27 04 2019

20 vjet nga masakra e Mejës

Sot, në 20 vjetorin e njërës prej masakrave më të tmerrshme që u kryen përgjatë luftës së fundit në Kosovë, masakrës së Mejës në Gjakovë, ku u vranë 376 shqiptarë, civilë të paarmatosur, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i përbërë nga Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti, deputetë Fitore Pacolli e Liburn Aliu dhe Kryetari i Qendrës së Gjakovës Agon Batusha e asamblistë e aktivistë të kësaj qendre ka bërë homazhe te varrezat e martirëve në Kompleksin Memorial në Mejë. Po ashtu delegacioni i Lëvizjes bëri homazhe edhe pranë lapidarit të dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Skivjan të Gjakovës.

20 vite më parë, përmes një operacioni të planifikuar ku morën pjesë njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët dhe fqinjët e maskuar, u bllokuan të gjitha rrugët në drejtim të Mejës për të seleksionuar dhe ekzekutuar më pas 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me “lojërat e juristëve” të Millosheviqit më 27 prill 1992.

Askush nuk arriti t’i mbijetojë kësaj masakre, dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi. Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë.

20 vite më pas, ne kujtojmë luftën dhe përpjekjen për çlirim përmes heronjve, dëshmorëve dhe martirëve, ndaj të cilëve dhe për sakrificën e të cilëve jemi krenarë dhe përkulemi. 20 vite më pas, ne poashtu qëndrojmë pranë familjarëve dhe atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre, duke kërkuar drejtësi për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë. Këto krime nuk vjetërohen, këto krime nuk harrohen, këto krime kërkojnë drejtësi.

Kontribo