15 03 2010

Zvetënimi kombëtar

Shumë shpejtë dhe mjaft sigurt Kosova po rrëshqet teposhtës së zvetënimit kombëtar, ndërsa shqiptarët, me, apo pa vetëdije, po i japin shtymë këtij zvetënimi në teposhtën që i ka përgatitë bashkësia ndërkombëtare! Teposhta është bërë edhe më e thepisur që kur se këta “miqtë” ndërkombëtar na e shpallën pavarësinë! Harruan se pavarësia na duhej neve, ngase neve na mungonte ajo, ndërkaq që ata e shpallën për vete. Mbase edhe atyre u duhej pavarësia mbi Kosovën. Për këtë arsye “miqtë” tanë ndërkombëtarë shpallën pavarësinë e Kosovës nga Serbia  në mënyrë që të mos pengohen prej Serbisë gjatë sundimit mbi Kosovën. Normalisht, këtë e bënë ne emër të popullit të Kosovës. Gjithçka bëhet në emër të popullit. Mirëpo, megjithatë, Serbia sërish nuk po ua njeh këtë pavarësi që kanë shpallur mbi Kosovën. Shih për këtë, ndërkombëtarëve u duhet shpesh herë të marrin leje në Beograd për disa punë që duan t’i kryejnë në disa pjesë të Kosovës! Në ato vende në Kosovë ku Serbia sundon akoma, faktori ndërkombëtar nuk e ka vënë sundimin dhe rrjedhimisht nuk e ka pavarësinë e plotë. Ndërsa në pjesën tjetër ku “kosovarët” kanë “kontrollin”, sundojnë për mrekulli. Atje vetëm japin urdhra, të cilët do të zbatohen gjithsesi. Procesit të zvetënimit kombëtar i nënshtrohen vetëm shqiptarët. Serbët jo. Ata duhet të mbeten ‘serb’ kudo që të ndodhen. Sot lexova në gazetë, se ia paskan mësy edhe Institutit Albanologjik me ia vë drynin! Aspak e habitshme. Ka kohë që këtij instituti ia kanë vu syrin. Çfarë u duhet Instituti Albanologjik kosovarëve multietnik?!

Zbehja

Sa më shumë që i largohemi ditës së shpalljes së pavarësisë, aq më tepër i largohemi vetë pavarësisë! U ankuan disa se si shënimi i 12-vjetorit të Epopesë së UÇK-së na qe më i zbehur sivjet se viteve të mëparshme. Por nuk është se vetëm Epopeja e UÇK-së është duke shkuar drejt zbehjes, por gjithçka që ka të bëjë me shqiptarët dhe për shqiptarët. Në mënyrë të veçantë, gjithçka që ka të bëjë me UÇK-në. Përvjetori i Epopesë së UÇK-së vetëm sa e dëshmon këtë më së miri. Përvjetori i Epopesë së UÇK-së na siguron dhe na bind përfundimisht, madje edhe ata që akoma nuk janë bindur, për kahun e kësaj rruge të mbrapsht që kemi marrë!

Që kur se na e kanë zbehur flamurin gjithçka ka filluar të zbehet.

Kontribo