21 03 2023

Tubim “Lëvizja për gratë dhe vajzat”

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në tubimin e organizuar nga GVV:

E nderuar ministre e drejtësisë dhe kryetare e GVV-së, znj. Albulena Haxhiu,

E nderuar ministre e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe inovacionit dhe kryesuese e Këshillit të Përgjithshëm, znj. Arbërie Nagavci,

E nderuar nënkryetare e Lëvizjes sonë, znj. Mrika Limani Myrtaj,

E nderuar sekretare e RVV-së, znj. Lidiona Marovca,

Të nderuar deputete të Kuvendit të Republikës e ministre të Qeverisë sonë,

E nderuar udhëheqëse e grupit parlamentar të LVV, znj. Mimoza Kusari Lila,

Të nderuara kryetare të GVV-së në Qendrat tona dhe asambleiste të komunave,

Të nderuara nëna, në veçanti këtu po i shoh Luljeta Sharanin dhe Sana Berishën,

Shumë të dashura aktiviste, anëtare e mbështetëse të Lëvizjes,

Janë bërë 4 vite që kur ne si Lëvizje, kemi filluar ta shënojmë marsin si një fushatë intensive me shumë aktivitete e të përbashkuar nën sloganin “Marsi sjell pranverën, gratë barazinë,” andaj edhe sivjet vazhdojmë të adresojmë pabarazitë gjinore dhe të luftojmë shtypjen e shfrytëzimin e grave.

Gratë ndryshe nga burrat pikënisjen e tyre të angazhimit publik e të punësimit nuk e kanë të njëjtë. Një grua ka dyfish vështirësi në angazhimin e saj për shoqëri. Ajo e lufton pabarazinë e përgjithshme në shoqëri, e edhe atë gjinore njëkohësisht. Andaj, jam shumë i lumtur që në VETËVENDOSJE!, angazhimi i grave mbështetet nga një strukturë e veçantë. Aty ku kemi kultivim dhe mirëmbajtje të vatrave të solidaritetit gjinor, aty edhe rritet progresi. Solidaritet gjinor mes grave së pari, e pastaj i burrave me gratë së dyti. Pa njëra-tjetrën e njëri-tjetrin, barazia gjinore është e pamundur. Në një organizatë si e jona solidariteti duhet të jetë kryefjala.

Emanicipimi gjinor është kusht për barazi dhe drejtësi, për atë gjinore edhe për atë shoqërore. Barazia gjinore është ideal në të cilin beson dhe angazhohesh pareshtur si aktiviste e si aktivist. Megjithëse rruga për të arritur barazinë është e gjatë, është një rrugëtim të cilën duhet ta bëjmë, pavarësisht gjithçkaje. Vetëm duke u bashkuar me lëvizje të tilla fitojmë fuqinë dhe qartësojmë vizionin. Çmontojmë barrierat strukturore dhe formësojmë marrëdhënie shoqërore për drejtësi e barazi.

Nevojën për emancipim të grave për të drejtat e tyre, e kemi dëgjuar shpeshherë. Mirëpo në veçanti emancipimi i burrave dhe djemve, e sidomos djemve është i domosdoshëm. Duhet inkuadrim edhe në sistemin e edukimit. Sa më herët në moshë që fillojmë aq më mirë. Pra, emancipim shoqëror me fokus në emancipimin e burrave dhe djemve, madje që në fëmijëri të hershme.

Idealet tona për një Kosovë sa më barazimtare mes grave e burrave, po i shoqërojmë si qeveri me hapa konkret. Problemet me të cilat ballafaqohen gratë në Kosovë, kanë vëmendjen tonë të plotë. Asnjëherë nuk është bërë më shumë, dhe asnjëherë vëmendja nuk ka qenë më e madhe se tani, për gjysmën e shoqërisë tonë, për gratë dhe vajzat.  

Me qëllim të pavarësimit dhe fuqizimit ekonomik të grave:

  • Në vitin 2022 mbi 5 mijë gra janë punësuar përmes masës 1.3;
  • Mbi 337 mijë fëmijë marrin shtesa çdo muaj, dhe mjetet dalin në llogari të nënës;
  • 89,241 gra për herë të parë kanë hapur llogari bankare, si rezultat i pranimit të shtesave për fëmijë;
  • Përmes masës “Qeveria për Familjen” janë punësuar 603 gra, që me pagën e tyre janë burim i vetëm i të ardhurave për familjet e tyre;
  • 1,401 vajza janë punësuar përmes praktikës në punë apo platformës Superpuna;
  • Kemi mbështetur 44 biznese të grave pronare në zgjerimin e bizneseve të tyre.

Me thirrjen publike të Ministrisë së Ekonomisë për subvencionim të efiçiencës së energjisë, kemi mbështetur 45 nëna vetushqyese, e 468 gra që mbështeten nga skema sociale kanë përfituar stufa individuale me biomasë.

Për shkak që një përqindje e vogël e grave kanë pronat në emër të tyre, përmes udhëzimit për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve, 4375 çifte kanë regjistruar pronën ne emër të dy bashkëshortëve. Dhe këtë masë do ta vazhdojmë si masë afirmative kundër diskriminimit. Duke gëzuar të drejtën në pronë, të drejtën në trashëgimi, i luftojmë normat patriarkale shoqërore. Për këtë qëndrojmë e angazhohemi edhe si organizatë social-demokrate progresiste, e edhe si qeverisje demokratike.

Të drejtat e garantuara me ligj, nuk mund të mbeten një guaskë boshe. Korniza ligjore, krahas avancimit duhet shoqëruar me politika të duhura publike, rritje të cilësisë së shërbimeve publike, pavarësi ekonomike, e financim të qëndrueshëm. Të adresohen nevojat e grave me gjithë shumëllojshmërinë e situatave të tyre në shoqëri që ato të ndjehen të sigurta e të jetojnë të lira.

Duke qenë të brengosur me rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave, për herë të parë adresimi i dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore është bërë prioritet i qeverisë.

Në këtë drejtim:

  • Kemi miratuar strategjinë nacionale kundër dhunës në familje;
  • Kemi mundësuar ndihmë juridike falas për të mbijetuarat e dhunës në familje pavarësisht gjendjes socio ekonomike te tyre;
  • Kemi vazhduar mbështetjen për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Kemi zgjatur procesin e aplikimit dhe mandatin e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës;
  • Kemi lehtësuar kompensimin e viktimave të krimit;
  • Kemi miratuar për herë të parë protokollin shtetëror për trajtimin e dhunimeve seksuale;
  • Kemi miratuar kurrikula për trajtimin e dhunuesve; ndërkaq
  • Këtë vit do të shtohet buxheti për strehimoret që strehojnë viktimat e dhunës.

Për gratë artiste, studiuese, shkrimtare e krijuese, që ndjekin rrugën e mendimit dhe të krijimi në vitin 2022 kemi financuar 104 projekte të grave në art dhe kulturë. Për të ndihmuar arsimimin e vajzave, për të mbyllur hendekun gjinor në profesione kemi ndarë bursa për 1382 vajza. Për këtë vit akademik kemi ndarë 2 milion euro për 2000 bursa. Vitin e kaluar pat qenë 1 milion euro për 1000 bursa, pra është dyfishuar.

Të nderuara të pranishme,

Të dashura aktiviste të Lëvizjes sonë,

Kemi ende edhe shumë punë për të bërë. Vajzat dhe gratë në vendin tonë e kanë mbështetjen, sepse ne e kemi vullnetin për t’i adresuar pengesat drejt barazisë përmes eliminimit të tyre. Ne të gjithë synojmë një botë më të drejtë, pa dominim, e pa dallime. Për këtë nuk kemi nevojë të jemi të njëjtë. Të qenët të ndryshëm nuk na pengon drejt barazisë. Madje pikërisht duke qenë të ndryshëm duhet ta dëshmojmë se mund dhe duhet të jemi të barabartë. Të drejtat e përparimi i grave kanë revolucionarizuar jetën edhe të grave edhe të burrave përgjatë historisë anëembanë globit.

Gratë veprimtare, çlirimtare e profesioniste, gratë e punësuara e ato të papunësuara, gratë akademike e studente, ishin e janë çdoherë të angazhuara në secilën hallkë të ndryshimit dhe përparimit shoqëror.

Mirënjohja për ju është e thellë, e falënderimi shumë i madh. Do të jemi bashkë, krah për krah drejt barazisë edhe gjinore edhe shoqërore.

Ju falemnderit.

Kontribo