18 04 2015

Sot në protestë, Kryetari i Lëvizjes, Visar Ymeri mbajti këtë fjalim:

“Organizimi i protestave është e vetmja mënyrë për ta ndaluar keqbërjen e kësaj qeverie. Me protestat kemi krijuar një traditë të re, demokratike, një mënyrë të re e të suksesshme për të mundësuar realizimin e nevojave dhe të kërkesave tona, të qytetarëve të Kosovës. Protestat e janarit sollën sukses të matshëm, e hoqën ministrin fashist. Protestat e prillit kanë për t’i hequr drejtuesit që po abuzojnë me çmimet e energjisë, që abuzojnë me televizionin publik, dhe që e kanë kapur gjyqësinë e shtetin.

Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në javën e fundit kanë lëshuar deklaratat më të forta në jetën e tyre. Këta dy persona që nuk guxuan kurrë të flasin fjalë të forta as përballë mafisë dhe uzurpatorëve të pronës publike, as përballë Serbisë në negociata, as përballë çfarëdo kërkesë të cilitdo ndërkombëtar, tash flasin me kwrcwnim dhe frikwsim kundër qytetarëve të tyre që protestojnë. Prandaj këta në të vërtetë nuk janë burra shteti, por burrecë pushteti.

Demokracia jeton në radhë të parë në sheshe në mes të popullit, e jo thjesht në objekte institucionesh. Këta po duan ta ngujojnë demokracinë brenda zyrave të tyre, ku kryejnë aferat milionëshe që zhvatin qytetarët e varfërojnë Kosovën. Këta po duan t’ia bëjnë varrin demokracisë. Por ky popull nuk është dorëzuar përballë asnjë shtypësi e përballë asnjë diktature. Nuk do të dorëzohemi as përballë këtij pushteti mini despotësh.

Ne nuk jemi kundër anëtarëve të PDK-së e të LDK-së. Ata janë qytetarë si të gjithë ne, me meritat dhe problemet e tyre. Por ne nuk do të tolerojmë që elita e PDK e LDK ta kapë shtetin, për të ndërtuar në Kosovë një pushtet autoritar, kleptokratik e mashtrues. Shik-at dhe agjentët e tyre, nuk do të lejohen më të frikësojnë, shantazhojnë, të vjedhin e të kërcënojnë. Ne kemi për t’i hetuar ata, dhe kemi për t’i gjykuar, sipas ligjit demokratik dhe republikan. Me hetimin e ShIK-ut do të nisë çlirimi i shtetit nga zaptimi.

Ne nuk jemi kundër pronës private dhe kapitalit privat. Por asnjë kompani private nuk mund të abuzojë me nevojat tona jetike duke përfituar nga korrupsioni i pushtetarëve tanë. Privatizimi i ndërmarrjeve, sikur ky i KEDS-it na e solli papunësinë e mjerimin. Shtëpitë që i ka pllakosur varfëria, tash po i pllakos edhe terri. Ne nuk mund të lejojmë në shekullin XXI që terri të rikthehet në shtëpitë e Kosovës. Çmimi i energjisë duhet të jetë i përballueshëm për të gjithë, e jo luks për disa. Dhe këtë nuk e ofron dot një kompani private, aq më pak një kompani që ka kryer një proces korruptiv privatizimi.

Ne nuk jemi kundër fuqizimit të institucioneve të Kosovës, por institucionet nuk mund të forcohen kur përdoren për pasurim privat. E vetmja mënyrë që të forcohen institucionet, është që ato të jenë vërtet demokratike, përfaqësuese, politike, profesionale. Të zhduket prej tyre lokalizmi, nepotizmi, klanizimi dhe klientelizmi. Me nepotizëm nuk ka institucione. Me hajna nuk ka shtet! Me PDK e LDK nuk ka shtet!

Nuk ka zhvillim e përparim pa punësim. Nuk ka Kosovë të fortë pa punësim. Nuk ka drejtësi pa punësim. Nuk ka shoqëri pa punësim. Nuk ka shtetformim pa punësim. Sot ne kërkojmë ndryshimin e politikave qeveritare, shkëputjen prej shtetit të papërgjegjshëm, ndaljen e korrupsionit, dhe fillimin e politikave me synim kryesor punësimin. Protestat tona nuk do të ndalen, për sa kohë Kosova të vazhdojë të jetë një shtet krejtësisht tregtar, dhe me papunësinë më të lartë në kontinent. Me këtë politikë ekonomike qeveria po na tregon se ekspertët e saj janë thjesht injorantë, keqbërës, që nuk kanë asnjë ndjeshmëri për të papunët e për të varfërit në Kosovë.

Drejtues të EULEX po e pranojnë sot atë që ne kemi thënë dje, që misionet ndërkombëtare në Kosovë kanë bërë një eksperiment. Sot po e pranojnw atë që ne kishim parashikuar: që ky eksperiment është i padrejtë dhe i dështuar. Kosova nuk mund të zhvillohet me eksperimente e pabarazi. Ne nuk mund të sovranizohemi me Asociacione të Serbisë brenda. E të pazhvilluar e pa sovranitet nuk mund të jemi të pavarur. Ne duhet t’i japim fund këtij eksperimenti, për të krijuar një shtet të qëndrueshëm e funksional, një drejtësi të ndershme, një politikë demokratike e republikë të qytetarëve. Dhe që nga ky shesh të bashkuar këmbëngulim: nuk pranojmë ndarje të territorit përmes Asociacionit, nuk pranojmë ndarje të institucioneve përmes kompetencave ekzekutive për Asocioacionin, nuk pranojmë varfërim të buxhetit të qytetarëve përmes fondit për Asociacionin, nuk pranojmë polici e gjyqësi të veçantë për Asociacionin.

Kryeministri në hije, Hashim Thaçi para disa ditësh tha se në demokraci pushteti merret me votë. Por ai nuk tha se në Kosovën e tij vota blihet me pare, e paret vidhen me dhunë e me korrupsion prej këtij populli. Kjo lloj demokracie nuk është asgjë tjetër përveçse feudalizmit. Dhe ne nuk mund të pajtohemi me feudalizmin. Ne jetojmë në shekullin XXI, kemi kërkesa si të popujve të tjerë, kemi misionin, forcën dhe vullnetin për t’i realizuar këto kërkesa. Nuk do të ndalemi me protestat dhe organizimet tona, derisa të mbërrijmë që ta bëjmë Kosovën të barabartë me fqinjët e saj. Nuk do të ndalemi pa e realizuar ëndrrën e atyre që dhanë gjakun për Kosovën, bashkimin kombëtar, zhvillimin ekonomik, barazinë dhe demokracinë.

Sot ne gjendemi përballë dy alternativave: ose protestën, ose mjerimin; ose protestën, ose terrin; ose protestën ose ShIK-un; ose protestën, ose papunësinë; ose protestën ose Klanin Pronto; ose protestën ose vjedhjen; ose protestën ose indiferencën; ose protestën ose rrenat; ose protestën ose padrejtësinë; ose protestën ose ndarjen. Ne zgjedhim protestën, sepse ne duam punën, duam bashkimin kombëtar, duam drejtësinë, duam mirëqenien, duam barazinë, duam të vërtetën!”

Kontribo