02 06 2010

Tri simptomat

E kemi thënë edhe më parë: Institucionet e Përkohshme të Vetë-Qeverisjes ndaj UNMIK-ut qëndrojnë sikur simptoma ‘mjekësore’ në raport me sëmundjen. Simptoma është manifestimi i dukshëm i sëmundjes, e kjo e fundit shkaku real i saj. Simptoma kurrnjëherë nuk ka kuptim ‘në vetvete’, por vetëm ndaj sëmundjes. Ashtu siç kuptimi i IPVQ-ve banon në raportin e tyre vartës ndaj UNMIK-ut: ato janë themeluar prej kësaj administrate neokolonialiste për t’i shërbyer asaj, bazamenti juridik i tyre s’është tjetër veçse një rregullore e UNMIK-ut, kjo rregullore i referohet Rezolutës 1244, e cila mohon vullnetin e popullit…

Ky raport simptomatik ‘mjekësor’ i IPVQ-ve ndaj UNMIK-un, prodhon simptomën e dytë – atë psikoanalitike. Njëjtë sikur që individi ndrydh një dëshirë të pakëndshme për unin, këto institucione politike janë të konstruktuara ta ndrydhin vullnetin e popullit. Por, struktura e simptomës psikoanalitike ka ligjësitë e veta kokëforta: dëshira e sapondrydhur nuk humbet; e kaluar në një pjesë tjetër të shpirtit, ajo vazhdon presionin saj. Njëjtë sikur ‘personaliteti dinamik’, shoqëria është një sistem forcash ndërvepruese. Interesat e qytetarit ndrydhen, ato nuk përmbushen. Por, gjithsesi, krejt ky joefikasitet institucional nuk shpërbëhet sakaq si një fluskë sapuni. Pasoja e drejtpërdrejtë e kësaj mospërbushjeje është fermentimi i pakënaqësisë kolektive, rritja e saj e vazhdueshme.

Çdo rritje e pandalshme e pakënaqësisë domosdo do ta ketë pikën e saj të vlimit. Pikërisht ky është kuptimi i kryengritjes së 17 marsit: një oqean problemesh të pazgjidhura, gjithë ai anashkalim i interesave vitale të qytetarëve për vite me radhë, një mohim sistematik i dëshirës shekullore të një populli për liri formuan potencialin e një shpërthimi, i cili gjithnjë do ta gjejë pikën e tij të shkarkimit. Akumulimi i mëtejshëm i ngarkesës mund të zhduket vetëm po u mënjanua shkaku i tyre real – koordinatat ekzistuese politike të institucioneve tona. Arbitër i këtyre koordinatave është UNMIK-u.

Raporti kushtëzues i simptomës ‘mjekësore’ ndaj asaj psikoanalitike prodhon simptomën e tretë sintetike. Këtu do të na nevojitet një referim i domosdoshëm në teorinë e filosofisë politike të Slavoj Zhizhekut. Sipas tij – një përpunim i mëtejshëm i tezave, të cilat Eric Santneri i nxori nga teoria e Filosofisë së Historisë së Walter Benjaminit – veprimet e ardhshme, që synojnë ndryshime të mëdha sociale, paguajnë tërësinë e përpjekjeve të dështuara të së shkuarës, pamundësinë e përmbushjeve tërësore të ndërmarrjeve revolucionare. Dështimet e së kaluarës nuk vetëkufizohen për nga ndikimi vetëm në kohën kur ndodhin: si një potencial i akumuluar pa ia nda, ato kushtëzojnë mundësitë e aksioneve tona t’ardhshme. Asgjë nuk nis nga një fillim i pastër. Ex nihilo, nihil fit.

Ku qëndron, pra, rëndësia e pakompenzueshme e domosdosisë së veprimit të tanishëm? Sigurisht – në ndryshimin e koordinatave politike sistemike, në mënyrë që humnerimi i simptomës së parë ta merr me vete atë të dytën; në mënyrë që këto të dyja të mos prodhojnë atë të tretën – barrë shumëfish më e rëndë për brezat që vijnë.

Kontribo