08 12 2011

Trusje, por mos na ofendoni intelegjencën

Në Trustin e Kursimeve Pensionale deri më tani qytetarët kanë investuar / kursyer rreth 550 milionë euro, dhe kthimi në investim për këta 10 vjet është thënë më së paku negativ. Pra, dhjetë vjet jo që nuk kemi kurrfarë kthimi në investim, por realisht kemi zhvlerësim dhe madje shumëdimensional.

Tashmë janë mbushur dhjetë vite prej kur me Rregulloren e UNMIK-ut 2001/35 është vendosur një sistem pensional në Kosovë, një sistem tjetër financimi nga ai i gjeneratave – sistemi i vetë-financimit.  

Në atë kohë u themelua Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, si institucion i cili administron skemën pensionale të vetëfinancuar nën mbikqyrjen e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Pra, Trusti administron, por Bordi i tij i zgjedhur nga Kuvendi i Republikës, merr vendimet se si të investohen mjetet e mbledhura nga qytetarët.  Për më shumë, në këtë mozaik është e kyqur edhe Administrata Tatimore e Kosovës e cila mbledh kontributet për Trustin nga individët, bizneset dhe organizatat.

Sidoqoftë, është interesante se ky model i sistemit pensional është zgjedhur pikërisht nga Banka Botërore. Duke analizuar modelet e sistemeve pensionale në rajon, të njejtin e gjejmë në Kroaci, Maqedoni e plotë shtete tjera të rajonit. Por, në asnjërin nga këto vende, nuk injorohen kontribuesit e të së kaluarës, nuk imponohet një institucion i vetëm që menaxhon me mjetet e kontribuesve, dhe në fund fare nuk i lihen në duar të një bordi vendimet për mbi EUR 550 mln kursime pensionale e personale.

Ky sistem në vetvete nuk do të ishte i dëmshëm po të mos shoqërohej edhe me një ndërhyrje e cila praktikisht është njëra prej padrejtësive më të mëdha në shoqërinë tonë të pasluftës. Me këtë rregullore është bërë anashkalim i tërësishëm i një gjenerate të tërë kontribuesish, duke i futur të gjithë ata që kanë kontribuar në të kaluarën në një grup, në atë të rasteve sociale.  Ky avaz po vazhdon edhe dhjetë vite pas lufte.  Fatkeqësisht, këtu vetëm sa fillon numërimi i shkeljeve në sistemin pensional.

Që mos të ketë keqkuptime, sistemi i vetëfinancimit dallon nga ai i gjeneratave, pasi që me sistemin që kemi nga viti 2001, secili qytetar kontributet i paguan për vete, pra kursen për pensionin e tij, dhe vlera e këtyre kontributeve ngrihet ose zvogëlohet varësisht prej performancës së investimeve.  Kjo performancë varet nga vendimet për këto investime të cilat i merr Bordi i Trustit, Bord i cili edhe një herë po e potencoj, zgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.  Kështu tani, 10 vite më vonë mund të flasim konkretisht për pasojat që pati sistemi i vendosur.

Në Trustin e Kursimeve Pensionale deri më tani qytetarët kanë investuar/kursyer rreth € 550 milion, dhe kthimi në investim për këto 10 vite është thënë më së paku negativ.  Pra, për dhjetë vite jo që nuk kemi kurrfarë kthimi në investim por realisht kemi zhvlerësim dhe atë shumë dimensional.  Paraja e investuar në Trust tani më vlen më pak se që ka pasur vlerën kur kemi filluar investimet si qytetar, nëse për asgjë  më shumë atëherë vetëm për normën e inflacionit e cila vetëm në vitin 2010 ka qenë 6.6% sipas Entit të Statistikave të Kosovës. Më tutje, kostoja oportune e investimit për ne është tani më shumë më e lartë, pra krahasimi me përfitim 10 vjeçar nëse kishim investuar në ndonjë formë tjetër, gjë që Bordi i Trustit e injoron tërësisht në kalkulimin e kthimit në investim. Në fund fare, ajo që është edhe më e dhimbshme është loja e këtij Bordi me terminologji kontabiliteti për të projektuar një lloj strategjie investuese afatgjate e cila kinse do të gjeneroj kthim.

Për të sfiduar këtë retorikë të Bordit të Trustit duhet t’i referohemi deklaratave të fundit të tyre ku ata deklarojnë që humbjet në investime të Trustit prej fillimit të vitit e deri më tash sillen rreth 5.3 milion euro. Në fakt, sipas të dhënave të ofruara nga vet Trusti, humbja për tremujorët e parë të vitit 2011 është 16.5 milion e jo 5.3 milion euro, shih tabelën.

Tabela 1: Performanca e investimeve sipas tremujorëve dhe për vitin 2011

Periudhat                        Kthimi në investime (në milionë euro)

TM1:                                  +11.5

TM2:                                  +  3.0

TM3:                                 – 31.0

1 deri 15 tetor 2011:            11.2

Kumulative:                    –   5.3

1 janar deri 15 tetor 2011

Megjithatë, Bordi i Trustit këto nuk i konsideron si humbje pasi sipas tyre këto investime janë afatgjate, “Trusti ka bërë investime afatgjata, 20-25 vjeçare dhe lëvizjet njëmujore, ose tremujore nuk duhet të konsiderohen humbje.”

Bordi i Trustit vazhdon të keqinformojnë opinion, duke luajtur me terma financiare me qëllim që të fshehin situatën reale. Kështu, humbjet e fundit të cilat kanë rezultuar më së shumti nga mjetet e investuara në ekuitete, i paraqesin si të parëndësishme sepse këto instrumente janë afatgjate dhe humbjen si të tillë e quajnë të parealizuar. Në fakt, kthimi i investimeve në ekuitete llogaritet në baza ditore. Humbja apo fitimi është gjithmonë i realizuar, pa marrë parasysh kohëzgjatjen e instrumentit financiar.  

Për më shumë, nëse shikojmë alokimin e mjeteve nën menaxhim të Trustit, alokim ky i bërë në bazë të politikave investuese të këtij institucioni, pjesa më e madhe është investuar në ekuitete e që është në shpërputhje me deklaratat se politikat investive të Trustit janë konservative. Vetëm për faktin se Trusti i investon mjetet në instrumente afatgjate, nuk mund të thuhet se politikat investuese të tyre janë konservative. Politikat investuese vlerësohen më së shumti duke shikuar llojin e instrumenteve financiare në të cilat investohet dhe ato që alokojnë shumicën e mjeteve në ekuitete, më së paku mund të cilësohen si konservative, e posaqërisht në këto kohë të krizës financiare.

Bordi i Trustit thotë se megjithëse performanca e investimeve në këtë periudhë nuk ishte e kënaqshme, mjetet që Trusti i ka nën menaxhim për këtë periudhë nëntëmujore vazhduan të rriten për rreth 62 milionë euro për vitin 2011. Mjetet nën menaxhim të Trustit rriten çdo muaj për rreth afër 8 milion euro mesatarisht, të gjithë të punësuarit dhe punëdhënësit e Republikës së Kosovës janë të detyruar të derdhin kursimet pensionale në llogari të Trustit. Fakti se mjetet nën menaxhim të Trustit janë rritur për 62 milion euro për këto 9 muaj nuk shërben aspak për të vlerësuar performancën e këtij institucioni.

Për të sfiduar këtë strategji, kthehemi edhe njëherë tek alokimi i mjeteve nën menaxhim të Trustit, e duke pasur parasysh situatën më të fundit në Eurozonë, e kuptojmë që kjo krizë është e neglizhuar plotësisht nga ky Bord. Një pjesë e madhe e mjeteve të investuara janë pikërisht në Eurozonë, që përbën në vete një risk që në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet për mjetet e një fondi pensional.

Në fund fare, vërehet se paaftësia reaguese e udhëheqësve të Trustit po përsëritet si në vitin 2008, kur Trusti humbi afër 30% të mjeteve të investuara, atëherë kur arsyetimi ishte se Trusti nuk ka Bord Mbikëqyrës. Sot, ky Bord Mbikëqyrës ekziston dhe së bashku me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës i neglizhon lëvizjet financiare që ndikojnë tek paratë e kontribuesve.

Këto miliona euro janë para të qytetarëve të cilat Trusti e ka për detyrë t’i investojë, dhe ky investim duhet të gjenerojë kthim në investim, nëse për asgjë më shumë atëherë sa për të ruajtur vlerën e parasë në kohë, gjë që nuk po ndodh këto 10 vite.

Përfundimisht, fakti se këto investime po gjenerojnë humbje, falë politikave të gabuara investuese të Trustit, na shërben për të vlerësuar performancën e këtij institucioni. Retorika boshe mbi strategji investimesh edhe për kursimtarin aktual e edhe për ekonominë e këtij vendi ka pasur po të njëjtin rezultat, kthim BOSH në investim.

Kontribo