06 12 2012

Shërimi i shëndetësisë

Në orën 8 të mëngjesit një mik i imi gjendet para një spitali publik në Shkup ashtu siç ishte dakorduar me doktoreshën. Shkupi është jo më shumë se 80 kilometra larg vendit ku jeton miku im.  Ky udhëtim nuk ishte zgjedhje e tij. Ishte imponim prej nevoje, në kërkim të shërimit.  Këtë udhëtim në kërkim të shërimit, jo vetëm për Shkup, por edhe për qendra të tjera rajonale dhe evropiane, e kanë bërë shumë miq e familjarë tanë tash e 12 vite.  

Në udhëtimin 80 kilometërsh, 2 orë larg nga vendbanimi i mikut tim, shpërfaqet në tërësinë e tij dështimi i secilës Qeveri deri tani.  Tmerrues është jo vetëm dështimi në ndërtimin, konsolidimin dhe menaxhimin e sistemit shëndetësor, por edhe demagogjia e paturpshme dhe e vazhdueshme e udhëheqësve në lidhje me shëndetin e qytetarit.  Të gjithë janë detyruar ta bëjnë këtë udhëtim sepse sistemi shëndetësor në vendin tonë është degraduar e dërmuar prej vitit në vit, dhe është korruptuar shumë më shumë përgjatë viteve.

Normalisht se për këto udhëtime nuk mund të llogarisim në ndonjë përkrahje sepse vazhdojmë të jemi i vetmi vend në këtë pjesë të rruzullit tokësor pa sigurime shëndetësore, pa sistem të integruar të informatave të pacientëve, pa kartela/libreza shëndetësore dhe rrjedhimisht edhe pa historik shëndetësor. Për më tepër, kemi mungesë të procedurave, proceseve dhe rregullave të protokollit për trajtimin e pacientëve, mungesë të barnave esenciale në spitale dhe QKUK, e po ashtu dhe mungesë të përkrahjes për hulumtime shkencore aq të nevojshme për të ndihmuar zhvillimin e vazhdueshëm të doktorëve.

Dhe sot situata aktuale në shëndetësi vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme. Kredibiliteti i këtij sistemi është buzë greminës, me pacientë të pakënaqur me shërbimet shëndetësore në sektorin publik.  Rrjedhimisht orientimi i tyre është në sektorin privat ose jashtë vendit si pasojë e humbjes së besimit në institucionet vendore. Kjo situatë do vazhdoj për derisa ka mungesë të një strategjie dhe vullneti të mirëfilltë në tejkalimin e kësaj situate.  Për të argumentuar që sistemi shëndetësor në Kosovë ka 12 vite që vazhdon të jetë një nga pjesët më të neglizhuara të shoqërisë do të analizoj vetëm 5 pika, e që janë 5 nga shumë pika që mund të zgjidhen lehtë po të kishte vullnet politik, përgjegjësi qeverisëse dhe program zhvillimor.

Le t’i marrim me radhë.  Së pari, Republika e Kosovës është i vetmi vend në rajon i cili nuk ka skemë të sigurimeve shëndetësore, dhe kjo vazhdon tash e 12 vite.  Në vend se të fokusohet në ndërtimin e një skeme të mirëfilltë të sigurimeve shëndetësore, kjo Qeveri dhe ato të mëhershmet, janë përkujdesur që kjo të mos jetë në axhendat e tyre të prioriteteve zhvillimore. Si duket zhvillimin këta e lidhin me negociata, ilaçin e vetëm për të mbetur në pushtet, dhe jo me shëndetin fizik dhe mendor të qytetarit.

Së dyti, Republika e Kosovës është i vetmi vend në rajon i cili nuk ka historik shëndetësor të qytetarëve të vet, të integruar në një sistem publik shëndetësor i cili siguron edhe mjekun edhe qytetarin për përcjellje të shëndetit në kohë.  Pra, sa herë që një qytetar viziton mjekun, historiku duhet shpjeguar çdo herë nga fillimi. Rrjedhimisht, çdo vizitë është vizitë e parë.  Duke mos krijuar një sistem i cili mbledh, ruan, dhe përpunon të dhënat e pacientëve, këto qeveri nuk kanë treguar as interesin minimal për qytetarin.  Për 12 vite, këto qeveri e kanë lënë qytetarin pa shëndet, derisa mjekun pa vegla për të trajtuar në mënyrë sistemike të njëjtin. Përsëri, mbase sistemi publik shëndetësor është për qytetarët e jo për qeveritarët.  

E treta, asnjë Qeveri deri më tani nuk është përkujdesur që shëndeti i qytetarit të trajtohet në mënyrë të sistemuar dhe me protokolle.  Për 12 vite, protokollet për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, e që janë aq të zakonshme 80 kilometra larg nesh, nuk janë instaluar në mënyrën e punës së institucioneve shëndetësore.  Si pasojë, secilit mjek i jepet liria dhe e drejta ta trajtojë si të dëshiroj sëmundjen, të aplikoj terapi kurdo që i duket e arsyeshme, dhe në fund fare e gjithë kjo nuk regjistrohet askund.

Për aq sa mjekët janë profesionistë, aq janë edhe njerëz si të gjithë ne, dhe gabimet apo lëshimet përvidhen.  Dhe pikërisht për shkak të kësaj nevojiten protokolle, procese dhe rregulla pune në çdo institucion shëndetësor dhe kontakt me pacientë. Por ja, që Qeveritë e deritanishme mëtojnë që zemërimin e qytetarëve ta orientojnë drejt mjekëve dhe jo drejt tyre, aty edhe ku është përgjegjësia kryesore për mosfunksionimin e sistemit shëndetësor. Pra, në vend të ndërtimit të sistemit shëndetësor, Qeveritë e deritanishme e kanë shkatërruar atë dhe në proces kanë dëmtuar edhe marrëdhënien mjek-pacient.

E katërta, asnjë Qeveri deri më tani nuk e ka trajtuar furnizimin e shëndetësisë publike me vullnetin për t’u siguruar që e njëjta të ketë barnat dhe mjetet e duhura, në sasinë dhe kohën e duhur, dhe kështu të siguroj standardin e nevojshëm për shëndetin e qytetarit.  Për më shumë, nëse për diçka, të gjitha Qeveritë deri më tani shquhen për afera të njëpasnjëshme për keqpërdorim të procesit të furnizimit me barna duke përfituar në çdo tender të mundshëm dhe duke futur e hequr barna nga lista esenciale varësisht prej interesave të ngushta personale.  

Dhe e pesta, e fundit në këtë listë e cila është shumë më e gjatë, është mungesa e përkrahjes së hulumtimeve shkencore në mjekësi. Duke mos përkrahur hulumtimet shkencore Qeveritë e deritanishme kanë ndaluar zhvillimin e mjekësisë dhe rrjedhimisht e kanë lënë secilin mantel-bardhë larg kolegëve, duke bërë që shkenca të jetë luks individual dhe jo përfitim për shoqërinë.

Mund të thuhet lirisht se këto Qeveri dhe këta qeveritarë mbijetojnë vetëm duke trajtuar tema që nuk zgjidhin asnjë problem të qytetarit. Po të brengoseshin për qytetarët e kësaj republike, logjikisht sistemi shëndetësor dhe shëndeti i qytetarëve do të ishte prioritet  dhe këto probleme tash do i takonin historisë. Por ja që 12 vite pas, miqtë dhe familjarët tanë duhet  të udhëtojnë larg nga këtu,  duhet të shpenzojnë para të majme për të gjetur shërimin sepse këta qeveritar nuk janë në gjendje t’i zgjidhin as gjërat më elementare të një sistemi shëndetësor.  

Në dhjetor të vitit 2012, qytetari i kësaj Republike nuk ka historik shëndetësor, nuk ka sigurim shëndetësor, nuk ka barna dhe mjete esenciale në spitale dhe duhet të udhëtoj jashtë vendit në kërkim të shërimit.

12 vjet qeverisje, përpjekje, buxhete, taksa për të pasur këtë gjendje të mjeruar në spitale. 12 vjet retorikë boshe për integrime evropiane, zhvillim dhe mirëqenie.  Në këtë sfond as arsyetimi se ndërkombëtarët nuk na kanë lejuar nuk është valid, pasi që në shëndetësi gjithmonë duart e këtyre qeveritarëve kanë qenë vendimmarrëse.  Përfundimisht, këto “elita” të vendosura duhen ndryshuar, nëse për asgjë për faktin se kanë mungesë vullneti për të shëruar shëndetësinë.

Kontribo