02 06 2010

Tërësia/Pjesa. Cila?

Para jo më shumë se një viti, një fantazmë endej mbi botën perëndimore – skandali i qindra priftërinjve pedofilë. Ata që hiqeshin si ‘ajka morale’ e një shoqërie, ata të cilët pretendonin të kenë mbrojtur vlerat më sublime në kohën kur bota perëndimore është zhytur si kurrë më parë në një ‘hedonizëm të papërmbajtur’, pikërisht ata, për një orë seç u shndërruan në njerëzit më të urryer. Por, jo të gjithë u shokuan, jo gjithkush u trondit nga kjo ndodhi neveritëse. Slavoj Zhizheku mendon që kjo ngjarje ishte prodhim i domosdoshëm i mënyrës se si strukturimi i Kishës si institucion (keq)menaxhon me ekonominë libidinale të pjesëtarëve të saj. Dhe, mirë e ka. Matrix-i rregullativ sistemik i sjelljes përbrenda Kishës krijon ca ‘vrima’, në të cilat gjen shkarkesë të pashmangshme patologjia e prirjeve seksuale. Ky problem nuk zhduket po u ndoqën penalisht aktkryesit, ai nuk merr fund as nëse ata burgosen. Sepse problemi nuk qëndron te ky apo ai prift i caktuar – ai është sistemik për nga natyra. Çdo përpjekje që për zgjidhjen e problemeve sistemike ka për pikënisje vetëm problematizimin e pjesëve të sistemit, e jo vetë koordinatat e tij, jorastësisht është e gjykuar të dështojë.

Kosova është problem sistemik. Sistemi përbëhet nga pjesë të shumta: UNMIK-u, IPVQ-të, KFOR-i… Por, prit! Një përshkrim i tillë është i pasaktë. UNMIK-u s’është vetëm një pjesë e thjeshtë mes shumë tjerash. Ai është dizajnuesi autoritar i raportit të të gjitha pjesëve, arbitër absolut i marrëdhënieve mes tyre. Është UNMIK-u ai që përcakton raportin nënshtrues ndaj IPVQ-ve. Pra, ai është vetë sistemi.

Struktura e rregullave të UNMIK-ut prodhon natyrën e IPVQ-ve. Aty janë të mbrujtur kufijtë ontologjikë të institucioneve tona politike. Në momentin që ndonjëri nga këto institucione qoftë edhe për një grimë shkel rregullat që s’i ka vënë vetë, atij i tërhiqet vërejtja nga UNMIK-u (PSSP-ja), sanksionohet, ose pushon së ekzistuari. Kjo është arsyeja pse Peterseni para ca muajve shfuqizoi 28 ligje të aprovuara nga i ashtuquajturi Parlament i Kosovës. Vetëm e vetëm ngaqë në këto ligje ishte përdorur termi ‘qytetar’ (citizen). Sipas dokumenteve bazike mbi të cilin legalisht legjitimohet puna e këtij sistemi piramidal jodemokratik, koncepti fundamental politik ‘qytetar’ ndalohet të përdoret. Tashmë dihet: nga ky sistem neokolonialist ne po trajtohemi si refugjatë në shtëpinë tonë, të privuar nga çfarëdo subjektiviteti politik real.

Strukturimi i pushtetit brenda vendit tonë krijon një rreth vicioz, i cili për nga natyra hermetike len qytetarin absolutisht jashtë, pa qenë në gjendje të vëjë çfarëdo ura për realizimin e interesave të tij. Paj, s’mund të ndodh ndryshe. Në majë të strukturës piramidale qëndron UNMIK-u, juridikisht i paprekshëm, e pra, absolutisht i stërkequr. Pjesë e nënshtruar integrale e tij janë IPVQ-të. Këto të fundit shërbejnë për dy arsye themelore. Së pari, ato krijojnë iluzionin e demokracisë në shoqërinë tonë. Kjo është pjesë e strategjisë së menaxhimit të pakënaqësive të popullit. Së dyti, UNMIK-u nuk ka leverdi ekonomike ta mbajë vetveten. Ai nuk ka llogari të paguajë dhjetëra ekspertë juridikë ndërkombëtarë nga 10.000 euro në muaj për secilin, të cilët do të nxirrnin ligje për UNMIK-un, në një kohë kur këtë punë e kryejnë për mrekulli ekspertët vendorë të grupeve parlamentare për vetëm 600 euro! Buxheti i Kosovës shërben për ndërtimin e bazamentit juridik të UNMIK-ut, e jo për avansimin e interesave të qytetarëve. Çka tjetër mund të prodhojë ky sistem përpos varfërimin e shumicës së popullit dhe korruptimin masiv të pushtetarëve? Asgjë.

Problemet sistemike kërkojnë zgjidhje sistemike. Të përpiqesh që problemin e vendit tonë ta shohësh si problem të një ministri të korruptuar apo të një zyrtari të paditur, do të thotë ta kesh huqur totalisht perspektivën e zgjidhjes së tij. Është punë sistemi, e jo individësh të caktuar. Kapemi nxitimthi pas skandalit të një ministri, i cili shpërdoron tendere, gjejmë veprime të mira te një kryeadministrator, ndërkaq te një tjetër ndërmarrje dashakeqe, shohim zgjidhjen e problemit të Universitetit vetëm pse u ndërrua Rektori… Kjo logjikë është pikërisht ajo që e fsheh natyrën e vërtetë të problemit. Nuk duhet problematizuar vetëm korruptimin e ministrit, por – mbi të gjitha – kushtet që tolerojnë dhe mundësojnë shpërdorime të tilla; dallimet e veprimeve të kryeadministratorëve s’janë vendime të tyre personale, por materializim i planit të tyre të punës, përmbajtja e të cilit përcaktohet nga tjetërkush (mekanizmat e OKB-së, p.sh). Njëjtë: problemi i Universitetit nuk zgjidhet po u ndërrua një udhëheqës i politizuar, por kur politizimi si fenomen sanksionohet strukturalisht aty. Por, gjithsesi, kjo nuk bën që aty të zgjidhet edhe çështja e mungesës pothuajse totale të cilësisë së studimeve.

Për sa kohë që sistemi të jetë ky që është, nëpër vrimat e krijuara nga ai gjithnjë do të rrjedhin ujëra të zeza. E, të tilla ujëra do të kemi gjithnjë, përderisa të mos ndryshojmë vetë sistemin, e jo vetëm pjesët e tij, të cilat riprodhojnë dhe zgjerojnë vetveten pa ndalë. Sepse sistemi është më shumë se pjesët e tij.

Kontribo