02 06 2010

Ups! E bëri prapë

Kur ta mendosh çfarë unikatë të diplomacisë janë marrur me Kosovën këto vitet e fundit, konkurrenca del goxha e sertë. Por megjithatë, gjermani Volfgan Ishinger, kreu i treshes ndërkombëtare për Kosovën, ka gjasa të mira që të kurorëzohet si më kontraversi prej tyre. Diplomat i karrierës me diplomë juristi, burrë i një gazetareje, e baba i tre fëmijëve, ai është shquar për stil jodiplomatik, shpërfillje të opinionit, e udhëheqje autoritare që nga dita e parë. Nën mandatin e tij, Grupi Negociator i ka ngrënë disa nga grushtat më të fortë, ndërsa Kosova është shtyrë më larg prej objektivave të veta se ndonjëherë më parë gjatë këtyre viteve të fundit. Propozimi i fundit i Ishingerit për një gjoja Dejton të dytë rreth Kosovës kanoset tani t’ia vë gozhdën e fundit në arkivol jo sall shpresës për pavarësi, por edhe plus minus zeros së formuluar në pakon e Ahtisarit.

E pra, kur ai u emërua në rolin e vet, pak kujt i thonte mendja se punët do të shkonin kaq keq. Sa për GN, ata i lidhën goxha do shpresa te ky burrë prej Gjermanisë, një vendi me marrëdhënie tradicionalisht të ngrohta (epo, së paku të vakëta) me shqiptarët. Por zt. Ishinger qenkesh thënë të jetë pa skrupulla për kushërinjtë nga katundi. Pa u tharë ende boja në emërimin e tij, ai i trandi të gjitha palët – e në radhë të parë GN – me thënien spektakulare që Kosova edhe mund të ndahej, “nëse palët pajtohen për këtë”. Natyrisht, ai e dinte mirë që “palët” këtë s’e kishin parë as në ëndërr. Shqiptarët atë s’e donin, e serbët s’guxonin ta lypin, pse Grupi i Kontaktit e kish prerë më herët që ndarje të Kosovës s’do të ketë. Por Ishingeri dinak kishte qitur tjetërkund: ai paskësh dashur të paralajmërojë që në start se për të s’ka asnjë tabu. E aq më pak – ruana Zot! – ndonjë tabu në favor të shqiptarëve.

Që atëhere, skuadra e Ishingerit i ka hedhur GN një sërë bombash mbi çati, secila e më eksplozive. Pakoja e Ahtisarit është përmendur herë si alternativë rezervë, herë është flakur në kosh të plehrave. 10 dhjetori është quajtur her afat i negociatave, herë afat i treshes e jo i negociatave. “Palët” (si quhen mashtrueshëm Beogradi sovran e Prishtina duarlidhur) janë udhëzuar të negociojnë herë ndaras, e herë direkt. Nismat janë shkrepur nga metropola të ndryshme, pa paralajmërim e pa agjenda paraprake, të sajuara enkas për t’i mbajtur pa frymë “palët”, ashtu që t’i rrok ankthi se ç’i pret nesër. Kjo lojë e maces me miun bazohet qartë mbi një supozim. Skuadra e Ishingerit konsideron se “palët” janë bukerizuar, presin që problemin “t’ua zgjidh” bota. Nëse i shkulim nga bunkeri e i ndjekim me stres të vazhdueshëm, dikur do ta humbin torruan.

Dhe taktika nuk i vajti kot. Ashtu si pritej, qe “pala” shqiptare ajo që përsëri luajti këmbë nga qëndrimet e bezdisshme. Pozicioni sa absurd aq edhe kryeneç i GN, se gjoja s’bëhen negociata me Serbinë po me bashkësinë ndërkombëtare, është sot një rrënojë e braktisur. GN, i flakëruar nga akuzat për bunkerizim, ofroi madje “traktat të fqinjësisë”, që në thelb i skicon konturat e një konfederate me Serbinë. Si rëndom, me idenë e gabuar se qengji i mirë i thith dy nëna. E, si gjithnjë, me kundërefektin e padëshiruar por absolutisht të parashikueshëm, që Serbisë iu konfirmua sërish bindja se mund të fitojë. Kurse bota, ajo kërkon prapë kompromise tjera, aty ku qenkan të mundura pra – te ‘pala’ shqiptare. Me fjalë tjera, qengjit të butë iu qa nëna.

I trimëruar nga kjo arritje, zt. Ishinger e ka stisur tani ofenzivën e radhës. Ai tani thotë publikisht që Serbisë nuk duhet t’i vihet si kusht Kosova për pranim në BE. Njëherit, ai kërkon që të ngritet një konferencë e re á-là Dejton, për ta sajuar një zgjidhje në Kosovë. Propozimi i parë e këput çdo shpresë se Evropa do të ushtrojë trysni mbi Serbinë, si fantazonte GN. Kurse i dyti e shkarton përfundimisht planin burimor të Ahtisarit, që Serbisë t’i ruhet Kosova, e GN t’i ruhet fytyra. Ishingeri është thjesht më josentimental se Ahtisari, atij s’i kërset për fytyrën e GN.

Diplomati gjerman e bëri prapë: ai e shtyu sërish mbrapa GN, drejt një pozite të re të pambrojtshme e absolutisht të paimagjinueshme vetëm para tre muajsh. Në këtë mënyrë, hap pas hapi, Ishinger është në rrugë të mbarë që ta zgjidh problemin e Kosovës përmes recetës së moçme në Ballkan, bosnjëzimit.

Për ata që e kanë ndjekur karrierën e zt. Ishinger, kjo mendësi e tij, e stili i tij i përdhunshëm, nuk janë befasi. Por duket qartë se ato vijnë si surprizë e pakëndshme për GN. Ata të ngratët, e prisnin një njeri me takt, partner të ndjeshëm, e baba të kulturuar gjerman. E dreqi u polli një Xhingis Kan të diplomacisë. Natyrisht, sikur të kish qenë i orientuar në politikë të jashtme, GN do të kish njohur qëndrimet e publike të Ishingerit rreth Ballkanit, e do ta kish kundërshtuar emërimin e tij. Por krerët tanë as i kishin dje, as i kanë sot këto mundësi. Sepse, Kosova nuk ka ministri të jashtme. Që thua ti, për këtë është kujdesur me kohë UNMIK-u. Andaj GN sot i mbetet sall të konstatojnë se ups, na e nguli gjermani prapë.

Fatkeqësisht për ta, e për Kosovën, druaj se ky është veç fillimi. Lapërdredhjet e GN ia kanë lënë ëmbël diplomatit gjermanit. E pra, nëse mund të jemi të sigurt për diçka, është se ai do t’u bëjë vizitë përsëri.

Kontribo