14 12 2009

Prapakthimi

“S’ka rëndësi sa vonohet liria. E rëndësishme është: a e merr populli rrugën e humbjes, apo rrugën e fitores!” Këto fjalë i kishte vendosur shkrimtari Daut Demaku në gojën e një personazhi shumë të mençur, në romanin e tij, Magjia e urtisë. Ndonëse dialogu që zhvillohet në roman i takon një kohe tjetër, kur fjala “liri” kishte, si të thuash, jehonë më të madhe, e tingëllonte më ndryshe, prapë se prapë, porosia e kësaj thënie bartë aktualitetin edhe në kohën tonë. Kjo, sa për shkak se populli shqiptar ende nuk e ka fituar lirinë e plotë, ashtu siç e gëzojnë së paku popujt fqinjë të tij, po aq edhe për shkak se rruga që ka marrë ai tashmë për ta plotësuar këtë liri për tërësinë e tij është mjaft e gabuar. Shikuar në terma dhjetëvjeçarësh, s’do mend se kemi ecur para në disa pikëpamje, por kemi ecur dhe prapa në disa pikëpamje tjera. Në fund të fundit, përparimi dhe zhvillimi i gjithanshëm, janë prirje natyrore e shoqërisë njerëzore. Dhe në këtë zhvillim të gjithanshëm hyn edhe përparimi në drejtim të lirisë. Ndonëse liria jonë si popull është shtuar gjithnjë e më shumë, viteve të fundit, për çudi, kemi humbur gjënë më thelbësore që ka të bëjë me lirinë – të drejtën tonë për vetëvendosje. Kur e kujtojmë këtë dhe pasojat që po na shfaqen prej kësaj, duket tepër aktuale shprehja e cituar në fillim të këtij shkrimi mbi rëndësinë që ka fakti se a e merr populli rrugën e humbjes apo të fitores në raport me vonesën kohore. Për të ilustruar këtë që thashë, po mundohem të sjell ca shembuj dëshmues.  

Duke u nisur prej kohës së pas Luftës së Dytë Botërore e këndej, Kosova bëhej gjithnjë e më shqiptare në pikëpamje të rregullimit kushtetues-juridik, ndërsa tani pas Luftës së Fundit, Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë joshqiptare, po në pikëpamje të rregullimit kushtetues-juridik! Në kohën e, Jugosllavisë së Re – siç thuhej atëherë, Kosova bëhej gjithnjë e më shqiptare për t’i zbutur kërkesat e popullit shqiptar, i cili si shumicë dërmuese që ishte, normalisht s’pajtohej me gjendjen tejet diskriminuese; ndërsa tani, në kohën e UNMIK-ut, EULEX-it, dhe të Qeverisë së Kosovës, ajo po bëhet gjithnjë e më joshqiptare, përkatësisht, serbe dhe e huaj, për shkak të serbëve dhe vetëm serbëve, të cilët gjithmonë kanë qenë pakicë e vogël, me gjithë angazhimin e vazhdueshme për pastrim etnik – nga njëra anë, dhe të kolonizimit masiv – nga ana tjetër! Ndonëse Kosovën e pushtuar Serbia e konsideronte pjesë të saj, për shkak të pakënaqësisë së vazhdueshme të shqiptarëve, nga njëra anë, dhe për të arsyetuar sloganin e njohur të asaj kohe, si “barazi për të gjitha kombet dhe kombësitë”, nga ana tjetër, Jugosllavia e përparonte statusin politik të Kosovës, duke e çuar atë deri në Krahinë Autonome (me kufijtë që ia caktuan siç dëshiruan vetë), situatë kjo që e dëshmonte karakterin etnik dhe kombëtar të veçantë të popullsisë që lidhej me këtë territor. Është shumë e çuditshme, se si tani pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është shkëputur plotësisht nga karakteri etnik dhe kombëtar i popullit që e mbizotëron atë. Dhe me qenë se serbët nuk kanë kompaktësi dhe as vazhdimësi të mjaftueshme etnike dhe territoriale, si dhe as numër të konsiderueshëm të popullsisë, si të tillë nuk mund të kërkojnë shkëputje territoriale, atyre u ofrua mundësia që këtë të mund ta bëjnë më vonë, përmes të drejtave super të veçanta, ku do të kenë mundësi t’i krijojnë të gjitha ato që iu mungojnë tani për tani.

Këto të drejta të jashtëzakonshme që u janë rezervuar serbëve në Kosovë, jo vetëm që s’i kanë shqiptarët e mbetur në Mal të Zi, Serbi, Maqedoni e Greqi, por këto s’i patën as shqiptarët në ish-Jugosllavi, ku ndonëse ishin për nga numri populli i tretë shumicë, ata vazhdoheshin të quheshin “pakicë kombëtare” dhe si të tillë trajtuar nuk u njihej e drejta shtetformuese! Pra, në kohën e Jugosllavisë, Serbia nuk bëhej shqiptare, dhe as multietnike, për shkak të shqiptarëve që ishin rreth dy milion vetë e që përbënin mbi 20% të popullsisë së saj; ndërkaq tani, Kosova bëhet “multietnike” për tu bërë gjithnjë e më serbe dhe sa më pak shqiptare, pikërisht për shkak të serbëve që ndodhen në Kosovë e që nuk përbëjnë as 5% të popullsisë së përgjithshme.

Ky nuk është paradoks, ndonëse politikanët tanë dhe ata ndërkombëtar do të dëshironin shumë ta konsideronin të tillë. Sepse paradoksi i justifikon dukuritë. E kjo që po ndodhë me Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi nuk ka kurrfarë justifikimi. Për shkak se nuk është paradoksale dhe për shkak se nuk ka justifikim që do të mund t’ia sillte paradoksi, nevojitet një shpjegim logjik, për të kuptuar pse mund të ndodhë edhe kështu.

Çështja e pavarësimit të Kosovës, përkatësisht, çështja e shkëputjes së Kosovës nga Serbia, në shumë qarqe botërore, e madje edhe në disa evropiane, konsiderohej si veprim i padrejtë me të cilin dëmtohej Serbia. Për këtë arsye ata vendosën ta balanconin këtë “dëmtim” të Serbisë me të “drejtat e Serbisë mbi Kosovën”. Dhe me qenë se Kosova s’mund të quhej edhe serbe, edhe shqiptare njëkohësisht, ajo, u vendos të mos quhej as serbe, e as shqiptare – por multietnike. Dhe jo vetëm kaq. Ndonëse Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Shqipërisë, kjo kurrë nuk u mor parasysh, ndërsa ajo padrejtësisht, nga faktori ndërkombëtar, u quajt pjesë e Serbisë duke e legjitimuar kështu pushtimin e Kosovës nga Serbia më 1912. Nën petkun e multietnicitetit filloi procesi i tjetërsimit (serbizimit) të trashëgimisë kulturore shqiptare. Shqiptarët e “pavarur” tashmë, ndalohen të bashkohen, ndërsa serbët e “shkëputur” mundësohen të krijojnë lidhje të veçanta. “E drejta historike serbe mbi Kosovën” sërish u përfill nga faktori ndërkombëtar, si dikur edhe kësaj radhe, në konferencat ndërkombëtare për Ballkanin. Ndonëse “e drejtë” e paqenë, dhe si e tillë e vdekur, ajo u ringjall shpejtë, edhe në saje të melhemit që i dhanë fuqitë e mëdha të sotme, duke i dhënë Kosovës kështu një goditje shkatërrimtare.

Shpallja e Kosovës ‘multietnike’ vetëm për shkak të serbëve në Kosovë, në të vërtetë, e delegjitimon shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Ky delegjitimim bëhet akoma më delegjitimues me vendimin për decentralizim etnik dhe për zona të veçanta për kishat dhe manastiret ortodokse. Në këtë mënyrë, shkëputja e Kosovës prej Serbisë na del e paligjshme, nga se Serbia po duhet të shpaguhet për “dëmin” dhe “padrejtësinë” që iu shkaktua!

Dikur problemi i Kosovës në ish-Jugosllavi, shihej si problem i shqiptarëve, pra si çështje shqiptare, dhe çdo përpjekje për ta zgjidhur këtë çështje si dhe çdo përparim në këtë çështje, do të thoshte edhe përparim i çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi; ndërsa tani problemi i Kosovës në diplomacinë ndërkombëtare shihet më tepër si problem i serbëve, domethënë si çështje serbe se sa si çështje shqiptare. E kjo, nuk më duket ecje para, dhe as rrugë e duhur që të mund ta quajmë rrugë të fitores. Që të mund ta identifikojmë “rrugën e humbjes” apo “të fitores” nuk mund të mbështetemi vetëm në premisa të stabilitetit, përkatësisht, të konfliktualitetit aktual. Ajo që mund të thuhet për të sotshmen paqësore e ‘stabile”, nuk do të mund të thuhej për vitet 1989/90 dhe as 1998/99 të trazuara dhe konfliktuale. Nga e djeshmja e zymtë mund të shihej më qartë e ardhmja e ndritur, ndërsa nga e sotmja e kthjellët shihet veçse e ardhmja e zymtë.

Kontribo