07 05 2013

Zhvillimi ekonomik është qëllimi!

Në diskursin mbi zhvillimin ekonomik të Kosovës jo rrallëherë kemi dëgjuar mbi rëndësinë që kanë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, rolin e tyre në krijimin e vendeve të reja të punës si dhe në strukturimin adekuat ekonomik. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në korrik të 2011-tës paraqiti dokumentin “Strategjia e Zhvillimit të NVM-ve në Kosovë 2012-2016, me vizion 2020”. Kështu të paktën titullohet dokumenti. I njëjti radhit shtatë qëllime strategjike dhe vazhdon me përqendrimin në krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme duke përfunduar në një lloj fetishizimi të biznesit të vogël, dhe e trajton atë si përfundim i dëshiruar në procesin e strukturimit ekonomik.  Pra, krijimi i një ekonomie në të cilën vendet e reja të punës krijohen nga ndërmarrjet e reja të vogla dhe të mesme, një ekonomi ku këto ndërmarrje do të konkurronin me ndërmarrjet e rajonit dhe Evropës të cilat njihen si industri të etabluara e me produktivitet të lartë.

Ashtu siç argumenton në mars të vitit 2012, “The Economist”, ani pse neoliberale në qasje, është politikisht e dobishme të flitet për bizneset e vogla. Aty thuhet se “fetishi për biznesin e vogël është në kundërshtim me realitetin ekonomik. Bizneset e mëdha në përgjithësi janë më produktive, ofrojnë paga më të larta dhe paguajnë taksa më shumë se ato të vogla. Ekonomitë e dominuara nga bizneset e vogla janë shpesh të ngadalta.”   

Në dokumentin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, shihet qartazi që 98% e bizneseve në Kosovë janë mikro, pra kanë më pak se 10 punëtorë. Ndërsa 1.4% janë biznese të vogla, më pak se 49 punëtorë, derisa të mëdha janë vetëm 0.06% e bizneseve, apo ato që kanë mbi 250 punëtorë.  

Për më shumë, në kuptim të zbërthimit të sektorëve, NVM-të në Kosovë kryesisht janë të përqendruara në tregti me pakicë (rreth 50%), transport, deponim dhe distribucion (14%), produkte ushqimore, pije dhe duhan (9%), si dhe hotele dhe restorante (9%).  

Pra, nëse 99% e ndërmarrjeve janë NVM, kjo i bie që e tërë ekonomia është e strukturuar rreth bizneseve që janë të kufizuara në potencë, konkurueshmëri dhe punësim, e që për pasojë përfundojnë në vende pune që nuk janë të ndërlidhura me prodhim, pra janë biznese shërbyese.  

Shto kësaj edhe strategjinë e Qeverisë e cila zhvillimin ekonomik dhe zvogëlimin e papunësisë e sheh pikërisht duke rritur numrin e këtyre ndërmarrjeve, e jo në politika që mundësojnë rritjen e tyre, dhe zhvillimin e industrive të ndryshme, rrjedhimisht duke ndryshuar proporcionin së paku për të siguruar punësim, nëse jo zvogëlim të deficitit tregtar. Për të argumentuar tutje, NVM-të janë pikënisje e jo përfundim në procese tranzicioni, dhe për më shumë janë të dobishme në shumë aspekte si për shembull, në krijimin e ambientit konkurrues, por nuk janë caku final.  NVM-të në Kosovë edhe pse përbëjnë mbi 99% të ndërmarrjeve, totali i qarkullimit të tyre në vitin 2010 ishte rreth 32% e Bruto Produktit Vendor, ndërsa bizneset e mëdha edhe pse janë vetëm 0.06% kishin pjesëmarrje me 13.5% në BPV.  Si krahasim, në Portugali ku kemi ngecje të theksuar ekonomike struktura ekonomike është e ngjashme me atë të Kosovës, vetëm 19% janë ndërmarrje të mëdha ndërsa të vogla dhe të mesme janë mbi 80%.  Për dallim me shtete si Gjermania që vetëm 4.3% e ndërmarrjeve i kanë më pak se 10 punëtorë, krahasuar me Kosovën ku 98% e ndërmarrjeve janë të tilla, derisa mbi 55% e ndërmarrjeve në Gjermani janë të mëdha, ndërsa në Kosovë vetëm 0.06% janë të tilla, rrjedhimisht pjesë e industrisë me mbi 250 punëtorë.  

Shtetet që kanë strukturë të ngjashme ekonomike me Kosovën, pra ku NVM-të përbëjnë numrin dhe përqindjen më të madhe të ndërmarrjeve kanë produktivitet më të vogël, rrjedhimisht edhe janë më pak konkurrente. Statistikat e EUROSTAT-it tregojnë se prodhuesit në Evropë që kanë 250 apo më shumë punëtorë janë 30-40% më produktivë se bizneset me më pak se dhjetë të punësuar.  Këtë llojë të ndërmarrjeve në shumicë i gjeni në Kosovë, Greqi, Portugali por jo edhe në Gjermani, Francë apo edhe Irlandë.Derisa kemi biznese që nuk rriten, kemi kufizime në produktivitet, rrjedhimisht jemi më pak konkurrent se tjerët që kanë industri në sektorët që Kosova eventualisht do mund të konkurronte.  Për më shumë, derisa Kosova nuk ka asnjë lloj rrjeti për mbrojtje sociale (sigurime shëndetësore, pensionale dhe shoqërore), do të kemi punëtorë në NVM që mund të kenë ide gjeniale por që janë të varur nga paga, pra pronari i biznesit, dhe rrjedhimisht kanë edhe kufizime të patejkalueshme në marrjen e rrezikut i cili është i asociuar me formimin e NVM-ve të reja.  Duke mos patur asnjë lloj rrjeti për mbrojtje sociale, qytetarët apo në këtë rast ndërmarrësit potencialë, do ngurrojnë të ndërmarrin hapa për të inciuar biznese të reja.  Pra, dështimi është i patolerueshëm, sepse rrjet mbrojtës nuk ka, rrjedhimisht edhe nisja e çfarëdo iniciative ngërthen në vete rezik të pakrahsueshëm me vende që stimulojn NVM-të sepse të njëjtat kanë rrjete për mbrojtje sociale të garantuara.Me këso strukture ekonomike që është duke vazhduar që nga përfundimi i luftës sigurohet vetëm “mirëmbajtje” e deficitit tregtar, papunësisë, derisa rritja ekonomike ndërlidhet me numër të ndërmarrjeve e jo me rritje apo madhësi të ndërmarrjeve. Pra, që nga paslufta proporcioni ka mbetur i njejtë, mbi 98% e ndërmarrjeve janë të vogla, dhe për pasojë mbi 45% është papunësia.  Në fakt vendit i nevojiten politika që kanë për synim rritjen e bizneseve, ndërtim të industrisë e të cilat për pasojë do kishin uljen e papunësisë dhe zvogëlimin e deficitit tregtar. Por mbi të gjitha vendit i nevojiten momente të aksionit që shpikin, krijojnë fusha të prodhimit të cilat do të aktivizonin transformimin e strukturës ekonomike nga ajo që bazohet tërrësisht në NVM, në një ekonomi ku NVM-të rriten, duke rritur kështu numrin e ndërmarrjeve të mëdha dhe të mesme, e pse jo sektorë apo industri të fuqishme prodhuese. Por paralelisht me këtë duhet ndodhë kapërcimi, pra rritja apo krijimi i ndërmarrjeve të reja e që kërkon patjetër ndërtimin e rrjetit të sigurimeve i cili, do të krijonte siguri minimale për ndërmarrësitë potencial për nisjen e NVM-ve të reja që do inicoheshin me synim rritjeje e jo mirëmbajtje të këtyre proporcioneve ekzistuese.  Këto proporcione kanë sjellur tek raporti më i dobët tregtar në Evropë, tek papunësia më e lartë në Evropë, si dhe te një strukturë ekonomike e cila nuk konkurron fare me Evropë.  Përfundimisht, rritja ekonomike nuk vie nga numri i ndërmarrjeve por ekonomia rritet dhe zhvillohet vetëm nëse ndërmarrjet në te rriten dhe zhvillohen, dhe ky duhet të jetë synimi.

Kontribo