21 05 2020

21 vjetori i Masakrës së Dubravës

21 vite më parë, në hapësirat e burgut të Dubravës, nën organizimin shtetëror të Serbisë, u vranë 160 të burgosur politikë shqiptarë dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, në njërën prej masakrave më të tmerrshme të luftës së fundit. Nga data 19 maj, deri më 24 maj, të burgosurit shqiptarë që ishin sjellë aty nga të gjitha burgjet e Kosovës, dhe po përjetonin ditët më të rënda të tyre duke u përballur me një forcë që ishte mposhtur tashmë dhe që po hakmerrej mbi ta duke i masakruar. Në ato ditë plot me tortura, dhunime e vrasje pati të burgosur që arritën të shpëtonin dhe të arratiseshin përmes, siç shpjegojnë edhe vetë ata, përpjekjeve gati mbinjerëzore.

Sot, kur shënohet 21 vjetori i kësaj masakre kujtojmë që përmes fakteve dhe dëshmive të ndryshme është bërë një kallëzim penal nga shoqata e të burgosurve politik të Kosovës, por asgjë më tepër nga qeveritë e kaluara. Qeveria e tanishme, ka ndërmarrë nismën për themelimin e Institutit për Hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim që të bëjë një adresim serioz e profesional të këtyre krimeve. 21 vite pas, ndonëse shumë vonë, krimet e luftës duhet t’i trajtojmë seriozisht. Vënia e drejtësisë për këtë masakër, si dhe për masakrat tjera të kryera nga shteti serb në Kosovë duhet të ndodhë dhe pa asnjë vonesë të mëtutjeme.

Kontribo