26 01 2021

Doarsa Kica Xhelili

33

Shkrime

Emri i plotë

Doarsa Kica Xhelili

Doarsa Kica – Xhelili u lind në Prishtinë më datë 25 shtator 1990, ku vazhdon të jetojë edhe tani. Familja e saj ka prejardhje nga Veleshta, afër Strugës.

Ajo ka përfunduar studimet Bachelor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku mori titullin Juriste e Diplomuar. Ajo ishte përfituese e bursës së Universitetit Loyola në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku i përfundoi studimet e nivelit Master në vitin 2014 dhe mori titullin Magjistre e Sundimit të Ligjit për Zhvillim.

Gjatë studimeve universitare, Doarsa ishte pjesëmarrëse në trajnime dhe gara të ndryshme për hulumtim dhe përfaqësim ligjor në Prishtinë, Strasbourg, Hagë, Budapest dhe Vjenë, ndër të cilat veçojmë garën Williem C. Vis për Arbitrazhin Komercial Ndërkombëtar në Vjenë, ku ajo mori pjesë për dy vite radhazi.

Para vijimit të studimeve Master, Doarsa ka punuar dy vite në sektorin e shoqërisë civile. Në vitin 2012 punoi në organizatën “Diaspora për Zhvillim si Hulumtuese Ligjore”, ndërsa në vitet 2013-2014 punoi si Zyrtare e Programit në Programin për të Drejtat Civile në Kosovë.

Licencën e ushtrimit të profesionit të avokatisë e mori në vitin 2018. Doarsa është përfaqësuese e Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

Nga viti 2015, e deri në momentin kur iu bashkua iniciativës së Osmanit, ajo punoi si Avokate në Shoqërinë e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini” në Prishtinë.

Është e martuar, dhe nënë e një vajze.