23 10 2014

1 vit e gjysmë pas privatizimit, KEDS – çmime më të larta, më pak furnizim, pa investime të reja

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për media ku deputeti Visar Ymeri dhe anëtari i Komitetit për energji, prof. Naim Hoxha, folën për KEDS-in dhe ZRRE. Privatizimi i Kompanisë Kosovare për Distribucion dhe Furnizim me Energji Elektrike, arsyetohej atëbotë nga Besim Beqaj me domosdonë e rritjes së efiçiencës së kompanisë. Kjo rritje e efiçiencës do të rezultonte në dobi të qytetarit sepse, na thuhej, do të përmirësohej furnizimi me energji elektrike, do të rriteshin investimet, dhe do të kishim çmime më të lira. Këto janë arsyetimet kujdestare të privatizimit.

Deputeti Visar Ymeri tha se pas një viti e gjysmë të menaxhimit privat të KEDS-së, çmimet i kemi shumë më të larta, furnizimi ka rënë në cilësi, e investimet janë vetëm ato projekte të bartura nga koha kur kompania ishte në pronësi publike. “Këtë vit i kemi pasur dy ngritje të çmimit të tarifave të energjisë, njëherë 4.57% dhe herën tjetër 5.18%. Vetëm ky fakt, pa u ndalur fare te të tjerat, tregon qartë për rënie drastike të efiçiencës së ndërmarrjes, pasi një ndërmarrje efiçiente ofron shërbime më cilësore me çmime më të ulëta. Po të kthehemi prapa, çmimet e energjisë elektrike kanë qenë relativisht stabile prej viti në vit që prej pas luftës. Rritja e parë domethënëse prej 8.9% ka ndodhur në vitin 2012 kur Qeveria e shpalli konzorciumin Limak Çalik si fitues të tenderit të privatizimit të KEDS-it. Dhe prej atëherë kemi edhe dy rritje tjera të çmimit të energjisë këtë vit për të cilat fola më lartë”, tha ai, duke shtuar se viti i vetëm kur nuk ka pasur rritje të çmimit që prej privatizimit ka qenë viti i kaluar kur siç dihet ZRRE-ja e kishte obliguar KEK-un kompaninë publike që t’ia jap 17.9 milionë euro KEDS-së me arsyetimin e përshtatjes së të hyrave maksimale të mbledhura nga viti paraprak.

Në shqyrtimin e fundit të jashtëzakonshëm të tarifave i arsyetuar nga nevoja për rritje të importit pas shpërthimit në Kosova A, ZRRE-ja merr vendim për t’ia pranuar KEDS-it kërkesën për rritje të të hyrave maksimale, por jo edhe KEK-ut, i cili kishte kërkuar të hyra shtesë për investime në sanimin e dëmeve nga shpërthimi.

“Humbjet e energjisë vazhdojnë me ritmin e njëjtë sikur me parë. Reduktimi i humbjeve që ka ndodhur gjatë një viti të afarizmit të KEDS-së nën menaxhim privat janë kryesisht reduktim i humbjeve komerciale, pra rritje e inkasimit. Edhe kjo jo me trendin që ka performuar kompania kur ishte në pronësi publike. Në këtë drejtim kohëve të fundit është vërejtur një dukuri tepër shqetësuese. Ka pasur disa ankesa të qytetarëve në asistencë sociale të cilëve kompania përmbaruese e kontraktuar nga KEDS-ja ua ka marrë paratë nga llogaria bankare për ta shlyer borxhin e energjisë elektrike”, tha Ymeri. Ligji për procedurën përmbarimore, i cili e privatizon shërbimin e përmbarimin dhe të cilin ne e kemi kundërshtuar kategorikisht në Kuvend, në Nenin 85 dhe pastaj në Nenin 112 i përjashton këto të ardhura, dhe të gjitha të ardhurat në nivelin e asistencës sociale nga procedura e përmbarimit. Asistenca sociale nuk e mbulon as minimumin jetik për një familje. Kur këtyre u hiqet një pjesë për llogarinë e KEDS-it atëherë këto familje shtyhen drejt urisë. Prandaj i bëjmë ftesë të gjithë qytetarëve të cilët kanë mundur të jenë viktimë e varfërimit të mëtutjeshëm të tyre përmes përmbarimit t’i nisin procedurat kontestimore përmes Qeverisë dhe gjykatave.

“Nga dje punëtorët e KEDS-it kanë hyrë në grevë. Ata kërkojnë kushte më të mira të punës, rritje të pagave në nivel të sektorit dhe siguri në punë. Këto kërkesa bazike janë të arsyeshme dhe ne i mbështesim punëtorët dhe grevën e tyre. Njëkohësisht kërkojmë nga organet shtetërore t’i marrin të gjitha masat që t’ua sigurojnë punëtorëve të drejtën për grevë, dhe nga gjykatat që në asnjë mënyrë të mos bëhen pre e menaxhmentit të KEDS-it dhe kërkesave të tyre absurde që gjykata ta ndal grevën. Grevën mund ta ndalë menaxhmenti dhe atë vetëm duke ua plotësuar kushtet punëtorëve. Gjatë muajit shtator Edita Tahiri e ka arritur edhe një marrëveshje me Serbinë për energji, Planin operativ të zbatimit të marrëveshjes së vitit të kaluar. Ky plan asnjëherë nuk u bë publik. Kërkesës sonë për qasje në këtë dokument zyrtar zyra e Edita Tahirit i përgjigjet me vonesë dhe e refuzon atë me një arsyetim banal procedural”, theksoi në fund Ymeri.

Anëtari i Komitetit për energji, prof. Naim Hoxha, foli për funksionimin e ZRRE-së, cenimin që ia bën pavarësisë së saj Qeveria, mungesën e transparencës për sajimin dhe përpilimin e çmimeve të energjisë, e të ngjashme. “ZRRE-ja ka paraqitur në raportin vjetor, se për shkak të trajtimit të tyre si shërbyes civilë, e që nuk janë, dhe për shkak të rënies të të hyrave, është shkaktuar ikja e kuadrove, gjë që ka pamundësuarfunksionimin normal të ZRRE-së. Edhe përkundër mbetjes së bordit me vetëm tre anëtarë, edhe përkundër mungesës së konsiderueshme të stafit cilësor, ZRRE vazhdon t’i kryej obligimet e veta, sipas saj pa pasoja. ZRRE vazhdon tutje me mungesë të plotë të transparencës për llogaritje të HML-MAR, llogaritje kjo që përcakton çmimin e energjisë elektrike, si dhe dokumente si rritja e çmimit e të tjera. Nga kërkesa jonë ajo na dërgon një pjesë të dokumenteve financiare të operatorëve të përpunuara, jo origjinale”, tha ndër të tjera Hoxha.

Kthimi i lejuar (RTNC) është interesi që i përket pronarit dhe që duhet t’i kthehet për shkak të vlerës së investimit të tij. “Kjo vlerë, deri në shitjen e Distribucionit dhe Furnizimit të KEK-ut (KEDS), ka qenë e ndërruar nga ana e ZRrE-së dhe nga Ministria nga vlerat maksimale 12% deri në 5.5%. Derisa KEDS ishte për nga vlera e treta pas Minierave dhe Gjenerimit, tani ka dale e para dhe paraqitet si vlerë më e madhe e kthimit të interesit. Pra, KEDS ka vlerë me të madhe se Minierat dhe se Gjenerimi “Kosova A” dhe “Kosova B”, rrjedhimisht, mund të pritet që edhe këto të shiten madje më lire se 26.3 milionë”, u shpreh Hoxha.

“Shembull i trajtimit jokorrekt të elementeve të HML është kompensimi për Borxhet e këqija i cili sipas viteve ka qenë 10.8, 12.1 deri 13 milionë për vitet respektive 2012 – 2014. Këto vlera kanë qenë të inkorporuara në çmimin të cilin e kanë paguar konsumatorët “e mirë”, në vend të atyre “të këqij”. Dhe tani shtrohet pyetja pse inkasimet e borxheve nuk i kthen konsumatorit meqë ato janë kompensuar?”, pyeti në fund Hoxha.

23 tetor 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Komiteti për energji

http://www.vetevendosje.org/news_post/1-vit-e-gjysme-pas-privatizimit-keds-cmime-me-te-larta-me-pak-furnizim-pa-investime-te-reja/

Kontribo