01 06 2010

T’i japim fUNd shtypjes

Vetëm shtatë ditë pas “lirimit me kusht” të Albin Kurtit, UNMIK-u e riburgosi atë, duke ia caktuar masën e paraburgimit edhe për 30 ditë të tjera. UNMIK-u e burgosi përsëri Albin Kurtin, sepse kështu mendon ta zvogëlojë sadopak revoltën popullore në prag të shtyrjeve të mëdha dhe dëmtimit të çështjes sonë. Dhe kështu po synon ta zvetënojë zërin e popullit tonë. Po ndalem pak te kjo meselja e shtyrjes.

E gjithë vëmendja e opinionit po përpiqet të orientohet në kohën e përcaktimit të statusit, duke e shprehur drojën e shtyrjes dhe kohëzgjatjes së kësaj shtyrje. Me këtë synohet që opinioni të mos mendojë më për përmbajtjen, por vetëm për mundësinë dhe rrezikun e mosaprovimit eventual të statusit të Kosovës. Shtyrja e përcaktimit të statusit të Kosovës nuk është më pak e rrezikshme dhe e dëmshme për çështjen tonë krahasuar me përcaktimin dhe përmbajtjen që po na përgatitet. Sepse ky përcaktim i statusit po bëhet sipas propozimit të Martti Ahtisaarit. E propozimi i Ahtisaarit, siç edhe dihet tashmë, është tepër i pafavorshëm për shqiptarët. Përvoja historike në zgjidhjen e problemeve ndëretnike na ka mësuar se kur ato zgjidhen sipas parimit të forcës e jo sipas drejtësisë, nuk janë zgjidhje por janë shtyrje, domethënë, shtyrje e problemit për një kohë të mëpastajme, e cila kohë, domosdo vjen, por pasoja më të mëdha.

Por a mund të pritet drejtësi prej atyre që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin prova për padrejtësi? Jo. A mund të quhet regjim demokratik ai regjim i cili qytetarëve ua ndalon jo vetëm të drejtën për vetëvendosje, por edhe atë të shprehjes së lirë? Pa dyshim, jo. Kurse politikanët e Grupit të Unitetit janë ata që fatin e Kosovës e kanë varësuar në këtë regjim vullnetshtypës.

UNMIK-ut nuk duhet besuar sepse ai është regjim kundëpopullor i mbështjellur me vellon e demokracisë. Kjo vello u bë tërësisht e tejdukshme më 10 shkurt.. Pseudoinstitucioneve tona nuk duhet besuar më, sepse ato po e legjitimojnë sjelljen e ndërkombëtarëve, nuk duhet besuar sepse ata po i besojnë UNMIK-ut. Pseudoinstitucioneve tona nuk duhet besuar edhe për një arsye tjetër: pikërisht ngaqë janë të tilla – pseudoinstitucione. Ato nuk janë në shërbim të popullit sepse themelet e tyre nuk i kanë aty. Ato janë në shërbim të UNMIK-ut që të jenë në shërbim të vetvetes. Prej UNMIK-ut po varet edhe jetëgjatësia e tyre në ato pozita me përfitime marramendëse për vete dhe familjet e tyre.

Ne, populli, duhet t’i japim fund kësaj shtypjeje, kësaj shkeljeje dinjiteti, këtij poshtërimi Shqiptarët në Kosovë nuk duhet t’i besojnë më as njërës palë e as tjetrës, jo vetëm për arsyet e sipërthëna por duhet t’i besojnë arsyes dhe fuqisë dhe zërit të vet i cili zë çdo herë ka qenë dhe do të jetë zë i lirisë. Populli duhet të ngrihet dhe t’i tregojë botës se nuk e do pritjen për një status të pasigurt e të padrejtë, për një status të dyshimtë, dhe nuk e do mashtrimin që po ia bëjnë të dy palët. Populli duhet të tregojë vendosmërisht se e do të drejtën për vetëvendosje dhe e kërkon atë këmbëngulësisht dhe pa kompromise.

Kontribo