26 03 2024

25-vjetori i Masakrave në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël dhe Suharekë: Homazhe për Dëshmorët dhe Martirët e Kombit Shqiptar

Sot, një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i prirë nga sekretari organizativ, Alim Rama së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetë, asamblistë dhe aktivistë të Lëvizjes, fillimisht morën pjesë në inaugurimin e Muzeut në Krushë të Madhe që do të ruaj kujtimet dhe të vërtetën e krimeve të Serbisë, për të vazhduar me homazhe në varrezat e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, si dhe në Suharekë te familja Berisha.

Në fjalën e saj gjatë inaugurimit të Muzeut, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se nëpërmjet këtij muzeu ruhet kujtesa kolektive për gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ajo po ashtu bëri të ditur që tashmë është themeluar Instituti për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, në të cilën do të dokumentohen të gjitha masakrat dhe krimet e tjera që janë kryer në Kosovë.

25 vjet më parë, me 26 mars 1999, menjëherë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat paramilitare serbe rrethuan fshatrat Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël. Vetëm në Krushën e Madhe për tre ditë u vranë e u masakruan 243 persona prej të cilëve 64 ende janë të pagjetur, dhe 850 shtëpi të fshatit u dogjën. Ndërkaq, në Krushë të Vogël gratë dhe fëmijët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre për t’i nisur drejt Shqipërisë, ndërsa burrat, pleqtë, të rinjtë dhe fëmijë i detyruan të hynin në një shtëpi, ku i pushkatuan dhe më pas i vunë edhe zjarrin. Vetëm gjashtë persona arritën të shpëtojnë nga kjo tragjedi, 112 burra dhe djem u vranë, ndërkohë një ditë para ishin vrarë 9 banorë të këtij fshati.

Pas homazheve pranë varrezave të të rënëve në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, shkuam në Suharekë, te shtëpia e familjes Berisha që në po këtë datë 25 vjet më parë ishte rrethuar nga forcat serbe.

Pra, me datë 26 mars 1999, forcat serbe nxorën me dhunë familjen Berisha nga shtëpia dhe e detyruan atë të hyjë brenda një kafeneje ku më pas hapën zjarr dhe hodhën eksploziv. Si pasojë, 48 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë 11 fëmijë u vranë atë ditë. Mes tyre, Dorentina 3 vjeçare, Ismeti 2 vjeçar, ndërsa Eroni dhe Redoni ishin vetëm 1 vjeç. Trupat e tyre u dërguan në varrezë masive në Batajnicë, afër Beogradit. Kësaj masakre i mbijetuan vetëm Shyhrete Berisha dhe Vjollca me të birin, Gramoz Berisha.

Dëshmorët dhe martirët tanë janë udhërrëfyesit e rrugëtimit tonë shoqëror, politik e kombëtar. Ne nuk do të rreshtim së kërkuari vënien e drejtësisë për krimet e kryera nga lufta e fundit, deri në vendosjen e saj.

Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar!

Kontribo