26 01 2025

Tubimi në Viti-Cep më Cep 118

Sallat në Viti nuk janë të vogla, por pjesëmarrja e qytetarëve ishte aq e madhe sa tubimi mund të mbahej vetëm në ambientin e hapur.

Në fjalën e tij të hapjes së tubimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Viti, kryetari i qendrës së këtij qyteti, Arsim Ademi që është njëherazi zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe kandidat për deputet nga kjo komunë, ai i uroi mirëseardhje të pranishmëve në qytetin e Vitisë, në vendin e njerëzve të pendës dhe të pushkës, në Vitinë e maleve të Karadakut dhe Anamoravës, të dy shkollave të para Shqipe në Stubëll dhe Pozharan, të rezistencës, dëshmorëve e martirëve që ranë për të mbrojtur territorin e tyre.

“Vitia nuk i mbështet më ata që e zhvatën popullin për mëse 20 vite, ata që e zvogëluan Kosovën përmes decentralizimit, ata që i dhanë territoret e Kosovës përmes demarkacionit me Malin e Zi, ata që avokuan dhe premtuan asociacion të komunave me shumicë serbe dhe ndarjen e Kosovës, Vitia nuk i mbështet më ata që e tradhëtuan besimin e qytetarëve. Vitia ka nevojë për një qeveri që i qëndron besnike parimeve të saj dhe qytetarëve të saj, ka nevojë për qeverinë Kurti 3, për Albin Kurtin kryeministër”, tha zëvendësministri Arsim Ademi.

Teksa flamuri kombëtar u shpalos në ambientin e jashtëm të shtëpisë së kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” dhe në muret e bibliotekës publike “Ramadan Musliu”, fjalën e mori Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njëherazi edhe kryetare e Gratë për Vetëvendosje.

“Rezultati i 9 shkurtit është i rëndësishëm edhe në lidhje me ata që e penguan reformën në drejtësi, ata që duan të pengojnë përpjekjen për të ndërtuar një sistem të drejtë dhe të pavarur të drejtësisë. Fitorja e 9 shkurtit është mesazh i qartë se reforma është e pakthyeshme dhe çdo tentativë për ta ndaluar atë do të dështojë. Kjo është një betejë për të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve tanë”, nënvizoi ministrja Albulena Haxhiu.

Në vazhdim të fjalës së saj, ajo theksoi se Lëvizja jonë ka patur mbështetje të jashtëzakonshme nga gratë dhe kjo mbështetje na ka mundësuar të ndërmarrim shumë veprime për fuqizimin e gruas në Kosovë, si në shëndetësi, si në arsim, në aspektin e fuqizimit ekonomik, me mbështetje për viktimat, për fëmijët, për gratë sipërmarrëse e ato që merren me bujqësi.

“Viti 2025 është shpallur si viti i gruas nga kryeministri Kurti dhe përgjatë gjithë vitit do të ndërmarrim shumë masa që ndikojnë në jetën e grave dhe vajzave, deri sa të arrijmë të ndërtojmë një shtet ku gratë trajtohen të barabarta. Ne kemi nevojë për angazhimin e çdo gruaje, kudo që ajo ndodhet, sepse vetëm kështu do të mund ta çojmë përpara vizionin tonë për një Kosovë ku gratë janë të barabarta, të sigurta dhe të fuqizuara”, tha ministrja Haxhiu në përmbyllje të fjalës së saj.

“Po të kishim hyrë në sallë, më shumë se gjysma kishin mbetur jashtë e ata brenda e kishin pas tepër nxehtë; sot këtu përjashta është ftohtë, por ju e keni bërë fort ngrohtë, andaj e dashura Viti, ju faleminderit për këtë mikpritje kaq të përzemërt”, tha kryeministri Kurti në nisje të fjalimit të tij drejtuar qytetarëve të Vitisë, teksa entuziazmi i të pranishmëve të shumtë rritej gjithnjë e më shumë.

“Si Lëvizje VETËVENDOSJE! jemi përqëndruar në rritjen ekonomike, në përparimin demokratik, në shpërndarjen sociale dhe në stabilitetin instirucional. Në katër shtylla kemi patur sukses. Kur shtetndërtimi demokratik i ka këto katër shtylla të forta, atëherë padyshim që kurrëfarë sfidimi i stabilitetit e i sigurisë nuk mund të ketë sukses. Ka provuar Serbia për çdo vjet, ka provuar për çdo muaj, mirëpo çdo herë ka dështuar e Republika e Kosovës ka fituar”, u shpreh kryeministri Albin Kurti.

Më tej ai tha se Vitia është një komunë kufitare dhe si e tillë e di më së miri rëndësinë e sigurisë. Prandaj dhe qeveria jonë e ka rritur buxhetin për Policinë e Kosovës për 66 përqind, e kemi trefishuar buxhetin për ushtrinë tonë, e kemi dyfishuar numrin e ushtarëve tanë, i kemi katërfishuar trajnimet për ushtarët tanë jashtë vendit dhe i kemi qindfishuar investimet në armatim e në municion, që do të rezultojë edhe me fabrikë të municioneve në vendin tonë, për një ushtri të fuqishme që na mbron të gjithëve cep më cep.

Në vazhdim, kryeministri Kurti foli për mbështetjen që kjo qeveri i ka dhënë Komunës së Vitisë në bujqësi me 9 milionë euro subvencione dhe grante për gati 4 mijë bujq e fermerë, mbështetjen për 1200 nëna lehona në Viti, për afër 4500 fëmijë që kanë përfituar shtesa, kurse rreth 450 të reja e të rinj të Vitisë kanë gjetur punë përmes programit qeveritar “superpuna”, afër 6 mijë pensionist nga tetori i vitit të kaluar marrin pensionin me rritje prej 20% dhe për katër vjet pesë herë e kanë marrë pensionin e trembëdhjetë.

“Unë e di se Vitisë i është bërë një padrejtësi e madhe me pamundësimin e kyçjes në autostradën ‘Arbën Xhaferi’, por Vitia do të kyçet në atë autostradë dhe qeveria jonë që do ta vazhdojë mandatin është garancia, dëshmia, kushti, mundësia për këtë, sepse punimet do të fillojnë sapo të përmirësohet moti dhe do të përfundojnë në fund të kësaj pranvere”, shtoi kryeministri Albin Kurti.

Në vazhdën e zotimeve për mandatin e ardhshëm, kryeministri Kurti tha se Vitia do ta ketë palestrën e sporteve që e ka pritur dhe që e meriton, diga e Firajës do të jetë zgjidhja e problemit të Vitisë për ujë të pishëm dhe ujitje, si dhe përveç dy çerdheve të reja në Komunën e Vitisë do të ndërtohet sivjet edhe çerdhja në qytetin e Vitisë për 120 fëmijë, ndërsa dy shkollat e para Shqipe në Kosovë, njëra në Stubëll të Epërme do të konservohet dhe tjetra në Pozharan do të rindërtohet, së bashku me ndërtimin e shtëpisë së kulturës aty.

“Ne dikur jemi qeverisur prej politikanëve me mendjen e cekët dhe xhepa të thellë, kur populli i Kosovës e ka merituar të qeveriset prej njerëzve të mençur e të dijshëm, të guximshëm e të ndershëm, punëtor e patriot, siç janë njerëzit e qeverisë sonë, siç janë kandidatët tanë për deputetë që vijnë nga Kosova cep më cep e që më 9 shkurt e kanë numrin 118. Më 9 shkurt do të kemi shpërthim demokratik me guximin e 500k zemrave për numrin 118, ku në Viti e në gjithë Kosovën të kumtohet lajmi i fitores cep më cep për koalicionin VETËVENDOSJE!, Guxo dhe Alternativa”, tha kryeministri Albin Kurti në tubimin e madh në Viti, që u përmbyll me entuziazmin dhe bindjen e fitores së madhe që po vjen.

Kontribo