02 08 2019

Zgjedhje të reja dhe një Qeveri që e kthen fokusin te Forca e Sigurisë së Kosovës

Në hyrje të konferencës së sotme për media Deputeti Shemsi Syla paraqiti qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në kundërshtimin e zvarritjes nga ana e Presidentit të datës së zgjedhjeve dhe takimit për këtë datë duke ia dhënë edhe një herë mundësinë për një mandatar tjetër koalicionit PAN.

Më pas, foli për ngecjet në funksionalizimin e Forcës së Sigurisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, përkundër ngritjes së kapaciteteve ushtarake të shteteve në rajon, përkatësisht Serbisë që ende ka një qasje armiqësore ndaj Kosovës, për të cilën foli më gjatë Enver Dugolli.

“Gjendja në Ministrinë e Mbrojtjes është alarmante. Elementet kyçe të fazës së parë të Planit Gjithëpërfshirës të Transformimit të FSK-së në ushtri nuk janë realizuar”, tha Syla.

Ai përsëriti objektivat që është dashur të arrihen më 21 Maj 2019 të fazës A+120 ditë, si:

1. Riorganizimi i Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes dhe Komandës së Forcave Tokësore në Shtabin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (objektivë e parealizuar).

2. Vendosja e elementit drejtues (udhëheqës) (objektivë e parealizuar).

Projektet kryesore gjatë kësaj faze të cilat tashmë është dashur të jenë të përfunduara, si:

1. krijimi i dokumenteve strategjike; dhe

2. vendosja e bazës doktrinare.

“Fatkeqësisht, asnjëra nuk është e gatshme apo e miratuar nga autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe për pasojë një pjesë e madhe e personelit ushtarak dhe civil të kësaj ministrie dhe FSK-së gjendet në një situatë të vazhdueshme kaosi.” – theksoi ai.

Sipas tij, krahas këtij kaosi Ministria e Mbrojtjes për 6 muaj ka përdorur vetëm 3% të shpenzimeve kapitale.

“Buxheti i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës e sidomos shuma për shpenzime kapitale të tregon të vërtetën se sa ishte e përkushtuar Qeveria e rrëzuar, për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse.”

Syla tha se marrë parasysh situatën e sigurisë dhe kapacitetin ushtarak të vendeve të rajonit, buxheti për Forcën ka qenë jo serioz dhe se Vetëvendosje me kohë e ka ngritur këtë çështje.

“Me paaftësinë që ka demonstruar Ministria e Mbrojtjes për të investuar në kapacitete ushtarake, me aq buxhet sa i ndau vetes, lihet të kuptohet se kjo mund të ketë qenë e qëllimshme”, tha Syla.

Kjo ngase raporti i auditimit për vitin 2018 ka dhënë vërejtje për shpenzimet kapitale të grumbulluara vetëm në tre mujorin e fundit te vitit. “Auditori ka kërkuar që të ndërpritej kjo praktikë pasi që përmes kësaj Ministria e Mbrojtjes i ka ikur mekanizmave te kontrollit. Shkurt e shqip, në tre mujorin e fundit të vitit ka procedura të lehtësuara për tendera. Kjo metodë është duke vazhduar edhe këtë vit,” tha Syla.

Ai më tej foli edhe për keqpërdorimet që sipas tij po përgatiten në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Ministria e Mbrojtjes parasheh që mbi 13 milionë euro t’i shpenzon këtë vit, pra muajt që kanë mbetur, përmes blerjeve të veçanta me procedura të negociuara (duke u thirrë në aspektet e sigurisë), të përjashtuara nga Ligji i Prokurimit Publik të Republikës.”

Syla bëri iu bëri thirrje zyrtarëve civil, që mos të marrin për bazë asnjë vendim të nënshkruar pas datës së dorëheqjes së ish Kryeministrit dhe rrëzimit të qeverisë.

“Përderisa qeveria e rrëzuar ka shfaqur paaftësi në formimin e ushtrisë dhe keqmenaxhim me paranë publike, ne i bëjmë thirrje që mos të ndërmarrin ndonjë veprim tani, në këtë kohë, për të mbuluar paaftësinë dhe keqmenaxhimin.”

Të ndalet keqmenaxhimi i buxhetit; të ndalet punësimi i militantëve partiakë; të mos lidhin kontrata me kompanitë kliente të tyre nën petkun se kinse janë duke i ngritur kapacitetet ushtarake; të mos ndërhyhet në strukturat organizative tashmë të miratuara.

“Çdo veprim i bërë në këto drejtime do të kallëzohet penalisht. Dhe nuk do të merret parasysh nga qeveria e re,” tha ai në fund.

Enver Dugolli u përqëndrua tek çështje e kapaciteteve ushtarake në rajon dhe pozicionin e Kosovës.

“Ditëve të fundit, jemi dëshmitar të një ekspansioni të fuqishme të Serbisë në fushën e armatimit me armë dhe pajisje tejet moderne. Kontingjenti i mjeteve te blinduara bashkë me avionët dhe helikopterët, janë një sinjal i qartë se Serbia po lëviz fuqishëm si forcë dominonte ushtarake ne rajon”, tha Dugolli duke shtruar pyetjen se për çfarë po armatoset Serbia.

Sipas tij, të gjitha opsionet apo variantet mund te jenë te sakta përveç atij që deklaron presidenti Vuçiq kur thotë se po armatoset për ta mbrojtur vendin. Vallë kush po e rrezikon Serbinë shtroi pyetjen ai.

“Në fakt ka diçka këtu, edhe mund të jetë e rrezikuar sikur në të kaluarën kur Millosheviqi kryente gjenocid në Kosovë. Ky mund të jetë rreziku ngase edhe planet ndaj Kosovës nuk është se dallojnë shumë nga ajo kohë. Një gjë dihet, deri sa Serbia shfaq haptazi aspirata armiqësore ndaj nesh, Kosova është caku i parë i rrezikut”.

“Mekanizmat e kontrollit ndërkombëtar, si duket për Serbinë nuk vlejnë edhe aq nga fakti se në gjithë ketë situatë, nuk kemi reagime, kemi një heshtje te çuditshme. Për këtë rastin e fundit u paraqit edhe një kontradiktë, një vend si Rumania e ndali konvoin me tanke dhe autoblinda nga Rusia për Serbinë. Ndërsa pak më vonë të njëjtat u transportuan përmes vijës ajrore të Hungarisë. Le të kujtojmë se Hungaro Control e mbikëqyr edhe hapësirën e lartë ajrore të Kosovës në emër të NATO-s.”

“Ne anën tjetër, Republika e Kosovës zyrtarisht ka FSK-në e cila është pajisur me mandat për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, por ende e paaftë për të marrë këtë rol”, tha ai.

Kemi misionin e NATO-s, KFOR-in i cili vepron sipas rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe është neutral ndaj statusit politik të Kosovës.

“Një kastë të pa përgjegjshme e cila udhëhoqi deri tani qeverinë e Kosovës dhe përveçse u krekosen për ato tri ligje, nuk benë asgjë në drejtim të forcimit për ngritjen e kapaciteteve mbrojtës.”

“Prandaj, për ta ndërruar këtë gjendje, ashtu siç duhet shkuar urgjentisht në zgjedhje të lira dhe demokratike, me ç ‘rast do të krijohej një legjitimitet i ri politik dhe institucional. Qeveria dhe institucionet e ardhshme duhet të kthejnë fokusin e vërtetë në investime dhe reforma të mëdha në ketë fushë tejet të rëndësishme.”

Kontribo