26 01 2021

Edmond Pruthi

Edmond Pruthi është i lindur në Mitrovicë me 22 mars 1974. Ai ka përvojë në fushën e teknologjisë informative. Ka qenë pjesë i shumë Start-Up projekteve internetike që nga viti 1999. Që nga viti 2004 është i angazhuar ne fushën e televizionit përmes internetit (IPTV/OTT), si dhe në sferën e radio, televizionit, dhe krijimin e platformave të prezencës gazetareske online.

Ai ishte i angazhuar si prijës i njësisë së “Helpdesk” të Departamentit të IT-së në International Resscue Committee HQ dhe Harlem Childrens Zone HQ në New York. Ka qenë prijës në shumë projekte në lidhje me komunitetin shqiptar në ShBA, Kanada dhe më gjërë në mërgatë. Në 15 vitet e fundit është ndërmarrës i suksesshëm duke qenë nismëtar e bashkënismetar i disa kompanive të njohura shqiptare në mërgatë.

Ai është angazhuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! përmes aktiviteteve të ndryshme, siç ishte aksioni pranë ndërtesës së OKB në New York, ShBA në muajin shtator 2006. Në vitin 2014 është anëtarësuar si aktivist në Lëvizjen VETËVENDOSJE! – Qendra Prishtinë dhe nga viti 2015 është transferuar si anëtar i Qendrës në Mitrovicë. Është bashkënismëtar i themelimit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në ShBA që nga vjeshta e vitit 2018, kurse që nga pranvera e vitit 2020 është duke e konsoliduar nismën e Qendrës në Kanada. Momentalisht është prijës i Grupit Punues së Qendrës në ShBA.

Ai jeton në New York, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Kontribo

26 01 2021

Bernarda Radoncic

Bernarda Radoncic u lind më 31 mars 1994 në Kopenhagë, Danimarkë, ku ajo ende jeton. Studimet e nivelit Master i përfundoi në Univesitetin Elitar Teknik të Danimarkës (DTU) në vitin 2019-2020 në drejtimin inxhinieri biomjekësore. Një pjesë të studimeve i ka të kryera në Japoni. Ajo punoi në Sarkari Hospital në Nepal, ku punonte me pajisje mjekësore dhe trajnimin e punëtorëve profesional.

Bernarda punon si konsulente për menaxhim të dhënave në Spitalin Mbretëror të  Danimarkës. Më parë, ajo ka punuar në Organizatën Botërore Shëndetësore, si dhe ka përvojë punë në Start-Up, specialiste e teknologjisë informative, si dhe punuar në ofrimin e asistencës në përdorimin e sistemeve radiografike. Bernarda është angazhuar gjatë studimeve edhe si vullnetare në organizatën ‘Engineering World Health DTU’, ku ajo ende është nënkryetare. Bernarda synon ta zgjerojë këtë organizatë edhe në Kosovë.

Ajo është bashkëthemeluese e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Danimarkë që nga vitit 2020, dhe është anëtare e Lëvizjes që nga vitit 2014. Si përfaqësuese e qytetarëve, ajo do të përqendrojë punën e saj në fushën e shëndetësisë, arsimit, barazisë dhe mërgatë.

Kontribo

26 01 2021

Milazim Salijaj

Milazim Salijaj është i lindur më 12 gusht 1963 në fshatin Duraj, Komuna e Kaçanikut, Ai mbaroi shkollën e mesme të gjeodezisë në Gjakovë. Studioi në Universitetin e Prishtinës – FNA – drejtimi Hidroteknikë si dhe mbaroi studimet në Kolegjin ESLG në drejtimin Menagjimi i Patundshmërive me Infrastrukturë.

Punoi si gjeodet në Kuvendin Komunal në Kaçanik, në sektorin e Kadastrit deri në vitin 2004, pastaj punoi në N.SH “ Gjeoprojekt “ si pjesë e sektorit privat të Kadastrit si gjeodet i licencuar; ekspert Gjyqesor në lëmin e kadastrit dhe të gjeodezisë, tani menaxhon N.SH ” GjeoProjekt” me seli në Kaçanik.

Është kryetar i Shoqates së Gjeodeteve për regjionin e Ferizajit si dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës së Gjeodeteve të Kosovës.

Ai me punën e tij do të përqendrohet në rregullimin e çështjeve kadastrale dhe pronësore, planifikimin urban dhe hapësinor, si dhe në ruajtjen e ambientit.

Salijaj është i martuar dhe baba i tre fëmijëve

Kontribo

26 01 2021

Lumnije Mikullovci

Lumnije Mikullovci e lindur më 19 qershor 1952, në Prishtinë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në vendin e saj të lindjes. Studimet bazë në Akademinë e Filmit e ka përfunduar në Francë, Paris gjatë viteve 1971-1974.

Me përfundimin e studimeve kthehet në Prishtinë për të vazhduar angazhimin e saj në profesionin e regjisores, në Radio Televizionin e Prishtinës. Njehkohësisht në atë periudhë ka qenë pjesë e projekteve të xhirimeve të filmave të metrazhit të gjatë në “Kosova Film”, si bursiste e shtëpisë së vetme filmike.

Gjatë vitit 1999 njihet ndër punëtoret e para të “Radio Televizionit të Kosovës”, në funksionin e regjisores në projekte të ndryshme deri në pensionimin e saj. Ka qenë pjesë e shumë serialeve dhe filmave të njohur shqiptarë, së bashku me aktorin, veprimtarin e mirënjohur, bashkëshortin e saj, Adem Mikullovci, siç janë filmat: “Oda e Junikut”, “Një pallto për babën tim në burg”, “Burgu i mërgimit”, “Qëndresa”, “Kur kthehet Remziu”, serialet dhe komeditë e njohura si “Mahalla jonë”, “Burri me tri gra”, “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët”, dhe shumë projekte të tjera.

Lumnija kandidon për herë të parë si kandidate për deputete nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Ajo është e përkushtuar që të ngrisë çështjet dhe problemet më të cilat ballafaqohet arti dhe kultura në vendin tonë.

Kontribo

26 01 2021

Hysni Mehani

Hysni Mehani u lind në Krasaliq të Komunës së Skënderajt ku edhe përfundoi shkollën fillore për të vazhduar shkollën e mesme në gjimnazin “Hamëz Jashari” në Skënderaj. Hysniu studimet i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Fakultetin Filozofik, Departamentin e Filozofisë, ku në nivelin Master diplomoi me temën: “Problemi i intersubjektivitetit në mendimin filozofik të J. Habermas dhe M. Foucalt”, ku edhe u vlerësua me notën maksimale.

Ende pa diplomuar, Hysniu u angazhua në Lëvizje VETËVENDOSJE! dhe aktualisht është kryetar i qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Skënderaj, por edhe asambleist i Kuvendit Komunal në Skënderaj, i cili në dy vitet e fundit është shpallur si asambleisti më aktiv.

Duke qenë se vjen nga një komunë ku arsimi është degraduar nga punësimet klienteliste, ndërsa të bërit biznes është ngulfatur nga monopolet; Hysniu, gjatë angazhimit të tij si deputet zotohet se do të angazhohet në përmirësimin e nivelit të arsimit dhe luftës kundër monopoleve abuzive.

Ai është i mendimit që Kuvendit të Kosovës i duhet një deputet nga Skënderaj nën ombrellën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, që synon t’ia kthejë dinjitetin e përfaqësimit qytetarit të Skënderajt e më gjërë.

Kontribo

26 01 2021

Halil Thaçi

Halil Thaçi u lind mё 9 shtator 1981 në Prishtinë. Shkollën e mesme e kreu në Prishtinë. Në Universitetin e Prishtinës ai mbaroi Fakultetin Ekonomik në programin Banka, Financa dhe Kontabilitet.

Halil Thaçi menaxhon suksesshëm biznesin e tij familjar që nga viti 2000. Është aktivist aktiv në përfaqësimin e problemeve dhe sfidave të qytetarëve gjithandej Kosovës. Aktualisht është kryetar i Qendës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kastriot.

Halili është kandidat për deputet nga lista e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Ai ka vendosmëri e vullnet për përfaqësimin e qytetarit dhe do të punojë për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Kontribo

26 01 2021

Gresa Bytyqi

Gresa Bytyqi u lind në Prishtinë më 1 korrik 1990 dhe jeton në Lipjan. Ka magjistruar në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut në Riga Graduate School of Law në Letoni dhe është në përfundim e sipër të studimeve të nivelit master, duke punuar kështu në masterin e saj të dytë në të drejtën penale pranë Universitetit të Prishtinës.

Paraprakisht ka përfunduar paralelisht Fakultetin Juridik si dhe Gjuhën dhe Letërsinë Angleze në Universitetin e Prishtinës.

Gresa është avokate që deri së fundmi ka punuar në lëminë penale dhe civile. Më parë ka punuar si juriste në projektet që ndërlidhen me sundimin e ligjit në Kosovë. Nga viti 2012 ka punuar në programin e USAID-it për transforminin e sistemit gjyqërsor (EROL), në organizatën amerikane për ndërtim të paqes PILPG, në organizatën joqeveritare CLARD dhe si profesoreshë e gjuhës angleze.
E revoltuar nga situata në të cilën ndodhemi si shoqëri, Gresa shpreh vullnetin e pakusht për të dhënë kontributin profesional në funksionalizimin e shtetit dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Gresa është përfaqësuese e Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

Kontribo

26 01 2021

Gegë Lleshi

Gegë Lleshi u lind më 1 gusht 1968 në Vraniq, Gjakovë. Studimet universitare i përfundoi në vitin 1996 në Fakultetin e Kulturës Fizike në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2002 diplomoi në Akademinë e Mbrojtjes “Hamëz Jashari” në Prishtinë  si Inspektor i rendit. Ndërkaq, në vitin 2005 diplomoi në kursin 6 mujor post-universitar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Tiranë.

Gjatë viteve 1990-1992 ishte kryetar i unionit në Fakultetin e Kulturës Fizike. Ndërkaq, gjatë viteve 1990-1996 ishte organizator dhe pjesëmarrës i protestave studentore. Përgjatë viteve 1992-1998 ishte aktivist vullnetar dhe kontribues për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave në rrethin e Gjakovës. Lleshi ishte poashtu i dënuar politik në vitin 1985. Gjatë viteve 1999-2001 ka qenë Shef i Zyrës së Administratës Zona e II-të e TMK-së në Prizren.

Ndërkaq përgjatë viteve 2002-2005 ishte Shef i Inspektorave të rendit në Zonën e III-të TMK Pejë, e nga 2005-2008 ishte Koordinator i Zyrës së Sigurisë në zyrën e Kryeministrit; 2008-2009 ishte shef i sigurimit dhe inspektorave në ART; 2009-2013 ishte shef i trajnimeve në FSK; 2013-2019 ishte menaxher i trajnimeve në Postën e Kosovës. Kurse nga 2019 punon në Drejtorinë e Marketingut në AKP. Lleshi do të punojë për forcimin e sigurisë në nivel shtetëror dhe në rritjen e funksionalitetit të institucioneve të Kosovës.

Kontribo

26 01 2021

Vendenis Lahu

Vendenis Lahu është lindur në nëntor të vitit 1992 në Gllamnik të Besianës.

Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në vendlindje. U regjistrua ne Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës nga ku në vitin 2018 diplomoi dhe mori titullin Doktor i Mjekësisë.

Pas diplomimit shërbeu për një kohë në Klinikën e Neurologjisë në njësinë anti-COVID, për të vazhduar për disa muaj si mjek në Klinikën Emergjente. Aktualisht është duke vijuar shkollimin specialistik nga lemia e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Është anëtar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga viti 2010. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 fitoi mandatin e asambleistit në Asamblenë Komunale të Besianës. Ishte shef i Grupit të Asamblesë, anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe pastaj anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Fuqizimi i zërit të rinisë në skenën politike të vendit dhe avancimi e përmirësimit të sistemit shëndetësor në vend janë fokusi i aktivizmit të tij politik.

Kontribo

26 01 2021

Mentor Arifaj

Mentor Arifaj u lind në Istog. Ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në drejtimin e Kompjuterikës dhe Telekomunikacion, të cilat i përfundoi si student i dalluar në vitin 2002. Titullin ‘Magjistër i Shkencave’ e mori në vitin 2008 në të njëjtin fakultet, ku gjatë hulumtimeve bëri edhe dy publikime ndërkombëtare në gjuhën angleze. Karrierën profesionale e filloi si asistent mësimor pranë Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Universiteti i Prishtinës, si dhe punoi në projekte të ndryshme me kompani vendore dhe ndërkombëtare. Nga fundi i vitit 2009 karrierën në lëminë e teknologjisë informative e vazhdoi në kompani të ndryshme kanadeze dhe amerikane. Në 5 vitet e fundit ka mbajtur pozitë menaxheriale në korporatën financiare amerikane me renome botërore Citibank në Toronto.

Në vitin 2020 është kthyer në Kosovë ku ka qenë kryesues i Bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës dhe momentalisht punon në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan. Si kandidat për deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës angazhimin politik e parasheh në dy sfera: Në sferën e zhvillimit të brendshëm ekonomik të vendit dhe në sferën ndërkombëtare përmes integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike. Përveç gjuhës shqipe, zotëron rrjedhshëm edhe gjuhën angleze, gjithashtu flet edhe gjuhet franceze dhe serbo-kroate.

Është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Kontribo

26 01 2021

Ekrem Mustafa

Ekrem Mustafa u lind më 25 gusht 1979 në Komogllavë-Ferizaj. Është i diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, drejtimi Komunikacion rrugor, në Universitetin e Prishtinës. Mustafa ka përvojë shumë vjeçare në politikë. Është zgjedhur dy herë asembleist në Kuvendin Komunal të Ferizajt, njëherë në vitin 2013 dhe pastaj në vitin 2017. Gjatë viteve 2015-2018 ka shërbyer si  Kryeshef Ekzekutiv N.P.L “Stacioni i Autobusëve” në Ferizaj, ndërkaq gjatë viteve 2015-2016 ishte kryetar e klubit “Kf Ferizaj”.

Ai synon të përqendrohet në modernizimin e infrastrukturës rrugore dhe sigurinë rrugorë në Kosovë, ndërkaq në fushën e arsimit synon të angazhohet me digjitalizimin e mësimnxënies. Ai po ashtu do të fokusohet në ngritjen e çështjeve në lidhje me mirëqenien e pensionistëve.

Mustafa është përfaqësues i iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

Kontribo

26 01 2021

Hatixhe Hoxha

Hatixhe Hoxha u lind më 22 gusht 1961, në Shkup. Ajo është doktorante në Fakultetin e Filologjisë në  Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ajo është ligjëruese në Fakultetin e Arteve, në UP. Gjatë viteve 2001-2004 dhe 2004-2007 ishte deputete e Kuvendit të Kosovës. Ishte bashkëkryetare e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, 2006-2007. Në 2005 përfundoi kursin pasuniversitar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Tiranë. Ajo ishte edhe asambleiste në Kuvendin Komunal të Prishtinës gjatë viteve 2013-2017.

Më parë ajo ka punuar si mësimdhënëse dhe lektore në Televizionin e Prishtinës dhe gazetare në radion: “Kosova e lirë”. Menagjere në Departamentin e Çështjeve Jorezidente, 2000-2001. Në vitin 2018 është certifikuar trajnere nga programi: “Transformational Leadership Program – Scholarships and Partnerships” në Washington DC. Është bashkëthemeluese e  Shoqatës “Autizmi” dhe anëtare e bordit në “Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar”. 

Hatixhe Hoxha është pjesë Lëvizjes VETËVENDOSJE! që nga 2010, dhe ajo është nënkryetare e Qendrës së LVV-së Prishtinë. Ajo është pjesëmarrëse në konferenca, simpoziume, seminare vendore e ndërkombëtare, për cështje të gjuhësisë, dhe politikave lokale e qëndrore, cështjeve gjinore dhe aftësisë së kufizuar. Ka botuar punime e kumtesa të ndryshme. 

Kontribo

26 01 2021

Mefail Bajqinovci

Mefail Bajqinovci u lind në korrik të vitit 1977, në Prishtinë. Ka përfunduar studimet në drejtimin “Komunikim Masiv” në Prishtinë.

Si i angazhuar në gazetarinë hulumtuese, autor dhe drejtues i emisionit “Puls” në KTV, për 18 vite ka qenë një zë i fuqishëm kritik ndaj keqqeverisjes dhe abuzimeve me pozitat zyrtare. Ka trajtuar tema mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin institucional, duke i shpërfaqur ato përmes faktesh e informacionesh ekskluzive. Ai është angazhuar që nga shtatori i vitit 2019 në Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Prishtinë.

Ai u zgjodh deputet në Legjislaturën e VI të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Bajqinovci ka qenë anëtar i Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ai do të ngrisë çështje rreth problemeve në sistemin e sigurisë, korrupsionit dhe krimit te organizuar.

Është i martuar dhe ka një fëmijë.

Kontribo

26 01 2021

Nasuf Bejta

Nasuf Bejta u lind më 03 nëntor 1960 në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë. Shkollën fillore e kreu në Smrekonicë, ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri. Studimet universitare i kreu në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. Është inxhinier i diplomuar me përvojë 32 vjeçare në arsim, dhe aktualisht punon si mësimdhënës në SH.M.T. “Lutfi Musiqi” në Vushtrri.

Është njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i kuvendit të nëndegës Smrekonicë, anëtar i kryesisë qendrore nga dega në Vushtrri në dy mandate, deri në vitin 2007 kur dha dorëheqje të parevokueshme për shkak të konfrontimeve dhe politikave që po e dëmtonin Kosovën. Ka qenë bashkëpunëtor civilo-ushtarak gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Nasufi do të përqendrohet që të shtyjë përpara çështje që do e pëmirësonin jetën e qytetarit, me fokus të posaçëm në qytetin e Vushtrrisë, në fshatin Smrekonicë, si dhe në zonën e qytetit të Mitrovicës. Ai i mbështet politikat që avancojnë çështjet në fushën e arsimit, energjisë dhe telekomit, si dhe asaj të mirëqenies sociale.

Nasuf Bejta është përfaqësues i Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

Kontribo

26 01 2021

Mirsad Shkreta

Mirsad Shkreta ka lindur më 7 shkurt 1976 në Shkup. Ai është specialist i kirurgjisë orale dhe Doktor i Shkencave Mjekēsore. Studimet universitare i i ka përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në drejtimin Stomatologji. Aktivitetin e tij profesional e ka ushtruar në institucione shëndetësore publike dhe private duke dhënë kontribut edhe në fushën e mësimdhënies akademike dhe atë të kërkimit shkencor.

Aktualisht është kirurg oral pranë Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës dhe ligjërues në Fakultetin e Stomatologjisë të UBT-së.

Angazhimi i tij politik shumëvjeçar zë fill me pjesëmarrjen gjatë studimeve në protestat studentore të viteve ’90. Pas luftës ka qenë Këshilltar Komunal për disa mandate në Komunën e Hanit të Elezit dhe në vitin 2014 i është bashkuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të vazhduar me angazhimin në aktivitete politike kryesisht në fushën e shëndetësisë. Është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm  të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe anëtar i Komitetit të Shëndetësisë.

Në Qeverinë Kurti ka shërbyer si Këshilltar i Lartë dhe Shef Kabineti i Ministrit të Shëndetësisë.

Mirsad Shkreta rikthehet në garën për deputet në Kuvendin e Republikës me synimin që, në kuadër të programit të Lëvizjes VETËVENDOSJE, të angazhohet në luftimin e pabarazisë, në përmirësimin e legjislacionit në fushën e shëndetësisë në favor të forcimit të sistemit publik shëndetësor, ofrimit të sigurimeve shëndetësore, avancimit të të drejtave të profesionistëve shëndetësor dhe rritjen e mirëqënies për të gjithë qytetarët.

Mirsadi është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Kontribo

26 01 2021

Adriana Matoshi

Adriana Matoshi u lind më 5 shkurt 1980 në Gjilan. Shkollimin fillor e të mesëm e kreu në vendlindje ndërsa studimet për aktrim në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Arteve, në klasën e prof. Faruk Begollit.

Është njëra nga aktoret më të shquara shqiptare dhe më të kërkuarat në industrinë e filmit në vend. Ajo është e vlerësuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare. Në Greqi, ka marrë çmimin “Aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin “Kthimi” të regjisores Blerta Zeqiri, poashtu edhe në Itali ajo u shpërblye me çmimin “Aktoren më e mirë” në Festivalin FilmLAB Festival. Në Brazil, Paris dhe në Valencia të Spanjës mori çmimin për aktoren më të mirë për rolin e saj në filmin “Zana”, si dhe në Berlin dhe Nju Jork u shpërblye për rolin e saj në filmin “T’padashtun”.

Ajo është zgjedhur “Personalitet i vitit”, në Komunën e Gjilanit për sukseset dhe angazhimet e saj në fushën e kulturës. Përpos roleve të luajtuara në film, ajo ka luajtur shumë shfaqje teatrale si “Mësimi”, “Kumbara”, “Dejzilend”, “Shtëpia e Berndarda Albës”, “Këmisha e gjakut”, “Tudje srce”, “Romeo and Juliet”, etj. Me rolet në filmat e shfaqjet e saja ajo është paraqitur në vende të ndryshmë të botës si Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnje, Francë, Spanjë, Gjermani, Poloni, Itali, Zvicër, Rumani, Amerikë, etj.

Matoshi është anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit. Ajo ka qenë drejtoreshë e Teatrit të Gjilanit (2007) dhe poashtu edhe kryetare e bordit drejtues të këtij teatri.

Është nënë e katër fëmijëve. Aktualisht jeton dhe vepron në Prishtinë.

Kontribo

26 01 2021

Luan Aliu

Luan Aliu është i lindur në Gjilan më 6 korrik 1983. Ai ka studiuar degën Kriminalistikë, dhe mban titullin Bachelor i Arteve në Kriminalistikë.

Ai është njëri nga themeluesit e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan. Ai është asistent administrativ në Qendrën e Gjilanit.

Në qeverinë Kurti ai ka shërbyer si këshilltar politik i Ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla. Si dhe çështjet e sigurisë janë ekspertiza e tij profesionale ku edhe do të angazhohej nëse do të zgjidhej deputet i Kuvendit të Kosovës.

Luan Aliu kandidon për herë të parë si deputet në listën e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kontribo

26 01 2021

Angjelina Krasniqi

Angjelina Krasniqi është e lindur më 13 tetor 1968, në fshatin Nepole në komunën e Pejës. Ajo ishte aktive në të gjitha proceset që nga vitit ’89/99. Angjelina ishte anëtare e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, që nga viti 1990. Ajo mori pjesë edhe në luftën e fundit në Kosovë, ku ishte anëtare e Këshillit Emergjent të Pejës, ku ndihmoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe popullatën në zonat e luftës.

Gjatë viteve 2004-2007 shërbeu si Zëvendës Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Nga viti 2007 u angazhua ne shoqëri civile ku punoi si konsulente për qeverisje lokale dhe qendrore në organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2017 ka vazhduar aktivitetin e saj politik në subjektin politik Alternativa, ku është edhe e angazhuar si Sekretare e Përgjithshme e Alternativës. Ajo është ekonomiste e diplomuar. 

Kontribo

26 01 2021

Rrustem Leti

Rrustem Leti u lind më 14 dhjetor 1977 në fshatin Osek Hilë, në Komunën e Gjakovës. Shkollën fillore e ka përfunduar në fshatin e vendlindjes, ndërkaq shkollën e mesme teknike “N.Nixha” e ka përfunduar në Gjakovë.

Në vitin 1996 është regjistruar në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, në drejtimin Letërsi dhe Gjuhë. Gjatë kësaj kohe sa ishte student, ai ishte arrestuar nga regjimi serb, dhe e kishin vendosur në burgun e Lipjanit, ndërkaq më vonë ishte transferuar në burgun e Sremska Mitrovicës. Pas lirimit nga burgu, ai ka përfunduar Fakultetin e Edukimit në Gjakovë, drejtimin e Gjuhës dhe Letërsisë. Studimet master i ka përfunduar në Kolegjin “Biznesi”, në Prishtinë, drejtimin menaxhment dhe financa. Gjatë viteve 2006-2019 ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës. Ai është themelues i tri kompanive të suksesshme në Gjakovë, si “N.T.Sh Letaj”, “Lefix Sh.P.K”, dhe “Letaj Home Sh.P.K”.
Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, me 6 tetor 2019, ishte kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në krye me Vjosa Osmani, kandidate për kryeministre.

Arsyet kryesore të kandidimit të tij për deputet janë: zhvillimi ekonomik, rikthimi i besimit dhe shpresës së të rinjëve për vendin e tyre, Republikën e Kosovës, dhe poashtu luftimi i parregullësive dhe i pabarazisë në mes të qytetarëve.

Rrustemi është përfaqësues i Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

Kontribo

26 01 2021

Ali Tafarshiku

Ali Tafarshiku u lind më 16 shtator të vitit 1982 në Gjakovë. Është profesionist i shëndetit mendor, dhe shërben që nga viti 2001 në Qendrën e Shëndetit Mendor në Gjakovë.

Ka punuar si gazetar në radio lokale në Gjakovë gjatë viteve 2000-2001, kurse në politikë është aktivizuar që nga viti 2007.

Nga viti 2013-2017, ka ushtruar funksione politike si Shef i Kabinetit, Zëdhënës për Media, si dhe Këshilltar Politik i Kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila.

Në zgjedhjet e fundit lokale është zgjedhur asambleist i Kuvendit Komunal nga subjekti Alternativa në Gjakovë dhe njëherësh është edhe sekretar i degës së këtij subjekti në Komunën e Gjakovës.

Është i angazhuar në shumë komisione komunale në Gjakovë.

Aliu është i martuar dhe ka një fëmijë.

Kontribo

26 01 2021

Arion Thaqi

Arion Thaqi u lind në vitin 1982 në Prishtinë. Studimet i përfundoi në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Më pas vijoi studimet në Romë të Italisë për të specializuar në Sapienza Universita Di Roma – në degën planifikim, menaxhim, projektim të objekteve spitalore dhe shëndetësore. Tani është kandidat PhD në Universitetin e Bosnës.

Ka 15 vite përvojë pune në pozita të larta menaxheriale në organizata dhe institucione në fushën e arkitekturës. Për tri vite radhazi ishte mësimdhënës në Fakultetin e Arkitektuës në Kolegjin AAB. Në Bankën për Biznes ishte arkitekt dhe specialist për vlerësimin e pronave. Ai është kryetar i demokristianëve të rinjë të Kosovës.

Ka realizuar një numër të madh të projekteve arkitekturale brenda dhe jashtë vendit ku edhe sot vazhdon të ushtroj profesionin e tij.

Kontribo