04 09 2012

Reagimet e Kryetarit

Reaguat si Kryetar i Komunës ndaj aksionit simbolik “Kryetar, Wash&Go”, të organizuar nga aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan.

Reagimin që e bëtë, e nisët me kundërthënie brenda vetes, ashtu siç janë kundërthënëse deklaratat e juaja me politikat që ndiqni, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Në fjalinë e parë keni thënë “nuk më bën fare përshtypje dhe nuk dua ta humbi asnjë minutë duke u marrë me ta”, përderisa të paktën në momentin kur po e shkruaje dhe po ua përcillje medieve, po merreshe me neve (mos të flasim për periudhën prej aksionit tonë deri te përgatitja e reagimit tuaj).

“Pesë vjet të Qeverisjes së mirë në Gjilan”, vite gjatë të cilave e latë Gjilanin pa 1/3 e territorit të vet, duke e zbatuar decentralizimin etnik të cilin e kundërshtuat vetëm atëherë sa ishit në opozitë, dhe erdhët në pozitë pikërisht duke e kundërshtuar.

“Në pushtet vihet siç kemi ardhur ne”. Jo, faleminderit! Lëvizja VETËVENDOSJE! kurrë nuk do të vijë në pushtet përmes vjedhjes industriale të votave. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk vjen në pushtet as duke e kërcënuar votuesin në Velekincë, e as duke e blerë votën në Shillovë.

“VETËVENDOSJE! nuk jep alternativa, vetëm kundërshton e ofendon”, është fraza më e shpeshtë që dëgjohet nga sipërfaqja dhe nëntoka juaj. Nëse doni alternativa në nivel lokal, po t’i përmend vetëm aksionet e fundit, që patën sukses real e që e vëren me sy përditë qytetari i Gjilanit. Një, aksioni i peshkimit nëpër gropat e qytetit, që rezultoi pak ditë më vonë me mbylljen e atyre gropave. Gropa këto që po i numëronin vitet bashkë me qeverisjen tuaj. Dhe dy, vijëzimi i rrugëve të qytetit, që ndodhi gjatë natës, pak orë pasi Lëvizja VETËVENDOSJE! paralajmëroi se të nesërmen do të ndërmerrte një aksion të tillë.

Propozimi tjetër në nivel lokal ka qenë ajo që e përmenda edhe më lart, që Kuvendi Komunal të votojë kundër decentralizimit etnik të komunës sonë. Por ju votuat “për”, se ashtu ju thanë nga lart. Kujto 30.000 nënshkrimet e gjilanasve kundër decentralizimit, ku paradoksalisht gjendet edhe nënshkrimi juaj.

Për nivelin qendror, shkurtimisht, alternativa e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zgjidhjen e çështjes së veriut është publikuar qysh në vitin 2008. Ajo i ka 13 pika përmes së cilave shtrihet sovraniteti në atë pjesë të Kosovës.

Alternativë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! është referendumi, jo Plani i Ahtisaarit. Është bisedimi me Shqipërinë për bashkim, jo bisedimi me Serbinë për ndarje.

“Qeverisje e mirë në Gjilan dhe në Kosovë”. Qeverisje e mirë sipas jush është negocimi me Serbinë sa herë që i teket kësaj të fundit, për çështje të brendshme të Kosovës. Qeverisje e mirë për juve është heqja dorë nga Republika dhe pranimi i fusnotës me Rezolutën 1244 brenda saj Qeverisje të mirë e quani shitjen e gjithçkaje publike përmes privatizimit neoliberal, përfshirë edhe astetet shtetërore strategjike si KEDS-i, PTK-ja dhe Trepça.

“Budallallëqet e VETËVENDOSJE!-s s’kanë fund”. Ua marr për të saktë këtë gjykim. Duke e parë se çka quani ju “qeverisje të mirë në Gjilan dhe Kosovë”, po ju siguroj që “budallallëqet” e VETËVENDOSJE!-s, kurrë s’kanë për të marrë fund.

Kontribo