14 09 2019

Salih Zyba

Salih Zyba u lind më 1 janar 1977 në Prizren. Studioi në Fakultetin Ekonomik, dega Menaxhment dhe Informatikë, në Universitetin e Prishtinës.

Ka qenë ushtar i UÇK-së dhe pjesëtar i Luftës Çirimtare në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës. Ai ka punuar në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale gjatë viteve 2003-2006, deri kur e larguan nga puna për shkak të përfshirjes së tij në aktivitetet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Aktiviteti i tij politik është i lidhur me KAN-in, dhe që nga themelimi i saj edhe me Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Salih Zyba ka udhëhequr Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës. Ka qenë anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! gjatë dy mandateve dhe është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm. Aktualisht është kryetar i qendrës së Lëv Thernadës. Ai u zgjodh deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në legjislaturën e VI, VII dhe VIII. Si deputet u angazhua në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor gjatë legjislatures së VI, ndërsa në legjislaturën e VII në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Komisionin për mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe në Komisionin Hetimor Parlamentar për Hidrocentrale. Në legjislaturën e fundit është nënkryetar në Komisionin për Mbikqyrjen e Agjnesisë së Kosovë për Inteligjencë dhe anëtar në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë, Planifikim Hapësinor dhe Mjedis.

Salih Zyba si kryetar në ardhje do të angazhohet që të ndërtojë besimin e qytetarëve në institucione, të ketë transparencë dhe llogaridhënie. Nëpërmjet programit politik të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, do të përmirësojë mirëqenien e qytetarëve të Therandës.

Kontribo

14 09 2019

Visar Korenica

Visar Korenica u lind më 14 qershor 1984 në Prizren. Studimet  pasdiplomike i ka përfunduar për Biznes Ndërkombëtar në Kolegjin Universum në Prishtinë.

Angazhimin profesional e ka nisur si Menaxher i logjistikës në kompaninë private me eksport më të madh në Kosovë “NewCo Ferronkeli” mes vitete 2007-2015.  Në vitin 2009 themeloi organizatën jo qeveritare Iniciativa Pozitive, e cila brenda një viti u bë organizatë relevante në fushën e aktivizmit qytetar për kulturë, arsim, sport dhe asistencë sociale në Rahovec.

Nga viti 2015 deri mars 2021, Visari ka ushtruar pozitën e Menaxherit të transportit rrugor në kompaninë për logjistikë, Railtrans.. Në vitin 2017 ishte kandidat për kryetar të komunës në Rahovec. Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, u zgjodh deputet i legjislaturës së VIII, ku angazhohet si anëtar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

 Visari është Koordinator i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Rahovec.

Si kryetar i ardhshëm i komunës së Rahovecit do të angazhohet fuqishëm në fuqizimin e pozitës së fermerëve në komunën e Rahovecit. Për bujqit do angazhohet që të kenë treg të sigurt, produkte të sigurta, lehtësira doganore e rritje të kapaciteteve prodhuese.

Do trajtojë me prioritet fuqizimin e gruas në vendimarrje. Do mbështesë edukimin, avancimin dhe zhvillimin e grave sipëmarrëse dhe do sigurojë grante për bizneset e tyre.

Prioritet tjetër do jetë ngritja e “Qendrës Burimore” nëpërmjet të cilës do të sigurohemi që talenti, dija dhe puna e rinisë do të optimalizohet.  Visari do të angazhohet fuqishëm edhe në zhvillimin – hapjen e qytetit, ngritjen e jetës sportive dhe atë kuluturore, mbështetjen në industrinë prodhuese dhe përpunuese, sjelljen e investimeve të jashtme në tërë komunën e Rahovecit.

Është i martuar dhe baba i tre fëmijëve.

Kontribo

14 09 2019

Alban Hyseni

Alban Hyseni u lind më 23 tetor 1990 në Gjilan. Ai ka diplomuar në Fakultetin Juridik dhe ka vijuar masterin në programin Juridik Penal. Alban Hyseni ka filluar punën si tutor studentësh në vitin e katërt të studimeve. Më pas, gjatë viteve 2013-15, ka vazhduar punën si asistent në lëndët e fushës juridiko-penale. Ka qenë i angazhuar edhe në pozitat si Zyrtar për Marrëdhënie me Jashtë (2013 – 2014), Zyrtar i Cilësisë (2014-2016) dhe më pas edhe si Sekretar i Përgjithshëm i Kolegjit “ARBËRI” si dhe ishte i angazhuar poashtu si Koordinator i UBT-së në Gjilan, si dhe është pjesë e stafit akademik në kuadër të Fakultetit Juridik, për lëndët e fushës Penale. Ai vazhdon të jetë i angazhuar me orar të kufizuar në Kolegjin UBT.

Alban Hyseni i është bashkuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! në vitin 2010.  Në legjislaturën e fundit ishte deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku u angazhua në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Kontribo

14 09 2019

Arben Vitia

Arben Vitia u lind me 24 dhjetor 1973, në Prishtinë. Ai diplomoi në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme. Gjatë vitit 2003-2004 ka punuar si Mjek në Mitrovicë. Ka punuar si Këshilltar profesional në kompaninë “Agani” dhe në kompaninë “Keis”. Që nga viti 2010, ai është aktivist në Lëvizjen VETËVENDOSJE! ku është angazhuar dhe ka drejtuar Komitetin për Shëndetësi.

Në vitet 2013-2018 ka qenë Drejtor në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, e cilësuar si një nga drejtoritë me të suksesshme gjatë dy mandateve. Ka ndjekur trajnime dhe programe të shumta për shëndetin publik dhe menaxhimin në shëndetësi duke përfshirë programin IVLP “Public Health Issues in the US” në ShBA..

Në zgjedhjet e fundit Arben Vitia është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. Me 3 shkurt 2020, me formimin e Qeverisë Kurti, z. Vitia emërohet si Ministër në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në vitin 2018 është zgjedhur Kryetar i Qendrës së Prishtinës ku vazhdon të jetë akoma. Arbeni është poashtu anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Kontribo

14 09 2019

Mytaher Haskuka

Mytaher Haskuka ka lindur më 12 Tetor 1973 në Prizren.

Gradën doktor i shkencave të psikologjisë sociale e ka fituar në Universitetin “Ludwig Maximilian” në Mynih të Gjermanisë, drejtimi kryesor në Shkenca Psikologjike dhe drejtimi dytësor në Shkenca Politike. Studimet post-diplomike master i ka kryer gjatë viteve 1998 – 2001 në Universitetin Bogazici në Stamboll, në drejtimin Psikologji Sociale. Studimet universitare po ashtu i ka përfunduar në Universitetin Bogazici në Stamboll, në departamentin e shkencave sociale në psikologji.

Ka qenë njëri ndër themeluesit e Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku ka ligjëruar Metodat e Hulumtimit Deskriptiv, Metodat Eksperimentale, Statistikë, Metodat Hulumtuese të Avancuara dhe Analiza dhe Modifiki i Sjelljes. Po ashtu deri në vitin 2014 ka qenë udhëheqës i ekipit për Hulumtime, Politika, Çështje Gjinore dhe Komunikim në UNDP-Kosovë. Ka punuar në shumë hulumtime zhvillimore dhe analiza të ligjeve dhe politikave. Ndër raportet më të rëndësishme në të cilat ka punuar janë Raportet e Zhvillimit Njerëzor.

Mytaher Haskuka është zgjedhur dy herë deputet në Kuvendin e Kosovës. Gjatë mandatit të parë ai ka qenë edhe anëtar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 është zgjedhur Kryetar i Komunës së Prizrenit.

Si kryetar komune ka përmbushur apo është në përfundim të 95% të premtimeve elektorale, andaj si kryetar që e mban fjalën, dëshiron ta vazhdojë mandatin ashtu që ta bëjë Prizrenin qytet të gjelbër, me zonën më të madhe për këmbësorë në rajon dhe kryeqytet të zhvillimit, prodhimit, turizmit, kulturës dhe rinisë.   

Përveç gjuhës amtare shqipe, Mytaheri flet atë angleze, turke, serbo-kroate, boshnjake dhe maqedone.

Haskuka është i martuar dhe i ka dy fëmijë.

Kontribo

12 09 2019

Mimoza Kusari Lila

Mimoza Kusari Lila u lind më 16 tetor 1975 në Gjakovë. Është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve.

 Studimet i mbaroi në Universitetin “Hasan Prishtina”, në Fakultetin Ekonomik. Studimet post-diplomike i përfundoi në ShBA në fushën Administrim Biznesi, në Duquesne University, Pittsburgh, Pennsylvania. Ajo ishte bursiste e programit “Ron Brown” nga Departamenti i Shtetit të ShBA. Para se të angazhohej në politikë, ajo ka udhëhequr Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë në vitet 2006 – 2009. Ajo ka qenë po ashtu asistente e lëndës së Mikroekonomisë në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, si dhe ligjëruese në lëndën e Menaxhimit të Proceseve në Universitetin Amerikan të Kosovës – AUK.

Kusari-Lila u zgjodh deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës në legjislaturën e 6-të dhe të 7-të dhe 8-të ku në këtë të fundit ka qenë Shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në vitin 2010 ishte gruaja më e votuar në Kosovë. Ajo për tre vite (2011-13) ka shërbyer si Zëvëndës Kryeministre dhe Ministre e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës. Mimoza Kusari Lila më parë ka mbajtur pozitën e Kryetares së Komunës së Gjakovës që nga dhjetori i vitit 2013, duke arritur të bëhet gruaja e parë kryetare e një komune në Kosovë.

Përgjatë dy legjislaturave, Mimoza Kusari Lila është angazhuar në politikat për fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave dhe ngritjen e përfaqësimit të tyre në vendimarrje. Kusari – Lila përgjatë dy legjislaturave radhazi kishte inicuar formimin dhe kishte udhëhequr Grupin e Deputetëve të Gjelbërt, politika dhe veprime të cilat do të vazhdojë t’i ndjek edhe në legjislaturën e 8-të.

Si Kryetare e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila do të transformojë komunën në qendër të inovacionit dhe kreativitetit, me modelin më të mire të bashkëpunimit ndërkufitar me Malësinë e Gjakovës, në politika miqësore mjedisore dhe zbatim të planit të mobilitetit urban në përputhshmëri me politikat e gjelbërta. 

Turizmi dhe artizanantet do të jenë pjesë e promovimit të pasurisë natyrore, hisorike dhe kulturore. Bujqësia dhe blegtoria do të inkurajohen në bashkërendim e Ministrinë e Bujqësisë, fuqizimin e grave fermere dhe fermerëve në përgjithësi. Kthimi i të rinjëve, transparenca dhe llogaridhënia dhe politikat sensitive gjinore do të jenë themel i gjithë qeverisjes tonë katër vjeçare.

Kontribo

29 12 2018

Valon Ramadani

Valon Ramadani u  lind në  qershor të vitit 1985, në Ferizaj. Studimet bazë i ka përfunduar në Tetovë, në Universitetin e Evropës Juglindore, në drejtimin Administratë Publike, kurse ato pasdiplomike i ka ndjekur në fushën e diplomacisë. Prej vitit 2017 Valon Ramadani ka fituar tre herë me radhë mandatin e deputetit në zgjedhjet nacionale, si pjesë e listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! Gjatë tre legjislaturave të Kuvendit të Kosovës ku ai ka marrë pjesë si deputet, Valoni është angazhuar në Komisionin për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media. 

Valon Ramadani është kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj, ku gjatë drejtimit të tij ky subjekt ka dalë vazhdimisht i pari në zgjedhjet nacionale, falë punës së palodhur të aktivistëve e qytetarëve, në bashkëpunim me kandidatët cilësorë nga Komuna e Ferizajit, dhe në drejtimin frymëzues të kryetarit Albin Kurti.

Si kryetar i Komunës së Ferizajit Valon Ramadani vjen me një ekip profesionistësh të fushave të ndryshme dhe me vendosmërinë për të bashkëqeverisur, duke mbajtur gjithmonë derën hapur për qytetarët pa dallim prejardhje apo partie. Programi i Valon Ramadanit ka si prioritet rritjen e investimeve, sidomos për bizneset e reja, mbështetje për gratë, zhvillimin e jetës kulturore në komunë, zgjidhjen e problemit me ujë të pijshëm, zgjidhjen e problemit të mbeturinave, vendosjen e standardit urbanistik,  ndërtimin e një ‘’lagjeje të zbavitjes’’, kthimin e higjienës në shkolla, funksionalizimin e një spitali të ri e modern si dhe investim serioz në infrastrukturë për sport.

Me Valon Ramadanin kryetar të Komunës dhe me Albin Kurtin kryeministër, Ferizaji do të jetë motori lëvizës i Kosovës drejt zhvillimit dhe mirëqenies.

Kontribo