Reagim i VETËVENDOSJE!-s ndaj shpifjeve të LDK-së
LDK-ja që e humbi çdo argument për demarkacionin, nën panikun që do ta humbë edhe Qeverinë, ka filluar të dal nga kontrolli me akuza e shpifje.
LDK-ja që për 15 vite ka qeverisur me krim të organizuar e korrupsion, njësoj si “shefat e shefave” që i ka në koalicion, po e akuzon për korrupsion qeverisjen aktuale e cila e kanë çrrënjosur përfundimisht krimin dhe korrupsionin e kësaj partie nga Komuna e Prishtinës. Ajo madje po shpifë në mënyrën më të paskrupullt për nënkryetarin e Prishtinës, z. Dardan Sejdiu.
LDK-ja ka kërkuar që Dardan Sejdiu të largojë kriminelët nga Komuna e Prishtinës, por ka harruar me qëllim që me të marrë qeverisjen, nga Komuna e Prishtinës janë larguar kriminelët që për 15 vite i kanë dhunuar e zhvatur qytetarët e Prishtinës dhe kjo komunë është shndërruar në institucionin gati të vetëm shtetëror ku kriminelë e matrapazë si ata që po e qeverisin vendin, nuk mund të kenë asnjëherë vend. LDK-ja qëllimisht ka harruar që i pari i saj, Isa Mustafa, sot e asaj dite i ka mbi 70 dosje në Prokurori, për krim e korrupsion në kryeqytet.
LDK-ja flet për “asfalt korruptiv (!)” por harron që vetëm për 3 vite në Prishtinë është punuar e ndërtuar dhjetëra herë më shumë, me sasi e cilësi, se sa për 15 vite të qeverisjes së saj kriminale.
LDK-ja shpreson që duke kërcënuar me “përgjegjësi ligjore” aktivistët opozitar që e kundërshtojnë qeverinë kriminale, do t’i frikësojë qytetarët. Por ajo po harron që është një përgjegjësi pakrahasimisht më e madhe që do ta mbajë ky subjekt: përgjegjësinë historike për shkatërrimin ekonomik, politik e social që po ia bën Republikës sonë.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
4 gusht 2016
Prishtinë