, dega Kompjuterikë, në Prishtinë,
ndërsa ato pasuniversitare në programin MBA/Biznes Ndërkombëtar në Universitetin Donau në
Krems, Austri. Gjithashtu, është i certifikuar në fushën e Aviacionit Civil nga Organizata
Ndërkombëtare e Transportuesve Ajror (IATA) me seli në Montreal, Kanada.
Në maj të vitit 1998, iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku fillimisht shërbeu në brigadat
luftarake të Zonës së Llapit dhe më pas në Zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së,
Adem Demaçi. Në prill të vitit 1999, u rikthye në vijat luftarake në Zonën e Llapit, ndërsa pas
përfundimit të luftës shërbeu deri në qershor 2000 si Oficer i Sektorit Operativ në kuadër të Trupave
Mbrojtëse të Kosovës.
Karrierën civile e filloi në maj të vitit 2002, në Zyrën Rregullative të Aviacionit Civil, ku punoi deri në
janar 2005. Më pas, u emërua Menaxher për Koordinimin e Fluturimeve në Aeroportin
Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Nga viti 2011, angazhimi i tij u zgjerua edhe në
Marketingun e Aviacionit Civil, ku vazhdon të kontribuojë deri më sot.
Në maj të vitit 2018, Driton Hyseni zyrtarizoi anëtarësimin në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, duke
përqendruar angazhimin politik në fusha të tilla si aviacioni civil, ekonomia dhe telekomunikacioni.

Gjatë mandatit të tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës (2021-2025), ai ka udhëhequr
Delegacionin e Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, ku luajti një rol kyç në
avancimin e statusit të delegacionit nga vëzhgues në anëtar të asociuar, proces që u përmbyll me
sukses në maj të vitit 2024.
Përveç kësaj, ai ka qenë anëtar aktiv i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, si
dhe i Komisionit për Integrim Evropian. Në kuadër të Kuvendit, ai ka kontribuar gjithashtu në
Komisionin Parlamentar për Stabilizim-Asociim me BE-në dhe komisione të tjera të veçanta.

Kontribo

25 01 2025

Adriana Matoshi

Adriana Matoshi është lindur më 5 shkurt 1980 në Gjilan. Shkollën fillore dhe të mesme i përfundoi
në vendlindje, ndërsa studimet për aktrim i përfundoi në Fakultetin e Arteve të Universitetit të
Prishtinës, nën udhëheqjen e prof. Faruk Begollit.
Adriana Matoshi është një nga aktoret më të shquara dhe të suksesshme të skenës artistike vendore
dhe ndërkombëtare, duke përfaqësuar denjësisht Republikën e Kosovës me dhjetëra çmime të
fituara në festivalet më prestigjioze të filmit. Ajo është shpërblyer me çmimin “Aktorja më e mirë”
në Greqi për filmin “Kthimi” të Blerta Zeqirit, në Itali në FilmLAB Festival, si dhe në Brazili, Paris dhe
Valencia të Spanjës për rolin e saj në filmin “Zana”. Gjithashtu, në Berlin dhe Nju Jork është
shpërblyer për interpretimin e saj në filmin “T’padashtun”.
Në fushën teatrale, ajo ka luajtur në një sërë shfaqjesh të njohura, si “Mësimi”, “Kumbara”,
“Dejzilend”, “Shtëpia e Bernarda Albës”, “Këmisha e gjakut”, “Romeo dhe Juliet” etj., duke e shtrirë
punën e saj artistike në vende të ndryshme të botës, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë,
Francën, Spanjën, Gjermaninë, Poloninë, Zvicrën, Rumaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Adriana është aktorja e vetme shqiptare që ka luajtur në një film të pranishëm në platformën
“Netflix”, përkatësisht filmin “Cold November”. Një tjetër sukses i madh ishte fitorja e filmave
“Kthimi” dhe “Hive” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Sundance në SHBA, ndërsa filmi “Hive” u
përfshi në listën e ngushtë për çmimin Oscar, duke shënuar një moment historik për
kinematografinë kosovare.
Përveç suksesit të saj artistik, Adriana Matoshi mbetet një avokate e fuqishme për të drejtat e grave
dhe kundër dhunës në familje, duke dhënë kontribut të madh për forcimin e rolit të gruas në shoqëri
dhe përmirësimin e barazisë gjinore.

Kontribo

25 01 2025

Liza Gashi

Liza Gashi është lindur më 30 shtator 1990 në Gjilan. Në moshë të re, ajo fitoi një bursë prestigjioze
që e çoi në Santa Ana, Kosta Rika, ku përfundoi shkollimin e mesëm. Studimet bachelor për
Marrëdhënie Ndërkombëtare, Shkenca Politike dhe Gjuhë Spanjolle i përfundoi në Wartburg
College, Iowa, ndërsa studimet master për Administratë Publike në Arizona State University. Përvoja
e saj akademike përfshin gjithashtu Universitetin Kombëtar të Córdobës në Argjentinë. Liza ka një
përvojë të pasur në menaxhim, diplomaci dhe ndërlidhje komunitare, të cilën e konkretizoi përmes
themelimit të organizatës GERMIN, që ka ndërtuar ura të fuqishme mes Kosovës dhe diasporës
shqiptare. Pasioni i saj për mobilizimin e diasporës si një forcë për zhvillimin ekonomik dhe kulturor
të Kosovës është i dëshmuar me sukses. Në Qeveritë Kurti 1 dhe Kurti 2, Liza ka shërbyer si
Zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke avancuar pozitën ndërkombëtare të

Kosovës dhe fuqizuar lidhjet me diasporën. Si kandidate për deputete nga Lëvizja VETËVENDOSJE!,
ajo synon të vazhdojë përfshirjen aktive të diasporës, promovimin e qeverisjes transparente dhe
fuqizimin e rinisë e grave përmes arsimit dhe përfshirjes në vendimmarrje. Liza Gashi përfaqëson një
vizion të qartë për zhvillimin e Kosovës duke e ndërlidhur diasporën me atdheun në mënyrë të
qëndrueshme dhe të frytshme.

Kontribo

25 01 2025

Raif Çavolli

Raif Çavolli ka lindur më 30 qershor 1971 në Pejë. Studimet e mjekësisë i nisi në Universitetin e
Prishtinës, për të i vazhduar në Universitetin e Sarajevës dhe më pas në Universitetin Anadolu në
Turqi.
Në vitin 2005 përfundoi specializimin në Kirurgji Kardiovaskulare në Universitetin e Ankarasë. Pas tre
viteve pune aktive në Turqi, karrierën e tij profesionale e vazhdoi në Tiranë, për t’u kthyer në Kosovë
në vitin 2011. Si udhëheqësi i parë shqiptar i një ekipi vendor, Dr. Raifi themeloi Klinikën e
Kardiokirurgjisë në QKUK në vitin 2013, ku realizoi operimet e para kardiokirurgjike nga ekipe
vendore.
Dr. Raifi është kardiokirurgu i parë i licencuar në Kosovë dhe pionier i kirurgjisë së aortës torakale në
vend. Ai ka kryer mijëra operime kardiovaskulare dhe është autor i dhjetëra publikimeve
ndërkombëtare dhe vendore. Aktualisht është në proces të marrjes së titullit Docent i Shkencave
Kardiovaskulare në Turqi.
I angazhuar për avancimin e sistemit shëndetësor, Dr. Raifi kandidon në listën e Lëvizjes
VETËVENDOSJE! me synimin për themelimin e Qendrës Kardiake Kombëtare dhe përmirësimin e
kujdesit shëndetësor në Kosovë.

Kontribo

25 01 2025

Leonora Shabani Bajraktari

Leonora Shabani-Bajraktari ka lindur më 24 korrik 1978 në Prishtinë, ku jeton dhe punon. Ka
përfunduar studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”
dhe ka ndjekur studimet për Shkenca Politike.
Si bashkëthemeluese e Shoqatës Down Syndrome Kosova, Leonora ka udhëhequr me sukses
projekte për përfshirjen sociale dhe edukimin e hershëm të fëmijëve me nevoja të veçanta, duke
mobilizuar qindra vullnetarë dhe profesionistë për mbështetjen e tyre.
Aktualisht, është kryetare e Gruas për VETËVENDOSJE! dhe anëtare e kryesisë së Qendrës së Lëvizjes
VETËVENDOSJE! në Prishtinë. Gjatë viteve 2017-2021, Leonora ka shërbyer si kryesuese e grupit të
këshilltarëve të Lëvizjes në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke qenë një zë i fuqishëm për
mbrojtjen e të drejtave të grupeve të cenueshme dhe përmirësimin e standardeve sociale.
Si kandidate për deputete nga lista e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Leonora synon të avancojë politikat
sociale dhe të përmirësojë cilësinë në arsim, edukimin e hershëm, shëndetin e nënës dhe fëmijës, si
dhe të fuqizojë të rinjtë dhe gratë në ndërmarrësi.

Kontribo

25 01 2025

Hydajet Hyseni Kaloshi

Hydajet Hyseni është lindur më 10 mars 1954 në Përlepnicë të Gjilanit. Ka studiuar Gazetari dhe
Diplomaci në Universitetin e Prishtinës dhe ka punuar si gazetar i gazetës “Rilindja”.

Në rininë e tij, ishte aktiv në Lëvizjen e fshehtë çlirimtare dhe shtypin ilegal, duke kontribuar si në
Kosovë ashtu edhe në mërgatë. Për aktivitetin e tij politik, kaloi dhjetë vite si i burgosur politik. Pas
lirimit, vazhdoi si veprimtar politik i Alternativës së kohës, duke mbajtur një mandat si nënkryetar i
LDK-së, ndërkohë që mbeti i lidhur me LPK-në dhe organizata të tjera të ngjashme. Gjithashtu, ishte
anëtar dhe nënkryetar i KMDLNJ-së dhe shërbeu si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor i gazetës
“Bujku”.
Pas ndarjes në LDK, ishte një nga themeluesit e Lëvizjes së Bashkuar Demokratike dhe pjesëmarrës
në delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Shërbeu si anëtar i Qeverisë së
Përkohshme dhe bashkëdrejtues në “Departamentin për Çështjet Jorezidente” në Strukturat e
Përbashkëta Administrative. Si deputet shumëvjeçar në Kuvendin e Kosovës, ka qenë anëtar i
Kryesisë dhe përfaqësues i Kuvendit në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe në Asamblenë
Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Nga viti 1995, ka shërbyer si kryetar i Shoqatës së Ish të Burgosurve Politikë dhe ka qenë anëtar i
Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ishte nismëtar i Këshillit të Paqes në Kosovë,
bashkëkoordinues i Këshillit Shqiptar për Paqe dhe anëtar i Këshillit Global të Federatës për Paqe
Universale.
Dy herë kryesues i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, është autor dhe bashkautor i
disa veprave letrare dhe publicistike. Po ashtu, ka kontribuar me skenare, ilustrime dhe karikatura
në shtypin zyrtar dhe të ndaluar.

Kontribo

25 01 2025

Sanije Rexha

Sanije Rexha u lind më 27 mars 1969, në fshatin Llaushë, Skenderaj. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi
Shqipe i kreu në Prizren, ndërkohë që përfundoi edhe studimet Bachelor në Punë Sociale në kuadër
të Fakultetit të Helsinkit. Ajo ka ndjekur trajnime dhe çertifikime ndërkombëtare në fushën e
mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Që në moshë të re, Sanije Rexha u angazhua në çështjet kombëtare, duke qenë aktive pas
demonstratave të vitit 1981. Së bashku me bashkëshortin e saj, Heroin e Kombit, Abedin Rexha –
Sandokani, ajo u bë pjesë e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, duke marrë pjesë në
demonstrata kundër pushtimit serb. Në vitin 1993, iu bashkua stërvitjeve për Ushtrinë Çlirimtare të
Kosovës në Shqipëri. Pas stërvitjeve, ajo dhe Abedini u martuan dhe për shkak të përndjekjes serbe,
emigruan në Gjermani.
Në vitin 1997, pas thirrjes për mobilizim, çifti Rexha u kthyen në Kosovë për t’iu bashkuar luftës
çlirimtare. Pas përfundimit të luftës, Sanije Rexha filloi punën si punëtore sociale në Komunën e
Klinës dhe kontribuoi në krijimin e Administratës Komunale. Në vitin 2008, ajo u transferua në
Prishtinë, ku vazhdoi angazhimin në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duke shërbyer në
pozita udhëheqëse në departamente që mbështesin kategoritë e luftës. Aktualisht, ajo mban
pozitën e Udhëheqëses për Administrimin e Skemave për Kategoritë e Luftës.

Kontribo

25 01 2025

Valon Ramadani

Valon Ramadani, i lindur në qershor të vitit 1985 në Ferizaj, ka përfunduar studimet bazë në
Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Administratë Publike, ndërsa studimet
pasdiplomike i ka ndjekur në fushën e diplomacisë.

Ai është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës për tre mandate radhazi, që nga viti 2017, si pjesë
e listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Gjatë kësaj periudhe, Valoni ka shërbyer me përkushtim në
Komisionin për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, ku ka mbajtur
edhe pozicionin e Kryetarit të Komisionit. Angazhimi i tij ka qenë i fokusuar në fuqizimin e
institucioneve publike dhe qeverisjes lokale, si dhe në nxitjen e zhvillimit rajonal dhe përmirësimin e
qasjes në media.

Kontribo

25 01 2025

Shpëtim Hajdaraj

Shpëtim Hajdaraj u lind më 1 nëntor 1978 në Pejë, nga një familje me prejardhje nga Rugova. Studimet
universitare i përfundoi në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, në Inxhinierin; Ndërtimore.
Karrierën profesionale si inxhinier ndërtimi, Shpëtimi e filloi në sektorin privat në Pejë. Në vitin 2007, u
punësua në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ku punoi si inxhinier ndërtimi deri në fillim të vitit 2023.
Aktualisht, ai shërben si Këshilltar Politik i Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme
dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.
Përvoja e tij e gjerë në ndërtimtari, siguri dhe administratë publike përbën një bazë të fortë për
angazhimin e tij politik.
Si kandidat për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Shpëtim Hajdaraj synon të fokusohet në
përmirësimin e ambientit dhe infrastrukturës, fuqizimin e sigurisë dhe avancimin e sistemit të drejtësisë.
Angazhimi i tij përfaqëson një qasje gjithëpërfshirëse për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve
të Kosovës.

Kontribo

25 01 2025

Taulant Kelmendi

Taulant Kelmendi u lind më 10 shkurt 1989 në Pejë. Ai ka përfunduar studimet bachelor dhe
master në Shkencat Kompjuterike si bursist dhe është inxhinier me profesion. Po ashtu, është
inxhinier i certifikuar i trafikut ajror në Danimarkë dhe ka një sërë certifikatash ndërkombëtare
dhe vendore për dixhitalizim, teknologji inovative dhe edukim.
Karriera e tij profesionale ka filluar si mësimdhënës dhe ligjërues në disa shkolla dhe
institucione të arsimit të lartë, për të vazhduar si inxhinier i përpunimit të të dhënave në
Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror. Paralelisht, është angazhuar në organizata që
merren me inovacion dhe teknologji informacioni, si dhe në iniciativa e fushata për
transformimin dixhital në Kosovë.
Angazhimi i tij politik si aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! prej 12 vitesh është zhvilluar në
pozicione dhe angazhime të ndryshme, si anëtar i grupit punues në Qendrën e Pejës, anëtar i
Këshillit të Përgjithshëm, Komitetin Profesional për Komunikime Elektronike dhe Postare,
angazhimin në Shkollën Politike dhe tani është kryetar e Qendrës së Lëvizjes
VETËVENDOSJE! në Pejë.

Në Qeverinë Kurti 2, ai është emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës,
Teknologjisë dhe Inovacionit në vitin 2021, ku vazhdon të japë kontributin e tij në transformimin,
dixhitalizimin dhe inovacionin në edukim, në funksion të objektivave për arsim cilësor.
Taulanti kandidon si deputet për të vazhduar angazhimin e tij politik për drejtësi, barazi dhe
zhvillim, paralelisht me angazhimin profesional për zhvillimin e arsimit cilësor, transformimin
dixhital të shërbimeve publike dhe promovimin e inovacionit.

Kontribo

25 01 2025

Jetmire Vrenezi

Jetmire Vrenezi është lindur më 14 shtator 1987 në fshatin Marali të Malishevës.
Studimet themelore i përfundoi në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të
Prishtinës, ndërsa aktualisht është në përfundim të studimeve pasuniversitare në Fakultetin e
Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës.
Karriera e saj profesionale është e pasur dhe e larmishme. Jetmire Vrenezi ka punuar si inxhiniere
ndërtimi në disa kompani private të ndërtimit në Malishevë dhe Prishtinë. Gjithashtu, ajo ka dhënë
një kontribut të rëndësishëm në sektorin publik, duke punuar në Drejtorinë e Urbanizmit në
Komunën e Prishtinës dhe në Drejtorinë e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit.
Përveç angazhimit profesional, Jetmira ka një histori të gjatë angazhimi politik. Si aktiviste e Lëvizjes
VETËVENDOSJE! në Qendrën e Malishevës që nga viti 2012, ajo ka qenë pjesë e rëndësishme e
strukturave të lëvizjes. Në Kuvendin Komunal të Malishevës, ku ka shërbyer si asambleiste, Jetmira
ka qenë e njohur për aktivizmin e saj, duke adresuar probleme dhe shqetësime të shumta të
qytetarëve.
Gjatë mandatit të saj në Kuvendin e Kosovës, ajo ka shërbyer si anëtare në disa komisione të
rëndësishme, duke përfshirë Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim,
Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi
Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës.
Si një nga drejtueset e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Malishevë, Jetmire Vrenezi mbetet e
angazhuar aktivisht në të gjitha aktivitetet politike të strukturës, duke kontribuar në mënyrë të
pandërprerë në avancimin e agjendës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në mbështetje të komunitetit.

Kontribo

25 01 2025

Hysen Durmishi

Hysen Durmishi ka lindur më 3 prill 1972 në Therandë. Në vitin 1989, si nxënës i shkollës së mesme,
u angazhua në organizimin e demonstratave kundër ndryshimeve kushtetuese të marsit të atij viti,
duke u përjashtuar nga shkolla për rolin e tij si një nga organizatorët kryesorë dhe duke iu ndaluar
shkollimi në gjithë territorin e ish-Jugosllavisë. Pas amnistisë për të burgosurit politikë në vitin 1990,
ndalesa iu hoq dhe Hyseni u kthye sërish në shkollë, ku vijoi aktivizmin si anëtar i Këshillit të
Përgjithshëm të Unionit të Pavarur të Nxënësve të Kosovës gjatë viteve 1990-1992.
Nga viti 1993 deri në 1998, Hyseni kreu studimet universitare në Fakultetin e Ndërtimtarisë në
Universitetin e Prishtinës. Gjatë kësaj periudhe, ai u bë kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të
Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, duke luajtur një rol aktiv në protestat studentore të
organizuara për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë.

Në vitin 1998, Hyseni iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si ushtar i Brigadës 123. Ishte i
burgosur politik duke mbajtur dy vite burg në burgjet e Serbisë. Pas lirimit, ai u bë pjesë e Rrjetit të
Aksionit për Kosovën (KAN) dhe ishte një nga themeluesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku shërbeu në
pozita të ndryshme drejtuese deri në fund të vitit 2013.
Në vitin 2013, Hyseni u emërua Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, dhe më vonë
Drejtor i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave. Aktualisht është zëvendësministër në
MMPHI.
Ai ka përvojë të gjatë në fushën e infrastrukturës.
Është i martuar dhe ka katër fëmijë.

Kontribo

25 01 2025

Mentor Arifaj

Mentor Arifaj është lindur në Istog në vitin 1974. Studimet universitare i ka përfunduar në Fakultetin
e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Universiteti i Prishtinës, ku diplomoi si student i dalluar në
vitin 2002, duke fituar titullin Inxhinier i Diplomuar në drejtimin e kompjuterikës me
telekomunikacion.
Në vitin 2008, përfundoi studimet pasuniversitare në të njëjtin fakultet, duke marrë titullin
Magjistër i Shkencave dhe realizoi dy publikime ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe.
Karrierën profesionale e ka nisur si asistent mësimor në FIEK, Universiteti i Prishtinës, ndërkohë që
ka kontribuar në projekte të ndryshme me kompani vendore dhe ndërkombëtare. Në vitin 2009, ka
vazhduar karrierën në industrinë e teknologjisë së informacionit në Kanada, ku ka punuar për
kompani të ndryshme kanadeze dhe amerikane, përfshirë një pozitë menaxheriale në korporatën e
njohur financiare amerikane Citigroup.
Në vitin 2020, është kthyer në Kosovë, ku ka shërbyer si kryesues i Bordit të Përkohshëm të Postës
së Kosovës dhe si ligjërues në Universitetin Kadri Zeka në Gjilan.
Që nga viti 2021, ka mbajtur pozitën e zëvendësministrit, fillimisht në Ministrinë e Ekonomisë, ku ka
qenë i fokusuar në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si dhe ndërmarrjet
publike. Më pas, ka vijuar si zëvendësministër në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe
Tregtisë, duke punuar për inovacionin, ndërmarrësinë dhe digjitalizimin.
Si kandidat për deputet, Mentor Arifaj angazhohet për zhvillimin ekonomik, ngritjen e cilësisë në
arsim, forcimin e raporteve ndërkombëtare dhe lidhjen më të ngushtë me mërgatën shqiptare.
Përveç gjuhës shqipe, flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe gjithashtu komunikon në gjuhët frënge
dhe serbo-kroate. Është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Kontribo

25 01 2025

Vigan Qorrolli

Vigan Qorrolli, i lindur më 3 qershor 1983 në Prishtinë, është jurist, profesor dhe studiues me një
karrierë të shquar në fushën e së drejtës ndërkombëtare dhe politikës. Ai është i martuar dhe prind i
tre fëmijëve. Aktualisht shërben si Zëvendësministër i Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së
Kosovës.
Në fushën akademike, Vigan Qorrolli është mësimdhënës në Fakultetin Juridik të Universitetit të
Prishtinës, ku ligjëron disa lëndë të rëndësishme, duke përfshirë të Drejtën Ndërkombëtare Publike,
të Drejtën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtën Diplomatike dhe Konsullore. Ai

gjithashtu ligjëron të Drejtën Ndërkombëtare për Energji dhe Mjedis në Qendrën për Energji dhe
Qëndrueshmëri të Universitetit të Prishtinës.
Qorrolli ka ndjekur studimet e doktoraturës në Universitetin e Gracit në Austri në fushën e së drejtës
ndërkombëtare dhe zotëron një diplomë Master nga Universiteti Corvinus në Budapest, Hungari.
Studimet e tij bazike i kreu në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Në vitin 2013, ai qëndroi
si studiues rezident në Universitetin Amerikan në Washington, D.C., si pjesë e programit JFDP të
Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.
Angazhimi i tij në politikë përmes Lëvizjes VETËVENDOSJE! përqendrohet në drejtësinë dhe politikën
e jashtme.
Si deputet i ardhshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Vigan Qorrolli synon të kontribuojë në
përmirësimin e legjislacionit dhe forcimin e diplomacisë së Kosovës.

Kontribo

25 01 2025

Hasime Tahiri Hasani

Hasime Tahiri Hasani ka lindur më 7 mars 1966 në Mitrovicë. Është Master në Shkencat e
Metalurgjisë nga Fakulteti Xehetaro Metalurgjik i Universitetit të Prishtinës dhe ka mbi 25 vite
përvojë në zhvillimin e shoqërisë civile, duke udhëhequr iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin
socio-ekonomik dhe kulturor të Kosovës.
Hasimeja ka dhënë një kontribut të veçantë në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zhvillimin e
qëndrueshëm në komunitet, me aftësi të shquara menaxheriale dhe fokus në krijimin e mundësive
të barabarta për individë dhe grupe të margjinalizuara.
Hasimeja ka shërbyer si Drejtoreshë Ekzekutive e OJQ “Mundësia” që nga viti 2003, ku ka
menaxhuar projekte të rëndësishme që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe fuqizimin e
organizatave lokale.
Përvoja e saj profesionale përfshin angazhime si menaxhere në Finnish Refugee Council dhe në
Italian Consortium of Solidarity, ku udhëhoqi projekte emergjente për të ndihmuar të prekurit nga
lufta. Po ashtu, ajo ka dhënë kontribut të vazhdueshëm si vullnetare në Handikos Mitrovica, duke
mbështetur personat me aftësi të kufizuara dhe promovuar të drejtat e tyre.
Si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Hasime Tahiri-Hasani synon të mbrojë dhe të
promovojë trashëgiminë kulturore si një pasuri kombëtare dhe të angazhohet për mbrojtjen e
ambientit për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm. Angazhimi i saj politik bazohet në përvojën e
gjatë dhe në vizionin për politika të orientuara drejt përmirësimit të jetës në komunitet.

Kontribo

25 01 2025

Luan Aliu

Luan Aliu i lindur më 6 korrik 1983 në Gjilan, studimet universitare i ka kryer në degën e
Kriminalistikës.
Luani është një nga themeluesit e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan dhe ka luajtur një
rol kyç në zhvillimin dhe konsolidimin e Lëvizjes.
Aktualisht, ai mban postin e Nënkryetarit të Parë të Qendrës, duke kontribuar në mënyrë aktive në
përfaqësimin dhe forcimin e strukturave lokale të Lëvizjes.
Gjatë qeverisjes Kurti 1, Luani ka shërbyer si Këshilltar Politik i Ministrit të Punëve të Brendshme,
Xhelal Sveçla, ku ka ofruar ekspertizë të vyer në fushën e sigurisë.

Në mandatin e tij si deputet në legjislaturën e fundit , ai ka qenë anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen
e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në garantimin e
transparencës dhe funksionalitetit të këtij institucioni.
Luan Aliu synon mandatin e ri me përkushtimin për të u angazhuar tutje në sektorin e
sigurisë dhe mbrojtjes.

Kontribo