26 01 2021

Gramos Agusholli

Gramos Agusholli u lind në janar të vitit 1976 në Pejë. Në qytetin e lindjes ai përfundoi shkollimin fillor e atë të mesëm, për të vazhduar specializimin si laborant dentar në Stamboll përgjatë viteve të 90-ta. Përkrahe punës si laborant dentar, Gramosi vazhdoi studimet për Menaxhment Biznesi në Prishtinë. Profesionin si laborant dentar e si ndërmarrës e ka kulmuar me një laborator të suksesshëm dentar në qytetin e Pejës.

Gramosin e karakterizon tipari i të qenit njeri i përkushtuar. Ai, përpos që është i përkushtuar në përmirësimin e statusit ekonomik të qytetarëve, është shumë i angazhuar për të mbështetur profesionistet e rinjë në hapat e tyre të parë në fushat e tyre përkatëse.

I përkushtuar është Gramosi edhe në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ku angazhohet për të jetësuar Alternativën Qeverisëse, dhe sektorin e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale e ka prioritet

Gramosi beson që si deputet do të japë kontribut të çmuar që secili qytetar i Kosovës të ketë të drejtën për kujdes shëndetësor gjithëpërfshirës dhe cilësor, që mund t’i përgjigjet nevojave reale të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.

Kontribo

26 01 2021

Shenaj Shala

Shenaj Shala është e lindur më 23 maj 1979, në Prishtinë. Është eksperte e protokollit ndërkombëtar, konsulente e mirësjelljes, dhe trajnere e shkathtësive të buta. Në shkurt të vitit 2020, ajo u emërua Shefe e Protokollit dhe Këshilltare e Jashtme Politike e Kryeministrit të katërt të Republikës se Kosovës, Albin Kurti.

Shenaj perfundoi studimet e nivelit Master në vitin 2014 në Bruksel në “The International School for Protocol and Diplomacy” (ISPD), ndërsa në vitin 2020 u emërua ligjëruese për imazh dhe konsulencë politike në po të njëjtin institut. Mes viteve 1999-2013, Shenaj punoi për Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Afrikën Lindore si Asistente Personale e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ndërsa nga viti 2013-2015 ishte koordinatore e qendrës se trajnimeve në Shell Oil & Petroleum për Lindjen e Mesme. Në qershor të vitit 2015 Shenaj u emërua Zyrtare Ndërlidhëse për Ballkan e ISPD-së, kurse në vitin 2018 ajo u përzgjodh një prej 15 trajnereve global për ‘pitch’ dhe aftësitë e prezantimit në International Pitch School for IDACB (International Decentralized Association for Cryptocurrency and Blockchain).

Shenaj vazhdon të mentorojë dhe këshillojë ndërmarrësit e rinj në Kosovë duke u fokusuar në aftësitë e buta dhe temat si komunikimi efektiv, të folurit në publik, inteligjenca emocionale dhe fjalimet motivuese; si dhe është konsulente personale e shumë figurave publike në Kosovë- për paraqitjet mediale, imazhin personal, gjuhën e trupit dhe komunikimin jo verbal.

Kontribo

26 01 2021

Orges Tafilaj

Orges Tafilaj u lind më 20 mars 1989 në Prishtinë. Jeton në fshatin Lëbushë të Deçanit.

Shkollën fillore e përfundoi në Isniq, ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Vëllëzërit Frashëri” në Deçan. Ka kryer studimet për Telekomunikacion në FIEK.

Ai ka kryer trajnime të ndryshme për ekonominë brenda e jashtë vendit, e në veçanti për sistemin bankar dhe si rrjedhojë edhe ka punuar për disa vite në bankë.

Për dy vite ka qënë përfaqësues i Kosovës në peshëngritje dhe njëkohësisht trajner e përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës për gjeneratat e reja.

Nga viti 2015 punon në tregun e sigurimeve dhe nga viti 2018 është i licensuar si Broker i Sigurimeve nga Banka Qendrore e Kosovës. Orgesi është aktivist dhe anëtar i Grupit Punues në Qendrën e Deçanit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Orges Tafilaj kandidon si pjesë e listës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të vënë dijen e përvojën e tij profesionale në shërbim të vendit e për të mbështetur ndryshime substanciale në vend.

Kontribo

26 01 2021

Driton Hyseni

Driton Hyseni u lind më 29 shtator 1977 në Besianë. Studimet universitare i kreu në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike e Kompjuterike – Dega Kompjuterikë, në Universitetin e Prishtinës. Ato pasuniveristare në program MBA-Biznes Ndërkombëtar në Universitetin Donau në Krems të Austrisë. Ai është gjithashtu i diplomuar në fushën e Aviacionit Civil nga Organizata Ndërkombëtare e Transportuesve Ajror me seli në Montreal të Kanadasë.

Në maj të vitit 1998 iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa nga nëntori 1998 ishte i angazhuar në Zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së, Adem Demaçit. Nga prilli i vitit 1999, rrethanat diktuan që ai të kthehet sërish në brigadat luftarake në Zonën e Llapit. Pas përfundimit luftës, për një vit, deri në qershor 2000 ishte Oficer i Sektorit Operativ në kuadër të Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Në maj 2002 u punësua në Zyrën Rregullative të Aviacionit Civil si zyrtar administrate, funksion që e ushtron deri në janar të vitit 2005, kohë kjo kur përzgjedhet Menaxher për koordinimin e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, tani aeroporti “Adem Jashari”. Nga viti 2011 e deri më tani përveç planifikimit të fluturimeve, është i angazhuar edhe në pjesën e Marketingut të Aviacionit Civil. Në maj të vitit 2018 ka zyrtarizuar anëtarësimin në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Bazuar në përgatitjen dhe përvojen profesionale, synon të angazhohet në fushën e aviacionit civil, fushën e ekonomisë, gjithashtu edhe në fushën e telekomunikacionit.

Kontribo

26 01 2021

Abdyl Gashi

Abdyl Gashi u lind në Prishtinë më 4 tetor 1989. Ai jeton në fshatin Brus, ku ka përfunduar edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme teknike, drejtimi i artitektures, e ka kryer në Gjilan, dhe ka vazhduar pastaj studimet universitare në Fakultetin Ekonomik, drejtimi Menaxhment dhe Informatikë në AAB Rinvest.

Që nga viti 2008 ka qenë aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në vitin 2014 është zgjedhur Kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Artanë, ndërsa në vitin 2017 është zgjedhur anëtar i Asamblesë Komunale të Artanës.

Duke qenë që komuna e Artanës është e atakuar më së shumti nga decentralizimi, e që rrjedhimisht ka hapur edhe shumë probleme tjera, përfaqësimi i tij në Kuvendin e Kosovës do të ishte në shërbim të kauzës së Lëvizjes, karshi problemeve që ka prodhuar ky proces.

Kontribo

26 01 2021

Nita Bakalli Istrefi

Nita Bakalli Istrefi u lind më 14 tetor 1985 në Prishtinë, ku e kreu shkollën fillore dhe gjimnazin, ku dhe jeton dhe punon.

Ajo ka diplomuar në Administrim Biznesi në Universitetin e Evropës Juglindore, dhe ka magjistruar në Studime të Diplomacisë, me temën: “Lobimi në demokracitë moderne: Si ti zbatojmë praktikat më të mira të përshtatshme për rastin e Kosovës”.

Bakalli-Istrefi ka punuar si konsulente për organizata regjionale dhe ndërkombëtare duke ofruar shërbime profesionale, shkencore dhe teknike në fushën e fuqizimimit politik dhe ekonomik të grave, përfshirë këtu edhe përpilimin e raporteve narrative, hartimin e planeve strategjike dhe të veprimit si dhe konsulenca të tjera për bizneset. Ajo ka qenë bashkëpunëtore shkencore në Programin për Lidership të Hope Fellowships, në Washington DC. Ajo gjithashtu është angazhuar në aktivitete lobuese për pozitën dhe të drejtat e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, përmes Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Ajo do të angazhohet konform qëllimit të përbashkët për t’u bërë pjesë e ndryshimit, e në veçanti për emancipimin e shoqërisë përmes modernizimint dhe qytetarizmit evropian. Ajo është e motivuar të punojë për Kosovën dhe ta bëjë atë një vend prosperues, ku vajza e saj dhe fëmijët e tjerë do të mund të jetojnë dinjitetshëm, të sigurtë dhe pa brenga për ardhmërinë e tyre. Nita është përfaqësuese e Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

Si deputete e zgjedhur, ajo synon të kontribuojë në fushën e barazisë gjinore, zhvillimit ekonomik dhe politikës së jashtme.

Kontribo

26 01 2021

Jeton Lajqi

Jeton Lajqi u lind më 24 maj 1979 në Pejë, ku edhe ka përfunduar shkollimin fillor dhe atë të mesëm. Jetoni pas shkollimit të mesëm ka emigruar në Zvicër, aty ku edhe i përfundoi studimet në drejtimin Menaxhment i Turizmit në Institutin ITV në Bernë. Jetoni gjithashtu ka përfunduar studimet në drejtimin Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, në Universitetin e Tiranës.

Në fushën profesionale të turizmit, Jetoni ka avancuar duke punuar në hartimin e projekteve specifike rreth zhvillimit të turizmit si dhe në implementimin e tyre.

Aftësimin e tij profesional në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Diplomaci e ka arritur duke bashkëpunuar me organizata të ndryshme, veprimtaria e të cilave është e orientuar tek marrëdhëniet politike, marrëdhëniet ekonomike-tregtare dhe kulturore në mes të vendeve të rajonit.

Këtë aftësim, Jetoni synon ta shfrytëzoje për zhvillim të mëtutjeshëm politik, diplomatik dhe ekonomik në marrëdhëniet me vendet e rajonit si dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

Jetoni, si pjesë e listës për kandidatë për deputet nga radhët e Lëvizjës VETËVENDOSJE!, beson se do të jetë zë i fuqishëm në politikën e jashtme si dhe në proceset integruese në Bashkimin Evropian.

Kontribo

26 01 2021

Uran Halimi

Uran Halimi është i lindur më 6 qershor 1987 ne fshatin Blaç, komuna e Sharrit. Shkollën fillore e ka kryer ne Blaç, të mesmën në Sharr. Studimet i ka kryer në Universitetin e Prishtinës, dega ne Prizren, në drejtimim Gjuhë angleze dhe Letërsi. Ai është në përfundim të studimeve post-diplomike në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin Filologjik, drejtimi Metodika e mësimdhënies së gjuhës angleze.

Ai ka punuar si mësimdhënës i gjuhës angleze në ShMU “Anif Muji ” në Struzhë, pastaj edhe në SHML “Ruzhdi Berisha” në Sharr. Në vitin 2017 është angazhuar në politikë, ku në zgjedhjet e po këtij viti ka qenë kandidat për Asamble Komunale, duke dalë si njëri nga më të votuarit në këtë komunë.

Qellimi i tij është që t’i shërbejë Kosovës, e veçanërisht të përfaqesojë në menyrë të dinjitetshme komunën nga e cila vjen.

Është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Kontribo

26 01 2021

Nazlie Bala

Nazlie Bala u lind më 17 maj 1967 në Prishtinë. Ajo ka mbaruar Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës, dhe më pas studimet pasuniversitare në Akademinë Diplomatike të Vjenës në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë.

Që nga viti 1989 ajo është aktiviste e të drejtave të njeriut, në veçanti të çështjeve gjinore, fillimisht si bashkëthemeluese e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Ajo ishte bashkëpunëtore e shumë organizatave brenda dhe jashtë Kosovës, si UNDP, DFID, UNWOMEN, Rrjeti i Grave të Kosovës, Koalicioni i Strehimoreve etj. Ajo është e specializuar në fushën e sigurisë nga perspektiva gjinore në Izrael, Norvegji, Tiranë dhe Gjenevë. Ajo është bashkëpjesëmarrëse dhe nismëtare në hartimin politikave gjinore, kuotes gjinore në zgjedhje, ligjeve dhe strategjive në nivel vendi me fokus te veçantë gratë dhe dhunën në familje, trafikimin me qenie njerëzore, buxhetimin gjinor, njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë etj.

Për një mandat ka qenë anëtare e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Komision Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës. Aktualisht është Drejtuese e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Kontribo

26 01 2021

Ilir Aliu Kapiti

Ilir Aliu Kapiti ka lindur më 6 nëntor 1969 në Medvegjë. Studimet themelore universitare, Tregtia e Jashtme, i kreu në Universitetin e Zagrebit, Fakulteti Ekonomik, Kroaci.  Studimet pasuniversitare i përfundoi në Londër, Britani e Madhe, ku mori dy grada shkencore, MA në Biznesin Ndërkombëtar nga London Metropolitan University dhe MBA me specializim në Financa dhe Menaxhim të Investimeve nga London School of Business and Finance. Gjithashtu, ai ka arritur njohuri dhe aftësi profesionale në tregjet dhe analizat financiare.

Ilir Aliu Kapiti ka qenë zëvendës Ministër i Financave dhe Transfereve në Qeverinë Kurti, është një nga ideatorët e Pakos së Rimëkembjes të disejnuar gjatë kohës sa ishte në detyrë. Gjithashtu negocoi kredi të ndryshme me institucionet financiare ndërkombëtare, duke propozuar dhe shqyrtuar mundësinë e lehtësimeve bankare për rrethanat e krijuara pas pandemisë.

Gjatë dy dekadave të fundit, Iliri ka punuar në sektorë të ndryshëm ekonomik. Përvoja e tij në industri të ndryshme i ka mundësuar atij të ketë njohuri teorike dhe praktike në lidhje me institucionet dhe tregjet financiare, si dhe njohuri për ligjet në fuqi dhe rrezikun e tregut.

Ai ishte kryeshef ekzekutiv i Bankës Ekonomike, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në BPB Bank, ligjërues në AUK, si dhe eksperti i privatizimit në projektet e Bashkimit Evropian.

Kontributi i tij në politikat zhvillimore, financat publike dhe rimëkembjen ekonomike do të jenë prioritet.

Është i martuar, baba i dy fëmijëve dhe jeton në Prishtinë.

Kontribo

26 01 2021

Jehona Ferizi Miftari

Jehona Ferizi Miftari u lind më 27 tetor 1984. Jehona bartë titullin Doktor Shkence në fushën e Edukimit dhe Mësimdhënies dhe është profesoreshë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës. Ajo është autore e një numri të konsiderueshëm të artikujve, librave, punimeve shkencore e profesionale në vend dhe jashtë tij, pjesëmarrëse në punëtori, seminare dhe konferenca me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar.

Jehona është çertifikuar për mësimdhënie akademike, në fushën e hulumtimeve arsimore, vlerësim në arsim, zhvillim të kurrikulave nga Universiteti i Erlangenit, në Nuremberg të Gjermanisë, Universiteti Iowa të ShBA-së, Universitetit Roma Tre, Itali, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Jyvaskyla, Finlandë, Universiteti Bedfordshire në Angli, Universiteti i Bolonjes në Itali dhe Universiteti i Lubjanës, Slloveni.

Ajo është angazhuar në mënyrë aktive në realizimin e projekteve shkencore në funksion të përmirësimit të cilësisë së procesit të edukimit dhe arsimimit të fëmijëve tanë.

Jehona Ferizi Miftari është e martuar dhe është nënë e tre fëmijëve.

Kontribo

26 01 2021

Besnik Zeqiraj

Besnik Zeqiraj ka lindur në Pejë më 13 maj 1985. Shkollën fillore e ka përfunduar në Pejë, ku e përfundoi edhe shkollën e mesme, Gjimnazin “Bedri Pejani”.

Studimet themelore dhe ato të nivelit Master për Ekonomi i ka përfunduar pranë Universitetit të Prishtinës. Krahas studimeve ka ndjekur shumë trajnime nga fushat që ndërlidhen me teknologji dhe kontabilitet.

Prej vitit 2006 ishte pjesëmarrës në aktivitetet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Nga viti 2009 e deri më sot ka mbajtur disa përgjegjësi në organizatë, si: Sekretar i Aktiviteteve, Anëtar i Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Pejë, Administrator i Zyrës, Sekretar Organizativ i Qendrës në Pejë, Delegat në Këshillin e Përgjithshëm etj.

Ai do të punojë për ndërtimin e shtetit social, të së drejtës dhe shtetin zhvillimor. Ai do të kontribuojë në zbatim të Alternativës Qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Është i martuar dhe po pret një fëmijë.

Kontribo

26 01 2021

Shpejtim Arifi

Shpejtim Arifi u lind në tetor te vitit 1990 ne Biti të Poshtme në Shtërpcë. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm për Mjekësi i kreu në Ferizaj. Studioi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Juridik, ku mori edhe titullin Master i shkencave Juridiko-Financiare

Ishte kandidat për deputet nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Ndërsa në vitin 2018 u zgjodh kryetar i Qendrës së Lëvizjes. Ka 10 vite që është i angazhuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Ai synon të punojë për një shtet ligjor dhe të së drejtës, për një ekonomi që ofron barazi për të gjithë, si dhe për zhvillimin e mirëqenies.

Shpejtimi është kandidat për deputet në listën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kontribo

26 01 2021

Leonora Svarça

Leonora Svarça u lind në Prishtinë më 1979. Ajo ka studiuar në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës, ku është diplomuar në vitin 2006. Nga viti 2009 e deri më 2016 ishte e angazhuar si asistente për lëndë të ndryshme në Fakultetin e Mjekësisë në po këtë universitet. Në vitin 2015, ajo përfundoi specializimin në Alergologji me Imunologji Klinike. Eshtë PhD kandidate në Mjekësi Klinike, Universiteti i Shkupit “Kiril dhe Metodi”, Fakulteti i Mjekësisë.

Në vitin 2016 ajo përfundoi po ashtu studimet e nivelit Master në Menaxhment Shëndetësor. Ajo është një pjesëmarrëse aktive në hulumtime në fushën e Alergologjisë dhe Imunologjisë.

Në shtatorin e vitit 2016, ajo u punësua Specialiste e Alergologjisë dhe Imunologjisë pranë Klinikës së Alergologjise dhe Imunologjisë ne SHSKUK-Prishtinë. Leonora është përfaqësuese e Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

Kontribo

26 01 2021

Alban Bajrami

Alban Bajrami është i lindur më 9 qershor 1993, jeton dhe vepron në Ferizaj.

Ai ka studiuar Shkenca Politike, në Universitetin “Hasan Prishtina” në nivelin Bachelor dhe vazhdon studimet e nivelit Master për Integrimet Evropiane.

Ka punuar si drejtor në një kompani private, për menaxhimin e resurseve humane për dy vitet e fundit. Ai është  i angazhuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! që nga mosha 20 vjeçare, fillimisht si aktivist në Pikë, pastaj si kryetar Pike, anëtar Kryesie dhe ushtrues detyre i Sekretarit Organizativ, Qendra në Ferizaj. Angazhimi i tij politik nga fillimi ka qenë i nxitur nga mungesa e barazisë shoqërore e gjinore, gjithashtu nga gjendja e rëndë e papunësisë dhe mungesa e meritokracisë.

Mungesa e një sistemi të pakorruptuar të drejtësisë e nxitë atë që të angazhohet që sa më parë Kosova të fillojë procesin e vettingut. Albani është kandidat për deputet nga lista e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kontribo

26 01 2021

Xhafer Berisha

Xhafer Berisha është i lindur më 12 nëntor 1969, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës. Ai ishte anëtar i Lëvizjes Popullore te Kosoves dhe pastaj veproi në Itali pas emigrimit të detyruar në vitin 1995.

Atje ka kontribuar në formimin e shoqatave të emigrantëve në disa qytete të Italisë dhe pas kësaj ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Komunitetit të Shqiptareve në Itali.

Gjatë kësaj kohe ky komunitet ka organizuar tubime dhe protesta me qëllim alarmimin e opinionit në Itali për atë se çfarë po ndodhte në Kosovë.

Gjatë luftës, ai u aktivizua edhe në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga viti 2005 ka qenë Këshilltar për Migracion në Provincën e Firences në Itali, kurse tani është rikthyer në vendlindje për të zhvilluar aktivitetin politik. Aktualisht është Kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Klinë. Është i martuar dhe baba i dy vajzave.

Kontribo

26 01 2021

Rreze Duli

Rreze Duli u lind më 3 dhjetor 1965 në Shkup. Me profesion është inxhiniere e diplomuar e makinerisë, ndërsa është e trajnuar në Universitetin e Harvardit në Programin e Lidershipit për OJQ. 

Rrezja vjen nga një familje veprimtarësh kombëtar e rritur në frymën e angazhimit për rezistencë dhe sakrificë për liri. Ajo që në moshën shumë të re mori pjesë në demonstratat e organizuara kundër regjimit serb. Në vitin 1994 u angazhua me programet emergjente të bamirësisë, shëndetësisë e avokimit me “Mercy Corps International”, përvojë të cilën e përfundoi pas angazhimit të saj të pakursyer në kampin Senakos në Maqedoni të Veriut në fund të vitit 1999. Ajo ka marrë pjesë në shumë trajnime, ndër to edhe në Akademinë “Nansen Fridjof”, në Lillehammer të Norvegjisë, me temë “Demokracia, të Drejtat e Njeriut dhe Zgjidhja e Konfliktit Paqësor”.

Gjatë angazhimit të saj me UNICEF ajo dha kontrubut të madh si në procesin e rindërtimit të sistemit arsimor në Kosovë ashtu edhe në përfshirjen sociale të komuniteteve të margjinalizuara. Rrezja u shqua për aktivizmin e saj social përmes organizatave jo-qeveritare vendore e ndërkombëtare, për punën hulumtuese, angazhimin në përkrahje të komunave të anashkaluara si Sharri dhe në zhvillimin ekonomik përmes Agjensionit për Zhvillim Regjional Veri, të bazuar në Mitrovicë.

Rrezja gjithashtu ka qenë e angazhuar si udhëheqëse, konsulente apo trajnere në programe të ndryshme në institucione vendore dhe ndërkombëtare si: ARTC, ICK, USAID, GIZ, European Stability initiative, IKS, etj. Rrezja është nënë e një vajze.

Kontribo

26 01 2021

Adnan Ademi

Adnan Ademi është i lindur më 20 tetor të vitit 1984 në Petrovë, komuna e Shtimes. 

Ka përfunduar shkollën fillore në Petrovë, ndërsa shkollën e mesme në Shtime. Studimet universitare i ka vazhduar në Menaxhment, në Kolegjin FAMA, ndërsa studimet pasuniversitare në Menaxhment, në Universitetin e Evropës Juglindore. 

Ka 8 vite përvojë pune në pozita menaxheriale, si mësimdhënës në gjimnaz dhe koordinator i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shtime.  Ndërsa, nga viti 2016 është konsulent i tre firmave në Zvicër dhe Belgjikë. Momentalisht, mban pozitën e Kryetarit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shtime.

Ai synon të mbështes nisma që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, sidomos në sektorin privat, por do të përkushtohet edhe në implementimin e politikave në ngritjen e cilësisë në punët infrastrukturore. 

Është i martuar dhe baba i dy fëmijve.

Kontribo

26 01 2021

Agime Gashaj

Agime Gashaj është nga Istogu. Ajo u lind në Rijekë, Kroaci, më 16 shkurt 1988, ndërkaq më vonë familja e saj u kthye në Kosovë.

Agimja ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filologjik, në drejtimin e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze. Studimet e nivelit Master i ka kryer në fushën e studimeve të sigurisë në Universitetin Shtetëror të Kansasit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes bursës Fulbright. Agimja është pjesë e komunitetit global Fulbright i cili synon të sjellë ndryshime pozitive në vend dhe në bote.

Qysh në moshën e hershme Agimja ka filluar me aktivitetet për rini, gra, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e ambientit. Agimja është mësimdhënëse e gjuhës angleze si dhe trajnere e mësimdhënësve të Kosovës. Ajo poashtu punon si përkthyese. Ka punuar në programet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare me qëllim të fuqizimit të institucioneve të Kosovës, si në Ministrinë e Mbrojtjes në programin e Këshilltarëve të Ministrisë së Mbrojtjes (Program nga Ambasada Amerikane). 

Si grua e re, mësimdhënëse dhe studiuese e sigurisë, dhe si kandidate për deputete e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Agimja do ta ketë fokusin në edukimin dhe investimet për rininë në qytetet dhe në zonat rurale në Kosovë. Ajo do të punojë për përmirësimin e cilësisë së edukimit në Kosovë, me theks të veçantë në metodologjinë dhe shkathtësitë e nevojshme bashkëkohore, fuqizimin e vajzave të reja dhe grave, sidomos atyre të zonave rurale. Si dhe do të angazhohet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Agimja flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe kroate. 

Kontribo

26 01 2021

Liri Loshi

Liri Loshi u lind më 20.08.1960 në Skënderaj. Aktualisht jeton në qytetin e Halifax të Kanadasë.

Loshi ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës – 1989. Ai ka punuar si mjek në Skënderaj dhe Runik deri në vitin 1998. Në mars 1998 i është bashkuar UÇK-së, ku ka shërbyer në cilësinë e mjekut, si dhe komandantit për moral në Brigadën 112, si dhe ka punuar si reporter lufte për TVSh.

Ka punuar si hetues kërkimor shkencor në Dalhouse University e pastaj si mjek asistent në Klinikën e Nefrologjisë dhe së fundi në Kirurgjinë Patologjike. Momentalisht udhëheq kompaninë e tij private në Halifax.

Gjatë kohës së studimeve ka punuar si gazetar e më vonë si redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, ndërkohë ka shkruar poezi për fëmijë dhe të rritur. Ka tre tituj të botuar me poezi për fëmijë: “Të kisha mustaqe” – 1983, “A flet zemra” – 1984 dhe “Udhët e Tokës” 1988. Në maj të vitit 1999 ka arritur ta kalojë në Tiranë filmin e bërë pēr masakrën e Izbicës, dhe nga aty e ka dërguar një kopje në Shtëpinë e Bardhë, një në zyret e NATO-s, dhe disa kopje mediave tē huaja, duke ndikuar kështu në rrjedhat e përfundimit të luftës.

Si deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, do të angazhohet për vendosjen e rendit dhe ligjit si parakusht për lidhjen reciproke të mërgatës sonë me Kosovën përmes investimeve. Ai synon të vë në funksion lidhjet e tij me rrjetin e bizneseve shqiptare në Kanada, por edhe në Evropë, për t’i siguruar Kosovës investimet e tyre.

Kontribo

26 01 2021

Blerim Gashani

Blerim Gashani u lind më 25 dhjetor 1974 në fshatin Tërstenik, komuna e Drenasit. Shkollimin fillor e kreu në fshatin e tij, ndërsa atë të mesëm në Drenas. Fillimisht, ka studiuar për Gjuhë dhe Letërsi Angleze në Universitetin e Prishtinës, pastaj Studimet Themelore për Komunikim Masiv dhe Gazetari i kreu në Universitetin AAB, ku është duke vijuar studimet Master.

Midis datës 9 dhjetor 1994 dhe 27 shkurt 2000, ka punuar si mësimdhënës në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, Tërstenik. Pastaj nga 28.02.2000 deri më 16.12.2008, ka punuar në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe pastaj, ndërmjet 23.12.2008 dhe 31.07.2014, ka punuar për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Nga data 1 gusht 2014 e deri më sot, punon për NI-CO, një organizatë qeveritare e Mbretërisë së Bashkuar, që ka shumë projekte në Republikën e Kosovës, sidomos të lidhura me siguri dhe drejtësi. Ka botuar recensione për libra të ndryshme të publikuara. Ai ka përvojë të bujshme si redaktor, korrektor dhe lektor i gjuhës standarde shqipe në botime të ndryshme akademike e publicistike.

Deri më tani, përveç qindra artikujve gazetareskë të botuar në median e shkruar dhe elektronike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ai ka botuar edhe dy libra: “Vjeshtë e ngrime” – në bashkautorësi, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, më 2017, dhe “Kronikë e rrënimit të Kosovës”, botuar nga Shtëpia Botuese “Magjia e Librit”, më 2020. Blerimi është përfaqësues i Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

Është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Kontribo