22 07 2019

Tubim në Bardhin e Madh të Fushë Kosovës

Kosova ndodhet në një krizë të shumëfishtë. Të gjithë qytetarëve të Kosovës u mungon drejtësia dhe punësimi; të gjithë janë shumë të zemëruar prej korrupsionit dhe moszhvillimit; prej të ardhmes së pasigurt; prej arsimimit të dobët dhe shëndetësisë edhe më të dobët – por populli ynë, gjithmonë i ka mbledhur forcat dhe ka dalë nga situatat e vështira, edhe atëherë kur askujt nuk ja ka marrë mendja, dhe kjo do të ngjajë edhe kësaj radhe. Qeveria ka rënë dhe është krijuar një shans që me zgjedhje të lira, të ndershme, demokratike, qytetarët ta thonë fjalën e tyre, ta shprehin përcaktimin e tyre, për ndryshime që tashmë janë të domosdoshme. Por, çdo mungesë që e ka qytetari i Kosovës nuk mund të krahasohet me mungesën e ujit. Mund ta merrni me mend se në çfarë krize është vendi ynë kur edhe uji është bërë luks. Qytetari nuk do të duhej të gëzohej kur ka ujë sepse ai nuk do të duhej t’i mungonte. Unë e di se Bardhi i Madh i ka dhënë qindra hektarë KEK-ut, me çmim shumë të lirë përgjatë dekadave të ndryshme; e di se ajri është ndotur prej KEK-ut dhe se keni pas vështirësi edhe për shkak të zhurmës së eskavatorëve. Gjithashtu e di se për shkak të eksploatimit të minierave u janë pakësuar burimet e ujit dhe tash keni mbetur pa të – probleme këto që nuk janë fatkeqësi natyrore, por janë keqqeverisje e paparë. Prandaj ne duhet të bashkohemi që ta bëjmë ndryshimin dhe asisoj të mundësojmë që ai të reflektohet edhe këtu në jetën tuaj, jo vetëm për ujin por edhe për shumëçka tjetër. Lëvizja VETËVENDOSJE! është infrastrukturë që i lidhë njerëzit dhe qytetarët e këtij vendi, dhe ua ofron vetveten atyre për ndryshimet pozitive që ata i duan. Zgjedhjet janë afër dhe është me rëndësi që ta ushtroni të drejtën tuaj për ndryshime në këtë vend.

Kontribo