02 06 2010

Statusi ‘simptomatik’ i SHPK-së dhe IPVQ-ve: një vështrim në teorinë e personalitetit autoritar

Në psikologji dhe mjekësi ekziston një term i përdorimit të gjerë – simptoma. Teoria psikoanalitike e ‘personalitetit dinamik’ e koncepton simptomëm si manifestim të shndërruar të përmbajtjeve të ndrydhura kryesisht me bazë libidinale. Personi ndrydh një dëshirë të fuqishme impulsive duke menduar që e ka zhbërë atë. Në të vërtetë, ai s’ka bërë tjetër veçse e ka kaluar atë në një medium që s’është i njohur për gjendjen tonë të vetëdijshme. Dhe jo vetëm kaq: përmbajtjet, të cilat kujtuam se i zhdukëm duke i shtypur vazhdojnë të bëjnë presion, me ç’rast gjejnë manifestime simptomatike, duke filluar që prej motiveve e deri te sjellja.

Në mjekësi simptoma ka një kuptim të ndryshëm. Njëra ndër ato domethënie kryesore që ka simptoma, e që do të mund të na hynte në punë për shpjegimin e mëtejshëm, ka të bëjë me kuptimin e manifestimit (kryesisht të jashtëm) që shkakton ndonjë ndryshim psiko-fizik në organizëm, e të cilin ne e quajmë ‘sëmundje’.

Të dyja këto kuptime të simptomës (kuptimin psikoanalitik dhe atë mjekësor) i përmbledh zbërthimi i shkëlqyer i filosofit gjerman, Martin Heidegger, te magnum opus-i i tij, Sein und Zeit, që sipas mendimtarit të shquar Jürgen Habermasit, paraqet arritjen më të madhe filosofike që prej Phänomenologie des Geistes të F.W.G. Hegelit. Zbërthimi i Heideggerit shenjon aspektin formal të kuptimit më të përgjithshëm të simptomës: ‘duke e shfaqur vetveten, simptoma tregon për diçka, e cila si e tillë nuk e shfaqë vetveten (sëmundja)’. Shkaku i vërtetë i simptomës është sëmundja – ai ndryshim kimiko-fizik në organizëm, i cili prodhon manifestimet e dukshme. Simptoma është dukja e sëmundjes, e jo shkaku i saj. Diagnostifikimi i sëmundjes bëhet duke hetuar mënyrën e manifestimeve të simptomës.

Në realitetin sociopolitik kosovar a s’është UNMIK-u vetë sëmundja? Si rrjedhim, institucionet e krijuara nga UNMIK-u (IPVQ-të dhe SHPK-ja) a nuk janë pikërisht simptoma e saj? Në një kohë kur IPVQ-të shërbejnë vetëm për implementimin sa më të suksesshëm të agjendës politike të UNMIK-ut dhe kur SHPK-ja s’bën tjetër veçse zbaton me zell adhurues urdhërat e prerë të tij, statusi i këtyre dy instrumenteve të regjimit antidemokratik është kryekëput ‘simptomatik’. Ky status ka filluar të kristalizohet përfundimisht që kur policia e UNMIK-ut nuk përballet me pakënaqësinë e popullit ndaj padrejtësisë. Sëmundja filloi dhe vazhdon ta fsheh vetveten nëpërmjet simptomës. Që prej datës 30 gusht të vitit të kaluar policia ndërkombëtare nuk përballet me protestuesit, të cilët demaskojnë padrejtësinë e sistemit. Prandaj, IPVQ-të ose janë krijuar për t’i shërbyer UNMIK-ut, ose, ndryshe, nuk do të ishin themeluar fare nga ky regjim! Kushti i ekzistencës së tyre është gjendja ‘simptomatike’.

Sa i përket SHPK-së, një zbërthim më i detajshëm do të ishte fort i nevojshëm. Për mua nuk kishte rast më praktik për të kuptuar gjithë atë mori studimesh në fushën e ‘karakterit autoritar’ se sa ai që më rastisi në stacionin qendror të SHPK-së. Kjo ndodhi kur 12 aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE u arrestuan gjatë protestimit të padhunshëm derisa po shkruanim parullën – ‘JO NEGOCIATA. VETËVENDOSJE!’.

Sipas filosofit dhe sociologut të madh gjerman me prejardhje hebreje, Thodor W. L. Adorno, përfaqësues me nam i Shkollës së Frankfurtit, te disa njerëz ekziston i ashtuquajturi ‘sindrom i peronalitetit autoritar’. Këta janë një kategori njerëzish, personaliteti i të cilëve ngërthen një kompleks vetish dhe prirjesh. Së pari, këta njerëz sigurinë e tyre e gjejnë kryesisht në nënshtrimin ndaj një autoriteti. Si rrjedhim, raporti i tyre ndaj autoritetit është bindja dhe adhurimi jokritik. Njerëzit e tillë, sipas Adornos, jo vetëm janë të prirur të zbatojnë urdhëra të dhëna nga autoriteti, por, ç’është më e keqja – dhe mu këtu qëndron thelbi i problemit – ata i cilëson gatishmëria e përbrendësimit formal të strukturës së urdhërit, e pra, zhveshja e tij nga çfarëdo përmbajtje etike. A s’janë të gjitha këto veti pjesë integrale të personalitetit të shumicës së policëve të SHPK-së? Me mbi 95 % të të gjithë policëve me të cilët kemi pasë rastin të konfrontohemi, arsyetimi i tyre ndaj veprimeve të pështira që bënin (p.sh kur i vodhën 3 çarçafë radhazi, ku ishin të shkruar emrat e të dyshuarve për pjesëmarrje në masakrën e Krushës së Vogël, në atë të Gjakovës dhe Reçakut) ishte: ‘ne zbatojmë urdhëra’, ‘kështu më ka ardhur urdhëri’, ‘shkoni dhe flisni me ata që na japin urdhëra’, ‘ne s’kemi ç’të bëjmë’… dhe me të tilla arsyetime, të denja për një studim shumë më të gjerë se ky shkrim modest.

Çdo të thotë, në të vërtetë, ta marrëdh urdhërin si detyrë absolute? Ç’kuptim ka zbatimi i tij duke e zhveshur atë nga çfarëdo përmbajtje etike? Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe disfatës që pësoi nazizmi, shumë kriminelë nazistë, ushtarë dhe oficerë të Führerit u gjykuan në Nürmberg për krimet monstruoze që kishin bërë. Gati që të gjithë prej tyre kishin një arsyetim standard: ‘ne vetëm kemi zbatuar urdhëra!’. Edhe policët e SHPK-së ‘vetëm zbatojnë urdhëra’. Ata nuk janë për ta zbatuar ligjin por urdhërin. Diferenca ndërmjet asaj që është e drejtë dhe asaj që është urdhër mund të jetë e ndryshme në situata që dallojnë nga njëra-tjetra dhe të prodhojë efekte jo të njëjta varësisht konteksteve. Për shembull, ajo dallon ndërmjet një ushtari nazist dhe një polici të SHPK-së. Por, nëse për ne s’është aq domethënëse diferenca, gjithsesi duhet të jetë brengosëse prania. Jo rastësisht, teoretët e personalitetit autoritar personin, të cilin e shquan ky sindrom e quajnë ‘fashist potencial’ (‘stand by fascist’).

Sipas këtyre teoretëve, veçori tjetër e karakterit autoritar del të jetë edhe besimi i verbër dhe konformizmi intensiv ndaj autoritetit epror dhe, prandaj, sjellja përçmuese dhe agresive ndaj vartësve ose njerëzve prej të cilëve nuk varet. Kjo është arsyeja pse ky lloj individi, si rrjedhim i pamundësisë së manifestimit të çfarëdo pakënaqësie ndaj autoritetit përmbi, e zhvendos shfaqjen e agresivitetit te vartësit dhe të tjerët ‘nën’ të – pikërisht në ambientin e sigurtë, i cili nuk e rrezikon pozicionin e tij të ndërmjetmë. Në rastin e SHPK-së, këtë dukuri e kam vërejtur të shfaqet në dy nivele. Togerët manifestonin një agresivitet mjaft të lartë ndaj vartësve të tyre (policëve të thjeshtë) duke u bërtitur atyre me zë të lartë e duke i qortuar (shpeshherë edhe me fjalë banale) për punën që s’e kishin kryer mirë. Një gjë e tillë në mënyrë ende më agresive manifestohej ndaj të arrestuarve. Dikush kërcënohej me mundësi sulmi fizik (p.sh shtrëngim i grushtit para fytyrës së të arrestuarit), pastaj me fjalë fyese (p.sh. – ‘sa të ka paguar Serbia të bësh kështu’) etj.

Po ti pyesni studiuesit e personalitetit autoritar pse ndodhte kjo gjë, ata do të shpjegonin se si pozicioni i togerit kërkon që, duke qenë i varur nga autoriteti i një oficeri ndërkombëtar, të mos mund ta ‘ajroste’ agresivitetin e tij përveçse me ata prej të cilëve ai nuk varet, e të cilët janë policët e thjeshtë. Niveli tjetër karakterizonte vetë policin ordiner. Edhe pse dukshëm më të sjellshëm se eprorët e tyre togerë, për këta policë, i arrestuari shpeshherë shndërrohej në objektin e shkarkesës së pakënaqësive të ndrydhura ndaj eprorëve togerë.

Shpesh më ka rastisur të dëgjoj krahasimet që u bëhen IPVQ-ve dhe SHPK-së me marionetat. Qyshdoqoftë, edhe pse aspak e pasaktë, gjetja paksa varfëron përmbajtjen e çështjes: ajo vlen vetëm formalisht. Dallimi thelbësor është vetëdija. Disa njerëz jo vetëm që janë marioneta. Ata kanë pranuar vetëdijshëm të bëhen të tillë. Ata vazhdojnë të jenë marioneta. Ja pse përgjegjësia është e shumëfishtë. E pafalshme.

Kontribo