02 06 2010

Shkëputja si integrim

Po të zbërthehet raporti ndërmjet popullit shqiptar të Kosovës me shtetin e Serbisë dhe pakicën serbe në vendin tonë, sakaq vërehet një element i qartë: kjo marrëdhënie është përmjestimore dhe variablore në kuptimin cilësor të fjalës. Sa më tërësor pushteti i shtetit të Serbisë mbi Kosovën, në po atë masë edhe përkeqësimi i raporteve ndërmjet tyre. Është mu kjo ligjësi që shpjegon pse shqiptarët dhe serbët nivelin më normal (edhe pse as për së afërmi të mjaftueshëm) të marrëdhënieve e përjetuan pikërisht atëherë kur Kosova e fitoi njëfarë autonomie përbrenda ish Federatës – ishte ky momenti kur ne si vend qëndronim më së largu kontrollit nga pushteti i Beogradit. Prandaj, saktësisht për po të njëjtën ligjësi, armiqësimi ndërmjet popujve u thellua tejmase atëherë kur kjo autonomi u suprimua nga Serbia. Thellimi i pandalshëm i represionit dhe dhunës çoi pashmangshëm drejt luftës së armatosur çlirimtare. Gjëra që të gjithë i dimë.

Nëse nga historia do të duhej vallë të merrnim ndonjë mësim të vlefshëm, ky do të ishte mospërsëritja e gabimeve që çuan në shembjen e ish Jugosllavisë. Ish Federata u shpërbë ngaqë Serbia ishte më i forti entitet. Ajo ia mohoi Kosovës autonominë sepse mundi.

Elementi themelor me të cilën politika shtetërore serbe artikulon interesin e saj fundamental nacional ka qenë dhe mbetet territori. Katër luftërat e ish Jugosllavisë Serbia i bëri për territore. Prej këtyre luftërave ajo fitoi Republikën Serbe që përfshin 49% të Bosnjës. Ndërkaq, në vendin tonë Serbia kontrollon pothuajse 25% të territorit. Pas gjithë dëmeve dhe shkatërrimeve që ky shtet i ka shkaktuar vendit tonë, synimet e tij janë hiç më pak hegjemoniste se ato të Millosheviqit.

Kur synimi kryesor i një shteti janë territoret, njerëzit s’janë tjetër veçse mjeti për arritjen e këtij qëllimi. Shteti serb përbrenda strategjisë akademike për pushtimin e Kosovës gjithnjë ka pasur planin demografik të kolonizimit. Ndërmjet dy Luftërave Botërore për ta realizuar këtë plan shërbente e ashtuquajtura ‘Reformë Agrare’. Projekti vazhdon të jetë po i njëjti edhe sot, veçse ai tashmë ka ndërruar emër – ky është decentralizimi. Nëpërmjet këtij plani shteti serb synon legalizimin e pranisë së tij (strukturat paralele), qartësimin dhe zgjerimin e kufijve të kësaj pranie. Para se të përpiqet ta marrë të gjithë Kosovën, Serbia po synon krijimin e autonomies së brendshme territoriale të serbëve këtu.

Vetëm pas krejt kësaj që shtruam deri këtu, kemi të drejtë ta bëjmë pyetjen e rëndësishme – pse pakica serbe s’mund të integrohet në shoqërinë tonë? Kjo pakicë s’mund të integrohet sepse Serbia do kështu. Serbia mund të ketë këtë ndikim vetëm ngaqë vendi ynë nuk e ka të drejtën e vetëvendosjes së jashtme. Në mënyrë që raporti me pakicën serbe të merr trajtën përfundimtare të normalitetit, Kosovës i duhet shkëputje definitive nga Serbia, fitim i sovranitetit dhe shtrirje e kontrollit shtetëror në krejt vendin.

Të gjitha veprimet e deritashme të UNMIK-ut kanë pasur rrjedhoja çintegruese për pakicën serbe. Administrata ndërkombëtare këtu me përkushtimin më të madh ka investuar në instrumentalizimin e serbëve të Kosovës nga pushteti në Beograd. Mjafton të përmendim tolerimin e strukturave paralele militare, funksionimin e papenguar të sistemit gjyqësor të shtetit të Serbisë si dhe shumicës së institucioneve tjera shtetërore, mbajtjen e zgjedhjeve të partive politike nga Serbia në Kosovë… Një gjë, pra, është fort e qartë – projekti i UNMIK-ut për Kosovën është tamam komplementar me atë të Serbisë. Qysh UNMIK-u ka konceptuar strategjinë e integrimit të pakicës serbe njëkohësisht duke i lënë Serbisë ndikimin e saj faktik brenda Kosovës, është saktësisht veprimi i gabuar i atij mjekut i cili, duke pas dashur ta shërojë pacientin e tij narkoman, në emër të lirisë së zgjedhjes si vlerë më vete, bashkë me ilaçet i sillte atij edhe do substanca narkotike, duke ia lënë mundësinë e hapur pacientit të gjorë të përcaktohej lirshëm se ç’dëshironte!

Integrimi i pakicës serbe në vendin tonë mund të arrihet vetëm si projekt i paalternativë. Duke vendosur shteti i Serbisë për ta, e jo populli i Kosovës, integrimi nuk do të arrihet kurrë. Ky mosintegrim, Serbisë i shërben si ‘argument’ për domosdonë e riokupimit tërësor ose të pjesshëm të Kosovës, kurse UNMIK-ut i nevojitet për të na e bërë qortimin standard neokolonialist për gjoja papjekurinë tonë si popull për trajtimin e pakicave duke babëzitur vazhdimisht deklarata monotone qysh ne ende nuk qenkemi të gatshëm të jemi të lire si popull!

Sa i përket integrimit të pakicës serbe, ai ka për parakusht vetëvendosjen e jashtme. Atëherë dhe vetëm atëherë të gjithë qytetarët e Kosovës, e edhe ata serbë, do ta shohin mundësinë e zhvillimit dhe perspektivën e mirëqenies në vetëvendosjen e brendshme. Zhvillimi integron. Mungesa e lirisë çintegron.

Kontribo