12 09 2020

Zotimet e Hotit, zhbërje e kufijve

Lëvizja VETËVENDOSJE! sot mbajti konferencën e radhës në lidhje me zotimet e z. Hoti në Uashington. Gjatë saj, kryetari i Grupit Parlamentar të LVV-së, z. Rexhep Selimi dhe ish zëvendësministri dhe u.d. të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Xhelal Sveçla folën mbi shkeljet kushtetuese dhe ato të sovranitetit si rezultat i zotimeve të 4 shtatorit.

Në fillim të konferencës për media, Rexhep Selimi tha se zotimet e Hotit, përkatësisht ajo në lidhje me pikën kufitare në Merdare, kanë implikime serioze në çështjen e kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë. Ngashëm sikur në vitin 2011 me marrëveshjen e IBM-it, edhe tash, Qeveria e Kosovës në bisedime me Serbinë, është pajtuar që kufirin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë të trajtohet si kufi administrativ. Pra, Kosova ka të bëjë me një njeri që nga pozicioni i Kryeministrit të saj nuk e njeh kufirin shtetëror të vendit që qeveris. “Me këto zotime që nënshkroi Hoti, përveç humbjeve dhe dëmeve tjera që i solli Kosovës, kufirit shtetëror që ndan Kosovën dhe Serbinë i referohet si pikë e përbashkët e kalimit”, shtoi Selimi. Rrjedhimisht, duke e pranuar këtë pikë dhe duke e nënshkuar këtë dokument zotimesh, Hoti e ka zhbërë kufirin shtetëror.

Në anën tjetër, Xhelal Sveçla, në fjalën e tij tha se po vazhdojmë të jemi dëshmitarë të marrëveshjeve të njëpasnjëshme nga qeveritë e PLANI-it, e tash edhe zotime, ku Kosova duke bërë kompromise të vazhdueshme ndaj Serbisë po humb në substancë dhe sovranitet. Njëra nga këto zotime e fundit, ishte edhe funksionalizimi i pikëkalimit kufitar në Merdare, apo siç iu janë referuar në dokumentin e 4 shtatorit, pikëkalimi i përbashkët, duke evituar kështu terminologjinë ‘kufitar’ me kërkesë të palës Serbe; kërkesë kjo shumë lehtë e pranuar nga ky kryeministër jolegjitim dhe ilegal.

Marrëveshja e vitit 2011 kishte paraparë ndërtimin e tre pikëkalimeve kufitare në territorin e Kosovës dhe tre të tjera në atë të Serbisë. Nëntë vjet pas, asnjë nga pikat kufitare të përbashkëta të parapara në territorin e Serbisë nuk janë ndërtuar, kurse në Kosovës vetëm ajo në Bërnjak jo. Kjo për shkak të presionit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj kryetarëve të komunës së Zubin Potokut nën arsyetimin qesharak se një shtyllë e thjeshtë elektrike duhet zhvedosur fillimisht. Atëherë lind pyetja, pse në këto zotimet të Hotit është përmendur vetëm pika kufitare në Merdare, e jo ndonjë pikë tjetër, si ajo në Jarinjë ose Bërnjak? Kjo pasi që, zotimet e Hotit, janë pikërisht në linjën tashmë të shpalluar publikisht nga presidenti i Serbisë që në veri të Kosovës të mos ndërtohet asnjë infrastrukturë e nevojshme me qëllim që atë pjesë të territorit të shndrrojë në vrimë të zezë dhe më pastaj të bëhet pjesë e negociueshme si territor.

Lëvizja VETËVENDSOJE! edhe një herë kërkon rishikimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, posaçërisht ato të fushës së kufijve si dhe të gjitha pikave që nga moszbatimi i tyre është dëmtuar Kosova.

Kontribo