14 02 2007

UNMIK, koha për të ikur…

Kanë kaluar tri ditë dhe ende nuk po arrijmë të kuptojmë se pse u vranë dy të rinj nga policët e UNMIK-ut. Është sa dëshpëruese, aq edhe e pabesueshme. Në Kosovë ende mund të vdesësh nëse del për të protestuar, apo për të demonstruar. Akoma më i pabesueshëm duket fakti që komisari i policisë së UNMIK-ut, Stephen Curtis, edhe pse me viktima nëpër këmbë, ka dalë para mediave dhe nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve. Stephen Curtis ende nuk ka shpjeguar para njerëzve se kush i thirri policët e tij të dalin e të “mbrojnë” institucionet e Kosovës dhe as kush i autorizoi të përdornin plumba që vetë organizata ku ata marrin rrogën, OKB-ja, i ka ndaluar 30 vjet më parë. Curtis ende nuk ka treguar se kush i urdhëroi policët e tij të gjuanin në kokat e njerëzve në mënyrë aq barbare, nuk ka treguar as se pse u përdor gjithë ai gaz lotsjellës mbi një turmë të paarmatosur.

Gazetarët nuk janë lejuar ta pyesin zotërinë në fjalë. Në këto rrethana, gazetarët nuk kanë pasur ndonjë arsye për të qenë aty, pasi pyetjet nuk lejoheshin. Vetëm në Kosovë mund të ndodhë kështu. Të të thërrasin dhe mos të të lejojnë të bësh pyetje, të mbajnë konferencë për shtyp dhe të mos japin asnjë përgjigje. Keqardhja nuk mjafton për Stephen Curtis. Ai ka përgjegjësi. Ka përgjegjësi për jetët e humbura dhe për dhjetëra të plagosur. Mbase ai ka menduar se me dorëheqjen e ministrit të Brendshëm (dorëheqje e imponuar kjo) do të mbyllet apo të harrohet edhe kjo ngjarje si shumë të tjera dhe ai do ta kalojë lumin pa u lagur. Mbase ka menduar të sakrifikojë për kokë turku ndonjë vartës të tij.

Kushdo që ka ndjekur demonstratën e 10 shkurtit nga afër, apo nëpërmjet ekranit, ka parë fare qartë se policia e UNMIK-ut ka qenë përgjegjëse për gjithçka në atë “fushëbetejë”. Ka parë se si policët i merrnin arkat e mëdha të mbushura me kallëpe gazi lotsjellës dhe i zbraznin një nga një mbi demonstruesit, duke të krijuar përshtypjen se ky ishte rasti i tyre. Ka parë se sa pasion kishte aty. Pasion ndoshta për të mësuar efektet e gazit, pasion për të gjuajtur me armë, pasion deri edhe për të marrë shenjë mbi njerëz. Qen të mëdhenj ishin gati për të të shqyer. Një armatim deri në dhëmbë kundër protestuesve të paarmatosur dhe si për të plotësuar tablonë tronditëse, karabinierë që godisnin si të çmendur mbi trupa të njomë minorenësh. Skena të denja vetëm për filma Hollivudi.

Nuk kanë bërë sehir as policët e SHPK-së, edhe pse jo dhe aq të bindur se duhej të silleshin brutalisht me të afërmit e tyre. S’ka shfajësim as për ata, edhe nëse janë thirrur vetëm sa për të qenë prezentë, në mënyrë që e gjithë kjo të mos cilësohej si një betejë mes shqiptarëve dhe policisë së UNMIK-ut. Pa dyshim që kjo e fundit është përgjegjësja numër një për vrasjen e dy të rinjve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Askush nuk mund të paragjykohet në demonstrimin e tij. Askush nuk mund të dhunohet, aq më pak të vritet, me pretekstin se ka ndërmend të sulmojë institucionet, sa kohë nuk i ka sulmuar ato. Kjo është shoqëria demokratike. Ky nuk është dështimi i parë i policisë së UNMIK-ut në Kosovë. Ai ka dështuar turpshëm në mars të 2004-ës. Ka dështuar në kapjen dhe ndëshkimin e kriminelëve me emër, ka dështuar në zbulimin e krimeve me peshë.

Çfarë duhet të ndodhë më tepër që komisioneri i policisë, Stephen Curtis, ta shikojë të arsyeshme të zhvillojë një konferencë për shtyp, ku të japë shpjegime se pse u përdorën plumbat vdekjeprurës. Sa për dorëheqje, atij si duket as nuk i ka shkuar në mendje, edhe pse vjen nga një vend ku mund të protestohet për gjithçka, ku qytetarët mund ta kapin për xhakete Kryeministrin e madje mund ta pështyjnë edhe në fytyrë nëse mendojnë se i ka gënjyer, ndërsa mediat mund ta bëjnë t’i skuqen veshët deri në rrënjë. Reagimi i policisë vetëm sa iu ka dhënë të drejtë aktivistëve të “Vetëvendosjes” se në këtë vend nuk ka liri. Nuk ka liri për mendimin ndryshe, nuk ka liri për mediat, nuk ka liri për të shprehur qëndrimet politike apo çfarë do qofshin ato. Nuk ka gjë më dëshpëruese të shohësh dy të rinj të futen në dhe, vetëm se dolën në rrugë për të demonstruar. Në Kosovë kanë humbur jetën me qindra nëpër demonstrata, por ka qenë policia e një regjimi shtypës ajo që ka vrarë. Policia e UNMIK-ut me sjelljet e së shtunës, pak kohë përpara se të ikë nga Kosova, ka sjellë reminishenca të policisë së “Kasapit të Ballkanit”. Jo vetëm reminishenca, por një revoltë e cila mbi të gjitha do të drejtohet kundër njerëzve të këtij institucioni që nuk do të mbahet mend në Kosovë për punë të mira. Së fundmi, ajo që të tremb seriozisht është mesazhi që policia deshi të përcjellë me këtë rast. Mos vallë pakoja e Ahtisaarit që ka shumë kundërshtime në Kosovë (sidomos nga të rinjtë e “Vetëvendosjes”) do të zbatohet qoftë edhe me gjak?

Kontribo