03 10 2019

126 orë deri në fitore

Në Kastriot po gjenerohet drita e ditëve të mira për vendin. Këtë po e tregon entuziazmi dhe pjesëmarrja e qytetarëve nëpër aktivitetet dhe tubimet tona atje.

Aziz Bici, që kandidon për deputet nga kjo komunë tha se me qeverinë e re po i vjen fundi padrejtësive dhe diskriminimit të banorëve të Kastriotit që jetojnë me ajrin e ndotur, bartin sëmundjet dhe shohin militantët e partive tjera të punësohen në Termocentrale e KEK.

Ndërsa kandidati Sylejman Qerkezi duke iu referuar frymës së ndryshimit që po përcjellë këto zgjedhje theksoi se ajo nuk po vjen thjeshtë prej një partie, por prej popullit dhe si të tillë nuk do të mund ta ndalë askush.

Kandidatja Mevlyde Hyseni përmendi statistikat që tregojnë rritjen e numrit të të rinjve të prekur me sëmundjen e kancerit në komunën e Kastriotit dhe foli për masat që do i ndërmarr qeveria e re për ta ndalur këtë trend duke shtuar kujdesin shëndetësor e duke mbrojtë mjedisin.

Kandidatja Fitore Pacolli tha se Qeveria Kurti do të vendosë filtra në termocentrale dhe një brez të gjelbër mes Kastriotit, Fushë Kosovës dhe Prishtinës. Deponitë do të mbyllen dhe ndaj hidrocentraleve e gurthyesve do të jemi të pakompromis.

Rexhep Selimi numëroi 126 orë nga fitorja e festa në shesh dhe porositi që deri në ditën e zgjedhjeve të mos pushojmë së punuar për këtë fitore. Erdhi dita jonë, erdhi koha jonë. Ky vend do të udhëhiqet nga njerëz që as nuk shiten, as nuk shesin e as nuk blihen, nga Albin Kurti dhe qeveria e tij.

Glauk Konjufca nënvizoi se fitorja e Lëvizjes do të jetë fitore e popullit të Kosovës mbi padrejtësitë 20 vjeçare dhe një revoltë e përgjithshme kundër nëpërkëmbjes dhe hajnisë. Me datë 6 tetor është Lëvizja ajo që do sjell drejtësinë, ngritjen e arsimit dhe mirëqenien për shumicën në vend. Këtë do ta bëjmë sepse e kemi vullnetin e sinqeritetin, programin e përgatitjen e nevojshme, por mbi të gjitha për shkak se e kemi njeriun e qëlluar, Albin Kurtin për kryeministër.

Erdhi koha për një qeverisje që na bënë të gjithëve krenar. Me 6 tetor, vendimi është i popullit, kurse festa e të gjithë qytetarëve.

Kontribo