02 06 2010

VETËVENDOSJE! pa thonjëza

Hegjemonia e regjimit antidemokratik të UNMIK-ut në Kosovë është aq gjithëpërfshirëse sa që, për ta kuptuar më së lehti deri në ç’masë shkon ajo, mjafton t’i kesh lexuar e shikuar mediet tona të përditshme të shkruara e elektronike, e sidomos mënyrën qysh gazetarët e shkruajnë emrin e Lëvizjes. Një kënduesi të vëmendshëm të të përditshmeve tona s’ka se si të mos i ketë rë në sy që emri i organizatës sonë gati rregullisht shkruhet në thonjëza. Pra “Vetëvendosja”, ose lëvizja “Vetëvendosje”. Në vend që emri të shkruhet ashtu qysh e kemi vërtet – VETËVENDOSJE!. Përse ndodh kështu? Ç’kuptim fshihet pas këtij detaji fundamental?

Të gjithë emrat e partive politike në Kosovë shkruhen pa thonjëza. LDK, PDK, AAK, ORA… Që të gjitha janë të regjistruara në UNMIK. Ato garojnë për t’i mbushur me njerëzit e tyre Institucionet e Përkohshme të Vetë-Qeverisjes (IPVQ), të cilat janë krijuar nga UNMIK-ut, prandaj kontrollohen prej tij. Dokumenti mbi të cilën ato funksionojnë është Korniza Kushtetuese për Vetë-Qeverisje të Përkohshme, përndryshe Rregullore e UNMIK-ut me numër 2001/9. Kjo rregullore rrjedh prej Rezolutës 1244, program politik i UNMIK-ut. Prandaj, partitë politike të lartpërmendura janë tërësisht të integruara përbrenda këtij sistemi politik antidemokratik. Si shenjues, ato janë “normalizuar” përbrenda rrjetit simbolik që prodhon Shenjuesi Mbisundues, UNMIK-u. Ky është shkaku pse ato shkruhen pa thonjëza.

E vetmja organizatë që me konceptin e saj politik dhe veprime konkrete e prish seriozisht këtë “idilë” të hegjemonisë, është Lëvizja VETËVENDOSJE!. Prandaj kësaj organizate i janë rezervuar thonjëzat. Ajo konsiderohet si trup i huaj përbrenda këtij rendi simbolik totalizues.

Hegjemonia politike e UNMIK-ut dhe Grupit të Unitetit ka ngulfatur çdo rrafsh të jetës shoqërore. Për ta ilustruar këtë hegjemoni, po jap tre shembuj kuptimplotë. Në një takim me disa figura të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, kur patëm kërkuar që ata të dalin me vërejtjet e tyre lidhur me rrezikun e uzurpimit që po i bëhet kulturës dhe historisë sonë ortodokse mesjetare nëpërmjet procesit të “eksterritorialitetit”, ata na thanë që nuk guxojnë të ndërmarrin asgjë, duke arsyetuar se kjo është një çështje e “ndjeshme” dhe politike! Kurse Akademitë e shteteve përreth, madje, projektojnë politikat e atyre vendeve. Në një takim me disa organizata që vinin nga “shoqëria civile”, një përfaqësues u ngrit e tha: “është koha që më mos i besojmë MË Grupit të Unitetit…”! Kurse në media, gazetarët e shkruajnë emrin tonë në thonjëza. Thonjëzat, në këtë rast, marrin kuptimin e distancimit nga fjala e thënë, tamam siç bëjnë daktilografistët e mjerë nëpër gjyqe, të cilët fusin në thonjëza çdo akuzë të të burgosurit politik që ai ia drejton regjimit. Është, pra, një vetëpozicionim që sikur dëshiron të tregojë se fjalën të cilën sapo e shkrova nuk është imja, nuk po e them unë, është fjalë e huaj për mua, unë nuk mendoj kështu, këtë e thotë tjetërkush… Kur Albini Kurtin e dënoi gjyqi i Serbisë, ai aty e akuzoi regjimin kriminal të Milosheviqit. Daktilografistja e futi në thonjëza këtë cilësim të Albinit kur ai e quajti pushtetin kriminal, për t’u distancuar nga ky vlerësim, që seriozisht sfidonte konceptin zyrtar të shtetit “demokratik” serb.

Por antidemokracia e UNMIK-ut në shumë aspekte ia kalon madje edhe asaj të Milosheviqit, e t’ia kalosh Milosheviqit është tmerrësisht zor. Përderisa Albini në gjyqin e Serbisë e akuzoi Milosheviqin, atij në gjyqin e UNMIK-ut iu ndalua akuza që ai deshi t’ia bëjë këtij pushteti shtypës. Prokurori kolonial, Salustro, i tha “mbylle gojën”. Përderisa Milosheviqi të fuste në burg, të torturonte, e të vriste për fjalën e thënë, UNMIK-u, përveçqë të burgos e të vret në demontrata, ai as nuk të lejon të flasësh. Shenjat e para të totalitarizmit kanë filluar të bëhen të tejdukshme: ky regjim tashmë po i frikësohet edhe fjalës së thënë.

Faza e ardhshme do të përfshinte tamam situatën të cilën në mënyrë të papërsëritshme e përshkruan George Orwelli në romanin e tij të famshëm 1984. E kjo është faza e Gjuhëresë (“Newspeak”). Regjimi politik jo vetëm që ua shtyp qytetarëve vullnetin, por plotëfuqishmërinë e tij totalitare e konkretizon edhe nëpërmjet një Gjuhe të Re, e cila i zhduk nga përdorimi fjalët të cilat potencialisht do të mund të përdoreshin kundër tij. P.sh pushteti totalitar, të cilin Orwelli e quan Vëllau i Madh (“Big Brother”), heq nga fjalori mbiemrin “i keq”, sepse dikush mund të thotë “Vëllau i Madh është i keq”… Po UNMIK-u a nuk po e bën të njëjtën gjë duke u përpjekur ta zhduk nga përdorimi fjalën vetëvendosje, sepse këtë fjalë një ditë mund ta kërkojë masivisht i gjithë populli? Prandaj mbylljani gojën gjithkujt që e thotë atë!

Një regjim i tillë totalitar institucionet e tij politike dhe juridike represive i ka instrumente për homogjenizimin e mendimit të brendshëm politik dhe disiplinimin e qytetarëve në përputhje me versionin e dhunshëm zyrtar të tregimit për veten. Kur Albini ishte duke e vuajtur burgun e dytë shtëpiak, ai papritmas u mor nga banesa dhe u rikthye në burgun e Prizrenit. Arsyetimi i gjykatës tregon krejt natyrën e këtij regjimi. Aty thuhej që Albinin u desh ta rikthenin në Prizren sepse, edhe pse atë e kishin sjellur brenda banesës, Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk e kishte ndalur aktivitetin e saj, kurse Albini nuk kishte ndërruar qëndrimet!!! Me fjalë të tjera, UNMIK-u e paska burgun për t’ia ndërruar Albinit qëndrimet, e për t’ia ndalur VETËVENDOSJE!-s aktivitetin! Lexuesit me siguri e di mirë cilat regjime në botë i shfrytëzojnë institucionet politike për ndryshimin e bindjeve të njerëzve nëpërmjet vrasjeve, burgjeve politike, kërcënimeve e trysnive.

Kontribo