01 06 2010

Traktati i mjerimit politik

Të mërkurën që shkoi, Ekipi i Uniteti i dorëzoi treshes ndërkombëtare dokumentin të cilin ata e quajnë Traktat i fqinjësisë së mirë. Sikundër e kanë bërë të qartë hartuesit e tij, dhe sikundër shihet nga përmbajtja e këtij dokumenti, delegacioni shqiptar në bisedime e trajton Kosovën si shtet, po sikur Serbinë. Mbase ky është edhe një gjest më shumë në përpjekjet e tyre për ta mashtruar popullin, duke provuar t’ia mbushin mendjen se Kosova tashmë është bërë shtet, ndërsa ata vetëm se po shkojnë të bisedojnë për dofarë çështje tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, natyrisht si dy shtete fqinje. Nuk është se ata nuk e dinë se, traktate mund të nënshkruajnë vetëm shtetet (dy e më shumë shtete) ndërmjet veti për çështje të caktuara, e jo vendet me status çfarë ka Kosova, por ata duke e quajtur të tillë kanë për qëllim ta qetësojnë popullin sa më gjatë të jetë e mundur. Ata po e quajnë traktat, por ai traktat nuk është. E si mund të quhet traktat, madje i fqinjësisë së mirë, dokumenti i cili iu ka dorëzuar treshes ndërkombëtare si propozim për ndërtimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve (shteteve), kur këtë dokument nuk e ka nënshkruar Serbia (?), por vetëm pala shqiptare, madje Serbia as që ka marrë pjesë në hartimin e tij! E si mund të quhet traktat, madje i fqinjësisë së mirë(?), dokumenti në bazë të së cilit “do të ndërtohen marrëdhëniet në mes të dy shteteve” kur Kosova ende nuk është shtet, domethënë, kur Kosova ende është nën Serbi sepse akoma s’është shkëputur prej saj, ndërsa Serbia nga ana tjetër gjithnjë e më shumë po tregon vendosmëri se nuk do të heq dorë prej Kosovës! Dhe më tej, si mund të ndërtosh “marrëdhënie të fqinjësisë së mirë” me Serbinë(?), kur ende nuk na janë shëruar plagët e luftës së fundit që kemi bërë me të, kur ende nuk janë tharë lotët e nënave, motrave dhe familjarëve tjerë, që ditëpërditë presin t’u kthehen më të dashurit e tyre, që na i morën të gjallë, e s’po na i kthejnë as të vdekur! Dhe më në fund, si mund të ndërtosh marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Serbinë, kur atje akoma sundon një regjim i cili ndaj shqiptarëve po shfaq të njëjtën politikë shoviniste si në kohën e Milosheviqit, vetëm me një strategji tjetër, me gjasë më të efektshme!

Jo, ky nuk është traktat, madje i kurrfarë fqinjësie. Ky nuk është as traktat i bërjes së shtetit e as i marrëdhënieve ndërmjet shteteve. Ky është traktat i mashtrimit, në të vërtetë i vetëmashtrimit, sepse e shpall të bërë shtetin para bërjes! Ky është traktat i përtëritjes së marrëdhënieve me popullin për ta bërë të tillë që t’iu besoj edhe më tej atyre! Ky, më në fund është, traktat i mjerimit politik që e ka kapluar udhëheqjen politike shqiptare në Kosovë!

Dëshmi të mjerimit të klasës politike në Kosovë sot ka shumë! Këtu do të përmend vetëm një rast ku ky mjerim gjen shprehjen e vet më domethënëse. Keni vërejtur se si reagojnë politikanët tanë ndaj deklaratave të përfaqësuesve ndërkombëtar për bisedime, kur ato deklarata nuk iu pëlqejnë, sepse janë në kundërshtim me përmbajtjen e premtimeve që po i japin popullit. Të krijohet përshtypja se, më tepër kanë qejf t’iu komunikohen premtime shpresëdhënëse se sa t’iu thuhet e vërteta. Në të vërtetë kështu është. Vetëm vëreni se si reaguan ndaj dy deklaratave të Ischingerit. Përfaqësuesit evropian në bisedime, Wolfgang Ischinger, as herën e parë e as të dytë nuk i është keqinterpretuar deklarata. Ai po e thotë të vërtetën: atë që mund të ndodhë – herën e parë, dhe atë që po ndodhë – herën e dytë. Por kjo, politikanëve tanë nuk po iu pëlqen. Ata dëshirojnë të jenë të mashtruar, sepse dëshirojnë të shpresojnë! Ata nuk dëshirojnë kurrsesi bisedimet të dështojnë, pavarësisht për çmimin që do të paguaj Kosova dhe populli shqiptar! Sjella e tyre në këtë përmbajtje, gjithnjë e më shumë po i përngjan sjelljes së atij gomarit në tregimin popullor, të cilin gjersa po e hante ujku, shpresonte të ishte në ëndërr!

Pra, me ëndrra të tilla, me traktate të tilla, me politikanë të tillë, në të vërtetë me politikanë që hartojnë kësi lloj traktatesh përmes të cilave e mbiquajnë shtet, vendin e tyre të varur e të tejvarur, pjesëtarëve të të cilit u cenohen të drejtat më elementare – ato të shprehjes së lirë, për liri, demokraci e vetëvendosje, pra me politikanë të këtij lloji, nuk ndërtohet shteti. Jo! Shteti, ndërkaq ndërtohet me politikanë të cilët popullit të vet ia thonë të vërtetën çdo herë, në çdo kohë, ashtu siç është, dhe të cilët janë në gjendje ta flijojnë karrigen kurdoherë për këtë të vërtetë, e jo me politikanë që, jo vetëm të vërtetën, por edhe popullin e flijojnë për karrige, kurdoherë.

Kontribo