15 02 2010

RRUGËT DHE SHKOLLAT

Sa here që eci rrugës së shtruar me asfalt të ri, mendja më shkon tek shkolla. Pavarësisht se mbi cilën rrugë shkel: të re apo të vjetër, të shtruar për herë të parë apo të meremetuar për të satën herë, gjithnjë mendja më shkon tek shkolla. Them “tek shkolla” duke nënkuptuar shkollën tonë, pra shkollën shqipe, e jo vetëm shkollën në të cilën unë punoj, ndonëse i nxitur e i frymëzuar (dëshpëruar) kryesisht prej saj. Shumë herë më ka rënë të mendoj për këto dy gjëra: rrugën dhe shkollën. Këto dy objekte, përkatësisht, këto dy institucione, gjithnjë më duket se kanë një lidhje të ngushtë, të pandashme dhe shumëdimensionale mes vete. Nëpër rrugë është bërë historia e cila pastaj është mësuar nëpër shkolla. Nëpër shkolla është mësuar historia e kohëve kur shkolla nuk lejohej dhe kështu shtrëngoheshe të mbeteshe rrugëve. Duke marshuar rrugëve kërkohej lirimi i shkollave të mbyllura, i objekteve – institucioneve ku do të mësohej se si, duhet dhe mund, të hapen sa më shumë rrugë të reja. Rruga dhe shkolla janë të pandashme: pa rrugë s’mund të shkohet dot në shkollë, e pa shkollë s’mund të hapet dot asnjë rrugë. Sikundër mund të vërehet, dhe sikundër është provuar sa e sa herë deri më tani, rruga dhe shkolla, përkatësisht, shkolla dhe rruga, kanë këtë lidhje të përjetshme. Përkundër kësaj, është shumë e habitshme se si pushteti i sotëm politik e ka shkëputur këtë lidhje natyrore, të gjithmonshme – historike, duke e diferencuar shkollën nga rruga, duke e lënë kështu siç është lënë pas dore, deri edhe në harresë, harresë e cila gjithsesi e bënë të domosdoshme rikthimin e potencialit të saj, dhe lidhjen e sërishme me rrugën, me të cilën gjithmonë ka qenë e lidhur.

Duke u kushtuar rëndësi të jashtëzakonshme rrugëve dhe vetëm rrugëve, këta pushtetar jo vetëm që i kanë harruar shkollat (dhe jo vetëm shkollat) duke i katandisur në mjerim, paradoksalisht i kanë dëmtuar pikërisht vetë ato (rrugët), ngase duke u munduar që të shtrojnë sa më shumë rrugë në numër, nga njëra anë, e duke u kujdesur që ato rrugë të jenë njëkohësisht edhe sa më të gjata, nga ana tjetër, planifikuesit e “zhvillimit” dhe “përparimit” të vendit tonë, e kanë ngushtuar dhe e kanë tëholluar tepër shumë shtresën e asfaltit me të cilën po mbulojnë këto rrugë! Por, si është e mundur që një pushtet i cili ka për detyrë (dhe paguhet për këtë punë) të bëjë plane që ta zhvilloj dhe përparoj njëmend këtë vend të mos i kushtoj thuajse aspak rëndësi shkollave tona? Ekzistojnë dy arsye themelore, sipas mendimit tim, që ky pushtet, nuk i kushton vëmendjen e duhur gjendjes në arsimin tonë, veçanërisht atij fillor dhe të mesëm.

Kontribo