11 04 2020

Të nderuar anëtarë dhe përkrahës të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Si çdo herë kërkohet nga ju vetëdije e lartë për të ndihmuar vendin në këtë situatë të vështirë krijuar nga pandemia.

Përveç që secila e secili prej jush duhet të ndjekë me përpikmëri rregullat dhe protokollin e mbrojtjes së shëndetit për vete dhe familjen, ju lutemi që po ashtu të bëheni pjesë aktive për të ndërgjegjësuar dhe ndihmuar komunitetin ku jetoni e veproni.

Shpërndani e informoni nga distanca sa më shumë miqtë tuaj me rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, Qeverisë dhe veçanërisht shtabeve emergjente lokale.

Raportoni e ndihmoni sa më shumë për familjet në nevojë në komunitetin tuaj.

Solidarizohuni e në rast nevoje paraqituni vullnetarë pranë autoriteteve në rastet kur keni përgatitjen e duhur profesionale për të ndihmuar, gjithnjë duke zbatuar masat mbrojtëse.

Telefononi e njoftoni të afërmit e miqtë tuaj për mënyrat e mbrojtjes sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Veçanërisht ata që kanë të moshuar, ata që janë të detyruar të shkojnë në punë si punëtorët e pastrimit, të subjekteve tregtare, etj.

Solidariteti e informimi në këto momente është jetik. Ndaj mos u ndalni nga kujdesi për veten, komunitetin dhe familjen tuaj të gjerë e të ngushtë.

Për çdo hollësi kontaktoni autoritetet në numrat e paraqitur publikisht nga Qeveria e Komuna juaj si dhe lajmëroni kryetarët e fshatrave dhe lagjeve, respektivisht bashkësitë lokale.

Lëvizja VETËVENDOSJE! tashmë ka dhënë udhëzimet tek drejtuesit e qendrave të saj që në mënyrë aktive të ndihmojnë me gjithçka nevojitet në këto momente. Dhe do të vijoj ta bëjë të njëjtën.

Solidaritet, vetdisiplinë e shumë ndihmë e kujdes për më të rrezikuarit.

Kontribo