01 06 2010

Rindarja

Basri Kodra Kohëve të fundit në mediat tona është përfolur shumë një opsion për (siç thuhet) zgjidhjen e çështjes së Kosovës – opsioni i ndarjes së Kosovës. Dhe ky opsion është përfolur në trajta të ndryshme varësisht nga pala e cila e ka theksuar. Dihet se opsioni për ndarjen e Kosovës është ngritur edhe më herët në Serbi, por për shkak të ndërlikueshmërisë së problemit etnik në Ballkan, bashkësia ndërkombëtare e ka parathënë si të ndaluar një mundësi të tillë përmes parimit të paraqitur për mosndryshim të kufijve, gjatë angazhimeve të tyre për çështjen e Kosovës. Pra, megjithëse Serbia zyrtarisht e kundërshton ndarjen e Kosovës, ajo në të vërtetë haptazi e synon atë, dhe këtë ne shqiptarët nuk do të duhej ta përjetonim si të papritur sikundër po vërehet nga reagimet e shumta që po bëjnë qarqe të ndryshme politike dhe jopolitike në vend.

Opsioni për ndarje të Kosovës, e i përfolur kaq shumë sidomos nga ana shqiptare në trajtë kundërshtuese, ka nxjerrur në shesh një të vërtetë shumë domethënëse: se bashkësia ndërkombëtare mund t’i ndryshoj kushtet që i ka vendosur vetë nëqoftëse për një gjë do të jenë të pajtimit paraprakisht palët e implikuar në problem. Unë nuk mund të them se ne duhet të llogarisim që ndryshimin e qëndrimeve të bashkësisë ndërkombëtare ta arrijmë përmes pajtimit me palën serbe, sepse kjo është e pamundur. Por bashkësia ndërkombëtare do të mund të krijonte qëndrim më të drejtë ndaj çështjes tonë sikur ne ta paraqitnim këtë çështje si të pandarë, si një tërësi, pra si një çështje kombëtare. Natyrisht kjo, siç edhe është provuar të bëhet nga intelektualët e shquar shqiptar, është dashur të bëhet në fillim të viteve ’90, por unë mendoj se edhe tashti kur çështja shqiptare rrezikohet të copëzohet edhe më tutje, ndjehet nevoja që faktori shqiptar të ketë më shumë opsione dhe ta paraqes çështjen e tij si çështje të njësuar kombëtare.

Kur lexon apo dëgjon se si politikanë shqiptar këmbëngulin aq shumë në mosndryshimin e kufijve të Kosovës, s’ka se si të mos habitet. E sidomos shprehjet e tyre të njohura si: “Integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm”, ose “Kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm, madje të shenjtë”(!), apo “Nuk do të lejojmë ndarjen e Kosovës”(!) e të tjera të ngjashme, deri te kërcënimet se “do të largohemi nga bisedimet po qe se hapet kjo çështje” etj, dëshmojnë për pështjellimin e madh që i ka nxënë. (Pothuaj me të njëjtat “argumente” mbrohet edhe pakoja e Ahtisaar-it). Serbia me qëllime larghedhëse i ka ndarë trojet shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme me kufij artificial sikundër që po bëjnë sot gjithashtu me qëllime larghedhëse me përpjekjet për copëtimin e Kosovës përmes decentralizimit. S’ka dyshim se po të kishte qenë i mundur parandalimi i copëtimit të trojeve shqiptare në Jugosllavi atëherë kur janë caktuar kufijtë e Kosovës, sot çështja shqiptare do të mund të ishte më e njësishme dhe zgjidhja e plotë e saj do të ishte më e mundshme, sikundër që nuk ka dyshim se po të parandalohet decentralizimi i Kosovës sot, mundësia e ndarjes së saj nesër nuk do të ekzistojë.

Deklaratat dhe pohimet e politikanëve tanë mjerisht janë false sepse ata as që do të mund t’i parandalonin asnjë nga mundësitë që do të hapen për diskutim gjatë bisedimeve të tanishme dhe jo vetëm të tanishme. Kjo për dy arsye: e para se politikanët tanë asnjëherë deri më tani nuk e kanë realizuar atë që e kanë premtuar apo atë për të cilën janë zotuar para popullit (përveç zotimeve të tyre para ndërkombëtarëve); dhe e dyta: ata nuk kanë kurrfarë strategjie as mekanizmi, dhe as që përpiqen ta kenë, në mënyrë që të mund t’i parandalonin ato zhvillime kundër të cilave po zotohen. Atëherë, si mund t’u besohet fjalëve të tyre? Kurrqysh! Sepse fjalët e tyre nuk kanë kurrfarë mbështetje, madje as morale. Mund t’i besohet dikujt që ka dëshmuar a ka dhënë prova se mund të bëjë diçka, e jo atij apo atyre që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin prova se nuk bëjnë asgjë.

Prandaj, mbrojtja me çdo kusht (natyrisht, vetëm me fjalë) e kufijve “të shenjtë” të Kosovës dhe “integritetit territorial të saj”, sovranitetin e të cilit e ka tjetërkush, në kohën kur Kosova po rrezikon të humbet përgjysmë, është anakronike dhe e pakuptimtë. Edhe kështu mund të thuhet për shkak se Kosova nuk ka kurrfarë integriteti territorial, sepse nga njëra anë, disa pjesë të Kosovës i kontrollon Serbia, kurse nga ana tjetër kufijtë janë lëvizur në raport me Maqedoninë!

Kur flitet për ndarje, nuk është me rëndësi se a mendohet të ndahet Mitrovica prej Prishtinës, apo Mitrovica, Prishtina, Besiana e Anamorava prej Gjakovës, Prizrenit, Kaçanikut e Drenicës, Jo. Me rëndësi, dhe fatale për ne është, se po ndahen qytetet shqiptare, po ndahen fshatrat shqiptare, po ndahen malet shqiptare, po ndahen fushat shqiptare, po ndahen trojet shqiptare! Sikundër që ka qenë fatale për ne ndarja prej Kosovës e Plavës dhe Gucisë, Kosovës Lindore si dhe Maqedonisë Perëndimore. Sikundër më në fund që ka qenë fatale për ne ndarja e krejt këtyre viseve prej Shqipërisë. Kundër këtyre ndarjeve prandaj duhet të jemi.

Kontribo