15 01 2019

15 janar 1999 – Homazhe në Reçak

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti homazhe për 20-vjetorin e masakrës së Reçakut, në të cilën u vranë 45 civilë e 11 ushtarë të UÇK-së. Qindra aktivistë të LV, anëtarë kryesie e depuetë, të kryesuar nga kryetari Albin Kurti në mëngjesin e sotëm bënë homazhe te kompleksi memorial në Reçak. Vrasjet në agimin e ftohtë të 15 janarit, përçmimi i trupave të të vrarëve dhe mohimi i masakrës nga forcat militare dhe shteti serb i tejkaluan kufijtë e plagëve të kombit tonë dhe u bënë për botën tmerri i takimit me një shteti që dëshiron një botë pa njerëzim. Dëshmia e këtij krimi mbi shqiptarët e nxorri në pah shtetin serb si kriminel kundër njerëzimit. Dëshmia e krimit të 15 janarit 1999 ishte vendimtare për ndërhyrjen e NATO-s.

Katastrofa të tilla historike vënë në dyshim edhe mundësinë dhe forcën për t’i shprehur përmes gjuhës dhimbjen e momenteve të tilla. Fjala duket e pamundur të dalë pas mësymjes së këtij lloj përbindëshi. Masakra të tilla e bëjnë të domosdoshme luftën për çlirim. Këto ngjarje në historinë tonë na tregojnë se pavarësia e Kosovës dhe bashkimi kombëtar janë shenjat e një njerëzimi që mbijeton në dritën e drejtësisë dhe nën darën e historisë.

Kontribo