16 01 2015

Vit protestash çlirimtare

Kanë mbaruar festat e fundvitit, për ata që patën mundësi të festonin. Po mbarojnë ngadalë edhe paret që diaspora solli për këto festa. Tani, në mes të janarit, nuk kujtohen më njerëzit as për filantropi, pasi kur s’ka më festë nuk rrezikohet as fryma festive me vdekjen e ndonjë të varfëri. Ka mbaruar edhe tronditja dhe habia nga kurorëzimi i Qeverisë së Rashkës – Musatafa, Thaçi, Jabllanoviç. Është kuptuar që me kalimin e buxhetit të mirëmbajtjes së varfërisë nuk ka asnjë ndryshim nga qeveria e mëparshme. Ka mbaruar edhe çudia nga largimet e dëshpëruara jashtë vendi. Ka nisur një vit i ri, vit protestash çlirimtare.

E dinim që Lista Serbe dhe Jabllanoviç janë fashizmi i Serbisë në Kosovë. E dinim, por prap njerëzit u çuditën kur Jabllanoviç i quajti gjakovarët egërsira, kur tha që ai punon vetëm për hesap të shtetit Serb. Edhe Isa Mustafa e Hashim Thaçi i dinin këto para se ta bënin Ministër të Qeverisë, e megjithatë e bën për të ruajtur pushtetitin dhe pasurine personale. E dinim çka do thoshte Kryeministri i Serbisë Vuçiçi kur erdhi i paftuar në mes të janarit në vizitë në Kosovë. Megjithatë Qeveria e Rashkës nuk e ndali as atë as përfaqësuesit e Listës Serbe, edhe pasi deklaruan se Kosova është e Serbisë, dhe që shqiptarëve u duhen dhënë të lexojnë libra, me siguri për të na qytetëruar nga gjendja jonë prej egërsire.

E dimë edhe pse na quajnë egërsira. Ata, në shovinizmin supremacist të tyre, e shohin veten si të qytetëruar, ndërsa neve si kafshë. Kur i sheh njerëzit si shtazë, e ke më të lehtë t’i rrahësh, t’i vrasësh e t’i shfarrosësh. Epitete që lidhen me shtazët i kanë përdorur të gjithë kolonizatorët kur kanë pushtuar, skllavëruar, shtypur e shfrytëzuar popuj të tërë, me pretekstin se po sjellin qytetërimin. Këtë pretekst e ka përdorur Serbia që prej një shekulli në Kosovë. Çudia nuk qëndron tek përsëritja e deklaratave fashiste serbe, por te fakti që këtë fashizëm e kanë pranuar dhe ende e mbajnë në majat e Qeverisë së Kosovës vetë shqiptarët. Isa Mustafa ka vajtur aq larg sa edhe i ka justifikuar këto deklarata për ta zbutur reagimin e mundshëm popullor, për ta ruajtur karrigen e vet të kryeministrit.

Populli në Kosovë është varfëruar nga pushtetarë që janë pasuruar duke shitur e duke vjedhur çdo pronë publike. Është poshtëruar nga arroganca e fashizmit të Serbisë. Është ndarë dhe krahinarizuar, dhe në negociata me Serbinë po ia copëtojnë territorin edhe më tej, duke ia rikthyer ish-kolonizatorit që ende as trupat e të vrarëve nuk i ka kthyer. Nënat e Gjakovës, ato që Jabllanoviç i quajti egërsira, nuk janë thjesht nëna gjakovare. Ato janë pikësëpari nëna shqiptare. Nënat e një populli të vrarë nga pushtuesi dhe të nëpërkëmbur nga pushtetarët shqiptarë. Mobilizimi i Gjakovës për shkarkimin e Jabllanoviçit është mobilizimi i të gjthë shqiptarëve që u ka sosur durimi. Thirrja e nënave të Gjakovës për protestë është kushtrim lirie.

S’ka më iluzione. Nuk shpëton me arratisje. Ka organizim që sjell shpresë. Ka rezistencë që farkëton guxim. Ka mobilizim kundër fashizmit serb. Ka një mllef ndaj bashkëpunëtorëve si Isa dhe Hashimi që i kanë ulur fashistët e Serbisë këmbëkryq brenda qeverisë. Jabllanoviç do bjerë, e bashkë me të edhe Mustafa e Thaçi. Qeveria e Rashkës nuk e ka të gjatë. Mjaft u trodit ky popull nga pushtetarët. Ky është viti kur populli trondet pushtetin. Ka nisur mbarë, në Gjakovë këtë të shtunë ka protestë!

Kontribo