10 12 2012

Pronto! Kryeministri …

E diel, 9 dhjetor, shfletoj gazetat ditore për ndonjë deklaratë nga qeveritarët për Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit. Këtë shfletim nuk e bëj me shpresën e ndonjë ndryshimi në kursin e grykësisë së tyre por me shpresën që së paku deklarativisht ende vazhdojnë të luftojnë zhvatjen sistematike që i është bërë të mirave të këtij vendi nga qeveritë e 12 viteve të fundit, përfshirë këtu paskrupullsinë e Qeverisë të kryeministrit aktual.

E kundërta ndodh. Më 9 dhjetor 2012, në ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, shfletimi i gazetave shpërfaq edhe një herë në mënyrën më “transparente” të mundshme, nivelin alarmant të kësaj dukurie në Kosovë. Gazeta Zëri raporton për skandalin e radhës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për avullimin e dyqind mijë eurove, dhe kjo vetëm dy javë pas avullimit të 1.4 milion eurove në po të njëjtën ministri. Që të dyja këto shifra, janë afër 10%-shit të famshëm, që është bërë pjesë e çdo kalkulimi të biznesit privat që ka shërbyer e shërben të gjitha qeveritë e pasluftës.

Ashtu si llogaritjet që bënë çdo biznes po sjell këtu një llogaritje të cilin mund ta bëjë çdokush. Po llogaris të hyrat e kryeministrit në 5 vitet e tij të fundit në këtë funksion dhe po krahasoj këto të hyra me vlerën e shtëpisë në Veternik, e cila sipas deklaratave të atij vetë, është afro 800 metra katrorë, në një tokë po supozojmë prej 10 ari.

Pas vizitës se dhjetë agjencive për patundshmëri, vlera e kësaj toke me çmim tregu është mes 130,000 dhe 160,000 eurove. Gjithashtu, pas kërkesës për ofertim nga 3 ndërmarrje ndërtuese në Prishtinë me specifikat e shtëpisë së Kryeministrit, ofertat që më janë bërë janë për ndërtimin e një shtëpie të tillë ishin prej 400 euro për m2 deri në 550 euro për m2. Për hir të llogaritjes dhe korrektësisë, unë po përdor çmimet minimale, pra 130,000 euro për tokën dhe 320,000 euro për shtëpinë, në total 450,000 euro për tokën dhe shtëpinë. Kjo shumë është gjysmë milion euro!

Pas kësaj llogaritje i vizitova të gjitha bankat në Prishtinë dhe kërkova informata për kredi për shumën prej 450,000 euro. Deklarova se e gjithë familja më punon, dhe se të hyrat mujore i kam 3,000 euro aq sa e ka pagën edhe Kryeministri e që është dhjetëfishi i pagës mesatare. Ndërkaq për dy mandate, ky Kryeministër nuk ka krijuar asnjë vend pune. Sido që të jetë, duke pasur miq të mirë në institucionet bankare, kërkova kamatë më të volitshme, dhe më ofruan 8% për kredi 20 vjeçare. Pra, kredi prej 450,000 euro, me 8% për 20 vite. Besoj që edhe kryeministri do të mund të arrinte këtë pazar!

Për më shumë, kërkova edhe planin e pagesave, në mënyrë që të planifikoja si duhet buxhetin tim familjar. Duke ditur që jo shumë klientë në Kosovë kanë këso kapacitete financiare, bankat reaguan shpejt dhe më dërguan planin e pagesës. Kësti mujor për kredi 450.000 euro për 20 vjet me 8% kamatë, ishte 3.763 euro.

Kjo më befasoi, meqë është për 763 euro më shumë se paga mujore e Kryeministrit. Tani m’u kujtua, Kryeministri e kishte pasuri para se të bëhej kryeministër, dhe e bëra të njëjtin kalkulim për 250.000 euro. Pra, supozova, edhe pse pak e pabesueshme, që 200.000 euro ishin kursime. Përsëri kërkova oferta nga bankat tani për 250.000 euro, dhe kësti mujor rezultoi i pranueshëm, 2,100 euro në muaj, për 20 vjet.

Në vazhdim dorëzova dokumentacionin e kërkuar për kredi, dhe në afat prej një ore të gjitha bankat më refuzuan. Arsyetimi ishte i thjeshtë. Kontrata e punës është për vetëm 4 vite dhe kësti kalon 40% të të hyrave mujore familjare. Pra, nuk kualifikohem për kredi me këtë shumë me këto kushte. Më interesoi se cili do të ishte maksimumi, pra me këto të hyra cila do të ishte shuma maksimale që do më ofronin për kredi. Mu përgjigjen, 60.000 euro me këst mujor prej 1,500 euro për katër vite.

Dhe këtu e kuptova se kryeministri paska pasuri prej 390.000 euro me të cilat paska ardhur në pushtet, sepse si ndryshe të argumentohet financimi i 450.000 euro investimi në shtëpi me 800m2 në periferi të Prishtinës. Kjo llogaritje mund të bëhet për secilin ministër, dhe për secilin do të arrijmë te i njëjti përfundim, përfshirë këtu edhe veturat personale të tipit Range Rover në vlerë prej 80.000 euro.

Pra nuk qenka dhe aq e panatyrshme përgjigjja Pronto në telefonatat e Kryemistrit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Kontribo