03 05 2013

Trepça, arsyeja sepse Beogradi këmbëngul për veriun

Trepça dhe gjendja e saj aktuale, të cilën do ta cilësoja si gjigant të gjunjëzuar është pasuria e Kosovës  që gjithkush tjetër e shfrytëzoi, përveç popullit të Kosovës. 

Pasuria e saj është arsyeja se pse sot Beogradi po këmbëngul që të mos largohet nga Veriu. Ekspertët kanë vlerësuar se Trepça kushton miliarda euro.

New  York Times në 1998 shkruante: “Mitrovica është zona më e pasur minerale e tërë Evropës këtej maleve Urale, copa më e vyer e Ballkanit, me vlerë miliarda dollarë… Miniera e parë për plumb dhe zink, miniera e tretë për nga madhësia që prodhon ar, argjend, kadmium, zirkon,… Lufta në Kosovë është lufta për minierat e Mitrovicës… Mitrovica është Kuvajti i Serbisë”. “Minierat në Mitrovicën Veriore përfaqësojnë 3/4 e pasurive potenciale minerale të Jugosllavisë. Edhe në vitin e bllokadës ekonomike të Jugosllavisë në 1996, ato sollën 100 milionë dollarë fitime”. 

Trepça është e vetmja pasuri që ende nuk është falur apo shitur, por gjendja e saj është munduar të ndërlikohet në mënyrë të pazgjidhshme.

Lista e pronarëve dhe pretendentëve për këto miniera e spjegon mirë lojën që është luajtur dhe po luhet në Kosovë. Aksioneri i parë i këtij “Kuvajti serb” pas aneksimit të Kosovës dhe pasurive të saja nga Sllobodan Millosheviçi ishte Beobanka me ish-drejtor pikërisht Sllobodan Millosheviçin. Deri në ’90 i tërë minerali i Mitrovicës përfundonte në Rusi dhe njeriu që kontrollonte lidhjet ruse ishte pronari i Inex-Interexport-it, ambasadori i Jugosllavisë në Moskë, Borislav Millosheviçi, pikërisht vëllai i Slobodan Millosheviçit (BBC 16 April, 1998). 

Që në ditët e para të pas luftës u shfaqen kompanitë e para që firmosën kontrata blerjesh të aksioneve me Jugobankën, në një kohë që de jure Mitrovica ishte nën administrimin e UNMIK-ut. 

Më 14 qershor 1999, vjen në Jugosllavi drejtori i SCMM-së tregtari më i madh i argjendit të Mitrovicës Jean Pierre Rozan dhe blen 51% të aksioneve të Trepçës nga Jugobanka. Në shtator ai firmos kontratën për shfrytëzimin e Trepçës me drejtorin e caktuar nga Beogradi, serbin Novak Bjeliç (Le Monde), 1 septembre, 1999: ICG Novembre 1999). Për të vazhduar më tej me  SCMM-së  dy vjet para  ju shtua firma TEC- Ingenierie. 

Më pas vjen kompania Mytilenos, që kontratat i kishte firmosur me Jugobanka-n e Millosheviçit dhe Genex-in e Çernomyrdinit. Vetëm në ’97 Mytilenos kishte paguar 519 milion $.

SCMM-TEC Ingenierie-Trigaduri-Genex-Mytilenos-Jugobanka-Beobanka, ky është rrethi vicioz, ku shtetet përkatëse të këtyre kompanive i lyejnë vazhdimisht ingranazhet e politikës se vendeve përkatëse dhe e mbajnë peng Mitrovicën  prej 14 vitesh. 

Është më se e qartë se Serbia por jo vetëm ajo kanë interesa të fuqishme ekonomike në këtë pjesë të Kosovës dhe secili projekton të shqyejë sa më shumë që të mundet nga pasuria e Trepçës.  

Unë shtroj pyetjen, pse Qeveritë e Kosovës asnjëherë nuk u morën seriozisht me Trepçën, për ta rivënë në punë. Kosova është në një gjendje të dëshpëruar  ekonomike dhe nevoja për pasurinë e saj, është më e madhe tani se kurrë. 

Trepça ka nevojë për investime, për t’u rivitalizuar. Kosova tashmë ka privatizuar pjesën më të madhe të ndërmarrjeve shoqërore, sapo shiti edhe PTK-në. Pse këto para nuk u përdoren kurrë për të investuar aty ku vërtete është e leverdishme, aty ku prodhohet. A ka qenë e mundur që gjatë këtyre viteve Trepça, të ishte vënë në punë ?

Unë mendoj se po, mirëpo dyshoj se interesa shumë të mëdha e kanë bllokuar këtë proces, me qëllimin për t’ja ulur vlerën dhe që pastaj të jepet në shfrytëzim apo të shitet për një vlerë shumë më reale. Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë që dallaveret dhe transformimet e pronës në kohën e Millosheviçit, të vazhdojnë të dëmtojnë ekonominë e Kosovës edhe sot pas 14 vitesh. Asnjë iniciativë nuk është marrë deri tani  për të adresuar problemet ligjore, sepse kam përshtypjen se qeveritarët po presin edhe vet të shqyejnë ndonjë copë nga pasuria e Trepçës. Aktualisht ka shumë kompani ndërkombëtare që kanë shprehur interes dhe po lobojnë fuqishëm tek krerët më të lartë të shtetit, që ta fusin në dorë Trepçën.  Por ky gjigant ende nuk është pjesë e një strategjie serioze ekonomike  e cila do ta bënte funksionale dhe kjo nuk po ndodh rastësisht. 

Kontribo