25 09 2020

Takim me asamblistin nga Medvegja, z. Muharrem Salihu.

Sot, nënkryetari i LV-së dhe ish-ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi së bashku me ish ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëherit anëtarin e kryesisë së Lëvizjes, Glauk Konjufca, pritën në takim asamblistin nga Medvegja, z. Muharrem Salihu.

Në këtë takim u fol për problemet me të cilat ballafaqohen banorët e Medvegjës, e që janë si të natyrës ekonomike ashtu edhe politike. Serbia ka ç’regjistruar një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë të kësaj komune me qëllim të qartë për ta deformuar zyrtarisht strukturën demografike të kësaj komune shqiptare. Ajo po ashtu po synon t’i tjetërsojë pronat tokësore që janë mbi 50% në pronësi të shqiptarëve, dhe përmes implementimit të planeve urbanistike po pamundëson aktivitetet ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve.

Me z. Salihu diskutuam mbi të gjitha këto dhe ndamë bindjen që Republika e Kosovës duhet të punojë edhe më shumë jo vetëm në dëgjimin e problemeve të shqiptarëve në atë komunë, por edhe në ngritjen e tyre në nivel ndërkombëtar. Gjithashtu u pajtuam që për të filluar një gjallërim ekonomik në atë pjesë, pikë kalimi në Mutivodë duhet të shndërrohet në pikë kufitare gjë që do t’i ndihmonte ndjeshëm prodhuesit në Medvegjë të cilët ende shfrytëzojnë rrugë të largëta për komunikim tregtarë me Republikën e Kosovës.

Kontribo