12 06 2022

17 vjet VETËVENDOSJE!

Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Kryeministrit të Kosovës, njëherit Kryetar i LV-së Albin Kurti dhe Nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci të mbajtur në konferencën për media me rastin e 17 vjetorit të themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!:

Fjala e Kryeministrit Kurti:


Të nderuar gazetarë,

Ju falemnderit shumë që i jeni përgjigjë pozitivisht ftesës tonë për këtë konferencë për medie në 17 vjetorin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Pra, 12 qershori kremtohet dyfish nga ne, së pari si dita e clirimit dhe paqes. 23 vjet më parë ne Kosovë aeroplanëve të NATO-s iu bashkëngjit konseria e NATO-s dhe ata në Kosovë i takuan ushtarët dhe njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe refugjatët të cilët me shpejtësi po ktheheshin në atdheun e tyre.

6 vjet më vonë prej asaj dite, themeluam Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe një 17 vjeçar i jashtëzakonshëm i rrugëtimit ka ndodhur për të gjithë ne së bashku si aktivistë në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Ky 17 vjetor i Lëvizjes për herë të dytë na gjen në qeverisje. Edhe 16 vjetorin e patëm festuar në qeverisje, pra gati një vit e tre muaj duke lëvizur gjërat për të mirë e përpara në Republikën tonë.

Ka qenë një vit i vështirë me kriza të shumëfishta që prekën gjithë njerëzimin e nuk na kursyen as neve, por me angazhim e punë, me vendosmëri e guxim kemi arritur ta bëjmë më të mirën.

Në një vit qeverisje Lëvizja jonë përveç se e ka bërë prerjen e qartë me të kaluarën, ka dëshmuar se ka qeverisje alternative, tjetër prej asaj që kemi parë në të kaluarën. Ka dëshmuar se mund të qeveriset mirë e të shënohet progres në Republikën tonë.

Kemi menaxhuar suksesshëm me pandeminë me shkallën më të lartë të vaksinimit në rajon dhe me shkallën më të ulët të vdekshmërisë. Kemi dyfishuar ekonomike. Kemi shtyrë reformën në drejtësi. Kemi luftuar krimin dhe korrupsionin. Kemi zbatuar politika sociale që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve. Kemi avancuar aleancat dhe partneritetin me shtetet mike. Kemi respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë. Kemi shërbyer e mbrojtur si asnjë qeverisje e mëparshme.

Pra sot, nëse kthehemi prapa dhe kujtojmë fjalët që kemi thënë për atë se si duhet të jetë një qeverisje e mirë, apo fjalët që kemi thënë për atë se si do ta bënim ne qeverisjen e mirë, mund të themi se qëndrojmë drejtë edhe në kuptimin që tashmë kemi treguar se shumëçka bëhet e mundshme nëse duam dhe jemi të përcaktuar të punojmë në atë drejtim.

Ne e kuptojmë dëshirën për ende më shumë punë të mira në qeverisje. Kjo thirrje e kjo nevojë e mbanë të ndezur, vitale, e të përgjegjshme qeverisjen sot kudo në Kosovë, nevojat e qytetarëve t’i plotësojmë, por të jeni të sigurt që jemi në rrugë të drejtë dhe duke e bërë atë që është më e duhur për ecjen sa më të shpejtë drejt zhvillimit që na nevojitet.

Këtë vit kemi filluar ndryshimet që e bëjnë qartazi prerjen me të kaluarën. Natyrisht se kemi qenë të vetëdijshëm që ky ndryshim do të hasë në rezistencë nga ata që kanë përdorur shtetin për interesa të tyre vetjake, klanore e familjare por nuk jemi ndalur e as nuk do të ndalemi. Besimi qytetarë ashtu siç na ka përcjellë gjatë një viti në qeverisje do të na përcjellë edhe më tutje sepse tashmë është parë puna jonë e sinqertë dhe serioze drejt zhvillimit që e duam të gjithë.

Në këtë kohë Lëvizja jonë është duke kaluar nëpër një proces tejet të rëndësishëm, atë të zgjedhjeve të brendshme. Kemi thënë që vitin 2022 për së brendshmi si organizatë do të jetë vit që ia kushtojmë këtyre zgjedhjeve dhe këtë po e bëjmë.

Zgjedhjet kanë filluar tashmë dhe i inkurajoj të gjithë të marrin pjesë në to e ta japin më të mirën e tyre. Kemi nevojë për çdo anëtarë nga ata afër 60 mijë sa i ka Lëvizja VETËVENDOSJE! që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, në secilin nivel gjithandej Kosovës.

Lëvizja jonë ka një trup të shëndoshë që duhet aktualizuar sa më shumë në këto zgjedhje.

Ne kemi thënë në vazhdimësi se gratë, rinia dhe mërgata janë kategoritë që u prijnë ndryshimeve në vend. Andaj, në këtë drejtim, në këto zgjedhje për herë të parë do ta kemi organin e Rinisë për VETËVENDOSJE!-n dhe atë të Gruas për VETËVENDOSJE!-n. Kurse për mërgatën kemi lehtësuar procesin zgjedhor. Më shumë hapësirë, më shumë përfaqësim.

Ajo që vlen për Kosovën, vlen edhe për Lëvizjen tonë, transformimet e mëdha, progreset e hovshme i bëjnë pikërisht këto tri kategori shoqërore, pra Rinia, Gratë dhe Mërgata dhe vëmendja jonë edhe në zgjedhjet e brendshme jo vetëm ato parlamentare është e orientuar pikërisht tek ata.

U jam mirënjohës të gjithëve për punën dhe kontributin në këtë kohë, dhe ju ftoj të merrni pjesë në aktivitetet që kemi organizuar në kuadër të Javës së Lëvizjes, aktivitete këto që mes tjerash kujtojnë rrugëtimin historik të popullit tonë ku pjesë është edhe Lëvizja për VETËVENDOSJE! si krijim i hershëm i tij.

Pra, ne jemi një Lëvizje që nuk konsideron që gjërat kanë filluar me neve apo përfundojnë me neve por jemi gjithmonë në Lëvizje si aktivistë që e mirëmbajnë frymën, organizatën dhe programin por gjithashtu edhe trininë që është mendim, fjalim, aksion.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, me 12 qershor të vitit 2005 u pat themeluar pikërisht në këtë mënyrë, pra duke e shkruar parullën JO NEGOCIATA, VETËVENDOSJE! te ai muri i dikurshëm i UNMIK-ut përballë Pallatit të Rinisë. Fjala “JO NEGOCIATA” si pjesa e parë e parullës i ka 11 shkronja, fjala VETËVENDOSJE! i ka 12, pra bëjnë 23 po edhe pikëçuditsja në fund të fjalës vetëvendosje bëjnë 24, andaj 24 aktivistë, secili nga një shenjë, me sprej për herë të parë e patën shkruar parullën me 12 qershor të vitit 2005 dhe pjesa tjetër mëpastaj sigurisht që është historiku i Lëvizjes tonë të cilin e kemi jetuar, përjetuar dhe ndërtuar së bashku.

Unë nuk e kam ditur atëherë që me 12 qershor nuk po e shënojmë vetëm VETËVENDOSJE!-n që mëpastaj bëhet ditëlindja jonë. Me 12 qershor e ka ditëlindjen edhe Saranda Bogujevci, e cila i ka mbijetuar masakrës së tmerrshme në vendlindjen e saj, dhe kur ne themeluam VETËVENDOSJE!-n, Saranda ndodhej në Britaninë e Madhe. Ne dimë shumë njerëz që kanë shkuar nga Kosova në Britani të madhe që nuk janë të paktë ata që nga Britania e Madhe janë kthyer në Kosovë, njëra prej tyre është edhe Saranda Bogujevci.

Në asnjë moment kur kemi shkruar parulla, kur kemi bërë aktivitete nuk e kemi ditur që sot do të jemi kryeministra, kryetarë kuvendesh, ministra, deputetë, zëvendësministra, nënkryetare Kuvendi, kryetarë komunash e me pozita të rëndësishme drejtuese. Mirëpo duke e mirëmbajtur frymën tonë, duke qenë besnik ndaj programit tonë dhe duke qenë gjithmonë afër e në shërbim të popullit padyshim se si Lëvizje VETËVENDOSJE! do të kremtojmë edhe shumë e shumë ditëlindje të tjera, gjithmonë duke e mirëmbajtur identitetin tonë për hir të popullit tonë, Republikës tonë dhe mbarë kombit.

Ju falemnderit shumë,

Tash ia kaloj fjalën nënkryetares së Kuvendit, aktivistes së VETËVENDOSJE!-s, Saranda Bogujevci.

Urime ditëlindjen Sarandë!

Fjala e nënkryetares Bogujevci:

Përshëndetje i nderuari Albin,

Të dashura media

Në fakt në këtë ditë nuk është vetëm ditëlindja ime, këtë ditëlindje e ndaj edhe me një person që fatkeqësisht nuk ka arritur t’i mbijetoj historisë së ngjashme, e ajo është Ana Frank, e cila gjithashtu ka qenë e lindur me 12 qershor. Gjithashtu këtë ditëlindje e ndaj edhe me vajzat e axhës të cilat po ashtu e kanë mbijetuar luftën e fundit. Pra, 12 qershori është ditë që përkujtojmë shumë gjëra për të mos i harruar kurrë, por në të njëjtën kohë është ditë që festojmë për arsye të ndryshme qoftë të çlirimit të Kosovës por edhe të themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Pardje shënuam ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit së Prizrenit, dje atë të çlirimit të Prishtinës, sot të Kosovës e pas ca ditësh shënojmë edhe ditëlindjen e aktivistit dhe intelektualit Ukshin Hoti. Në tërë këto data natyrshëm gjejmë edhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!, pra sot kur është data e themelimit të saj.

Kjo lidhje nuk është vetëm kalendarike, por edhe konceptuale e parimore. Nga Përbashkimi i shqiptarëve, te ideja e angazhimit, çlirimi që duhet të nis nga vet ne, e deri te e përbashkëta dhe interesin i përgjithshëm e kombëtar, janë vetëm disa nga idetë e frymëzimet që kanë ndikuar dhe frymëzuar Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Por, pas luftës, zakonisht kur flitej e përkujtoheshin këto data flitej për të kaluarën, për atë që ishte larg nesh dhe tashmë thjesht e shkuar. Ishte pak kundërthënie të flisje e kujtoje këto data e të ndiheshe rehat me aktualitetin. Prandaj, erdhi VETËVENDOSJE! si kolektiv e angazhim e grup njerëzish që kishin vendosur të kundërshtonin padrejtësitë e kohës që po ashtu ishin në drejtim të kundërt me aspiratat për të cilat breza e breza kishin kaluar jetët duke u angazhuar e shumë të tjerë kishin dhënë edhe vet jetën për to.

VETËVENDOSJE! ishte thyerje e rehatisë së iluzionit dhe kërkesë për më shumë se çka kishim, por që në fakt ishte vetëm ajo që na takonte dhe për të cilat populli ynë ishte angazhuar. Mijëra takime e tubime me qytetarë, qindra fushata vetëdijësuese, qindra protesta e aksione, po aq tekste e fjalime për të artikuluar kërkesat tona ishin agazhimi i VV-së për t’u bërë adresë e subjekt i ndryshimeve rrënjësore në vend.

Në vija të trasha VETËVENDOSJE! ka lindur si nevojë e domosdoshme e angazhimit për subjektivitet e sovranitet të mirëfilltë shtetëror dhe për drejtësi sociale, për barazi të jashtme mes vendesh dhe barazi të brendshme mes qytetarësh.

17 vjetori i gjen VETËVENDOSJE! në qeverisje e me shumicë të konsiduershme parlmentare që vjen si rezultat i mbështetjes së madhe qytetare. Kemi përgjegjësinë si asnjëherë më parë që gjithë angazhimet e aspiratat e theksuara ndër vite t’i përkthejmë në punë konkrete në qeverisje për të cilat do të punojmë çdo ditë. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka lindur në populle nga populli dhe asnjëherë nuk do guxojmë të largohemi nga ai. Populli është ait ë cilit do t’i shërbejmë gjithmonë e mbështetja e fortë që do të mundësojë të mos devijojmë asnjëherë.

Unë kish dashur t’i uroj ditën e lindjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të gjithë aktivistët, por edhe qytetarëve që kanë qëndruar krah nesh në periudha të ndryshme dhe për të arritë sot këtu ku jemi dhe për të bërë ndryshime që ka pasur nevojë ky vend.

Ju faleminderit.

Kontribo