30 08 2012

Zhvlerësim deri në Shitblerje

Ekonomia e Republikës së Kosovës ka 12 vite që është duke u rrënuar nga një model ekonomik i cili sillet rreth dy të pavërtetave të mëdha.  E pavërteta e parë, është që fjala infrastrukturë është e barabartë me fjalën asfalt. E pavërteta e dytë, është që privatizimi i pronës publike sjell deri te zhvillimi ekonomik.  Por, që të dyja këto të pavërteta s’janë as më shumë as më pak se retorikë e domosdoshme për qeveritë e deritanishme, si zëvendësim për një plani zhvillimor, i cili iu mungon.  

Rrallë herë mund të gjendet ndonjë proces ekonomik i cili mund të gjykohet pa ndonjë provë empirike ose hulumtim të mirëfilltë. Por ja që e pavërteta e dytë, procesi i privatizimit në Kosovë, përsëri sui generis, është i tillë.  Është i tillë sepse nuk nevojitet asnjë provë empirike, asnjë hulumtim për të konkluduar se ky proces është gjithçka përveç se i suksesshëm.  Tanimë, një dekadë më vonë, ky proces nuk ka sjellë vende të reja pune, nuk ka krijuar ekonomi të strukturuar, dhe po ashtu nuk ka krijuar efiçiencë, term ky aq i përdorur nga avokuesit e këtij procesi.

Të qartësohemi, privatizimi edhe mund të jetë i dobishëm por vetëm në raste ku ai shihet si mjet në kuadër të një strategjie të mirëfilltë zhvillimore, dhe jo si qëllim në vetvete.  E, ky është pikërisht momenti që na paraqitet këto 12 vite, që privatizimi është qëllim në vetvete.  Por, ky model i privatizimit nuk ka sjellë as përfitime ekonomike e as financiare, e as punësim.  Për më shumë, tani më duket se radha është tek shitja e aseteve strategjike, e aseteve kryesore.  Aseteve që janë ndërtuar nga publiku, qytetarët e Kosovës, dhe që janë në funksion të qytetarëve dhe që si të tilla duhen të jenë në pronësi të publikut.  

Për privatizimin e ndërmarrjeve publike duket se mësimet janë marr nga metoda e njohur në blerje të kompanive nga menaxhmenti i kompanive (management buyouts).  Kjo metodë është e ngjashme në gjitha aspektet ligjore dhe financiare sikurse shitë-blerja e thjeshtë e një kompanie tjetër.  Por e veçanta e kësaj metode është në faktin se blerësit, janë menaxherët ekzistues të kompanisë.  Pra, këta menaxher përveç se e njohin kompaninë në detaje, ata janë gjithashtu të interesuar që të bëhen pronar me çmimin më të ultë të mundshëm.  Rrjedhimisht, këta menaxher e zhvlerësojnë kompaninë deri në pikën ku arrijnë nivelin e kapshëm për xhepat e tyre, dhe në këtë pikë ata blejnë kompaninë.  Duke u shndërruar nga menaxher në pronar.   Duke shndërruar publiken në private.

Le të analizojmë çfarë ka ndodhur me PTK-në këto vite, më saktësisht prej vitit 2008.  Qeveria prej këtij viti me borde, drejtorë, punësime partiake e parapartiake, me ndalimin e investimeve në PTK, ka tentuar dhe në masë të madhe edhe e ka zhvlerësuar PTK-në, por prapëseprapë të hyrat janë mbi 60 milion euro në vit.  PTK i sjell buxhetit të Kosovës në formë dividendësh dhe taksash rreth 60 milion euro në vit.  Këto të hyra hyjnë në buxhet me gjithë keqmenaxhimin që kjo Qeveri prej vitit 2008 i bënë kësaj ndërmarrje.  

Po të ishte qëllimi të zhvillohej tregu i telekomunikacionit, do kishte liberalizim të tregut, por ja që kjo nuk është agjenda.  Pra, privatizim pa liberalizim.  Për më shumë nëse me shitje të Telekomit kjo qeveri do financonte ndonjë projekt zhvillimor, ndoshta edhe do kishte hapësirë që të argumentohej disi për këtë shitje.  

Siç duket zhvlerësimi është metoda, shpronësimi i publikut është qëllimi, dhe privatizimi është emri prapa të cilit fshihen këta qeveritar.   E ky proces është gjithçka përveç privatizim. Pra, ndërmarrjet që duhet të jenë në funksion të pasurimit të buxhetit, zhvillimit ekonomik dhe punësimit për qytetarët e kësaj republike, janë shndërruar në mjet për pasurimin e pushtetarëve, dhe këshilltarëve të cilët paguhen që në fund të na tregojnë se si shpronësohet publiku, si varfërohet vendi, dhe si shiten pasuritë.  Normalisht me metoda që ndoshta edhe sigurojnë pronësi edhe për ca aktor në proces.

Secili shtet që synon zhvillimin dhe rritjen ekonomike e kupton që pronësia mbi asetet strategjike, e sidomos pronësia mbi shumicën e aksioneve në këto asete, është e domosdoshme për orientimin dhe zhvillimin ekonomik të një vendi.  PTK, Trepça, dhe KEK (KEDS) janë të tilla.  Që të tria këto asete janë strategjike dhe si të tilla janë edhe të pa-zëvendësueshme në çfarëdo modeli të mirëfilltë zhvillimi. Pra, kushdo që ia dëshiron të mirën Kosovës nuk do i privatizonte këto ndërmarrje në formën, mënyrën dhe çmimet me të cilat këta e bëjnë.  Dhe kjo nuk është bindje e as profeci, kjo është empirike, sepse të dhënat dhe zhvillimet rreth këtyre ndërmarrjeve në dekadën e fundit na kanë vërtetuar këtë.

Kontribo